Denaj në Kuvend: Marrëveshja me Italinë për sigurimet shoqërore, një vlerësim i punës së emigrantëve tanë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Denaj në Kuvend: Marrëveshja me Italinë për sigurimet shoqërore, një vlerësim i punës së emigrantëve tanë

Mijëra shqiptarë që punojnë e jetojnë në Itali pritet të përfitojnë  njohjen e  viteve të punës së tyre, nëpërmjet marrëveshjes mes dy vendeve, e cila u diskutua gjatë seancës  parlamentare.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në fjalën e saj  theksoi se, “marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore, i hap rrugën të përfitojnë mundin dhe djersën të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali.

“Kjo është një arritje që vjen pas një pune të madhe për më shumë se një dekadë”, tha Denaj, e cila e cilësoi marrëveshjen të një rëndësie të madhe ku veçoi se edhe marrëveshja me Kanadanë apo vende të tjera, është meritë e punës këmbëngulëse të qeverisë socialiste.

“Kjo marrëveshje garanton që asnjë qytetar nuk humbet asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku ka punuar, duke mundësuar kështu plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dyja vendet. Qytetarët përfitojnë sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar; sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë”, tha Denaj.

Ajo theksoi se, çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar, pension të pjesshëm minimalisht për 15 vitet e punës dhe pension të plotë maksimalisht për 36 vite e 8 muaj punë.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural:

E nderuar drejtuese e seancës, të nderuar kolegë deputet, qytetarë dhe bashkëatdhetar në Itali!

Në fakt, nuk mund të jem shumë dakord me parafolësin kur e vendos rëndësinë tek vëmendja që duhet t’i japim punës, sakrificës, mundit të të gjithë bashëatdhetarëve tanë në Itali e më gjerë, por sidomos në këtë ditë të veçantë.

Dhe sot meritojnë të gjithë njëzëri të vendosim këtë në fokus, në vëmendjen tonë dhe të festonim një punë, e cila për më shumë se sa 10 vjet, me shumë vështirësi dhe me këmbëngulje nga qeveria socialiste nga grupet teknike, por edhe në nivelin politik arrin sot në një marrëveshje për të cilën na bën sot krenarë të gjithë, si ne majtas edhe djathtas.

E janë këto punë të të gjithë këtyre viteve të grupeve teknike, të cilat unë kam patur nderin ti shoqëroj për një pjesë të kohës si ish-ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe sot si deputete e këtij parlamenti të nderuar, të votoj për një marrëveshje shumë të rëndësishme, pjesë e shumë marrëveshjeve të tjera, të cilët kolegët parafolës i kanë përmendur duke filluar nga Turqia në vitin 2005 e duke vazhduar me shumë vende të tjera.

U la pa përmendur, sepse i gjithë fokusi ishte tek vendet e Bashkimit Evropian, por edhe një marrëveshje shumë e rëndësishme me Kanadanë për 75 000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada prej vitesh. E kemi qënë përsëri ne si qeverisje që e bëmë të mundur pas një pune shumë të madhe teknike, e punës dhe sakrificës së tyre, por nuk mund të mohoni në mënyrë absolute punën e të gjithë teknikëve që punojnë në ministri dhe punën e përpjekjen e këmbënguljen e një qeverisjeje që këto 10 vite e ka bërë realitet. Jo një as dy as tre, por më shumë se 11 marrëveshje.

E për t’ju kthyer pikës së rendit të ditës, asaj për të cilën ne të gjithë duhet të festojmë. Duhet të mos lëmë pa përmendur peshën financiare që ky akt ka dhe që ka qënë një pjesë e rëndësishme dhe e vështirësisë përtej asaj që mund të jenë element teknik që i takon fushës së përgjegjësisë së Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të cilët unë i përshëndes të gjithë ekipin që ka punuar në veçanti për këtë marëveshje.

Marrëveshja e dakordësuar pasohet në takimin e barabartë dhe do të zbatohet për personat e punësuar dhe vetëpunësuar në lidhje me:

  • Sigurimin për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar;
  • Sigurimin për përfitimin sëmundjet dhe barrëlindjen;
  • Sigurimin e papunësisë

Gjithashtu nëpërmjet kësaj marrëveshjeje harmonizohen legjislacionet kombëtare të të dyja vendeve, si dhe reflektohen të gjitha rregullat për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore.

Dua të kujtoj se për të përfituar pension, si për personat që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe ata që jetojnë jashtë vendit duhen minimalisht 15 vite pune. Ndërsa për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj pune.

Të gjitha vitet e punës që njihen si vjetërsi pune, për efekt pune llogariten që nga mosha 16 vjeç, si për burra ashtu edhe për gratë, pavarësisht sektorit ku kanë punuar.

Të dashur bashkëatdhetar që jetoni në Itali, jo më larg se dje kam takuar  bashkë me dy koleget e mia deputete një ekip profesionistësh, të cilët prej vitesh kanë  jetuar në Itali, por janë duke kontribuar në një nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare të FAO-s, që lidhen drejtëpërdrejtë me fushën e  bletarisë së Ministrisë së Bujqësisë, ku me një kënaqësi të pamasë pamë se si arritjet e tyre profesionale na bënë krenar në atë që përfaqësojnë çdo ditë, sikurse kolegu përmendi pjesën e bizneseve në shumë vend në Itali. Këto janë ato për të cilat ne krenohemi, për të cilën sot do të linim mënjanë të gjitha kritikat qoftë ndaj kryeministria, apo qeverisë, por edhe ndaj skemës.

