Dialogu për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural përmbylli këtë pasdite punimet e ditës së parë, e cila u fokusua në dëgjimin aktiv të pjesëmarrësve, dhe evidentimin e temave më të rëndësishme për sektorin, e më pas në zhvillimin e tryezave të diskutimit
* * *
Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se mora pjesë aty dhe ndërkohë dëgjova dhe disa të tjerë, mendoj që mënyra si u zhvilluan këto tryeza diskutimi na konfirmojnë në një farë mënyre dobinë e një takimi të tillë dhe në ndërkohë na dha mundësinë që të shikojmë dhe të dëgjojmë që problematika e zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë dhe në përgjithësi të aktivitetit ekonomik në fshat, shkon që nga gjërat e mëdha të natyrës konceptuale, deri tek gjerat që normalisht nuk duhet të ishin fare problem, por që janë problem i madh.
Dhe këtu kam parasysh për shembull çështjen e legalizimit të strukturave prodhuese, që është problem për një pjesë edhe është një problem që ka implikime të rënda pastaj, pasi bën të pamundur aksesin në kredimarrje, bën të pamundur aksesin në fondet e mbështetjes, qoftë nga financimet europiane, qoftë nga financimet e brendshme, bën të pamundur aksesin në gjithë ato instrumente pa të cilat sigurisht bëhet e vështirë për ta mbajtur në këmbë sipërmarrjen, kështu që besoj që, qoftë dhe fakti që, nga një diskutim i tillë, ne mund të dalim me një vendim dhe t’i kërkojmë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që në bashkëpunim ose më saktë t’i kërkojmë bashkive që në bashkëpunim me ASHK të bëjë legalizimin e menjëhershëm të të gjitha strukturave prodhuese të hapësirave rurale të vendit – ia vlente ky diskutim.
Kështu që, duhet ta marrim menjëherë përsipër dhe duhet tua u përcjellim të gjitha strukturave të qeverisë vendore, domosdoshmërinë që, brenda muajit gusht të përcjellin në ASHK të gjitha procedurat e legalizimeve sepse tani kanë marrë një competence, strukturat e qeverisë vendore për të kryer procesin përgatitor të legalizimeve. Dhe nuk besoj se fermerët duhet të presin akoma për të legalizuar strukturat e tyre prodhuese, që nga stallat deri tek strukturat e përpunimit dhe kështu me radhë.
Nga kjo, deri tek gjërat më të përgjithshme janë shumë, nga të cilat them se ne mund të dalim me një qasje të re, por duhet të theksoj që është e domosdoshme që të ndryshojë qasja e qeverisë, që të ndryshojë qasja e ministrisë, që të ndryshojë qasja e pushtetit vendor, që të ndryshojë qasja e agjencive që të jenë shumë proaktive në këtë proces, jo thjeshtë dhe pritëse, pritëse dhe jo thjeshtë dhe vetëm t’iu lexojnë fermerëve, t’iu lexojnë sipërmarrësve në bujqësi ligjin dhe t’iu lexojnë rregullat dhe t’iu thonë “ik se nuk i ke plotësuar si duhet dhe hajde se këtu jemi kur t’i plotësosh, por të jenë aktiv, t’i nxisin, t’i hapin rrugën e bashkëpunimit dhe kështu me radhë që do ta strukturojmë në një mënyrë të caktuar, duke e nxitur dhe duke i ngarkuar detyrime të caktuara pushtetit vendor.
Një tjetër element shumë i qartë për të kaluar tek një gjë më e madhe është që duhet të njësojmë TVSH, është shumë e qartë kjo gjë dhe faktikisht është diçka që ministri i financave e ka përgatitur tanimë, por nga ana tjetër për të ardhur tek financimi sipas njësive të prodhimit, kjo është diçka që e kemi thënë shpesh, e kemi përsëritur herë pas here në kohë, por nuk e kemi bërë dhe tani duhet ta bëjmë.
Ashtu sikundër, duhet të angazhojmë menjëherë strukturat e tatimeve që të kryejnë një proces paraprak sensibilizmi përpara sesa të ndërhyjnë me sekuestro të të gjithë qumështit të pa faturuar dhe të gjithë ushqimeve të pa faturuara.
