Durrës, me përfaqësues të biznesit të vogël për Paketën e Rezistencës Sociale. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Durrës, me përfaqësues të biznesit të vogël për Paketën e Rezistencës Sociale.

Cikli i takimeve informuese mbi Paketën e Rezistencës Sociale vijoi sot me përfaqësues të biznesit të vogël, në Durrës. Kryeministri Edi Rama detajoi përmes shembujve konkrete, me shifra dhe fakte, masat e ndërmarra nga qeveria në paketën antikrizë, për 95 mijë biznese të vogla.

Konkretisht, biznesi i vogël do të përfitojë nga Paketa e Rezistencës Sociale zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, duke nisur nga muaji prill. Po kështu, paga minimale, duke nisur nga muaji prill do të shënojë 320 mijë lekë të vjetra.

Ndër të tjera, për 95 mijë biznese të vogla, çmimi i energjisë elektrike në faturë nuk do të ndryshojë, pasi qeveria parashikon në Paketë shtimin e 28 miliardë lekëve të reja ose 200 milionë USD për të mbajtur të pa lëvizur çmimin. Kryeministri shpjegoi me fatura konkrete, vlerën e kompensuar të çmimit.

Së bashku me kryeministrin Rama ne takim morën edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, si dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako.

Mirëdita të gjithëve dhe shumë faleminderit!

Në radhë të parë, duke qenë se takohemi për herë të parë mbas datës 6 mars, dua t’i uroj Kryetares së Bashkisë, marrjen e një besimi absolut nga gjithë komuniteti durrsak dhe duke qenë se jam dhe deputet në Durrës do të bëjmë çmos së bashku me Kryetaren që ta shpërblejmë këtë besim, realisht prekës për nga përmasat, pasi rezultati dhe diferenca me të tjerët ishte një borxh shumë i madh.

Kam ardhur këtu së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, me të cilën u bënë gjithë këto ditë qe punojmë intensivisht, duke ndjekur gjithë zhvillimet e kësaj krize të re, pasojat e kësaj fatkeqësie të re, e këtij taksirati të ri, sikur të mos na mungonin tërmeti e pandemia, – për të adresuar me sa më shumë drejtësi, efektivitet edhe largpamësi, pasojat mbi familjet dhe mbi bizneset e vogla që janë aleati ynë më i rëndësishëm, jo sot, por prej shumë kohësh dhe për të cilat jo rastësisht, si në asnjë vend tjetër në rajon, se Europa nuk diskutohet se i ka ngarkesat më të mëdha, këtu në Shqipëri ka taksat zero dhe paguan zero TVSH.

Rrugës kur po vija këtu, po shikoja disa grafikë nga burime serioze ndërkombëtare, të cilave u referohet e gjithë bota për rritjen e çmimeve qoftë çmimit të naftës, çmimit të ushqimeve dhe janë kaq kuptimplotë dhe të qartë për njëtrajtshmërinë e kësaj rritje në të gjithë botën, jo vetëm në Europë dhe për përputhjen e kësaj rritjeje të çmendur ekzaktësisht me çmendurinë e asaj lufte që ka filluar atje në Ukrainë dhe është shumë e rëndësishme që, sidomos kur përballemi me një presion, me një barrë ekstra të jashtëzakonshme për shkak të diçkaje që na ndodh jashtë vullnetit tonë, ne të dimë sa më saktësisht se çfarë është kjo që ndodh, të dimë sa më saktësisht faktet e asaj që ndodh për të mundur të reagojmë në mënyrën e duhur.

Çfarë është kjo forcë kundërshtie dhe presioni ndaj mënyrës sonë së të jetuarit të përditshëm që na vjen përballë dhe si do t’ia dalim sepse nëse biem dakord për faktet dhe nëse bashkohemi te faktet e kemi shumë më të lehtë të bëjmë dhe debatet për alternativat e mundshme të zgjidhjes.

Por ama, te faktet duhet të jemi të bashkuar. Nuk mund të zgjidhim asgjë, fakti është se këtë situatë e solli një luftë që as e nisëm ne, Shqipëria, as e ndalojmë dot ne, Shqipëria.

