Dhërmi, vijon shpërndarja e titujve të pronësisë në grupin e zonave kadastrale me problematikë kronike - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Dhërmi, vijon shpërndarja e titujve të pronësisë në grupin e zonave kadastrale me problematikë kronike

Në Dhërmi vijoi sot shpërndarja e titujve të pronësisë me 789 të tillë, në vazhdim të procesit të përmbylljes së hipotekimit të shtëpive të trashëguara në një zonë që hyn në grupin e zonave si Thethi, Malësia e Madhe, Kukësi e disa të tjera, ku është krijuar një problematikë kronike, e cila tanimë ka hyrë në rrugën e zgjidhjes.
Për Bashkinë e Himarës sot përmbushet një e treta e procesit dhe regjistrimi përfundimtar i shtëpive të trashëguara përfundon i gjithi brenda vjeshtës
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Dhërmi në një takim me banorët, të cilëve iu dorëzoi personalisht titullin e pronësisë.

* * *

Mirëdita të gjithëve dhe faleminderit që jeni mbledhur këtu sot për të vazhduar një proces që është procesi i përmbylljes së një përpjekjeje shumë të gjatë, në radhë të parë i një përpjekjeje shumë të gjatë nga ana juaj, por ju siguroj se ka qenë një përpjekje jo e shkurtër dhe nga ana jonë, pasi siç e shpjegova edhe në takimin e mëparshëm, kjo zonë së bashku me disa zona të tjera të Shqipërisë të cilat shtrihen nga veriu, nga Thethi dhe faktikisht unë do të jem në Theth pasnesër për të bërë të njëjtin proces, deri poshtë tutje në Konispol, janë disa pika ku problematika ka qenë e ndryshme nga ajo e pjesëve të tjera të territorit.
Kjo për të thënë edhe atë që se sa e pavërtetë dhe se sa e ulët është e gjithë propaganda sipas së cilës në Himarë është bërë një politikë diskriminuese sepse ajo propagandë ka qëllime krejt të tjera nga interesat tona të përbashkëta dhe nga interesat e banorëve të vetë Himarës.
E vërteta është që problemi i regjistrimit të shtëpive të trashëguara në këto pika dhe e përsëris, nga Thethi, Malësia e Madhe, Kukësi, Hasi, Tropoja e pastaj edhe tutje poshtë në disa pika të tjera, është një problematikë që lidhet me faktin se ndryshe nga të gjitha zonat e tjera, e gjithë marrëdhënia e titujve të pronësisë ka qenë e komplikuar, shumë e komplikuar. Në gjuhën teknike bëhet fjalë për vendosjen në hartë të pronave dhe nga ana tjetër vendosjen edhe të shtëpive që të përputhet plotësisht vendndodhja reale me vendndodhjen në hartën e kadastrës dhe që të mos ketë mbivendosje e të mos ketë konflikte.
Ajo që e ka ngatërruar në mënyrë të posaçme këtë pjesë që nuk është e njëjta gjë si me Thethin e me zonat e veriut, është ajo që ka ndodhur në shumë vite, duke filluar nga vitet ’90 dhe më pas, kur është bërë shumë zullum me letrat, me AMTP-të, me certifikatat dhe ku siç e dini ju më mirë se unë, shpeshherë janë gjendur 3 pronarë për një pronë. Dhe në mënyrë shumë të rëndomtë një copë tokë, bëhet burim konflikti sepse ka pretendentë të ndryshëm që tregojnë letra dhe kjo vjen nga njëra anë si rezultat i veprimeve qëllim këqija, por nga ana tjetër edhe si rezultat edhe i atij fakti që thashë, që nuk është bërë e gjithë baza e punës që ne më në fund e kemi bërë, që prona e secilit të vendoset në vendin e vet dhe të mos vendoset në hartë në mënyrë që pastaj të shkojnë e të përplasen me njëra-tjetrën. Pra janë të dyja anët e kësaj medaljeje.