E meqenëse për një pjesë të gjatë të kohës kam punuar drejtëpërdrejt dua t’i kujtoj disa kolegëve, të cilët vijnë nga fusha e financave dhe ekonomisë, që diskutim në raport me skemën e pensioneve duhet të shikohet, edhe në aspekt të rritjes së kontributeve edhe të mbështetjes buxhetore, e cila nuk është pak, por është një kontribut i rëndësishëm i buxhetit të shtetit dhe duhet që skema të tejkaloj këtë vështirësi të mbështetjes.

Por ne të gjithë bashkë si deputetë dhe nuk po flas si përfaqësuese e qeverisë, në të gjithë zonat tona duhet të ndihmojmë të tejkalojmë një problem mentaliteti të deklarimit dhe formalizimit dhe të nxisim të gjithë të fillojmë të mendojmë sot, se si të tejkalojmë problemet e formalizimit të kontratës së punës apo të deklarimit të plotë të pagës.

E këtu, një thirrje të veçantë do ia kërkoja kolegëve të mi deputetë në zonat rurale, ku përtej faktit që ankohen se sa të vogla janë kontributet në aspektin e pensioneve në zonat rurale, të ndihmojnë që këtu në veçanti, jo vetëm reforma e pensioneve të ketë një vëmendje të theksuar në rishikimin e saj, por të ndihmojmë në punën tonë të përditshme si deputet, që të gjithë fermerët të vlerësojnë kontratën. Atë që lidh punën e tyre me sigurimet shoqërore, sikurse kontratën që lidh punën e tyre me mundin dhe djersën e përditshme të produkteve që nxjerrin në treg.

E këtu, dua pak të ndaloj me aktualitetin. Me këtë aktualitet, që ne po përballojmë çdo ditë në raport edhe me ndryshimin e çmimeve, por jo vetëm edhe me atë që lidhet me mungesën e lartë të formalizimit të kontratave në çdo element në zonën rurale, për të dhënë mundësi, për të ndjekur dhe rregulluar shumë aspekte të tjera ligjore, të cilat ky parlament i nderuar ka marrë aprovim.

Nuk dua të tejkaloj rëndësinë dhe fokusin e ratifikimit të kësaj marrëveshje, dua të theksoj se është përgjegjësia jonë, e të gjithëve që zonat rurale t’i shikojmë si një burim shumë i  rëndësishëm i një marrëdhënieje të drejtëpërdrejtë në formalizimin e ekonomisë që jo vetëm skema e kontributeve shoqërore të marri rolin që meriton, por edhe buxheti i shtetit atë kontirubut të rëndësishëm që shkon gati në 30% në totalin e kostove t’a çoj diku tjetër dhe të mos përmenden këtu të gjithë investimet e tjera po aq të rëndësishme që ka bërë kjo qeveri.

Të nderuar kolegë deputetë, kjo marrëveshje është jo vetëm për atdhetarët tanë në Itali dhe për qytetarët shqiptar, të cilët kanë punuar dhe kanë derdhur kontribute në shtetin italian dhe kanë zgjedhur të kthehen në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj marrëveshje i japim të gjithë shtetasve shqiptar një të drejtë të barabartë, njohjen e të gjitha viteve të punës dhe kontributeve të derdhura në skemën e sigurimeve shoqërore. Të dyja palët, si ajo shqiptare dhe italiane janë ulur në tryezë me vullnetin e plotë për të njohur qytetarët e të dy vendeve me të drejtën themelore atë të sigurimeve shoqërore të njohur në Nenin 22 të Deklaratës për të Drejtat e Njeriut. Kjo është një tjetër nisëm e qeverisë shqiptare e përmbyllur me sukses dhe është njëkohësisht një element shumë i rëndësishëm për t’u theksuar që përgjatë vitit të kaluar një nisëm tjetër, ku unë kam qënë dëshmitare si pjesë e grupit të miqësisë Shqipëri- Greqi, kryetare e atij grupi miqësie bashkë me disa kolegë deputetë.

Në diskutimet që kemi realizuar me palën greke, të bëjmë të mundur, që dy takime teknike të ndodhin përgjatë vitit të shkuar edhe në shtetin fqinj atë grek dhe të mundësojmë që të njëjtin element kaq të rëndësishëm për bashkëatdhetarët tanë në Itali t’a realizojmë edhe për ata në Greqi. E të mos kapemi pas diskutimeve politike, por të gjithë bashkë për herë të parë të bëhemi shqiptarë, të ndjejmë emrin e Shqipërisë dhe flamurin tonë edhe nëpërmjet këtij elementi kaq të rëndësishëm, vlerësimi për emigrantët, për punën, sakrificën e tyre për të cilët ne të gjithë e dimë, sepse të gjithë kemi familjarë më shumë se sa kanë vuajtur për t’a rinisur gjithmonë nga e para, ndoshta nga një vend tek tjetri, e për të cilën sot në këtë foltore do të flasim vetëm për ta dhe me një festë për të gjithë ne që ja arritëm dhe së shpejti do t’ja arrijmë edhe për Greqinë.

Shumë faleminderit!

Previous Balla në Kuvend: Na duhet një politikë e re penale, drejtësia ta hetojë me paanshmëri ngjarjen e fundit e të japë dënim ekzemplar