Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta: Shqipëria avancon në Kapitullin 5 të prokurimeve publike, në fokus marrëveshja globale e OBT-së

Kryeministri Edi Rama dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, njëkohësisht negociatore për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, Reida Kashta, zhvilluan një konferencë për mediat mbi ecurinë e reformës së prokurimeve publike dhe avancimin e negociatave të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë konferencës, Kashta theksoi se Kapitulli 5 “Prokurimi Publik” përbën një nga kapitujt kyç të negociatave me Bashkimin Evropian dhe është pjesë e grupkapitujve “Themeloret” në metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së.

Sipas saj, Shqipëria po zhvillon negociatat në dy drejtime kryesore: procesin e negociimit të Kapitullit 5 dhe aderimin në Marrëveshjen Qeveritare të Prokurimit Publik (GPA 2012) të Organizatës Botërore të Tregtisë, proces që po zhvillohet në koordinim me Bashkimin Evropian.

Kashta bëri të ditur se BE-ja e ka vlerësuar sistemin shqiptar të prokurimit publik si të gatshëm për t’u bërë pjesë e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare, ndërsa theksoi se kjo përfaqëson një tregues të rëndësishëm të maturimit të sistemit shqiptar sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Ajo nënvizoi se kushtet përmbyllëse të Kapitullit 5 mbështeten në tre shtylla kryesore: përafrimin e plotë të kuadrit ligjor me acquis të BE-së, forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale në të gjitha nivelet, si dhe garantimin e rezultateve të qëndrueshme të një sistemi transparent dhe konkurrues të prokurimit publik.

Sipas Kashtës, Shqipëria po finalizon ndryshimet ligjore për përafrimin e plotë të legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Evropian, ndërsa janë përgatitur edhe dokumentacionet për kapacitetet institucionale dhe të dhënat e performancës për periudhën 2022-2025.

Gjatë konferencës u theksua gjithashtu se reforma në prokurimet publike ka sjellë forcim të transparencës, konkurrencës dhe mekanizmave kundër korrupsionit, duke garantuar përdorim më efikas të fondeve publike.

Në këtë kuadër u përmendën edhe disa vlerësime ndërkombëtare për sistemin shqiptar të prokurimeve publike të vitit 2025, përfshirë raportin e SIGMA-s (OECD-BE), raportin PEFA të publikuar nga Banka Botërore, si dhe vlerësimet e portalit “OpenTender.EU” mbi integritetin dhe transparencën e proceseve të prokurimit publik.