Ajo që ka rëndësi për ju është që ky kalvar i gjatë për të regjistruar shtëpitë e trashëguara ka përfunduar dhe tani është vetëm çështje regjistrimi dhe dorëzimi i certifikatës. Sot janë 789 certifikata. Në të gjithë qarkun e Vlorës është një numër rreth 4 mijë e 200 apo 300, me këto të sotmet të cilat një pjesë do t’i shpërndajmë këtu dhe këtë shpërndarje fizike këtu, ne e bëjmë edhe për të sensibilizuar të tjerët që të aplikojnë sepse kemi problem me aplikimin, edhe për shkak se një pjesë jo e vogël janë jashtë edhe kështu që edhe procesin e aplikimit e kanë të vështirë ta bëjnë a ta kuptojnë a nuk e di se çfarë, arrijmë që të përmbyllim tani që flasim, 1/3 e punës. Pjesa tjetër e punës, bëhet fjalë për rreth 2500 certifikata të tjera në bashkinë e Himarës dhe rreth 500 -600 jashtë bashkisë së Himarës, por brenda qarkut të Vlorës, do ta përmbyllim deri në fund të tetorit.
Ajo që është e rëndësishme të përsëritet dhe që po e përsërit vazhdimisht dhe prefektura, po e përsërit vazhdimisht dhe bashkia, po e përsërit vazhdimisht dhe ASHK, është që njerëzit duhet të aplikojnë. Ju jeni dëshmitarë që për shumë jush, është bërë dhe asistencë për aplikimin, pra zyra e Kadastrës, Prefektura, Bashkia janë në dispozicion që dhe t’i asistojnë banorët që të bëjnë aplikimin ashtu siç duhet, që do të thotë që hapet rruga për të bërë regjistrimin sepse tanimë e gjithë ana teknike është përfunduar. Është vetëm çështje aplikimi, vendosje në hartë e pronës dhe dorëzim i certifikatës që provon që kjo pronë është pasuri e patundshme e regjistruar. Kështu që i bëj thirrje të gjithëve, por ju lutem edhe juve që me të gjithë miqtë, fqinjët e familjarët e këdo që keni rreth e rrotull dhe që keni kontakt, që duhet apo do të regjistrojë pronën, t’i thoni që të bëjnë aplikimin, aplikimi është shumë i rëndësishëm!
Ndërkohë që më tutje, pas ditës së sotme, ajo që kemi diskutuar edhe me prefektin, edhe me drejtorinë e Kadastrës është që do të bëhet dorëzimi i vazhdueshëm i certifikatave në zyrën Kadastrës sepse faktikisht edhe ajo me postë, që e përdorim has në problemin e mos gjetjes së personit edhe pastaj nuk mund ta lësh certifikatën në një shtëpi që nuk është personi që e merr, kështu që do vendoset në zyrën e Hipotekës këtu lista dhe të gjithë personat që u del emri për të marrë certifikatën, do të njoftohen me telefon nga zyra e Kadastrës që certifikatën e tyre e kanë gati dhe që mund të shkojnë ta marrin në zyrën e Hipotekës këtu në Himarë. Se këto takime që ne kemi zhvilluar, të parin dhe këtë të sotmin janë, thashë, për të sensibilizuar të tjerët. Po ndërkohë tani që procesi është futur komplet në shina, prodhimi i certifikatave do të jetë i përditshëm, pra nuk do të prodhojmë 700 e 800 dhe pastaj të vijnë tufë këtu, do të jetë i përditshëm dhe ditë për ditë, çdo javë do vendoset lista, do bëhet njoftimi me telefon, kështu që secili e gjen vetë kohën se kur shkon të marrë certifikatën dhe nuk është i detyruar të rrijë në shtëpi të presë ose Kadastra nuk është e detyruar që pastaj të mbetet pa e kryer punën sepse nuk gjen njeriun në shtëpi. Besoj se këto janë të qarta dhe dua në fund, përpara se të bëjmë disa dhënie te titujve, të them që kjo është një punë jashtëzakonisht e madhe nga pikëpamja e volumit. Pa diskutim që do kishte qenë shumë më mirë të ishte bërë më përpara, por nuk është se nuk është bërë më përpara se nuk kemi dashur ne ta bëjmë, por s’është bërë më përpara për arsyet që thashë dhe për ato arsye që thashë dhe e përsëris edhe një herë, e njëjta gjë vlen për banorët e Himarës, për banorët e Thethit dhe për banorët e një sërë zonash të tjera që kanë këtë problem.
