Në Tiranë ka nisur sot Konferenca e Ambasadorëve Diplo 2025 “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, e cila do të zgjasë tre ditë dhe do të mbledhë ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë, si edhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë. Diskutimet fokusohen tek integrimi evropian, diplomacia ekonomike dhe siguria rajonale e globale.
Në hapje të konferencës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, njoftoi se ditët e ardhshme në Kuvend do të paraqitet projektligji i ri për transformimin e rrjetit diplomatik. Ai theksoi se ky ligj përbën hapin e parë të një pakete të gjerë reformash që synojnë përafrimin e shërbimit të jashtëm me standardet bashkëkohore.
“Rritja e rolit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare është shoqëruar me zgjerimin e rrjetit diplomatik. Gjatë një viti janë hapur shtatë përfaqësi të reja, duke e çuar numrin në gjashtëdhjetë. Po punojmë që konsullatat dhe ambasadat tona të shndërrohen në qendra shërbimi për qytetarët dhe bizneset. Po modernizojmë shërbimet konsullore, më të shpejta dhe të aksesueshme dhe po e kthejmë diplomacinë ekonomike në instrument konkret për investime dhe teknologji të reja. Ky transformim do të përshpejtohet me ligjin e ri që do t’i paraqitet Parlamentit ditët e ardhshme”, deklaroi Hasani.
Projektligji parashikon ngritjen e një Akademie Diplomatike, të ndërtuar sipas praktikave më të mira evropiane, forcimin e kuadrit normativ, përmirësimin e burimeve njerëzore dhe rritjen e profesionalizmit në shërbimin e jashtëm.
Në seancën hapëse mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vuri në dukje rëndësinë e motivimit të trupës diplomatike përmes një reforme që synon jo vetëm transformimin strukturor, por edhe mbështetje të shtuar financiare.
Më tej, Ministri Hasani theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti kryesor i Shqipërisë. Javën e ardhshme do të hapet një grupkapitull i ri në negociata, ndërsa brenda pak javësh pritet hapja e grupkapitullit të fundit, me synimin që procesi të finalizohet deri në vitin 2027.
Ai shtoi se Shqipëria është provuar si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe kontribuuese aktive në sigurinë kolektive, duke marrë pjesë në misione ndërkombëtare dhe duke u angazhuar për organizimin e Samitit të NATO-s në vitin 2027.
“Shqipëria ka zgjedhur qartë rrugën e saj: ne qëndrojmë krah aleatëve euroatlantikë si anëtare e NATO-s dhe vend që ecën krah për krah me BE dhe SHBA. Ne mbrojmë paqen, ligjin dhe lirinë. Ky është mision historik që garanton sigurinë dhe mirëqenien e kombit shqiptar. Integrimi është busulla jonë strategjike,” u shpreh Hasani.
Konferenca “Diplo 2025” vijon punimet deri më 10 shtator, me panele dhe diskutime mbi prioritetet e politikës së jashtme shqiptare dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare.