Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet pozitivisht në 5 muajt e parë të vitit, pavarësisht situatës së krijuar për shkak të rritjes së çmimeve dhe krizës globale.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një konferencë për shtyp, ku bëri një prezantim dhe analizë të treguesve kryesorë të ecurisë ekonomike të vendit për periudhën janar-maj.
Nisur nga ecuria pozitive e ekonomisë për këtë periudhë, Ibrahimaj tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë vijon t’i mbetet parashikimit për një rritje ekonomike në nivelin e 3.24 % për vitin 2022.
Sipas publikimit më të fundit të INSTAT, ekonomia e vendit u rrit me 5.97 % për tremujorin e parë të vitit, rritje e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Kjo rritje ekonomike, sipas Ministres, është më e lartë se sa në vendet e rajonit dhe se sa mesatarja e vendeve të BE-së, e cila është 5.6 %.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe ngadalësimi i huamarrjes së brendshme dhe të huaj, ka çuar në një reduktim të nivelit të borxhit, i cili për tremujorin e parë të vitit 2022 ka arritur në nivelin 69.6 %.
Inflacioni për periudhën 5 mujore ka qenë në nivelin 5.2 %, e ndonëse në muajin maj ai arriti normën 6.7 %, vihet re një reduktim me 0.5 % e kësaj norme në krahasim me muajin prill. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria rezulton me një inflacion më të ulët.
Ministrja vuri në dukje se, pavarësisht normave të larta të inflacionit, treguesit e tërthortë tregojnë se ambienti ekonomik i vendit është karakterizuar nga një ambient stimulues për biznesin.
Numri i bizneseve të reja në muajin maj është 2939 ose 2.5 % më shumë në krahasim me muajin prill; për periudhën janar-maj është 6099 ose 5.2 % më shumë në krahasim me dhjetor 2021, apo 17 % më shumë se sa një vit më parë.
Të ardhurat për periudhën 5 mujore kanë arritur në vlerën 233 miliardë lekë, duke u rritur me 41.8 miliardë lekë ose 21.8 % në krahasim me vitin e kaluar.
“Vlera e përllogaritur e efektit të çmimeve është rreth 13 miliardë lekë. Nëse ne do të përjashtonim efektin e çmimeve, rritja në krahasim me vitin e kaluar do të ishte prej 29 miliardë lekë apo 13 % më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare për periudhën 5 mujore është rritur pavarësisht rritjes së çmimeve”, tha Ibrahimaj.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Mirë se keni ardhur në takimin mujor me gazetarët për të bërë një analizë të ecurisë së ekonomisë gjatë pesë mujorit të fundit.
Siç jeni bërë me dije, dje është publikuar Produkti i Brendshëm Bruto nga ana e INSTAT, ku rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2022 rezultoi 5.97 %, pra afërsisht 6 %. Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2021, kemi pasur një përshpejtim të rritjes ekonomike, pasi në këtë tremujor rritja ishte 5.1 %.
Ne vijojmë t’i mbetemi parashikimit të rritjes prej 3.24 % për vitin 2022, bazuar në të dhënat e tremujorit të fundit, por edhe të dhënat paraprake që kemi për 5 mujorin, të cilat do t’i analizojmë në vijim.
Rritja ekonomike e tremujorit të parë ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët, ku rritjen më të lartë e ka pasur sektori i ndërtimit me 25.49 %, ndërkohë që edhe tregtia me shumicë dhe me pakicë ka rezultuar në rritje me gati 11 %.
Sipas metodës së shpenzimeve, gjithashtu kemi pasur një rritje të shpërndarë, si në konsum, ashtu edhe në investime, ku konsumi final i popullatës ka rezultuar në rritje me 8.63 %.
Unë dua të theksoj se konsumi final i popullatës përbën 78.3 % të GDP-së, pra përbën peshën kryesore në rritjen ekonomike.
Gjithashtu, formimi bruto i kapitalit fiks që përafron investimet, ka rezultuar në rritje me 15.5 %.
Rritja e tremujorit të parë prej 5.97 % është më e lartë se sa mesatarja e vendeve të BE-së, e cila është 5.6 %, por edhe se sa rritja e të gjithë vendeve të rajonit.
