Pas mediave spanjolle të cilat i bënin jehonë turizmit në Shqipëri, edhe media gjermane i kushton vemendje të veçantë të njëjtit sektor në vendin tonë. Gazeta e famshme kombëtare në Gjermani “Die Zeit” ka publikuar një artikull të dedikuar situatës së turizmit shqiptar duke përmendur në të rivierën e mrekullueshme, florën dhe faunën e vendit tonë. Edhe Kryeministri Rama ka postuar në profilin e tij në facebook, këtë informacion duke i bashkëngjitur edhe të dhëna zyrtare që lidhen me këtë sector duke dashur të ndajë me lexuesit shifrat pozitive të rritjes së turistëve të huaj në vendin tonë.
“Mbi 100 mijë turistë gjermanë kanë vizituar në shtatë muaj Shqipërinë, përkundrejt 52 mijë në të njëjtën periudhë vitin e kaluar’’- shkruan Rama në facebook ndërsa më tej vijon:
“Mediet gjermane vijojnë traditën e mirë të promovimit të Shqipërisë, ku këtë herë gjiganti “Die Zeit” i kushton një artikull rivierës shqiptare, florës e faunës”.
Më herët, mediet britanike, franceze dhe ato spanjolle kanë promovuar turizmin në Shqipëri, duke vlerësuar përveç natyrës edhe kulinarinë dhe traditat shqiptare.
Sipas statistikave zyrtare, nga muaji janar deri në korrik Shqipërinë e vizituan 38,915 turistë francezë, dyfish më shumë se sa vitin e kaluar kur ishin 19,184 të tillë.
Po ashtu për të njëjtën periudhë u regjistruan 18 820 turistë spanjollë, përkundër 4228 vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit që shkoi.
Ndërkohë, 90 mijë vizitorë nga Britania e Madhe kanë vizituar Shqipërinë në këto shtatë muaj.