Durana Park
Durana Tech Park është një entitet 100% publik, me aksioner Korporatën e Investimeve Shqiptare. Aktiviteti lidhet me teknologjinë, robotikën, Inteligjencën Artificiale. Qëllimi i ligjvënësve shqiptarë është që të japin një intesivë fiskale për të tërhequr vizitorë të huaj si dhe për të nxitur punësimin e të rinjve shqiptarë nga kompani ndërkombëtare, duke sjellë vendet e punës në Shqipëri dhe duke u dhënë mundësinë të rinjve të punojnë në parkun teknologjik shqiptar, pa pasur nevojë të emigrojnë për të ndërtuar karrierën e tyre.
Në përgjigje të akuzave se “Durana Tech Park” është një park formal dhe jo një park real teknologjik, faktet dhe shifrat dëshmojnë se, deri më tani, 78 kompani janë regjistruar zyrtarisht në park, shumica prej tyre kompani të huaja, nga 140 subjekte që kanë shprehur interes që prej muajit mars, kur u hap thirrja për aplikim. Këto të dhëna vërtetojnë se parku nuk është një strukturë formale në letër, por një hapësirë konkrete që po tërheq aktorë realë të industrisë teknologjike.
Siç përcaktohet edhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e tij, “Durana Tech Park” është konceptuar të operojë në dy faza: fillimisht përmes operimit virtual dhe më pas përmes operimit hibrid, duke kombinuar praninë fizike me atë digjitale.
Ky projekt, i cili pritet të finalizohet brenda tre viteve të ardhshme, synon të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit dhe nxitjen e inovacionit, duke shërbyer si një urë lidhëse mes sektorit privat dhe universiteteve. Pjesë e këtij projekti teknologjik mund të bëhet çdo entitet, mund të jetë kompani, një start up, universitet, si dhe nomadë digjitalë.
Akuzat se ky projekt është i përvetësuar nga mafia shqiptare janë të pabaza, pasi të gjitha kompanitë që kanë aplikuar kanë dorëzuar një plan biznesi, për të cilat janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme që këto kompani të mos jenë implikuar në asnjë në moment në asnjë aferë të mundshme.