Është e pamundur që të bëjmë këtë se ndryshe nuk kuptohemi se çfarë duhet të bëjmë se nëse rritja e çmimeve të naftës apo të ushqimeve është diçka që vjen si rezultat i papërgjegjshmërisë, i pangopësisë, i të gjitha atyre që thuhen paturpësisht nga ana e qeverisë, ky është një fakt komplet tjetër. Një fakt komplet tjetër! Nëse vjen si rezultat pikërisht i luftës, është një fakt totalisht tjetër. Në varësi se cila është e vërteta atëherë fillojmë e mendojmë si ta adresojë dhe atëherë dhe njerëzit janë më të qartë se ku qëndron problemi për ta zgjidhur. Dhe që këtë e ka sjellë lufta duhet të jesh krejtësisht i papërgjegjshëm që ta mohosh në rast se ti e di dhe unë besoj që ata, të cilët bënë përpjekjen e turpshme për të instrumentalizuar menjëherë atë momentin e parë dhe krejt të natyrshëm të alarmit te njerëzit dhe çfarë po ndodh, e dinë që këtë e ka sjellë lufta dhe kjo e bën turpin e tyre shumë më të madh se që as nuk ju vajti mendja asnjë sekondë të vetme që të thonë kjo nuk është si të tjerët, jo thjeshtë se kjo vjen si rezultat i një lufte, por në këtë luftë ne jemi në krahun e tyre që janë të kërcënuar të pastrohen etnikisht nga territori i tyre.

Se kur u kërcënua kombi ynë nga pastrimi etnik, të tjerët bënë për ne, atë që, ne sot na takon të bëjmë për të tjerët. Ne nuk kemi aftësi ushtarake të atilla që të bëjmë atë që bënë të tjerët për ne, por ne aftësinë për të qenë dinjitozë, të duruar, solidarë sigurisht që e kemi.

Një pjesë tjetër, për shkak të atyre që e dinë, por bëjnë sikur se dinë, dhe sapo ne dalim në fillim të javës së shkuar dhe themi brenda javës do të japim skenarët e adresimit të zgjidhjeve, çohen menjëherë lajmërojnë protesta dhe arrijnë të thonë “po na iku dhe kësaj radhe, nuk e kapim më”. Dhe ata që bien viktimë e këtyre njerëzve, aq sa i mirëkuptoj, aq ju them duhet të jeni të hapur për të dëgjuar faktet. Nuk duhet t’ju flasë inati, emocioni, sado i kuptueshëm e i natyrshëm, negativ krijohet kur shkoni të mbushni makinën.

Se ja si vjen puna tani. Deri dje e kishim ne naftën më të lartë për arsye që i kemi shpjeguar 1000 herë. Sot ka ndryshuar gjëja por jo se e vendosi qeveria, se po të shikoni gjithë grafikun e rritjes së çmimit, është komplet i përputhur. Ajo që ndodh me vendet më të mëdha, ku tani çmimi ka shkuar edhe më lart se sa ishte çmimi ynë më i lartë, është çështja e frikës nga furnizimi, që është edhe këtu. Se problemi kryesor sot që kanë kompanitë, me të cilat bordi i administrimit ulet tani në mënyrë periodike, 2-3 herë në javë, sipas lëvizjeve që ndodhin në tregun ndërkombëtar, është a do kemi mundësi të mbajmë normal furnizimin. A do kemi mundësi të sjellim në vazhdimësi të gjitha sasitë? Sepse vendet kanë filluar të bllokojnë eksportet dhe nevoja për karburant nuk është më e vogël.

Ashtu sikundër dhe me energjinë. Ndërkohë që nafta është një element goditës për të gjithë ata që kanë makinë dhe që shkojnë dhe shohin çmimin atje në tabelë dhe duhet të nxjerrin lekët nga xhepi, po kaq problem është edhe energjia. Por nuk është problemi vetëm për ata që kanë makinë. Është problem për të gjithë dhe nuk është po kaq problem në aspektin sasior, se është shumë më tepër problem. ne e kemi ndaluar, i kemi vënë mburojë financiare çdo familje dhe ia kemi ndaluar erën, furtunën e rritjes së çmimeve të energjisë, ti prekin por kjo nuk do të thotë që furtuna nuk ekziston e kjo nuk do të thotë që furtuna nuk ekziston e kjo nuk do të thotë që ajo mburoja përballet çdo muaj kur pritet fatura me furtunën, për të mos e ndjerë asnjë familje e për të mos e ndjerë asnjë biznes i vogël, të cilët paguajnë njësoj siç paguanin përpara krizës. Ato janë para që ne i vëmë në dispozicion nga arka e shtetit dhe pyetja është shumë e thjeshtë. Nëse ne do të ulnim edhe taksat e naftës, siç thonë, se pa u futur në ato të ushqimeve, e të tjera e të tjera, që pastaj do të shkonim në falimentim menjëherë. Me çfarë do t’i financonim ne këto nevoja? Po, ka dhe një mënyrë tjetër, të rrisim taksën e biznesit të vogël. Ti vëmë biznesit t ë vogël 20% TVSH prap siç e kishte para se ne të vinim me këtë masë të re e t’ia kthejmë prap, t’ia bëjmë 10% siç e kishte përpara se sa ne të vinim në qeveri, 10% taksë mbi fitimin, 20% TVSH dhe pastaj diçka kompensojmë.