Kështu që, të gjithë kanë të drejtën e tyre të kenë mendimin e tyre, kanë të drejtën e tyre të kenë ato opinionet dhe simpatitë e tyre, por faktet janë fakte. Me opinionet mund të luftojmë, me fakte nuk luftohet dhe fakti është që në këtë proces ka qenë dhe është vullneti maksimal për ta mbyllur një herë e mirë këtë histori që u bë e pakuptimtë me thënë të drejtën.
Ndërkohë që, patjetër të tjerë e kanë shfrytëzuar sa kanë mundur këtë ngërç për të helmuar mendje e për të helmuar zemra njerëzish duke treguar lloj-lloj përrallash, përralla të shëmtuara dhe përralla shumë të ulëta sepse të thuash që qeveria do të marrë pronat në Himarë, do të thotë të tregosh një përrallë shumë të shëmtuar dhe shumë të ulët, por një përrallë ama që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën se e para, qeveria edhe sikur ta ketë ndërmend nuk e bën dot këtë punë. E dyta, ju jeni dëshmitar vetë që ata të cilët kanë zhvilluar dhe zhvillojnë prona këtu në këtë zonë ashtu si në të gjithë Shqipërinë, private, janë sipërmarrës që kanë kontrata me pronarët jo me qeverinë.
Nga ana tjetër, ju jeni po ashtu dëshmitar që ato kontrata janë kontrata me përfitim gjithmonë e më të madh për pronarët sepse çmimi i tokës këtu është rritur ashtu siç askujt nuk ia priste mendja deri 10 vjet përpara dhe rritja e çmimit të tokës nuk ka ardhur nga qielli, nuk ka ardhur as nga deti, nuk ka ardhur as nga malet. Qielli, deti dhe malet kanë qenë këtu edhe përpara. Bukuritë e zonës kanë qenë këtu dhe përpara, por ja ku jemi këtu sot dhe ju e dini shumë mirë që deri përpara pak vitesh ne nuk mblidheshim dot tek ky shesh dhe të rrinim në shesh, do rrinim nëpër gropa.
Ju e dini shumë mirë që deri përpara pak vitesh që të vijë këtu ishte mund i madh. Unë kam ardhur sot për dy orë, fiks dy orë, në 8:03 minuta jam nisur nga shtëpia në Tiranë, në 10:03 minuta kam qenë këtu afër. Është gjithë kjo infrastrukturë që është ndërtuar dhe infrastruktura nuk ndërtohet për njërin e për tjetrin e për tjetrin siç thonë disa, por ndërtimi i kësaj infrastrukture ka sjell që çmimi në të gjithë zonën të shkojë duke u rritur deri në pikën që ju e dini dhe këtë më mirë se unë, pjesë të caktuara të kësaj zone e kanë sot çmimin më të lartë se në Korfuz.
Sot të blesh një metër katror në këtë zonë është më shtrenjtë se në Korfuz dhe sigurisht që këto metra katrorë nuk i disponojnë të tjerët, i disponojnë banorët, i disponojnë pronarët që janë këtu. Pronarët që janë këtu, të cilët kanë gjithë të drejtën e tyre t’i shesin, t’i mbajnë, t’i kontraktojnë, t’i bëjnë çfarë të duan, por ama janë pronarët që i kanë këtu dhe patjetër që jo vetëm janë në të drejtën e tyre, por t’i kenë për hajër të gjitha.