Përshpejtimi i rritjes ekonomike, si dhe ngadalësimi i huamarrjes së brendshme dhe të huaj, ka çuar në një reduktim të nivelit të borxhit ku për tremujorin e parë të vitit 2022 borxhi ka arritur në nivelin 69.6 %. Ngadalësimi i nivelit të borxhit vihet re që në vitin 2021, ku nga 74.5 % që rezultoi borxhi i vitit 2020, në vitin 2021 ai u reduktua në 73.2 %, ndonëse në fund të vitit 2021 ne u angazhuam në marrjen e një Eurobondi 650 milionë euro.
Problematika kryesore që ka ndikuar në vendimmarrjet tona gjatë gjithë 5 mujori ka qenë rritja e çmimeve të ushqimeve dhe rritja e çmimeve në përgjithësi shkaktuar nga konflikti Rusi-Ukrainë.
Për muajin maj inflacioni rezultoi në nivelin 6.7 %, ndërkohë që për 5 mujorin kemi pasur një mesatare të inflacionit prej 5.2 %.
Duhet theksuar se kemi pasur një reduktim me 0.5 % të kësaj norme të lartë të inflacionit, nëse do të krahasojmë muajin maj me muajin prill.
Nëse do t’i referohemi diferencës mujore të ndryshimit të çmimeve, kemi pasur një reduktim të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve me 1.6 %. I vetmi element i cili ka shfaqur rritje është transporti, ku përfshihen kostot e karburanteve, i cili ka rezultuar në rritje me 0.5 %.
Përsa i përket diferencës me vendet e rajonit, Shqipëria rezulton me një inflacion më të ulët se sa të gjitha këto vende, ndërkohë që kjo tendencë vihet re dhe te çmimeve e ushqimeve dhe pijeve, ku Shqipëria ka qenë ndjeshëm më ulët se sa vendet e rajonit, duke rezultuar me një inflacion prej 11.7 %.
Treguesit e tërthortë nga tregojnë se ambienti ekonomik i vendit është karakterizuar nga një ambient stimulues për biznesin. Pra, ndonëse normat e inflacionit kanë ardhur në rritje, numri i bizneseve ka ardhur në rritje.
Në muajin maj, kemi pasur një rritje me 2939 bizneseve të reja ose 2.5 % më shumë, në krahasim me muajin prill.
Ndërkohë, për periudhën janar-maj, kemi pasur një rritje prej 6099 biznese ose 5.2 % në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2021.
Në krahasim me vitin e kaluar rritja e numrit të bizneseve është rreth 17 % më shumë se sa një vit më parë, për periudhën janar-maj.
Nëse do të kthejmë vështrimin tek tregtia e jashtme, tek analiza e importeve dhe eksporteve, për periudhën janar-maj kemi pasur një rritje të importeve në vlerë me 27 %, ndërkohë që në vëllim importet janë ngadalësuar me 4 %. Ngadalësimi i importeve në vëllim kryesisht ka ardhur si pasojë e ngadalësimit të importeve të mineraleve dhe lëndëve djegëse, të ndikuara nga çmimet e larta, por edhe nga ngadalësimi i importeve të produkteve kimike dhe plastike.
Nga ana tjetër, importet e ushqimeve dhe pijeve janë rritur si në vlerë, ashtu edhe në vëllim.
Importet janë rritur me 9 % në vëllim për periudhën 5 mujore, në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që në vlerë janë rritur me 25 %, duke treguar një ecuri të konsumit të vendit, si në vëllim, ashtu edhe në vlerë.
Sipas të dhënave të fundit që kemi për tregtinë e jashtme, në muajin maj importet në vlerë kanë vijuar të rriten me 29 %, ndërkohë që në vëllim kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me majin e vitit 2021.
Në ecurinë e importeve në vëllim, në muajin maj, kontribut pozitiv ka pasur ushqimi, pijet dhe duhani, të cilat janë rritur me 15 %, ndërkohë që kontribut negativ kanë pasur mineralet dhe lëndët djegëse, si dhe produktet kimike dhe plastike.
Nga ana tjetër, kemi pasur një rritje të madhe në vëllim të artikujve të lëkurës dhe të produkteve të tjera, të cilat janë të përafrues i mirë i aktivitetit prodhues të vendit.
Përsa i përket eksporteve, që gjithashtu janë një indikator i aktivitetit prodhues të vendit, kemi pasur rritjen në muajin maj, si në vëllim, ashtu edhe në vlerë. Në vëllim kemi pasur një ecuri të njëjtë me majin e vitit të kaluar, duke u rritur me 7 %, ndërkohë që në vlerë eksportet janë rritur me 37 % në muajin maj.