Nuk mund të lejohet më që t’iu shiten konsumatorëve tanë prodhimeve ushqimore të pa faturuara, qumësht i pa faturuar apo ushqime të tjera të freskëta të pa faturuara që mund të jenë të rrezikshme dhe mund të sjellin pasoja katastrofike për shëndetin e njerëzve dhe këtë gjë duhet ta kryejë me përparësi Ministria e Financave me strukturat e tatimeve, të cilat duhet të fillojnë menjëherë një proces sensibilizimi, t’ju thonë të gjithë bizneseve të vogla që jemi në kushtet e një keqkuptimi, ju kemi dhënë të gjithë mundësinë që të rriteni, duke mos paguar asnjë taksë, me zero takes, por ju kemi kërkuar që, siç qeveria është bërë aleatja juaj strategjike në këtë drejtim dhe do qëndrojë e tillë me zero taksë deri në 2029, ju duhet të jeni aleatë të qeverisë dhe shtetit për të garantuar që informaliteti nuk shkon deri në prekjen e shëndetit të njerëzve.
Dhe pas një periudhe jo të gjatë, dy javore, sensibilizimi duhet të fillojë sekuestrimi i të gjitha mallrave ushqimore, duke filluar nga ushqimet e freskëta që janë pa faturë. Dhe në të njëjtën kohë duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU.
AKU duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë sepse më shumë sesa mirë, bën dëm. Duhet pezulluar AKU, duhet ngritur një komision i posaçëm për të marrë në analizë të gjithë burimet njerëzore të AKU-së dhe procesi i bashkimit të atyre inspektorateve të ndryshme që është vendosur tanimë me ligj duhet të kalojë nga një proces i seleksionimit të burimeve njerëzore, që do të merren me inspektimet. Dhe këtu në komision duhet të jetë pjesë, duhet të ftohet që të jetë pjesë Universiteti Bujqësor i Tiranës për të bërë një vlerësim serioz të burimeve njerëzore të AKU. AKU është shqetësimi më i madh, në vend që të jetë partneri më i rëndësishëm, është shqetësimi më i madh i të gjithë sipërmarrësve që janë në sektorin e bujqësisë, por është shqetësim dhe për gjithë restorantet dhe për gjithë kafenetë e për të gjithë pikat e tregtimit sepse thashë dhe një herë, më shumë sesa bën mirë, bën dëm dhe nuk është problemi që unë thashë që duhet të ketë plane të miratuara se këtë e kemi thënë me kohë, por kjo nuk ndodh dhe natyrisht kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë pastaj, por kjo është temë tjetër.
Kështu që AKU ministre duhet nxjerrë urdhri i pezullimit të AKU-së, totalisht.
Nuk duhet më të dalin dhe të shkojnë asgjëkundi.
Tjetra është biseda që u zhvillua me çështjen e mishit dhe me problematikën e mishit të importit dhe me problematikën e blegtorëve.
Tani ne kemi disa shembuj, nuk kemi një, por meqë e solli dhe Arjani me të drejtë këtu si shembull po e sjell dhe unë. Ne na duhet të nxisim fort dhe do ta bëjmë këtë gjë, krijimin e pikave të reja të kultivimit të të imëtave në natyrë.
Dhe stani i Çajupit është një shembull spektakolar, jo thjeshtë për blegtorinë, por edhe për turizmin dhe koncepti i integruar i Stanit të Çajupit, kombinuar blegtoria me turizmin, është një koncept fitues.
Kemi disktutuar për të dalë me një program të posaçëm për të mbështetur kijimin e staneve dhe të fermave në natyrë, në fushë siç pashë ka gatishmëri.
Në Korçë kemi dy sipërmarrje të dalluara po them, në përpunimin e mishit. Kanë të gjithë të drejtën për të qënë të shqetësuar nga njëra anë, përsa i përket konkurrencës që bëhet si rezultat i pamundësisë për të ndarë importin e mishit për shitje nga importi i mishit për nënproduktet e tij dhe duhet ta adresojmë këtë çështje, por nga ana tjetër kemi të drejtë që t’ju kërkojmë dhe ata e pritën me shumë entuziazëm që të përfshihen në krijimin e një zinxhiri të ri komplet të blegtorisë për të pasur shumë më tepër prodhim mishi vendas në treg dhe për të eksportuar.
