Qeveria ka vijuar dialogun dhe takimet informuese me biznesin lidhur me domosdoshmërinë e rritjes së nivelit të pagave në vend.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me Kryeministrin Rama dhe Zv.Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, zhvilluan një takim me punonjës dhe drejtues të kompanisë RHG shpk, e cila operon në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve, me një numër të punësuarish 233, të cilët paguhen mbi pagën minimale.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se aktualisht vendi ka arritur në një pikë të zhvillimit të ekonomisë ku të gjithë aktorët e kanë kuptuar se kapitali njerëzor dhe të punësuarit janë një element kryesor për vlerën e shtuar në çdo industri apo sektor të ekonomisë.
Numri i bizneseve të regjistruara në sektorin hotelerisë dhe restoranteve është 7347, ndërsa numri i të punësuarve është më pak se 10 % e numrit total të të punësuarve në vend, rreth 41.397 të punësuar. Nga ky numër, 22.328 punonjës paguhen me pagë minimale.
Referuar dhe shifrave, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ka ardhur koha që në sektorin e shërbimeve të ketë më shumë vlerësim për kapitalin njerëzor, nisur dhe nga fakti se është një sektor të cilin vlera e shtuar lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me të punësuarit.
“Thelbi i shërbimit është kapitali njerëzor. Por, si është e mundur që një biznes të bazojë gjithë planin e vet në shërbim, në kapital njerëzor dhe të paguajë kapitalin njerëzor me pagë minimale? Shërbimet janë totalisht të bazuara te njerëzit dhe po nuk patëm respekt dhe vlerësim për njëri-tjetrin ne asnjëherë nuk do të kemi zhvillim dhe zhvillimi ekonomik vjen sigurisht nga politikat e qeverisë, por vjen kryesisht nga investimet në biznes dhe nga politikat e rritjes së kapitalit njerëzor dhe të punësimit”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja vijoi më tej duke thënë se qeveria do të vijojë takimet me biznesin sa i përket pagave dhe nevojës për rritjen e tyre, ndërsa theksoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë një derë e hapur për të gjithë të punësuarit sa i përket respektimit të të drejtave të tyre.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve.
Jo pa qëllim ne erdhëm sot këtu në këtë vendndodhje lokacion dhe në këtë biznes. Vendndodhjen e zgjodhëm pasi këtu jemi të rrethuar disa zhvillime infratrukturore, hotele, bare dhe restorantesh, të cilat e përmbushin gamën e sektorit të mikpritjes, ashtu sikurse biznesi gjithashtu përmbush sektorin e mikpritjes.
Është një biznes që e ka filluar aktivitetin e tij herët, atëherë kur nuk kishte diskutime për pagat, nuk kishte diskutime për mirëqenien dhe rëndësinë e kapitalit njerëzor. Sot kemi arritur në një pikë të zhvillimit të ekonomisë sonë që kemi kuptuar të gjithë bashkë se kapitali njerëzor dhe të punësuarit janë ata që e shtojnë vlerën e çdo industrie.
Ky është takimi i tretë që ne bëjmë sa i përket industrive të veçanta dhe pagave të tyre. E filluam me manifakturën pasi ka numrin më të madh të punonjësve me pagë minimale, e vazhduam me ndërtimin që ndonëse është një sektor në lulëzim sërish rreth 30 % e të punësuarve në këtë sektor ka pagë minimalë, dhe erdhëm këtu te sektori i mikpritjes ku 54 % e punonjësve janë me pagë minimale.
Sektori i shërbimeve e ka vlerën e shtuar maksimale nga të punësuarit. Ti mund të jesh një biznes me infrastrukturë shumë të mirë dhe që ke investuar shumë në hotelin, barin apo restorantin tënd, por nëse nuk e paguan mirë kuzhinierin, kamarierin, recepsionistin, atëherë asnjë nuk klient nuk do të vijë më sërish për të marrë shërbimet e tua. Pra thelbi i shërbimit është kapitali njerëzor.
Por, si është e mundur që një biznes të bazojë gjithë planin e vet në shërbim, në kapital njerëzor dhe të paguajë kapitalin njerëzor me pagë minimale? Janë 7347 biznese të regjistruara në këtë sektor, të cilët nuk zënë një numër të madh të punësuarish, pasi është më pak se 10 % numri i të punësuarve në këtë sektor. Por ama nga 41.397 të punësuar, 22.328 janë me paga minimale. Ne të gjithë jetojmë në Shqipëri dhe kemi parë se çfarë kërkese të jashtëzakonshme pune ka për këtë sektor. Biznesi ku ndodhemi sot prej vitesh tashmë nuk paguan paga minimale dhe vitin tjetër, ndonëse nuk ka paga minimale dhe ndonëse nuk ka asnjë të punësuar me 40 mijë, jo me 34 mijë lekë sa ishte niveli i pagës minimale deri në mars, përsëri ai pret që të rrisë nivelin e pagave deri në 20 %. Ka një arsye për këtë dhe ajo është se ky biznes vlerëson punën, stafin dhe është i bindur se stafi është ai që do t’i sjellë rritje të të ardhurave të veta. Në këtë nivel duhet të jenë të gjitha kompanitë që operojnë në këtë sektor, pasi shërbimet janë totalisht të bazuara te njerëzit dhe po nuk patëm respekt për njëri-tjetrin ne asnjëherë nuk do të kemi zhvillim dhe zhvillimi ekonomik vjen sigurisht nga politikat e qeverisë, por vjen kryesisht nga investimet në biznes dhe nga politikat e rritjes së kapitalit njerëzor dhe të punësimit.
Kjo është arsyeja pse ne jemi sot këtu dhe do të vazhdojmë të bëjmë takime në biznes model, të cilat si kjo sipërmarrje kanë ndërmarrë këtë iniciativë, por edhe në biznese ku zëri i të punësuarve duhet të dëgjohet më shumë dhe për t’i hapur dyert të gjithë të punësuarve për të trokitur pranë MFE, për çdo problematikë që ato kanë me pagesat dhe punëdhënësit e tyre.
Faleminderit.