T’jua vëmë dhe të gjithë atyre që kanë rroga në Shqipëri 10% mbi rrogën siç e kishin dhe edhe aty kompensojmë patjetër. Se biznesit të madh ne ia kemi rritur taksën, se e kishin njësoj si të tjerët, ia kemi bërë 15%. Por jo, ne nuk i bëjmë këto. Ne nuk mund të rrisim çmimin e energjisë për të ulur çmimin e naftës për ata që kanë vetura, se ata që kanë vetura, shkojnë dhe në shtëpi, kanë dhe familje, janë prindër që paguajnë faturën e energjisë atje por nëse ne ia ulim naftën dhe detyrimisht rrisim energjinë, atëherë goditja është marramendëse dhe për këtë arsye ne do vazhdojmë të mbajmë mburojën mbi çmimin e naftës ndërkohë që të gjithë të tjerët e kanë rritur.

Dje më çonte dikush, një shqiptar i panjohur për mua, nga Firence, një faturë, dhe unë e publikova. Dhe filluan disa nga këto, janë disa burime mediatike gjobëvënëse për bizneset kryesisht, se për mua nuk ka shans të më vëri njeri gjobë, e filluan me ca fatura të tjera. Dhe më shkruante ai i shkreti prap sot në mëngjes. “Çfarë janë këta?” – thoshte, – “po në atë faturë totale unë kam edhe energjinë, kam edhe gazin. Se ka shumë fatura që janë të ndara, ka dhe fatura që janë të bashkuara dhe kam një platformë që më bashkohen, për të parë gjithë çfarë nxjerr nga shtëpia”. E më çonte fatura të tjera, që ishin të ndara. Elektricitet, gaz, fundi i 2020, fundi i 2021, fillimi i 2022, që tregonin që rritja është marramendëse. Në faturat e të gjithë shqiptarëve, të gjithë italianëve, të gjithë grekëve, të gjithë shqiptarëve në Kosovë, të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë maqedonasve e kanë në faturë atje dhe këta vijnë dhe thonë shihni çfarë po bëjnë të tjerët. Të tjerët po marrin masa, të gjithë po marrin masa, por ne kemi marrë një masë që askush nuk e ka marrë, që ne kemi vendosur që do paguajmë ne, domethënë do paguajë buxheti i shtetit, që të mos e ndjejë familja tronditjen.

Tani unë këtu siç kemi bërë herë të tjera, kam marrë, janë këtu prezent por nuk po i them emrat, biznese të vogla dhe kam marrë faturën tatimore të janarit, sepse kriza energjitike ka filluar përpara se sa të niste lufta dhe kur unë kam dalë disa muaj përpara dhe thashë që duhet të përgatitemi për një furtunë të re, filluan “çfarë është kjo, jo është loja, ky njeri ndjell vetëm keq, ky do vetëm të na mërzisi, ky nuk do të na japi shpresë”. Ndërkohë që unë besoj që e vërteta është shumë e rëndësishme dhe faktet janë shumë të rëndësishme, shpresa që vjen nga gënjeshtra të çon në humnerë. Shpresa që vjen nga gënjeshtra është si shpresa që vinte nga Sudja, që ço 1, merr 2, se do bëhesh i pasur. Kurse shpresa që vjen nga vërteta është si ajo që ka ai Presidenti i Ukrainës që e di shumë mirë që ai ka më shumë mundësi që të mos dalë i gjallë nga kjo luftë, se sa të dalë i gjallë, por ajo pjesë e mundësisë që të dalë i gjallë, i jep gjithë atë shpresë dhe gjithë atë kurajë, se ai e di shumë mirë që zgjedhja që ka bërë është një zgjedhje që më shumë është e mundur që ai të mos dalë i gjallë se sa të dalë i gjallë. Kjo është shpresa e vërtetë e njeriut kurajoz dhe e njeriut dinjitoz. Shpresa e ushqyer nga njerëz pa asnjë dinjitet, që kanë një pushtet dhe i thonë popullit ik futi tek piramidat lekët, ajo nuk është shpresë, ajo është tmerr.

Këtu është një faturë e janarit pra, e njërit prej jush këtu, që totalin për t’u paguar e ka 239 mijë lekë. Po flas me të vjetra. Ndërkohë që, nëse do të vinte fatura reale, ky biznes do paguante 628 mijë lekë. Pra diferenca është 359 mijë lekë, pra thuajse 400 mijë lekë. Tani, e imagjinoni që t’i çosh një biznesi 400 mijë lekë plus për faturën e energjisë? E para njëherë, po ta pyesësh a e do këtë 400 mijë lekëshin plus që të heqim taksat e naftës? Do thotë, “as mos e diskuto fare”. e do ti duket ajo pompa e naftës si biberon qumështi. Ndërkohë që po t’i vijë ky 400 mijë lekëshi, gjëja e parë, do heqë nga puna direkt një njeri. Por nuk është një biznes, janë 95 mijë biznese dhe ja ku është një biznes tjetër.

