Qeveria shqiptare ka vijuar dialogu kombëtar me sipërmarrjen lidhur me domosdoshmërinë e mëtejshme të rritjes së pagave në sektorin privat. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me Kryeministrin Rama dhe zv.ministren Olta Manjani zhvilluan një vizitë në kompaninë Fital Sh.p.k, pjesë e industrisë së manifakturës, me rreth 1000 të punësuar, ku u takuan dhe bashkëbiseduan me punonjës dhe drejtues të kësaj kompanie, prej vitesh shembull në zbatimin e praktikave të qëndrueshme të rritjes së pagave dhe në trajtimin me dinjitet të punonjësve.
Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se me vendimin për rritjen e pagës minimale në nivelin 40 mijë lekë, duke nisur nga data 1 prill 2023, qeveria synon ndër të tjera të nxisë rritjen e mëtejshme të pagave dhe të pagës mesatare, e cila është dyfishuar që nga viti 2013 kur ka qenë rreth 260 euro, në një kohë që aktualisht ka arritur në nivelin rreth 580 euro.
Ministrja informoi se paga minimale do të rritet edhe gjatë vitit të ardhshëm dhe synohet që në vitin 2025 të arrijë 45 mijë lekë.
“Ne duam që nëpërmjet këtij vendimi të nxisim rritjen e pagave mesatare. Zgjodhëm ta fillojmë këtë fushatë për rritjen e pagave në këtë biznes, në një sektor që ndonëse si numër biznesesh zë 1 % të numrit të përgjithshëm të bizneseve në vend, në nivel të punësuarish zë 12.7 %. Pra, 12.7 % e të punësuarve në vend janë të punësuar në industrinë e tekstileve dhe këpucëve. Është shumë e rëndësishme për ne që puna të fillojë këtu, aty ku niveli i aplikimit të pagës minimale është më i lartë se në të gjithë sektorët e tjerë”, tha Ibrahimaj.
Për Ministren Ibrahimaj, është e rëndësishme që Shqipëria të kalojë në një tjetër nivel sa i përket konkurrueshmërisë dhe tërheqjes së investimeve.
“Nëse në vitet ’90 apo vitet 2000 ne ishim një treg ku investitorët shqiptarë dhe të huaj përhapnin biznesin e tyre sepse kishin fuqi punëtore të paguar pak dhe ne ishim atraktivë sepse fuqia punëtore paguhej pak, ne sot duhet të bëhemi konkurrues për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe sektori juaj e di më mirë se gjithë sektorët e tjerë se kualifikimi është ajo që ka vlerë dhe rëndësi”, vijoi Ministrja.
Nga ana tjetër, Ministrja Ibrahimaj theksoi edhe rëndësinë e respektimit të Kodit të Punës dhe garantimit të të drejtave të punonjësve, që do të jetë një ndër prioritetet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në vijimësi, si institucioni përgjegjës lidhur me çështjet e punës në vend.
“Të gjithë punonjësit duhet të kenë një derë ku duhet të trokasin dhe shteti është ai që do të garantojë që dera të jetë gjithmonë e hapur, që Kodi i Punës të respektohet, që ju të paguheni me dinjitet dhe të keni mundësi të punoni me dinjitet. Është e rëndësishme që ju të paguheni nëse bëni orë jashtë orarit, nëse punoni të shtunën dhe të dielën apo gjatë natës. Të gjitha këto do të jenë pjesë e programit që do të mbulojë Ministria e Punës dhe të gjithë këto do të bëjnë që paga mesatare të vazhdojë të rritet në vijim”, tha Ibrahimaj.
Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja shprehu bindjen se në bashkëpunim me biznesin do të arrihet që pagat e punonjësve të arrijnë në një nivel dinjitoz dhe t’i shërbejnë një jetese dinjitoze.