Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në fjalën e saj gjatë seancës plenare ku prezantoi “Projektligjin për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar”, deklaroi se me këtë nismë përmirësohet baza ligjore për të siguruar cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e produkteve mjekësore veterinare të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe garanton një mjedis të sigurt për kafshët dhe njerëzit.
Ministrja Denaj vuri theksin në rëndësinë e këtij projektligji, i cili vjen i përafruar me standardet e Bashkimit Evropian dhe ofron mbështetje për konsumatorët, fermerët blegtoralë, klinikat dhe farmacitë veterinare, si dhe për operatorët e prodhimit dhe importuesit e produkteve mjekësore veterinare.
“Ndërhyrja e qeverisë është e nevojshme për të mbushur një vakum ligjor që ekziston në ligjin aktual, në lidhje me përcaktimin e rregullave për prodhimin, regjistrimin dhe tregtimin e produkteve mjekësore veterinare të prodhuara në Shqipëri”, tha Denaj.
Projektligji përfshin detajimin e procedurave që sigurojnë prodhimin cilësor të produkteve mjekësore veterinare, duke u bazuar në parimet dhe praktikat e mira të prodhimit.
Po ashtu, në rritjen e kontrollit mbi prodhimin e këtyre produkteve, duke forcuar sistemin e kontrollit zyrtar, për të mbuluar të gjithë zinxhirin nga importimi i lëndës aktive deri në vendosjen në treg të produktit mjekësor veterinar.
Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres Denaj në seancë plenare:
Të nderuar kolegë deputetë,
Projektligji për “Shërbimin veteriar i ndryshuar” ka për qëllim të përcaktoj rregullat për prodhimin, regjistrimin dhe tregëtimin e produkteve mjekësore veterinare të prodhuara në Republikën e Shqipërisë.
Me ndryshimet e propozuara, synohet që të ofrohet mbështetje për konsumatorët, fermerët, klinikat, farmacitë veterinare, si dhe për operatorët e prodhimit dhe importuesit e produkteve mjekësore veterinare.
Kjo duke rritur standardet e prodhimit dhe të tregtimit të produkteve mjekësore veterinare të prodhuara në vend me qëllim për të garantuar sigurinë dhe efektivitetin e tyre.
Projektligji përfshin detajimin e procedurave që sigurojnë prodhimin cilësor të produkteve mjekësore veterinare, duke u bazuar në parimet dhe praktikat e mira të prodhimit.
Po ashtu, do të rritet kontrolli mbi prodhimin e këtyre produkteve, duke forcuar sistemin e kontrollit zyrtar për të mbuluar të gjithë zinxhirin nga importimi i lëndës aktive deri në vendosjen në treg të produktit mjekësor veterinar.
Të gjitha kompanitë që do të prodhojnë produkte mjekësore veterinare në vend kanë detyrimin të përmbushin kriteret ligjore, të marrin autorizimin e nevojshëm për prodhimin e produkteve mjekësore, të cilat do të vlerësohen nga një komision i posaçëm.
Gjithashtu, importi i lëndës aktive do të bëhet në përputhje me standartet e zbatuara në të gjitha vendet e BE-së, kjo referuar legjislacionit të BE-së dhe opinioneve shkencore të mara nga Agjencia Evropiane e Sigurisë Ushqimore (EFSA).
Njëkohësisht, produktet që synojnë të tregtohen në Shqipëri, duhet të kenë certifikatë tregtimi nga EMA ose nga një nga vendet e BE-së.
Ndryshimet synojnë të shkurtojnë kohën e regjistrimit për produktet mjekësore veterinare të importuara nga Bashkimi Evropian dhe për ato që janë vlerësuar nga Agjencia Evropiane e Barnave.
Produktet mjekësore veterinare me cilësi më të lartë ndihmojnë në kontrollin e sëmundjeve dhe kontribuojnë në prodhimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore, që janë më të sigurta për konsum njerëzor, duke mbrojtur kështu shëndetin publik.
Kornizat e qarta rregullatore rrisin transparencën dhe ndihmojnë në ndërtimin e besimit midis konsumatorëve dhe palëve të interesuara në cilësinë dhe sigurinë e produkteve mjekësore veterinare, duke rritur besueshmërinë në sigurinë e produkteve ushqimore që ata konsumojnë.
Përmirësimi i bazës ligjore do të sigurojë cilësinë dhe sigurinë dhe efikasitetin e produkteve mjekësore veterinare të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit publik. Përdorimi i produkteve të sigurta dhe cilësore garanton një mjedis të sigurt për kafshët dhe njerëzit.
Ministri do të autorizoj të nxjerrë akte nënligjore të detyrueshme për rregullimin e procedurave të importit të kafshëve dhe produkteve me origjine shtazore për ushqim nga shtete ku është konfirmuar prania e sëmundjeve.
Ndërhyrja e propozuar është në përputhje me “Strategjinë Ndërsektoriale për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021-2027”, dhe me Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Ushqimore 2023–2027.
Nisma ligjvënëse që propozohet nuk parashikon kosto për buxhetin e shtetit. Institucionet ligjzbatuese të cituara në projektligj janë tashmë të ngritura, dhe ndryshimet në ligj përmirësojnë kuadrin ligjor pa shkaktuar efekte ekonomike shtesë.
Propozoj miratimin e këtij ligji.
Faleminderit!