Ky e ka konsumin më të vogël, ky e ka 132 mijë lekë të vjetra konsumin, eshtë biznes i vogël prape këtu në Durrës, por është sigurisht një biznes më i vogël dhe 132 mijë lekë ka faturën që ka paguar në janar, po t’i vinte vlera, do ishte 357 mijë lekë. 357 mijë lekë iku një kamerier këtu, se është bar – bufe. Diferenca që i paguan shteti që mos ta ndjejë atë mbarojë është 225 mijë lekë. Që do të thotë, sikur një, se ka dhe biznese të vogla që janë nga ato mbi 100 milionëshin e xhiros, që kanë më shumë se sa 2-3 punëtorë, por le ta marrim 95 mijë biznese të vogla, një njeri të iki nga puna, 95 mijë të papunë brenda 1 muaji, me një faturë.

Më një faturë, 95 mijë njerëz ne i nxjerrim në rrugë. Për çfarë? Për të hequr taksën e karburantit të atyre që dalin dhe ulërijnë atje dhe shajnë dhe mallkojnë dhe sajojnë fakte të paqena dhe nuk lënë fjalë të ulët pa thënë? Se duan naftë për të sjellë njerëzit nga rrethet të shtunën, se e shtynë për të shtunën, se duhet të angazhohen prapë foltoret dhe fallxhoret që të sjellin njerëz me atë metodën e tyre të kapjes së kush është më i verbri. Jo, për këtë ne nuk mund ta ulim taksën e naftës. Asnjë taksë nafte nuk do preket, jo 100 veta siç ishin mbrëmë, por 100 mijë të ketë, sepse nuk është e mundur. Kaq e thjeshtë është. Nuk është e mundur. Nuk është çështja se nuk dua unë.

Kush është ai kryeministër që nuk do i bënte këto nëse këto do ishin të mundshme? Por ai që i bën këto, ai nuk është udhëheqës i popullit të vetë. Ai që i bën këto, ai është nga ata udhëheqës që e marrin në qafë popullin e tyre dhe udhëheqës që e kanë marrë në qafë këtë popull, i kemi gjallë akoma midis nesh, që i hodhën me kokë nëpër ato gropat e mëdha të Sudeve dhe të Vehbive. Nuk mundemi dot ta bëjmë këtë.

Ja dhe një faturë tjetër, e një tjetër biznesi të vogël, që është një dyqan i vogël, me një konsum minimal. 20 mijë lekë fatura. Ndërkohë që realja është 53 mijë lekë. Në këtë dyqan punon një grua, dyqan shumë i vogël. Tani, një personi që mund të jetë nuk di më shumë informacion, mund të jetë person i vetmuar, mund të ketë të shoqin pensionist në shtëpi, i hiqet direkt me një faturë energjie 32 mijë lekë, kësaj zonje që mban dyqanin hapur për të shtuar diçka mbi pensionin e vetë? E që as nuk ka Mercedes, as nuk ka Audi dhe që merr autobusin urban për të shkuar në varreza i vihet asaj bileta dyfish? Se është rritur nafta edhe për autobusët! Po për autobusët, pjesën e rritur do e paguajmë ne. Kësaj zonjës këtu do t’ia paguajmë ne edhe këtë 32 mijë lekëshin plus, të vjetra, te fatura e një dyqani 3 metra me 3 metra edhe autobusin. Po kësaj zonjës këtu dhe të shoqit, se thashë, nuk e di por qoftë e vetmuar, qoftë me të shoqin pensionist, ne do ti japim dhe paratë në dorë. 30 mijë lekëshin në dorë që atë çmimin e rritur të ushqimeve të shportës, të bukës, të ushqimeve të tjera të shportës, të mos e ndjejë ajo. Ta ketë mbi të ardhurat e veta dhe të mos e ndjejë. Si kësaj zonjës këtu do ti japim dhe mbi gjysmë milioni shqiptarëve, asnjëri prej të cilëve nuk ka Audi. Se këta flasin për mjerim më keq se në Afrikë, po vdes i gjithë populli për bukë, e ndërkohë nuk e harroj kurrë ish kryeministrin e Suedisë, një nga figurat më të mëdha të politikës europiane të fund shekullit XX, fillim shekullit të XXI, njeriu që ka bërë reformat më të rëndësishme në Suedi e që ftohet në gjithë botën për të dhënë leksione sot. Erdhi në Shqipëri, vajti deri poshtë dhe u ngjit deri në majën e Nivicës ne Tepelenë, se shoqëronte disa miq të tij suedez që po bëjnë një investim atje për një turizëm ekologjik. E më tha, “si e shpjegon Kryeministër, që në të dhënat që unë kam marrë për të pasur idenë e vendit ku vij, se në çdo vend që shkoj unë marr të dhënat e bankës qendrore të atij vendi, për të parë të dhënat kryesore. Si e shpjegon që në të dhënat e bankës qendrore shifrat janë 1, 2, 3, 4, që nga prodhimi brendshëm bruto e të tjera e të tjera, ndërkohë që unë nga aeroporti e deri në Tepelenë, nuk kam parë asnjë makinë prej vendi të varfër. As edhe një. Dhe rruga ishte plot me trafik. Si shpjegohet kjo”? Unë qesha e i thash që kemi vështirësi. “Nuk po them – më tha – që jeni vend i pasur, por vend i varfër është një fjalë tjetër dhe ka të tjera. Se unë kam bredhur shumë, kam parë shumë vende të varfra”. Si e shpjegon ti i thash unë? “Informalitet”, më tha. “Shumë të ardhura të padeklaruara dhe natyrisht shumë kontribut nga emigracioni”, që ne këtë e dimë shumë mirë.

