Dyfisho Sipërmarrjen Tënde, Kryeministri Rama: Programi një derë e hapur për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë motor i ekonomisë së vendit
Programi Kombëtar i Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” u prezantua sot si një mekanizëm i ri mbështetës për biznesin shqiptar, përmes një nënshkrimit të partneritetit të ri mes qeverisë, sistemit bankar dhe sipërmarrjes.
Në eventin e zhvilluar në mjediset e Bankës së Shqipërisë mori pjesë edhe kryeministri Rama, i cili theksoi se programi synon t’u japë bizneseve akses në financim të përballueshëm, përmes kredive me interesa minimale dhe garancisë sovrane të shtetit, duke u krijuar mundësinë sipërmarrjeve të hedhin hapin e radhës drejt zgjerimit dhe modernizimit të aktivitetit të tyre.
Kryeministri tha se kjo nismë lind nga nevoja konkrete e bizneseve për financim të aksesueshëm dhe përfaqëson një mbështetje të drejtpërdrejtë për ata sipërmarrës që kanë potencial të rriten, të krijojnë vende pune dhe të kontribuojnë më tej në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Sot, të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, duhet ta dëgjojnë qartësisht që brenda një kohe shumë të shkurtër pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje, do të futet në zbatim një program, i cili u hap të gjithëve një derë për të dyfishuar sipërmarrjen e tyre, natyrisht bazuar në planin e biznesit dhe në gjithë komponentët e tjerë që janë të patjetërsueshëm dhe të pazëvendësueshëm për bankat e nivelit të dytë.” – u shpreh Kryeministri.
Ndër të tjera, Kryeministri shpjegoi se për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të vihet në dispozicion një linjë kredie me një interes minimal 2% dhe maksimal 3%, e shoqëruar me një garanci sovrane të qeverisë shqiptare që varion nga 30% në 70% sipas nivelit të vlerësuar të riskut për të ulur në mënyrë kuptimplotë riskun e kredisë për bankat.
Kryeministri i cilësoi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si motori i ekonomisë shqiptare dhe si burim i potencialit më të madh për rritje, punësim dhe inovacion.