Dorëzohen sistemet raketore Javelin në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr

Në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr u dorëzuan sistemet raketore Javelin, në kuadër të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një hap të ri në modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se përfshirja e sistemit Javelin nuk është thjesht simbol force dhe kapaciteti, por edhe një mesazh qartësie strategjike dhe një investim i planifikuar në kohë paqeje, me disiplinë buxhetore dhe vizion afatgjatë. Ai theksoi se forcimi i kapaciteteve nuk synon të kërcënojë askënd, por të rrisë besueshmërinë dhe efektin parandalues.

“Mbrojtja nuk është luks, por një shtyllë e shtetit dhe kusht ekzistence për një shtet serioz që dëshiron të jetë një hallkë e fortë në të gjitha proceset që na presin,” u shpreh Vengu, duke nënvizuar se vendet që vonojnë investimet në mbrojtje përballen me kosto më të larta në kushte emergjence.

E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nensi Van Horn, e cilësoi dorëzimin si një tregues të angazhimit të përbashkët për sigurinë rajonale dhe forcimin e NATO-s, duke theksuar se sistemet përfaqësojnë teknologji të avancuar dhe mbështesin objektivat e Shqipërisë në kuadër të mbrojtjes kolektive. Ajo shtoi se rritja e angazhimit për sigurinë kërkon fokus të qëndrueshëm në gatishmërinë dhe modernizimin ushtarak, si dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë me trupa dhe pajisje ushtarake në NATO dhe në misionet ndërkombëtare në mbarë botën.