Pse e them këtë? E them këtë se në ndërkohë në këtë vend, janë një pjesë që nuk i kanë këto makinat dhe që kanë realisht nevojë për mbështetje dhe me ata merremi ne në radhë të parë. Po të kishim mundësi do merreshim dhe me këta të tjerët, se nuk po themi që këta të tjerët jetojnë… por kur shoh disa që rrogat e deklaruara i kanë çerekun apo më pak se çerekun e rrogave që marrin realisht e që në këtë rast nuk u vë faj atyre. Në këtë rast vazhdon të jetë përgjegjësia jonë për të nxjerrë sa më rroga mbi ujë nga rrogat që janë nën uji në kuptimin e mosdeklarimit, është realisht për të vënë duart në kokë, është realisht një hipokrizi, një paturpësi dhe plus janë dhe thelbësisht të paditur dhe infektojnë kudo ku prekin me paditurinë e tyre.

Përtej faturës së energjisë, përtej ndihmës direkte për mbi gjysmë milioni njerëz, ku futen të gjithë, ku futet kjo zonja këtu, se bashku me bashkëshortin pensionist ose nëse është pensioniste e vetmuar, ku futen invalidët, ku futen paraplegjikët, tetraplegjikët, ku futen të verbrit dhe për të gjithë të tjerët që marrin autobusin urban e ndërburban që nisen nga Durrësi e shkojnë në Kapshticë apo Kakavijë , jemi ne që do të kompensojmë pikërisht atë rritje çmimi. INSTAT e ka nxjerrë rritjen në lekë të çmimit të ushqimeve bazë 25 mijë lekë të vjetra, që është një goditje jo e vogël po të shikosh fashën e ushqimeve bazë, ne do të japim 30 mijë lekë për tre muaj. Çfarë ndodh nëse pas tre ,muajsh kjo luftë nuk mbaron, se luftërat nuk vijnë që të sjellin lekë. Ka disa që më shkruajnë mua e më thonë “po mirë s’ka problem kur rriten çmimet duhet të rriten rrogat”. Në cilën krizë rriten rrogat? Se di. Lufta nuk vjen për të rritur rroga, luta nuk vjen për të sjellë të mira, vjen vetëm për të sjellë keq, vjen vetëm për të sjellë dhimbje koke në rastin më të mirë dhe pastaj dhimbje plagësh në rastin më të keq. Kështu që ne duhet të jemi të përgatitur edhe për skenarin që gjërat mund të shkojnë edhe me keq, por patjetër duhet të bëjmë këtë me shpresën që nuk është një shpresë por ka dhe ajo argumentet e veta që gjërat do shkojnë më mirë. Po nuk varet nga ne, nuk e ndalojmë dot ne atë luftë atje. Atyre që thonë “po ç’na duhet ne Ukraina”. Kur unë postoj pamje nga tmerret e Ukrainës se bëj për të shqetësuar këta, se bëj as për për t’iu thënë ‘ore shiko se çfarë ndodh atje tani, mos u ankoni’. Por është një lëvizje e tërë sot e kërkuar nga njerëzit në Ukrainë, është në gjithë botën, të cilët thonë ‘ nëse ti poston diçka nga Ukraina, ti ndihmon rezistencën tonë në mënyrën më simbolike’.