Përsa i përket vëllimit, kategoria ushqim, pije dhe duhan është rritur me 29 % në muajin maj, duke treguar një aktivitet të përshpejtuar të industrisë prodhuese të ushqimeve.
Sa i përket të ardhurave, për periudhën 5 mujore ato kanë arritur vlerën 233 miliardë lekë, duke u rritur me 21.8 % në krahasim me vitin e kaluar. Rritja ka qenë e gjerë si në akcizë, si në kontribute, ashtu edhe në TVSH.
Vlera totale e rritjes së të ardhurave ka qenë 41.8 miliardë lekë, në krahasim me vitin e kaluar.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë një analizë për të kuptuar se sa nga kjo vlerë vjen nga efekti i çmimeve dhe sa vjen nga aktiviteti ekonomik apo performance më e mirë e institucioneve taksa mbledhëse të administratës.
Vlera e përllogaritur e efektit të çmimeve është rreth 13 miliardë lekë. Nëse ne do të përjashtonim efektin e çmimeve, rritja në krahasim me vitin e kaluar do të ishte prej 29 miliardë lekë apo 13 % më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare për periudhën 5 mujore është rritur pavarësisht rritjes së çmimeve.
Kjo rritje ka ardhur e bazuar në qarkullimin e sektorëve, ku përveç sektorit të ndërtimit në nivel 5 mujor, i cili është reduktuar me 1.6 %, kemi pasur rritje në të gjithë sektorët e tjerë. Në total qarkullimi i sektorëve në ekonominë shqiptare ka qenë rreth 13.5 %, ku sektori i prodhimit është rritur me 8.6 %, sektori i shërbimeve është rritur me 2.5 %, sektori i transportit është rritur me 28.5 % dhe sektori i tregtisë është rritur me 50.4 %.
Sigurisht ecuria pozitive e të ardhurave është ndikuar dhe nga performanca më e mirë e mbledhjes së të ardhurave dhe kjo duket në të dhënat e mbledhjes së TVSH, të cilat janë të lidhura ngushtë dhe me reformën madhore të fiskalizimit.
Nga sot reforma e fiskalizimit ka përfunduar. Biznesi i madh është 100 % i fiskalizuar, ndërkohë që biznesi i vogël ka një numër të vogël prej 8900 biznesesh të cilat nuk janë fiskalizuar ende. Këto janë bizneset që prej muajsh tashmë nuk raportojnë qarkullim, pra janë biznese që shpejt do të kalojnë në status pasiv, por që për shkak të metodologjisë janë ende në status aktiv.
Përsa i përket shpenzimeve, për 5 mujorin ne kemi pasur përafërsisht të njëjtin nivel të shpenzimeve krahasuar me vitin e kaluar, ku shpenzimet kanë arritur një total prej 213 miliardë lekësh.
Duke iu rikthyer ecurisë së treguesve ekonomikë dhe të dhënave të tërthorta që na tregojnë për ecurinë e rritjes ekonomike, dua të ndalem tek të dhënat e punësimit. Për muajin mars 2022, numri i vendeve të punës ka qenë 709.557, ose 2 % më e lartë se sa shifra e vitit të kaluar.
Të dhënat e punësimit raportohen një herë në tre muaj, duke qenë se detyrimi i deklarimit të bizneseve të vogla bëhet një herë në tre muaj. Në fund të muajit korrik ne do të kemi një shifër të përditësuar të të dhënave të punësimit.
Nga ana tjetër, edhe norma e papunësisë ka ardhur në ngadalësim. Në tremujorin e parë papunësia për grup moshën 15 vjeç e sipër, pra papunësia zyrtare, ka arritur në nivelin 11.3 %, nga 11.4 % që ishte në tremujorin e katërt të vitit 2021.
Gjithashtu, paga mesatare ka shfaqur tendenca rritëse, ku në tremujorin e parë të vitit 2022 ajo arritur në nivelin 59.242 lekë ose 5 % më e lartë në krahasim me vitin e kaluar.
Përsa i përket financimit të konsumit, i cili lidhet me pagën mesatare, por edhe me curinë e kredisë konsumatore, edhe kredia konsumatore në muajin maj ka vazhduar të shfaqë tendenca rritëse në nivelin 13.9 %.
Gjithashtu, kredia totale për ekonominë është rritur në 12.5 %.
Këto janë të dhënat e përgjithshme dhe më të fundit që ne kemi për ecurinë e ekonomisë dhe jam e hapur për pyetje.
Faleminderit.