Durrës, Kryeministri Rama në kompleksin industrial: Të promovojmë sa mundemi shembullin e mirë të ndërmarrjeve shqiptare

Shqipëria po përjeton një rritje të qëndrueshme ekonomike, e reflektuar kjo në zgjerimin e aktivitetit prodhues, rritjen e pagave dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Biznese të shumta e faktojnë këtë, një prej syresh kompleksi industrial në Durrës, ku operojnë disa kompani të integruara në transport, riciklim dhe përpunim industrial, të cilin e vizitoi sot Kryeministri Rama i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Ky kompleks përfaqëson një model të ri zhvillimi ekonomik, të mbështetur në investime në teknologji dhe në rritjen e aftësive profesionale, që përkthehen drejtpërdrejt në paga më të larta dhe në vende pune cilësore.

Kryeministri Rama u njoh nga afër me aktivitetin e kompanive, që kanë nisur si iniciativa modeste dhe janë transformuar në ndërmarrje moderne që operojnë me teknologji të avancuar. Një nga shembujt më domethënës është përpunimi i mbetjeve elektronike, nga të cilat krijohet vlerë e shtuar deri në prodhimin e artikujve të arit, duke e kthyer mbetjen në të ardhura. Kryeministri theksoi se shembuj të tillë të suksesshëm të ndërmarrjeve shqiptare janë dëshmi konkrete e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Arsyeja pse ne jemi këtu edhe me kamerat është për ta promovuar sa të mundemi shembullin e mirë të ndërmarrjeve shqiptare, të cilat si kjo ndërmarrje, kanë nisur me një ëndërr të madhe, por me mundësi jashtëzakonisht të kufizuara dhe hap pas hapi janë transformuar në realitete mbresëlënëse si realiteti që sapo pamë, ku faktikisht shkohet nga mbetjet elektronike tek përpunimi i nivelit më të lartë i unazave dhe varëseve të arit.Pra, faktikisht nxirret ar, mbetje, të cilat për shumëkënd konsiderohen thjesht si mbeturina për t’u hequr qafe, ndërkohë që për këtë kompani janë si material i një miniere prej ku faktikisht krijohet vlerë e shtuar.” – u shpreh ai.

Kryeministri bëri të ditur ndër të tjera se po përgatitet një skemë e re e pensioneve, e cila synon të pasurojë skemën aktuale përmes krijimit të një mekanizmi shtesë kursimi. Kjo skemë do t’u japë mundësi punonjësve të kontribuojnë vullnetarisht një përqindje nga paga e tyre në një fond të dedikuar, ndërsa shteti do të japë një kontribut të barabartë, duke dyfishuar kursimin individual. Ky model synon të rrisë sigurinë financiare për të ardhmen dhe të forcojë lidhjen afatgjatë ndërmjet punonjësit dhe tregut formal të punës.

“Ne jemi duke përgatitur një skemë të re për pensionet që nuk do ta zëvendësojë, por do ta pasurojë skemën aktuale, duke i dhënë mundësi të gjithë punonjësve që duan të kursejnë më shumë për pensionion që të vendosin në një fond të veçantë çfarëdolloj përqindje nga paga të cilën shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë. Pra, po themi, nëse dikush vendos që të nxjerrë nga paga 1 euro për ta vendosur çdo muaj në fondin e vet të pensionit që pastaj t’i shtohet në fund pensionit që ai do të marrë nga skema normale, shteti do të vendosë 1 euro tjetër dhe kështu do të bëhen 2 euro dhe natyrisht kjo do të jetë e kombinuar, shteti për punonjësit e shtetit dhe privati për punonjësit e vet dhe kjo do të bëjë që fondi i pensioneve të fillojë pak nga pak të marrë formë dhe të jetë një fond që garanton, qoftë ata që investojnë tek fondi, por garanton edhe lidhjen mes privatit dhe punonjësit në një afat të gjatë.” – shpjegoi Kryeministri.

Në vijim, ai theksoi se qeveria është në procesin e hartimit të një instrumenti të ri financiar për mbështetjen e ndërmarrjeve, të emërtuar “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, instrument që synon të lehtësojë aksesin në financim për bizneset që kërkojnë zgjerimin e aktivitetit, investimin në burime njerëzore dhe procese të avancuara, përmes garancive shtetërore dhe normave më të favorshme të interesit.

“Jemi duke përgatitur një program të posaçëm financimi për ndërmarrjet. Kuptohet, qëllimi është financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por patjetër edhe për ato ndërmarrje të cilat mund të jenë ndërmarrje të mëdha, por duan të investojnë në mënyrë të veçantë në burime njerëzore dhe në procese speciale pune. Ne do të vendosim në dispozicion një instrument të ri financimi, programin e kemi quajtur “Dyfisho ndërmarrjen tënde” dhe do ta bëjmë shumë më të lehtë kreditimin. Do të vendosim një tavan deri në 2 milion euro për ndërmarrjen X që ka një plan për t’u rritur, por që nuk kanë kapacitet financimi të mjaftueshëm. Me këtë instrument ku do të ketë një mbështetje të fortë shtetërore si garanci, me interesa më të ulët sesa interesat komercialë të sotëm, besoj që do t’i japim mundësi ndërmarrjeve që do të zhvillohen më tutje, që ta kenë në krah shtetin në formën e garantit të projektit përkatës së zhvillimit.” – detajoi Kryeministri Rama.