Durrësi prezantohet në ITB Berlin 2026 si destinacion që bashkon detin dhe trashëgiminë kulturore

Durrësi po prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026 si një nga destinacionet kryesore të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar, në kuadër të pjesëmarrjes së organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Qyteti bregdetar paraqitet si një destinacion që ndërthur potencialin e vijës së gjatë bregdetare me trashëgiminë e pasur historike dhe kulturore, duke synuar të pozicionohet si një alternativë e qëndrueshme dhe autentike në Mesdhe. Përveç ofertës detare, Durrësi promovon edhe asetet e tij kulturore, si Amfiteatri romak, Muzeu Arkeologjik, Torra Veneciane dhe Mozaiku i Bukuroshes së Durrësit.

Shqipëria merr pjesë në ITB Berlin 2026, që zhvillohet nga 3 deri më 5 mars dhe këtë vit shënon 60-vjetorin e organizimit, me një stendë të konceptuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Në panair përfaqësohen disa bashki, rreth 30 turoperatorë dhe biznese shqiptare të sektorit turistik. ITB Berlin mbledh çdo vit përfaqësues të industrisë së turizmit nga e gjithë bota dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme globale të sektorit.

Sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantimi synon të ofrojë një eksperiencë që ndërthur inovacionin, kulturën, bukuritë natyrore dhe përvojat lokale, duke e pozicionuar Shqipërinë si destinacion autentik mesdhetar.

Në fokus të promovimit janë format e turizmit të qëndrueshëm, përfshirë turizmin malor në Alpet Shqiptare, turizmin bregdetar në rivierë, turizmin kulturor në qytetet historike dhe turizmin rural e gastronomik në fshatrat e vendit. Pjesëmarrja në ITB Berlin konsiderohet një mundësi për promovim të diferencuar në tregjet ndërkombëtare, përtej modelit të turizmit masiv.