Denaj në Kuvend: Certifikata e origjinës së produkteve, nxit zinxhirin e furnizimit brenda rajonit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Denaj në Kuvend: Certifikata e origjinës së produkteve, nxit zinxhirin e furnizimit brenda rajonit

Projektligji për ndryshimin e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, do të ndikojë në lehtësimin e tregtisë dhe nxitjen e zinxhirit të furnizimit brenda rajonit.
Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se, “mbi të gjitha ky pr.ligj nxit konkurrueshmërinë dhe orienton biznesin në ekonominë bujqësore që të përcaktojë drejt investimeve të zgjuara për rritjen e cilësisë në drejtim të sigurisë ushqimore si dhe për të rritur vlerën drejt tregjeve ndërkombëtare”.
“Rregullat e origjinës shërbejnë për të përshtatur më mirë prodhimin me realitetin e zhvillimeve të kohës por mbi të gjitha marrëveshja lehtëson dhe përmirëson ato që quhen rregullat e kumulimit, i cili është një proces që i lejon produkteve të ndryshme që janë krijuar në vende të ndryshme të marrin rregullin e origjinës nga një vend specifik dhe të përfitojnë nga kuotat preferenciale që ky vend ka”, u shpreh Denaj.
Ministrja vuri në dukje një sërë përfitimesh nga hyrja në fuqi e këtij projektligji ndër të cilat tha ajo: rritjen e eksporteve; rregulla më fleksibël të lehtësuara; standartizim të sigurisë ushqimore; nxitje të investimeve në zonat rurale.

Denaj u ndal edhe në vendimin e fundit të qeverisë për përcaktimin e rregullave në prodhim dhe ndërtim në zonat rurale që synon të rrisë sipërfaqet e mbjellë prodhimin dhe eksportet bujqësore.

Fjala e plotë e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj

E nderuar zonja kryetare e parlamentit, kolegë deputet i opozitës, ju jeni anëtar i Komistionit të Ekonomisë dhe Financave gjatë gjithë kohës, që po dëgjoja kuptova një fjalë të vetme meritonte ky parlament dhe qytetarët ndaj të cilëve kemi detyrim informimi, të flisni diçka për Konventën Rajonale, që është pika e agjendës, sepse edhe kjo javë është një javë shumë e rëndësishme për të cilat vlen të themi ato gjëra që bizneset, përfaqësuesit e biznesit kanë dëshirën t’i dëgjojnë, sepse janë lajme të mira. Por lajmet e mira nuk thuhen në këtë foltore nga ju edhe pse keni detyrimin si anëtarët e komisionit për t’a bërë këtë gjë. E megjithatë, lehtësia e papërballueshme e hedhjes së vrerit pa fakte vazhdon edhe kësaj nuk kemi çfarë t’i bëjmë, por ju lutem mos ofendoni pafund.
E për t’ju kthyer pikës së rendit të ditës, të nderuar përfaqësues të biznesit, ndryshimi i Konventës Rajonale për rregullat preferenciale të origjinës ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë të:
• nxitjes për të modernizuar ekonomine bujqesore
• thjeshtuar rregullat ekzistuese duke ulur burokracinë
• nxitjen e integrimit ekonomik dhe zhvillimin e zinxhirëve të furnizimit brenda rajonit

Por mbi të gjitha rrit mundësinë për të nxitur konkurrueshmëri e për rrjedhojë duhet edhe një reflektim në mënyrën se si biznesi në ekonominë bujqësore do ti duhet të percaktojë prespektivën drejt invesitmeve të zgjuara për cilësi, sidomos në sigurinë ushqimore për të rritur vlerë duke u bashkuar, por njëkohësisht duke synuar tregje ndërkombëtare.

Rregullat e origjinës synojnë të përmirësojnë fleksibilitetin dhe të përshtaten më mirë me realitetin ekonomik aktual, duke përmirësuar kumulimin, provat e origjinës dhe proceset e verifikimit ndërmjet palëve kontraktuese.
Deri në hyrjen në fuqi të konventës aplikohen rregullat tranzitore si rregulla alternative.
Ka një serë përfitimesh ekonomike të përllogaritura nga këto rregulla do listoj disa prej tyre:
• Rritjen e Konkurrencës Eksportuese. Rregullat qe percaktohen më fleksibël si rezultat i kësaj Konvente thjeshtojnë në veçanti elemntë të origjinës dhe pritet të rrisin konkurrencën e eksportit në vendet pjesëmarrëse, duke e bërë më të lehtë për produktet të hyjnë në tregjet ndërkombëtare duke përfituar nga tarifa të ulëta ose zero.
• Standartizim të sigurisë ushqimore pasi produktet e shoqëruara me certifikatë origjine mund të përfitojnë nga tarifa preferenciale ose përjashtime nga detyrimet doganore në tregjet e huaja. Këtu dua të kujtoj se këto element janë shumë të rëndësishëm për të gjithë eksportuesit e produkteve ushqimore, të cilët si rezultat i të gjitha këtyre lehtësive dhe të tjera më parë të aprovuara ulin kohën e qëndrimit në doganë dhe kostot gjithashtu. Dhe kështu automatikisht duke reduktuar edhe burokracitë administrative.
• Zhvillimi Ekonomik dhe Social i Zonave Rurale pasi investimet në zhvillimin ekonomik dhe social i këtyre zonave do të jetë patjetër rrjedhojë e përmirësimit të infrastrukturës mee shërbimet bazë, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe duke krijuar mundësi të reja punësimi.
E në frymë të këtij objektivi madhor të qeverisë sonë socialiste më lejoni të them dy fjalë për një vendim shumë të rëndësishëm që kemi marrë në Këshillin e Ministrave që u aprovua ditën e djeshme, e për të cilën besoj një meritë të veçantë ka një grup deputetësh socialistë, të cilët prej mëse një viti kanë pasur një nisëm për të lehtësuar me problematikat e shfaqura në zonat rurale si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm me fermerët e këtyre zonave duke ndërhyrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.283/2015, Për përcaktimin rregullave, ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në tokë bujqësore.

