Demo: Zhvillim ekonomik dhe modernizim i bashkive në funksion të Shqipërisë 2030

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, paraqiti në mbledhjen e zhvilluar në Pallatin e Brigadave, raportin për fuqizimin e pushtetit vendor, të fokusuar në katër shtylla: zhvillimin ekonomik, rritjen e kapaciteteve vendore, modernizimin e qeverisjes dhe përmirësimin e performancës së shërbimeve.

Në drejtim të zhvillimit ekonomik, Demo u ndal te programi “Paketa e Maleve”, duke bërë të ditur se 25 bashki kanë përcaktuar tashmë zonat prioritare dhe në këto zona janë regjistruar mbi 300 aplikime reale për leje ndërtimi, që po trajtohen nga pushteti vendor. Sipas tij, edhe 25 bashki të tjera janë në proces përgatitjeje të dokumentacionit. Objektivi për vitin 2026 është arritja e 1000 aplikimeve të suksesshme në të gjithë territorin.

Ministri theksoi gjithashtu konceptin e “bashkive sipërmarrëse”, që synon kthimin e njësive vendore në aktorë ekonomikë realë. Nisma po diskutohet me disa bashki dhe pritet të marrë formë konkrete në muajt në vijim, me synimin për të sjellë ndryshime në zhvillimin ekonomik lokal.

Sa i përket kapaciteteve vendore, Demo evidentoi nisjen e Akademisë së Pushtetit Vendor, ku trajnimet e para janë fokusuar në sistemin parashkollor dhe procesit të menaxhimit të mbetjeve. Sipas tij, modeli i financimit parashikon mbështetje të përbashkët: 50% nga vetë bashkitë dhe 50% nga qeveria shqiptare për tre vitet e para, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së iniciativës.

Në fokus të raportit ishte edhe riorganizimi i policisë bashkiake. Drafti i rishikuar do të diskutohet me kryetarët e bashkive, ndërsa Ministria e Brendshme do të garantojë standarde kombëtare për trupën e policisë bashkiake, që do të funksionojë në nivel vendor si pjesë e strukturave të bashkive.

Ministri njoftoi vijimin dhe konsolidimin e partneriteteve akademike me universitetet në vitin 2026, për të adresuar problematika specifike në territor përmes studimeve dhe rekomandimeve konkrete për bashkitë.

Digjitalizimi i shërbimeve vendore u cilësua si projekti kryesor i mandatit. Sipas tij, janë ngritur grupet e punës për rishikimin dhe thjeshtimin e të gjitha shërbimeve, para se ato të digjitalizohen, me synim uljen e kostove, rritjen e eficiencës dhe garantimin e aksesit për qytetarët.

Në këtë kuadër, brenda vitit 2026 parashikohet transformimi i sistemit AFMIS (Albanian Financial Management Information System) nga një instrument i thjeshtë menaxhimi financiar në një mekanizëm që mat performancën dhe financimin e politikave publike në nivel vendor. Sistemi do të përfshijë modulin e matjes së performancës dhe vendosjen e standardeve kombëtare të shërbimeve.

Lidhur me performancën në shërbime, Demo bëri të ditur se ka nisur rishikimi i metodologjisë së Grantit të Performancës, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me cilësinë reale të shërbimeve që ofrohen në territor.

Ministri u ndal edhe te reforma territoriale, duke theksuar se produkti i saj duhet të përgatisë bashkitë për sfidat e integrimit evropian dhe për problematikat konkrete të territorit. Ai paralajmëroi nisjen e një turi faktmbledhës në të gjithë vendin, si dhe një analizë të detajuar të funksioneve të bashkive, me synim ndërtimin e njësive vendore të qëndrueshme në funksion të objektivave të Shqipërisë 2030.