Keni parë kryeministra ju që futen në Facebook e merren me komente fol ti e fol unë, keni parë? S’keni parë dhe nuk do shikoni tjetër për mirë apo për keq. Unë kam bindjen që komunikimi me njerëzit është detyra kryesore mbas punëve për njerëzit dhe nuk është s’futem aty të bëj cic-mic, aty është mjedis i hapur dhe janë të tjerët që lexojnë. Kjo është respekt natyrisht, duke folur drejtpërdrejtë pa dorashka. Secili flet me të vetat.

Janë bërë shumë fjalë për punën e pagave. Kur unë them që “shikoni këtu është e vërtetë që po t’i shikosh në pamje të parë po të thuash që në tabelë karburanti ynë është më shumë sesa në Maqedoni apo Serbi, e vërtet është më shumë. Po sa janë taksat mbi pagat? Sa janë sigurimet shoqërore? Po ju jap një shembull për biznesin e vogël.

Në Shqipëri, për 95 mijë biznese, TVSH-ja është 0, në Serbi është 20 % në Maqedoni, është 18 %. Tatimi mbi fitimin për bizneset e vogla në Shqipëri është 0, në Maqedoni është 10 %, në Serbi është 15 %. Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri janë 27,9%, në Maqedoni 42,5 %. Në Serbi 47.5 %.

Norma e inflacionit që ha dhe ajo pjesën e vetë sot nga pagat në Shqipëri është 3.9, në Maqedoni është 7.6, në Serbi është 8.8. I sfidoj të gjithë ata që thonë të kundërtën të nxjerrin faktet dhe ti ballafaqojmë.

Vijmë tek paga minimale. Me pagën minimale 32 mijë lekë. Çfarë do të kishte në fund fare neto. Në fund fare neto do të dilte 28 mijë në Shqipëri, 24 në Maqedoni, 22 në Serbi. Ne nuk mund të krahasohemi me Gjermaninë, por ka dhe një gjë tjetër. Kur shikojmë atje rrogat në Itali me këto çmime që kanë shkuar sot, është mirë që të mos ua bëjmë ne llogarinë atyre. Nuk po them që në fund të muajit këtu del më shumë e atje del më pak. Jo, atje del pak më shumë dhe për shqiptarët dhe italianët që janë punëtorë atje. S’po flasim për të pasurit dhe ata që kanë pasuri të trashëguara, se qeraja, siguracionet, gazi, dritat të rritura katastrofë, çmimet e rritura katastrofë, çmimi bukës, por nuk guxova të nxjerrë gjë se thasë le po i turren dhe këtij tjetrit.

Me shumë mirësjellje dhe durim ju dëgjuat gjithë këto fjalë, përveç dy zonjave më dëgjuat dhe mua që vetëm te frigoriferi i biznesit të vogël nuk ju kam dalë akoma, nëse dikush ka dëshirë të thotë diçka, një pyetje apo të ngrejë një shqetësim, bujrum jemi këtu me shumë kënaqësi me aq sa dimë dhe aq sa mundemi t’i japim shpjegim.

Shpresoj që kjo mospatja e pyetjeve të jetë provë që gjërat janë sqaruar. Një gjë do më lejoni që ta them se e konsideroj të rëndësishme.

Ne kemi përballuar situata të vështira edhe më parë, situata shumë të vështira dhe qysh në fillim të qeverisjes sonë jemi ballafaquar me numrin më të madh të protestave për njësi kohore.

Nuk ka pasur në të kaluarën një intensitet protestash, pjesën e luanit e zënë protestat politike të atyre që më mirë mos t’i përmendim fare, aq më tepër që këtu në Durrës duket sikur përmend litarin në shtëpinë e të mbaruarit se e morën një përgjigje shembullore në datën 6 mars dhe do marrin një tjetër po aq shembullore kur të vijnë zgjedhjet.

Por flas për protestat jo partiake, besoj të gjithëve ju kujtohet që qysh sa morëm detyrën u ballafaquam me protestën për armët kimike. Një protestë historike për nga përmasat që mori dhe nga intensiteti që pati dhe qeveria u tërhoq duke i dhënë të drejtë protestuesve.

Një tjetër protestë, e cila pati goxha jehonë, ishte protesta e banorëve të Kukësit për tarifën e traut në Kukës të rrugës së Kombit. Tarifën e mirëmbajtjes. Dhe banorët e Kukësit me shumë të drejtë, ngritën çështjen e faktit që ata banojnë aty dhe të detyruar lëvizin shumë më shpesh se cilido qoftë që i duhet të kalojë andej për të shkuar në Kosovë apo anasjelltas. Dhe kishin të drejtë ata, jo qeveria. Dhe në rast se ju kujtohet, kam kërkuar publikisht ndjesë për atë stres dhe për atë pozicion të gabuar të qeverisë.