Çfarë konkretisht ka ndryshuar:
– Është rritur sipërfaqja e tokës që përdoret për ndërtimin e serrave, duke synuar shfrytëzimin e tokës nga 70% në 90% me qëllim për ti dhënë mundësi fermerit të ndërtojë serra më të mëdha, ose serrat që ka aktuale të ndërtuara ti shfrytëzoj për një kapacitet të rritur e kështu t’i jap mundësi rritjes së sasisë së prodhimit e të vlerës.

– Ndryshimet prekin edhe objektet ndihmëse ato funksionale, të cilat zhvillohen në një kat të vetëm, për të pasur një kapacitet më të madh magazinimi dhe ruajtje duke përfshirë dhe magazinat frigoriferike që bëjnë të mundur arritjen e standardeve të synuara të produkteve të prodhimit të fermerëve.

– Përmirësimin e parametrave të ndërtimit për stallat, duke rritur lartësinë e tyre deri në 6 metër nga 4,50 m që ishte më parë dhe jo më shumë se 12 metra mbi kulm.

– Gjithashtu kemi rritur parametrat në vëllim maksimal të objektit ndryshime në lartësi në rritjen të vëllimit në objektet bujqësore dhe blegtorale duke lejuar që kur subjektet rrisin lartësinë e të mos pengohen nga kufizimet e parametrave të vëllimit.

Kjo jep mundësinë e përmbushjes së standardeve më të mira për mirëqenien e kafshëve, por gjithashtu edhe rritjen e kapacitetit të mbarështimit të kafshëve për fermat e mesme dhe të mëdha.

Për ndërtimin e stallave që mbarështojnë mbi 50 njësi gjedhi mbi bazë janë zvogëluar kriteret e mëparshme të distancave.

Konkretisht:

o 15 m nga 20 m nga kufijtë e pronës
o 400 m nga 500 m nga zonat e banuara
o 50m nga 100 m nga banesa më e afërt e veçuar nga qendrat urbane

Janë harmonizuar parashikimet e vendimit me Planet e Përgjithshme Vendore, tashmë të miratuara, duke i dhënë mundësi të njëjtë fermerëve për objektet e ndërtuara përpara miratimit të planeve sipas kapacitetit ndërtues që i lejon ky plani.

Pavarësisht lehtësirave në këtë akt, është mbajtur në konsideratë dhe është treguar kujdes në përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e mjedisit dhe ujërave.

Fermat blegtorale duhet të zbatojnë legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe nuk duhet të shkarkojnë mbetjet e fermës në mjedis apo në ujë, por të përdorin vend-depozitime të veçanta për grumbullimin e tyre si dhe teknologji dhe mënyra bashkëkohore të trajtimit të tyre, kështu duke shmangur efektet negative në ndotjen e mjedisit që është një problem aktual sidomos në zonën e Lushnjes dhe të Divjakës.

Sikurse e theksova edhe në krye të herës impakti që pritet nga këto rezultate është për të rritur prodhimin, jo vetëm në serrat e reja apo ndërmarrjet e reja që mundet të krijonë si rezultat edhe i kësaj nxitjeje të ndryshimeve të këtyre parametrave, por mbi të gjitha i atyre ekzistuese se po flasim për një rritje të vëllimit, për zgjerim të hapsirave dhe mbi të gjitha të shfrytëzimit më optimal të sipërfaqes aktuale. Në vlerësimin e ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mendoj që në nivelin 15-20% është pritshmëria e rritjes së prodhimit nëse realizohen këto standarde, sikurse ky vendim i ka plotësuar.

Edhe një herë dua të falenderoj grupin e deputetëve socialistë, të cilët kanë këmbëngulur për gati një vit për t’a bërë këtë të mundur. Ka qënë një nisëm, e cila është diskutuar në grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Kryeministri Rama kërkoi ngritjen e këtij grupi dhe nuk është i vetmi ndryshim që pritet. Unë besoj që javën e ardhshme një vendim tjetër po aq i rëndësishëm, rrjedhojë e të njëjtës punë nga ky grup parlamentar është vendimi i Këshilli të Ministrave nr.408 që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në njësitë e banimit dhe shpresoj që reflektimi i të gjithë pikave të deputetëve të merret parasysh.

Faleminderit!

Previous “Përmirësohen shërbimet publike, më interaktive në marrëdhënie me qytetarët e biznesin”/Ndryshime në ligjin e Gjendjes Civile