Ekonomia rritet me 8.54 % në 2021, mbështetur nga politikat fiskale, rritja e investimeve dhe konsumi. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ekonomia rritet me 8.54 % në 2021, mbështetur nga politikat fiskale, rritja e investimeve dhe konsumi.

Ekonomia shqiptare u rrit me 8.54 % në vitin 2021, e mbështetur nga politikat fiskale të ndërmarra nga qeveria, rritja e investimeve dhe konsumi.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatw një konferencë për mediat, bëri një analizë të rritjes ekonomike të vitit të kaluar, publikuar së fundmi nga INSTAT, dhe prezantoi treguesit kryesorë makroekonomikë për periudhën e parë të vitit 2022.

“Për vitin 2021, rritja ekonomike rezultoi 8.54%. Kjo rritje ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku ndikimin kryesor e ka pasur sektori i ndërtimit me 1.75 pikë përqindje, ndërkohë që tregtia ka pasur gjithashtu një kontribut të lartë pozitiv në rritje me 1.66 p.p dhe Industria me 1.48 p.p.”, tha Ibrahimaj.

Ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik gjatë vitit të kaluar, theksoi Ministrja, është mbështetur edhe nga punësimi, ku papunësia është ulur në tremujorin e fundit të vitit në 11.4 %, ndërsa shkalla e punësimit është rritur dhe ka arritur në 53.5 % për popullsinë mbi 15 vjeç.

Gjithashtu, edhe paga mesatare ka pësuar rritje me 8 % në krahasim me një vit më parë, duke rezultuar në 59.565 lekë në fund të vitit 2021.

Sa i përket treguesve për dy muajt e parë të vitit 2022, Ministrja theksoi se ka pasur një rritje të të ardhurave prej 26.1% ose rreth 18.1 miliardë lekë, ku vlerësohet se kontributi i çmimeve të rritura në këtë rritje të të ardhurave është 1.9 miliardë lekë, ndërkohë pjesa tjetër ka ardhur si rezultat i përshpejtimit të aktivitetit ekonomik dhe miradministrimit fiskal.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se Reforma e Fiskalizimit ka vijuar ecurinë e saj pozitive, ku 100 % e biznesit të madh ka filluar procesin e fiskalizimit dhe është pajisur me certifikatë fiskalizimi, ndërkohë që 81.1 % e biznesit të vogël ka filluar procesin e fiskalizimit.

“Sipas të gjithë pritshmërive tona, në përfundim të 6 mujorit të parë të këtij viti, do të përfundojë procesi i fiskalizimit për të gjithë subjektet”, tha Ibrahimaj.

Të dhënat e tregtisë së jashtme kanë rezultuar pozitive, si në vëllim, ashtu edhe në vlerë, ku për periudhën janar-shkurt importet kanë rezultuar 4.57 % rritje në vëllim dhe 26.7 % në vlerë, ndërkohë që eksportet janë rritur me 9.22 % në vëllim dhe 49.04 % në vlerë.

Në kushtet kur çmimet janë rritur në dy muajt e fundit, Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se qeveria rishikoi buxhetin e vitit 2022 dhe shkurtoi me rreth 9.8 miliardë lekë zërin e investimeve publike dhe një pjesë të shpenzimeve operacionale, për të mundësuar financimin e Paketës së Rezistencës Sociale, e cila i vjen në ndihmë shtresave më në nevojë të popullsisë.

Kjo gjë solli edhe një rishikim të parashikimeve të treguesve kryesorë makroekonomikë për vitin 2022, ku rritja ekonomike për këtë vit pritet të luhatet në nivelet e 3.2-3.5 %, ndryshe nga parashikimi fillestar prej 4.1 % .

Megjithatë, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se qeveria po tregohet e kujdesshme, duke monitoruar dhe analizuar situatën, ecurinë e aktivitetit ekonomik, me qëllim që të merren masat e duhura në vijim.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Mirëserdhët në konferencën mujore për analizën e ecurisë së treguesve kryesorë ekonomikë për 3 mujorin e parë të vitit.

Në radhë të parë dua të analizoj treguesit e rritjes ekonomike, të cilat u publikuan gjatë javës së kaluar nga INSTAT.

Për vitin 2021, rritja ekonomike rezultoi 8.54%. Kjo rritje ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku ndikimin kryesor e ka pasur sektori i ndërtimit me 1.75 pikë përqindje, ndërkohë që tregtia ka pasur gjithashtu një kontribut të lartë pozitiv në rritje me 1.66 p.p dhe Industria me 1.48 p.p.

Të gjithë sektorët kanë rezultuar në rritje, ndërkohë që sipas metodës së shpenzimeve, rritja ka ardhur si nga treguesit e konsumit final të popullatës, i cili ka pasur një kontribut me 4.4 p.p në këtë rritje, ashtu edhe nga Formimi Bruto i Kapitalit Fiks (Investimet) me një kontribut prej 4.53 p.p.

Pra si investimet, ashtu edhe konsumi, kanë rezultuar me rritje gjatë vitit 2021.

Rishikimi i projeksioneve për rritjen nominale të rritjes ekonomike ka sjellë në rishikim dhe të treguesve kryesorë të borxhit dhe të deficitit, kur për vitin 2021 treguesi i borxhit shënoi 73.2 % nga GDP-së, nga 78.1% që ishte sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe treguesi i deficitit shënoi 4.5 % nga 4.8 % që ishte në parashikimet fillestare.