Ama të thuash që këtu është bërë një politikë për të shpronësuar himarjotët edhe gjithë banorët autoktonë në funksion “të oligarkëve” se oligarkë në Shqipëri nuk ka, fjala oligark mes sipërmarrësit e mëdhenj shqiptar nuk lidhen të dyja bashkë, është një fjalë e hedhur në erë dhe si të gjitha fjalët e mëdha dhe si të gjitha gënjeshtrat e mëdha që janë ato që thithen dhe besohen më shpejtë dhe kjo ka zënë vendin e vet. Por ta thuash këtë do të thotë të thuash një gënjeshtër shumë të madhe, shumë-shumë të madhe. Sa ç‘është investuar nga Llogaraja deri në Sarande për njerëzit këtu, për fshatrat këtu, për bregdetin këtu, për të ndryshuar faqen e një zone që kur vija në Himarë përpara sikur vija në Bathore, por jo Bathorja sot, Bathorja e dikurshme, me det, nuk është bërë në të gjitha kohërat përpara kësaj periudhe që ne qeverisim, me fakte!
Se është rritur numri i turistëve, ashtu sikundër pak kush mund ta imagjinonte. 10 milionë turistë u arrit vjet, sivjet mund të shkojë 12, mund të shkojë 13, çdo muaj është më shumë sesa vjet, por nuk ndodh kjo rastësisht. Kjo ndodh sepse turistët që vijnë në këtë zonë gjejnë arsye për të ardhur. Jo vetëm tek deti se deti aty ishte, as te dielli se dhe dielli ka dalë çdo ditë që kur është krijuar bota edhe këtu. As te malet se aty kanë qenë, por tek kënaqësia që marrin duke ardhur këtu dhe do të rritet më shumë edhe vlera e pronës, dhe do të rritet më shumë edhe numri i turistëve që do të vijnë dhe patjetër do të rriten dhe më shumë të ardhurat e familjeve këtu që jetojnë me turizmin, nuk diskutohet. Dhe për këtë arsye shtëpitë e vjetra janë baza sepse shtëpitë e vjetra, ato që janë ndërtuar nga gjyshërit dhe stërgjyshit tanë këtu se unë kam hequr dorë nga të gjitha pronat e mundshme dhe të imagjinueshme që mund të kisha dhe unë pjesën time këtu si një nga pasardhësit e bregut, janë asete që edhe aq, pa i prekur fare se s’mund të prekesh Dhërmiun e vjetër e të fillosh t’i prishësh këto, se është e paimagjinueshme por ama të gjitha këto janë bujtina që do të jenë gjithmonë e më të kërkuara.
Kështu që të gjitha këto shtëpi që ne shpërndajmë janë bazë për të ndërtuar një ekonomi plus sepse vërtetë sot mund të përdoren, por përdoren pa pasur mundësi të marrësh kredi me atë shtëpi se nuk ke çfarë i tregon bankës, se nuk ke letra. Sot duke pasur certifikatën mund të shkosh në bankë dhe të marrësh një kredi dhe mund ta bësh shumë më mikpritëse shtëpinë nga pikëpamja e gjithë mjediseve, duke bërë riparime, duke bërë mobilim e të tjera, e këto të gjitha çojnë ujë tek ekonomia e familjeve himarjote.
Unë kurrë nuk e kam imagjinuar se do ta jetoja ditën kur Himarën do ta ndanin disa njerëz në “tanët dhe të atyre”.
Himarjotët kanë qenë historikisht himarjotë në radhë të parë, bile i kanë thënë vetes aq shumë himarjot, saqë donin të bënin edhe republikë më vete, se janë pak republikë më vete nga mendja, kështu që donin të bënin Republikë më vete edhe këtu në territor.
Si na qenka nga kjo tani që Himara na qenka, ca qenkan me Tiranën e ca qenkan me Athinën.