Na duhet të krijojmë masë kritike dhe mund ta bëjmë këtë gjë, duke bërë njëkohësisht një blegtori të lidhur me natyrën, të lidhur me natyrën dhe është bërë e modës kjo fjala “bio”, po të jetë tërësisht në natyrë dhe po kështu edhe fermat fushore janë plotësisht të mundura, por kërkojnë mbështetje nga ana jonë. Nuk kemi ne, asnjë arsye pse të stepemi nga kjo situatë, inercia më saktë, e rënies së numrit të krerëve, por përkundrazi, duhet të kundërpërgjigjemi me një politikë shumë më agresive në këtë drejtim sepse është një politikë fituese dhe çështjen e ushqimit në tërësi dhe të prodhimit të ushqimit në tërësi, duhet ta kthejmë në një çështje me prioritet edhe më të madh se ç’e kemi pasur dhe për këtë arsye i kemi dhënë një mbështetje shumë të madhe UBT.
Pas disa ditësh së bashku me rektorin, dhe t’ju ftoj të gjithëve nëse keni kohë, do të jemi në prezantimin e ofertës së re të UBT.
Është një ofertë e re që praktikisht vjen si rezultat i bashkëpunimit drejt bashkimit, faktikisht të UBT, ku nga 31 programe të hapërdara janë praktikisht konsoliduar 9 programe dhe ato 9 programe do të jenë të një cilësie krejt tjetër dhe do t’i japim mundësi studentëve të UBT që të pajisen me një dije dhe me një diplomë shumë më cilësore që do t’i japë mundësi nesër, pasnesër që të jenë protagonistë në fushën e zhvilllimit rural.
Tjetra që ishte shumë e qartë është çështja e qirave të tokës prodhuese. Kemi dy në fakt, kemi dy lloj qirash, të cilat kërkojnë një adresim të ri. Qiratë e tokës prodhuese për pemtari duhet të rishikohen në funksion të mos ngarkimit me një barrë financiare të papërballueshme për fermerët në periudhën e parë, kur dihet shumë mirë që pemët nuk japn prodhim, ndërkohë që është e tmerrshme të dëgjosh eksperiencat e blegtorëve për qiratë e kullotave. Kjo është diçka e papranueshme, është skandaloze dhe qasja dhe sjellja e strukturave të qeverisjes vendore, në raport me kullotat është tërësisht e pajustifikueshme.
Domethënë përveç stresit dhe përveç mundit dhe përveç përpjekjeve të vazhdueshme që u duhet të bëjnë blegtorët në kushtet e një sektori ku ka shumë probleme, duhet të përballojnë edhe stresin e tepërt, kot, skandaloz të burokracisë në nivelin vendor. Këtë duhet ta ndryshojmë patjetër dhe do ta ndryshojmë menjëherë. Ne duhet t’i lutemi blegtorëve, jo të luten blegtorët për të marrë atë kontratën e kullotës.
Dhe duhet që ajo që u prek këtu, çështja e një pakete blegtorale të studiohet dhe të ftojmë të gjithë blegtorët që dëshirojnë të jenë të pranishëm në Çajup, kur ta keni gati, për ta lançuar paketën dhe për ta bërë konkrete dhe këtu vij tek pika tjetër;
Është bërë një punë shembullore nga Ministri i Financave dhe nga Ministrja e Sipërmarrjes, pastaj është arritur që me këmbëngulje nga qeveria, të krijohet një linjë kredi e Bankës së Shqipërisë, 250 milionë euro, ku ajo në fakt është për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por fokusi kryesor dhe arsyeja kryesore ishte bujqësia.
Tani që ne ta kemi këtë linjë kredie nga BSH dhe që kjo linjë kredie të aksesohet fuqimisht, duhet një nivel i lartë informimi për fermerët dhe nga ana tjetër duhet një mesazh shumë i qartë për bankat e nivelit të dytë, të cilat e kanë firmosur angazhimin për të dhënë kredi nga 0.5 në 2%. Flasim për bujqësinë këtu. 3.5 është për ndërmarje të tjera, ne flasim për bujqësinë. 2.5% dhe asnjë 0, asnjë presje më shumë.
Duhet të jenë shumë të qartë bankat e nivelit të dytë sepse e kanë firmosur këtë gjë dhe patjetër që përsa i përket rriskut, është garancia e qeverisë dhe patjetër që duhet të jetë edhe bashkëpunimi, duhet të jetë dhe mbështetja, duhet të jetë dhe pjesëmarrja e pushtetit vendor në këtë proces.
