Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dy projektligje të rëndësishme për zhvillimin e këtij sektori në vend, ”Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin e ”Peshkimit’.
Sipas ministres Denaj, këto janë dy ligje, të cilat jo vetëm përafrojnë kuadrin ligjor në Republikën e Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha sigurojnë rregulla shumë më të mira në aspekt të sigurisë ushqimore në rradhë të parë, ligji i veterinarisë, si dhe një aspekt më të rritur zhvillimin ekonomik në sektorin e peshkimit, ligji i peshkimit.
“Konkretisht, ne sot në Shqipëri kemi disiplinuar shumë produktet, të cilat shkojnë për sektorin e blegtorisë në vaksinim dhe në kujdesin ndaj kafshëve, por ky ligj për një handikap ligjor të munguar më parë e mbulon plotësisht këtë vakum dhe siguron të gjithë zinxhirin e gjurmueshmërisë njëkohësisht, por edhe të vaksinimit të plotë në raport me produktet, të cilat në farmacitë tona veterinare janë sot më lehtë për t’u gjurmuar dhe kuptuar për cilësinë e tyre, u shpreh Denaj, duke shtuar se kryeministri, qeveria Rama ka punuar gjatë gjithë këtyre viteve për të fokusuar vëmendjen tek një potencial të padiskutueshëm ekonomik që është produkti i ujrave tona, ato që ndodhen në det, por edhe ato të akuakulturës”.
Ministrja theksoi se vitin e kaluar ne arritëm një nivel eksportesh me gati 144 milion euro, vlerë kjo më e madhe se një vit më pare. “Ne synojmë një produkt edhe më të madh në vitet në vijim si rezultat i këtij ndryshimi ligjor. Kjo, sepse shkojmë më në thellësi, në dete të hapura dhe sigurojmë nëpërmjet këtij ligji mundësinë e certefikimit të më shumë anijeve. Sot flota ka 811 anije peshkimi dhe lehtësia e këtij ligji për të licensuar më shumë anije sikurse standardet ndërkombëtare e lejojnë, mundëson më shumë prodhim peshkor dhe përpunim”, u shpreh ministrja.
Ministrja shtoi se vijmë edhe pas një aprovimi në Këshillin e Ministrave të Ekonomisë Blu, që është një kredi 25 milion euro marrë nga qeveria italiane për të gjithë infrastrukturën në tokë, që i shërben gjithë prodhimit peshkor në vend. Janë 9 mole apo 9 porte të vogla, të cilat i shërbejnë peshkimit artizanal dhe kemi 2 markata në standardet ndërkombëtare, ato të Sarandës dhe të Shkodrës, që i bashkangjiten standardit ndërkombëtar që sot e shikojmë në markatën e Vlorës.
Duke iu referuar ligjit “Për veterinarinë”, ministrja tha se kemi pasur një konsultim publik, shumë aktiv. “Janë 15 kërkesa të bëra nga grupet e interesit, nga Urdhri i Veterinerit, i cili sigurisht ka qënë shumë aktiv edhe për funksionin që ka. Janë 1200 veterinerë në Republikën e Shqipërisë, që do të përfitojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga këto rregulla të reja. Unë shpresoj, që këto të jenë të qarta edhe për publikun, por mbi të gjitha të garantojnë atë që kemi të gjithë objektiv kryesor, sigurinë ushqimore”, deklaroi Denaj.