Dhuka: Shqipëria në fazën më të avancuar të negociatave pas çeljes së 33 kapitujve në 2025

Në mbledhjen zhvilluar ditën e sotme në Pallatin e Brigadave, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 Shqipëria ka çelur negociatat për anëtarësim në Bashkimi Evropian në të 33 kapitujt, duke shënuar një moment historik në procesin e integrimit evropian.

Sipas saj, hapja e të gjithë kapitujve përbën një zhvillim të paprecedentë për vendin dhe reflekton mbështetjen politike të 27 vendeve anëtare të BE-së për rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Dhuka theksoi se ky rezultat është fryt i një pune sistematike ndër vite, veçanërisht pas rekomandimit pozitiv të Komisioni Evropian në vitin 2019 për çeljen e negociatave.

Gjatë 14 muajve të fundit janë miratuar 75 ligje dhe akte nënligjore me karakter transformues evropian, që prekin fusha si drejtësia, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, siguria, barazia sociale dhe të drejtat e njeriut. Ndryshimet përfshijnë paketa ligjore në Kodin Penal, reformimin e sistemit të drejtësisë, kontrollin e eksporteve, luftën kundër drogës, si dhe ligjin për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve nga veprimtaritë kriminale. Në kuadër të paketës antikorrupsion janë miratuar ligje për konfliktin e interesit, sinjalizuesit dhe lobimin, ndërsa është në proces një projektligj për donacionet dhe sponsorizimet.

Dhuka vlerësoi gjithashtu progresin e institucioneve të drejtësisë, duke përmendur rezultatet e arritura nga SPAK dhe GJKKO në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Sa i përket hapave të ardhshëm, Bashkimi Evropian i rekomandon Shqipërisë përmbushjen e rreth 101 piketave përmbyllëse në të 33 kapitujt. Për vitin 2026 po përgatiten paketa të reja ligjore në fusha kyçe të ekonomisë dhe tregut. Në fushën e biznesit dhe shoqërive tregtare është hartuar një paketë me nëntë projektligje në konsultim me Komisionin Evropian, ndërsa në mbrojtjen e konsumatorit parashikohet miratimi i një ligji të ri dhe ngritja e një agjencie të posaçme.

Gjithashtu, ligji për shërbimet, i hartuar sipas standardeve evropiane, pritet të paraqitet së shpejti në Kuvend, me synimin për të nxitur eksportin e shërbimeve drejt tregut të BE-së.

Sipas kryenegociatores, viti 2025 shënon një kapërcim historik në procesin e integrimit, ndërsa objektivi mbetet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në familjen evropiane.