Çfarë hyjnë këto këtu? Këto janë pjesë e lodrave politike.
Këto janë pjesë e lodrave politike me mendjet dhe me zemrat e njerëzve.
Himara është e himarjotëve dhe himarjotët janë ata që janë. Janë në lirinë dhe në drejtën e tyre ta quajnë veten si duan, por sido që ta quajnë veten për nga origjina, në fund të ditës emrin e kanë himarjotë dhe Himara, si Tropoja, si Saranda, si Gjirokastra, si Vlora, si Durrësi është Shqipëri dhe të gjithë, të gjithë ata që jetojnë Himarë janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë, janë të gjithë të barabartë dhe nuk ekziston, nuk mund të ekzistojë në imagjinatën time se mund të ndahem në ca të nënës e ca të njerkës, dhe pastaj secili të zgjedhë se kush është nëna e vet e kush është njerka e vet.
Këto janë njësoj siç janë ata që i flasin këto gjëra. Himara ka histori, ka një histori shumë të pasur dhe ka një histori të pandashme. Nuk mund ta ndash historinë e Himarës dhe ta ndash sipas qejfit të një copë e të thuash jo kjo është kështu, jo është një histori, është një histori dhe ajo që e simbolizon këtë që po them unë është fytyra e Vangjel Dules. Ç’punë ka Vangjel Dulja në Himarë, përveçse si një qytetar i Republikës së Shqipërisë, si çdokush tjetër dhe me çfarë të drejte, me cilën të drejtë i jep gojës për të nxitur përçarje dhe për të folur absurditete dhe për të folur marrëzira, të cilat nuk kanë lidhje fare as me jetën e përditshme të himarjotëve, as me jetën e përditshme të shqiptarëve, as me jetën e përditshme të grekëve, as me Shqipërinë, kanë lidhje vetëm me synimet e disa njerëzve shumë të vegjël që kanë interesa përçarjeje dhe që nuk i përkasin fare këtij shekulli, vijnë nga shekuj të tjerë, vijnë nga territoret më të zymta të historisë.
Prandaj, është mirë që të gjithë ta fusin mirë në kokë këtë, se përpara sesa të kenë çdo gjë tjetër, këdo tjetër, himarjotët kanë Himarën dhe Himara nuk është për t’u marrë e për t’u çuar këtej e për t’u çuar andej, Himara është për të ndenjur këtu dhe as për të marrë këndej e për të marrë andej. Himara është të ndenjur këtu dhe për të qenë vendi, ku lulëzon jeta e familjeve himarjote dhe gjeneratave tjera himarjote. Edhe të vijnë të tjerët janë të mirëseardhur, patjetër, por Himara është ajo që vjen nga historia dhe që patjetër imponohet nga e ardhmja. Nuk mund të bëhet Himara shesh për përshesh. Aq më tepër pastaj, me gjithë këto broçkulla. “Jo po i marrin pronat”, “jo, po i zhveshin nga kjo”, “jo po i zhveshin nga ajo”, “jo po i mohojnë këtë”. Çfarë po i mohohet, cila, çfarë po mohohet? Asgjë përveçse po punohet me të gjitha mënyrat me të gjitha mundësitë, sa të jetë e mundur që të përmirësohet çdo ditë. Të bëhet çdo ditë e më e bukur, të bëhet çdo ditë e më mikpritëse, të bëhet çdo ditë e më e pasur.
Po këto janë shumë fjalë. Ka vetëm një fjalë që duhet ta mbani mend, se Vangjel për Vangjel vajti kjo punë.
Një nga arsyet pse ky proces po përmbyllet dhe po e them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejt është këmbëngulja dhe ajo mania gjirokastrite, – gjirokastritet e dini ju si janë, thërrimen e fundit nuk e lëmë pa e numëruar, – e Vangjelit që kam këtu. Prandaj edhe bashkia është bërë me krah, prandaj dhe kadastra është bërë me krah, se ka një usta që i rri mbi kokë edhe i thotë këtu, këtu, këtu.