Protestë tjetër e madhe ka qenë protesta e studentëve, e mbani mend të gjithë. Aty përsëri, qeveria i mori shumë me vëmendje dhe me shumë respekt për hir së të vërtetës të gjitha shqetësimet dhe ndërveproi me ta dhe në fund doli me një pakt për universitetin dhe rezultatet janë të dukshme sot në sytë e të gjithëve. Jo të gjitha kërkesat u morën parasysh, por ato që u morën përsipër u adresuan dhe po adresohen dhe sot që flasim.

Vijnë bëjnë protesta para parlamentit grupe të ndryshme interesi. Garda, e cila e ka me ligj dhe me detyrim sigurinë e Kryeministrit dhe që e ka gjetur një bela shumë e madhe me Kryeministrin aktual, se po i flas dhe unë vetes në vetën e tretë, siç i flet dhe ky figura që është non grata i pa shpallur, gjithmonë i thotë çunave që më shoqërojnë mua, bjerini nga dera tjetër.

Kurse unë u them jo, do shkojmë atje. Do ndaloj, do dal e do t’i ftoj të vijnë brenda disa nga ata, t’i dëgjojmë. Dhe përgjithësisht bëjmë këtë. Kjo është prapë për ata që thonë s’kemi parë ndonjë kryeministër që poston foto nga këto, po ndonjë kryeministër që ndalon te dera e Parlamentit kur protestojnë njerëzit keni parë?! As nuk keni parë e nuk e di a do të shihni pasi të iki unë, por kjo është punë tjetër.

Natyrisht që ka raste që ata kanë të drejtë, ka raste që s’kanë të drejtë. E drejta për të protestuar është absolute, është e të gjithëve, por jo çdo protestë ka të drejtë. Apo jo çdo e drejtë që mund të kërkohet sot, mund të plotësohet sot.

Dhe unë besoj që nëse kjo qeveri dhe kjo shumicë qeverisëse më saktë ka sjellë një sërë gjërash në kulturën e jetës politike të vendit, një nga ato gjera që ka sjellë është një qasje komplet tjetër ndaj protestës.

Se s’po të kujtoj tani kur të kërciste plumbi ballit kur protestoj, por po flas në përgjithësi qasja ndaj protestës që nuk është absolutisht një qasje arrogante, brutale, indiferente, shpërfillëse edhe kështu me radhe. Madje edhe ato protestat aspak dinjitoze të opozitës politike që përhapnin foto dhe lajme shumë negative për Shqipërinë me qëllim, janë trajtuar nga pikëpamja e sjelljes së policisë si kurrë më parë.

Pse po i them të gjitha këto?!

Po i them për të thënë që unë nuk mund ta pranoj në heshje kur më thonë je arrogant.

Mbase natyra ime është e tillë që unë luftoj për bindjet e mia, këmbëngul te bindjet e mia, mbase e kam nivelin e kokëfortësisë që po të përkthejë në nivelin e tensionit, do isha në rrezik, nga pikëpamja e balancës arteriale.

Kjo protestë e kësaj radhe, përveç se ka brenda gjithë absurdin e mungesës së dakordësisë me faktet, është turp! E them me plot gojën është një turp kombëtar! Se unë e kuptoj, kaloi një muaj, kaluan dy muaj në këtë situatë dhe qeveria nuk reagoi. E kuptoj që njerëzit vetvetiu thonë disa gjëra duhet t’i bëni ju, dakord lufta e kuptojmë, po ju çfarë po bëni?!

Por kur unë dal në fillim të javës sapo ka filluar të shfaqet gjëja dhe them që brenda javës, dhe ndërkohë ne ishim duke punuar nuk është se atë mëngjes u zgjuam edhe thamë, ishim duke punuar si do të kalkulojmë rrisqet. Se në radhe të parë duhen kalkuluar rrisqet, ju jeni të gjithë me biznes. Ju, për të gjitha këto shishet, apo për të gjitha produktet që janë aty mbrapa, ju bëni kalkulime. Kalkuloni rrisqet se çfarë mund të më mbetet pa shitur nga këto të rejat që do fus, sa do shes nga këto që kam etj, dhe sa do dal në fund që të vazhdoj. Është gjëja më normale. Në kohë normale do kalkulosh rrisqet kur shton një shpenzim apo shton një investim. Do ta zgjeroj këtë në anën tjetër, por sa do më sjelli. Jo më kur të vjen një hall i madh këtej nga deti, do kalkulosh rrisqe. Mbi bazë të kalkulimit të rrisqeve do bësh dhe skenaret sa do vësh për ta përballuar.