Dhe për këtë arsye ne kemi folur dhe më parë dhe duhet të bëjmë një hap të rëndësishëm përpara që ta ngarkojmë drejtpërdrejt pushtetin vendor, njësitë e qeverisjes vendore me pjesëmarrjen në sipërmarjen bujqësore. Është plotësisht e mundur, e bëjnë të gjitha bashkitë e planetit dhe për këtë duhet që ne si qeveri të angazhohemi në këtë fazë të parë dhe drejtuesit e qarqeve duhet të marrin përsipër të bëjnë punën e tyre në mënyrë që të krijojmë nuklet e para të bashkëpunimeve në shembulllin e disa bashkive se nuk është se po nisim nga hiçi.
Kemi konkretisht bashkinë e Roskovecit për shembull, që ka bërë hapa në këtë drejtim, por janë shumë pak. Duhet ta bëjmë këtë gjë me patjetër. Ndërkohë që, siç është linja e kredisë, është edhe “Paketa e Maleve”, e cila edhe ajo rrezikon të mbetet e pashfrytëzuar, nëse ne nuk i bashkojmë forcat për të dhënë informacion, për t’u linjëzuar me subjektet dhe duke u bërë ne aktivë, duke i kërkuar ne, kapacitetet në këtë proces.
Këto janë pak a shumë gjërat që unë shoh si konkluzione nga tryeza ku isha. Ndërkohë që, besoj që duke marrë edhe ato përshtypjet e tryezave të tjera do të duhet që të kemi një dokument rekomandimesh paraprake dhe do të duhet njëkohësisht të organizojmë një Kuvend Kombëtar të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor, për të, jo më thjeshtë dëgjuar, po për të marrë përsipër disa angazhime konkrete.
Një gjë dua ta them! Ne jemi në kushtet, në kohën, në mundësitë që ta shikojmë ndryshe qeverinë dhe qeverisjen dhe nga ana tjetër ta shikojmë ndryshe potencialin që ka vendi në çdo drejtim ku duhet të zgjerojmë ne kapacitet tona të pjesëmarrjes në procesin e zhvillimit. Nuk mund të jetë procesi i zhvillimit një proces, taksa, buxhet subvencione edhe kërkesa nga buxheti, këto janë vetëm një pjesë e gjësë.
Ne duhet që çdo lek që hedhim nga buxheti i shtetit ta kthejmë në fitim për ekonominë e vendit dhe jo thjeshtë në perpetum që hidh lek, mblidh taksa, rihidh lekë dhe mos prodho lekë të tjera duke vënë në shfrytëzim shumë e shumë potenciale të tjera.
Dhe më falni se harrova problemi i naftës, u ngrit përsëri. Unë mendoj që ne na duhet ta rishikojmë këtë skemë të naftës, por më shumë se sa do të shikojmë skemën e naftës, ne po përgatitemi që të ndërhyjmë në sektorin e naftës.
Ne po përpiqemi të ndërhyjmë në sektorin e naftës, në çfarë kuptimi? Në kuptimin që thashë më parë: Qeveria do të jetë shumë aktive në krijimin e kushteve dhe në krijimin e skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen dhe të bashkëpunimit me faktorët ekonomik për të rritur te ardhurat, jo të ardhurat e veta, po për të rritur të ardhurat e njerëzve dhe ne na duhet me patjetër që të ndërtojmë një proces të ri dhe po e përgatisim, ku qeveria do të jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës. Që do të thotë që ne duam të ndërhyjmë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët.
Kjo është diçka që e kemi studiuar për një kohë të gjatë edhe është diçka që e shohim plotësisht të mundshme dhe të bëshme dhe besoj që brenda këtij viti, do të jemi pjesë si qeveri në importin e naftës dhe në shpërndarjen e naftës, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë, të cilëve do t’ua bëjmë jetën më të lehtë sepse do të mund të kenë qeverinë si garante të importit dhe furnizimit me naftë, gjë që do të na vërë ne, në pozitën ku do të do të mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm sesa çmimi aktualisht i naftës në Shqipëri, i cili patjetër lidhet me atë përbërjen që ka çmimi për shkak edhe të taksës së qarkullimit, por që tani ka ardhë koha të veprojmë në një mënyrë tjetër dhe besoj që do të jetë një e mirë shumë e madhe, sepse duke marrë pjesë drejtpërdrejt qeveria si një nga aktorët, atëherë edhe politika e naftës për sektorin bujqësor, do të mund të jetë e ndërtuar ndryshe, jo më me këtë me këtë qasje, e cila na ka treguar që ka ato boshllëqet e veta dhe sjell të mira po sjell edhe problematika, por me një qasje tjetër, u tha aty shumë qartë që ndërkohë që shikojmë të gjitha këto aspekte, duhet të mendojmë dhe për uljen e kostove dhe duhet të jemi shumë inovativ në shumë drejtime, po ne nuk jemi sot në kushtet kur shfrytëzojmë edhe mbetjet e punës në bujqësi për të përfituar përmes riciklimit.