Dhe prandaj edhe marrëdhënia është më është më e afërt dhe më e afërt me banorët, sepse kanë një njeri që ua kam thënë ditën e parë kur ka ardhw prefekt, provoni ta merrni në telefon edhe më tregoni kur do ndodhi që nuk do ngre telefonin. Kështu që, doni Vangjel për punë, ja ku e keni!
Doni një Vangjel për sherr, prisni një Vangjel me vetulla të rënda që t’iu sjellë sherrin. Kaq e thjesht është. Doni të vazhdojë kjo punë tamam siç vazhdon, thashë opinionet edhe diversiteti në kafene përplasuni sa të keni qejf, se në këtë zonë përplaseni brenda për brenda nëpër shtëpia më shumë se të tjerët për opinione politike gjithë jetën ka qenë kjo, – po jashtë pastaj puna duhet të vazhdojë duhet të vazhdoj. Janë një mijë gjëra për t’u për t’u zgjidhur, nuk janë vetëm këto, një mijë. Por një mënyrë është të rrish të merresh, “jo u bë kjo keq” mënyra tjetër është të ulësh kokën, vazhdo punën, vazhdo punën, vazhdo punën dhe gjërat do përmirësohet, sepse nuk zgjidhen dot të gjitha përnjëherë. dhe këtë gjë kemi bërë ne përditë, këtë gjë kam bërë edhe unë dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që kur vij këtu e shikoj me sytë e mi ndryshimin që është bërë i mundur pikërisht sepse ju dhe të tjerët këtu më keni besuar mua, na keni besuar ne.
“Jo po bëmë ne rrugën e Llogarasë” – thotë njëri. Muhabete kot. Këtu nuk hyje dot. Ja është akoma, ka një pjesë lagjja këtu që prapë është keq, një pjesë këtu, duhet të bërë edhe ajo, me radhë, të gjitha duhen bërë, po kush do t’i bëjë? Ata që ata që duan që këtu të ketë vetëm sherr? Ata që duan që këtu të ketë vetëm njerëz të pakënaqur? Ata që duan që këtu të ketë vetëm njerëz që duan të ndajnë kufij e të tundin flamur?
Secili të mbajw kë flamur të ketë qejf në mendje e kë flamur të ketë qejf në shtëpi. Po flamuri i kësaj Republike nderohet dhe respektohet vetëm duke bërë çdo ditë një punë më shumë për këtë vend dhe për njerëzit.
Fjalë më shumë përditë ka. Baltë më shumë sa të duash. Xhagajdur e maskarenj, nuk mbarojnë, dalin.
Minj nëpër zyrat e shtetit, patjetër, por edhe kjo, që kur kapen minjtë, të vësh kujën, që “o po bëhet nami”. Cc’po bëhet nami? Shyqyr që po kapen, më shumë të kapen, për këtë punë kemi bërë gjithë këtë përpjekje dhe për këtë punë përpiqemi. Po minjtë i kap çarku. Prandaj, kemi ngritur e do ngremë edhe më shumë çarqe për të kapur minj. Por nuk mund të rrimë të tërë të të rrokanisemi ditë-natë, se u kapën ca minj aty, u kapën edhe ca minj këtu, tani duhet të ngrihemi të tërë e të merremi t’i biem njëri-tjetrit.
Secili ka punën e vetë për të bërë. Secili ka përgjegjësinë e vetë për të mbajtur. Secili ka llogarinë e vetë për të dhënë dhe secili që është në anën e qytetarëve ka llogarinë e vetë për të kërkuar sipas detyrave. Kam dhënë këtë detyrë, ma bëj.
Ju falënderoj shumë.

 

Previous Ministri Gonxhja dhe Ministrja Kumbaro, takim me drejtues të UNESCO-s: Bashkëpunim i shkëlqyer për menaxhimin e zonave të trashëgimisë botërore