Del qeveria në fillim të javës, sapo qeveria thotë brenda javës do t’ju japim skenarët për të përballuar këtë, mbasi shpjegojmë atë të energjisë, menjëherë vihen në lëvizje disa personazhe që më janë bërë si, e keni parasysh se ju këtu në Durrës keni shumë komshinj në Itali dhe vijnë në verë ose për festa. Kështu i kam dhe unë ata. Më vijnë atje poshtë penxheres dhe ju njoh zërin, nuk i bashkoj zërat me fytyrat, por gjithë zërat i njoh dhe e kuptoj kur është ndonjë zë i ri, them paska ardhë një i ri. Ju betohem!

Për çfarë qeverie flasin këta? Nuk ka pasur Shqipëria qeveri që ka bërë kaq shumë për njerëzit e zakonshëm. Nuk ka pasur që ka bërë kaq shumë për të mbështetur njerëzit më në nevojë. Brenda mundësive gjithmonë, por me fakte.

Gjysma e të ardhurave, 47% e të ardhurave nga paga, në Serbi, shkon për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ju e dini më mirë se shumë nga ata që na dëgjojnë, që një pjesë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore e paguani ju, një pjesë e paguan biznesi për punonjësin. Po pse pak janë 47%? E natyrisht ku shkojnë këto? Shkojnë për pensionet, shkojnë dhe për spitalet. Maqedonia 42%, se thonë Maqedonia. Hajde ti bëjmë të gjitha këto ne dhe pastaj ok, e prekim taksën atje. Hajde t’ia vëmë biznesit të vogël direkt 15% tatim fitimin, ti këpusim dhe 20% TVSH, t’i fusim dhe 47% sigurime shoqërore dhe shëndetësore, që nga nafta atje të mos çojmë asnjë kokërr leku për spitalet e patjetër pastaj i rrisim dhe pensionet më shumë, direkt. Por si del llogaria? Se nëse ne do vijmë tek ju, me këtë ngarkesë, këtu do të bjeri puna vetvetiu, sepse do bien investimet që ju bëni e ju direkt do thërrisni nja dy nga këta këtu e do i thoni ikni se nuk ju mbaj dot më. Nga 95 mijë biznese, herë 2, do kemi 190 mijë njerëz në rrugë, pa të ardhura. Kjo është llogaria që duhet të bëjmë.

Unë për protestat kam gjithmonë, jo vetëm respekt, por ndjeshmëri të lartë, për të qenë në gjendje të kuptojë qeveria çfarë është e drejtë dhe duhet bërë, çfarë është e drejtë dhe nuk mund të bëhet aty për aty e gjitha dhe çfarë është e padrejtë që nuk bëhet. Protesto sa të duash, kjo nuk bëhet. Por kjo protestë është turp. Kjo është një protestë që do hyjë në histori kur të bëhet historia se si larg qoftë, se nuk më shkon mendja te lufta e tretë botërore, por se si filloi një luftë në Europë e si u impaktua ekonomia shqiptare, patjetër që kjo do hyjë aty. E vetmja protestë në të gjitha vendet e NATO-s, jo të NATO-s, në Europë, jashtë Europës, që menjëherë sapo u ndje rritja e çmimeve, u organizua kundër qeverisë për rritjen e çmimeve që solli lufta. Mungesë dinjiteti, mungesë karakteri dhe patjetër paturpësi e padijes pastaj që është problem i madh.

Shumë faleminderit dhe një herë të gjithëve! Ne po vazhdojmë me Anin projektet. Shpresoj shumë që të mos na duhet të presim projektet, se ndërkohë kemi prerë të gjithë paratë për gjithë pjesën e shpenzimeve që nuk janë investime, zyra, të gjitha llojet e gjërave, por tek projektet shpresojmë që të mos presim se projektet janë punësim. Këtu nuk diskutohet që nuk do presim për vazhdimin dhe përfundimin e rindërtimit. Duhet të shohim pak bonusin e qerasë se kam marrë nja dy ankesa nga disa që nuk janë akoma në shtëpi, shpresoj mos t ndërpresim disa projekte shumë të bukura që kemi për Durrësin se ju e treguat me vepra që në këtë moment më donit ju më shumë se sa më duna vlonjatët atje kështu që unë jua thashë, kush do më dojë më shumë që të më ketë aty, pavarësisht se unë jam tek të dyja dhe jam dhe deputet atje dhe këtu unë, por ama këtu do bëj çmos që bashkë me Anin që me besimin që i dhatë ma ka mbushur mendjen edhe mua tani më shumë se sa e kisha të mbushur që është personi i duhur për këtë punë. Me shaka, por gjysma e të vërtetës.

Shumë faleminderit!

Previous Njoftim për Media

Leave Your Comment