Kemi një shembull të shkëlqyer në Cërrik, falë “shqarthësisë”, se nuk është as shkathtësi, është “shqarthësi” e Kryetarit të Bashkisë së Cërrikut që e kemi model në këtë punë dhe që ka sjellë një tjetër propozim shumë interesant për të për futjen e inteligjencës artificiale në këtë proces dhe duhet të angazhohemi bashkërisht edhe e përsëris qeveria, njësitë përkatëse vendore dhe sipërmarrja për të ndërtuar sistemet e biogazit, të cilat kanë një investim të konsiderueshëm fillimisht, por pastaj janë shumë efektive dhe në këtë investim të konsiderueshëm duhet të hyjmë ne, duhet të hyjë qeveria, duhet të hyjnë bashkitë, duke shfrytëzuar linjat e financimit, sepse në qoftë se do ta presim që këtë gjë ta bëjë sipërmarrja, sipërmarrja e ka të pamundur, sipërmarrja bujqësore, se ka halle nga më të mëdhatë dhe nuk mund t’i kërkosh që të investojë edhe në një në një sistem që sigurisht ka benefit të madh më mbrapa, por që kërkon një investim intensiv, fillimisht.
Kështu që, dhe çështja e mbetjeve të prodhimit të punës në bujqësi, do duhet të adresohet në mënyrë shumë kreative dhe me bashkim forcash dhe bashkim financash që të bëhet e mundshme, të bëhet konkrete, jo thjesht t’ju rekomandohet sipërmarrjeve, por në bashkëpunim me sipërmarrjet të realizohet.
Dhe për ta mbyllur se u zgjata, është shumë e qartë që rruga e bashkimit të forcave, po has në një pengesë të madhe që është mungesa e informacionit dhe mungesa e të kuptuarit nga njerëzit se për çfarë flasim dhe këtu përsëri duhet një angazhim madh nga pushteti vendor, sepse nuk bëhet fjalë për t’u bashkuar që të mos merret veç se kush është kush.
Është praktikisht e njëjta gjë, por me një qasje tjetër të ndarë në prodhim dhe të bashkuar në shitje, ky është thelbi dhe këtu duhet të bëjmë një punë më të madhe.
Unë duhet t’i falënderoj të gjithë nga ana ime, sepse vërtet që është shumë pozitive kjo ditë, për faktin se na u dha mundësia që të dëgjojmë me vëmendje lloj-lloj gjërash dhe prapë na duhet të të ritakohemi, sepse është pak akoma ai zakoni që mos me i thënë të gjitha në mënyrë të hapur e mos me i thënë të gjitha ashtu siç janë, por përgjithësisht u thanë shumë gjëra me vlerë konkrete, praktike, ashtu siç na duhen dhe unë jam optimist që një pjesë e konsiderueshme e këtyre gjërave ne mund t’i bëjmë realitet.
Kini besim dhe unë kam shumë besim që do t’i bëjmë një pjesë të konsiderueshme këtyre gjëra realitet dhe mbi të gjitha do të arrijmë që në gjërat e vogla që janë të vogla kur janë nga jeta e tjetrit, por janë të mëdha kur janë nga jeta jote të jemi shumë më pranë edhe të jemi shumë më aktivë në zgjidhjen e tyre, sepse është skandaloze që një sipërmarrje bujqësore të rrijë një vit e gjysmë, dy vjet, tre vjet, katër vjet në pamundësi për të pas akses në financa, kredira, projekte, se nuk ka legalizimin e stallës apo nuk ka certifikatën e pronës të një të një strukture të caktuar.
Ju falënderoj shumë!