Rritja ekonomike ka qenë e ndjeshme në krahasim dhe me të gjithë vendet e rajonit, ku përveç Malit të Zi dhe Kosovës, të gjithë vendet e tjera kanë pasur një rritje më të ulët. Ndërkohë që, edhe Mali i ZI, edhe Kosova, janë të dy vende që gjatë vitit 2020 kanë pasur një bazë më të ulët, pra rënia ekonomike për vitin 2020 ka qenë më e thellë në këto dy vende.

Nëse do t’i referohemi shifrave të vitit 2021, rritja për këtë vit ishte 4.76 % në krahasim me vitin 2019, i cili ishte një vit me një ecuri ekonomike normale për vendin tonë. Pra, ka pasur një përshpejtim të rritjes si në krahasim me vitin 2020, ashtu edhe në krahasim me vitin 2019.

Shifrat e punësimit kanë mbështetur vijimin e ecurisë së aktivitetit ekonomik ku për tremujorin e 4-t të vitit 2021 papunësia ka vijuar të shënojë rënie dhe papunësia për grup moshën mbi 15 vjeç ka shënuar 11.4 %, ndërkohë që edhe shkalla e punësimit ka vijuar të shënojë rritje duke rezultuar në 53.5 % për popullsinë mbi 15 vjeç.

Gjithashtu, edhe paga mesatare ka ndjekur të njëjtin trend dhe ka pësuar një rritje me 8% në krahasim me vitin e kaluar, duke rezultuar në 59.565 lekë në fund të vitit 2021.

Përsa i përket treguesve për dy muajt e parë të vitit, kemi pasur një rritje të të ardhurave prej 26.1% në krahasim me vitin 2021. Kjo rritje në vlerë monetare përkthehet në 18.1 miliardë lekë më shumë. Rritje kanë pësuar si të ardhurat tatimore dhe doganore, ashtu edhe të ardhurat nga fondet speciale.

Në këtë rritje, çmimet e rritura kanë pasur një kontribut me 1.9 miliardë lekë, ndërkohë që pjesa tjetër ka ardhur si rezultat i përshpejtimit të aktivitetit ekonomik dhe të miradministrimit fiskal.

Duke u ndalur të miradministrimi fiskal, Reforma e Fiskalizimit ka vijuar ecurinë e saj pozitive ku 100 % e biznesit të madh ka filluar procesin e fiskalizimit dhe është pajisur me certifikatë fiskalizimi. Përsa i përket shifrave të biznesit të vogël, 81.1 % e biznesit të vogël ka filluar procesin e fiskalizimit.

Sipas të gjithë pritshmërive tona, në përfundim të 6 mujorit të parë të këtij viti, do të përfundojë procesi i fiskalizimit për të gjithë subjektet.

Nëse do t’i referohemi shifrave paraprake të punësimit, për muajt e parë të vitit, deri në muajin mars kemi pasur një ecuri të kënaqshme të tregut të punës.

Ne presim që shifrat e punësimit dhe të papunësisë të vijojnë me trendin e tyre të ndjekur gjatë dy viteve të fundit.

Biznesi i madh ka një total prej 554,306 të punësuar, ose 1 % më shumë se të dhënat e dhjetorit gjatë vitit të kaluar.

Shpërndarja e të punësuarve në biznesin e madh është kryesisht e përqendruar në sektorin e shërbimeve me 52 % të vendeve të punës, ndërkohë që ndiqet nga sektori i prodhimit dhe sektori i tregtisë.

Përsa i përket të dhënave të tregtisë së jashtme, ato gjithashtu kanë rezultuar pozitive, si në vëllim, ashtu edhe në vlerë.

Për periudhën janar-shkurt, importet kanë rezultuar 4.57 % rritje në krahasim me vitin e kaluar në vëllim dhe 26.7 % në krahasim me vitin e kaluar në vlerë. Pra, importet janë përshpejtuar si në vëllim, ashtu edhe në vlerë. Sigurisht që çmimet kanë pasur impaktin e tyre përsa i përket ecurisë së importeve në vlerë.

Edhe eksportet kanë rezultuar me rritje si në vëllim, ashtu edhe në vlerë, me 9.22 % dhe 49.04 % respektivisht.

Sektori bankar gjithashtu ka ndjekur ecurinë pozitive të treguesve ekonomikë duke vijuar rritjen e kredi dhënies dhe për muajin shkurt. Rritja e kredi dhënies ka qenë me 7.4 miliardë lekë dhe është rritur me 1 % në krahasim me fundin e vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, kredi dhënia ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe gjithashtu kredia konsumatore ka vijuar të rritet.

Aktiviteti i Bizneseve

Përsa i përket aktivitetit të bizneseve, fundi i vitit 2021 rezultoi me një rritje neto të bizneseve (regjistrime – çregjistrime) me 12,368 biznese.

Përse i përket muajve të parë të vitit, ka vijuar që numri i bizneseve të reja të regjistruara të jetë më i lartë se numri i çregjistrimeve, ku në mars kemi një rritje neto me ,677 biznesesh ose rreth 1% më shumë krahasuar me fillimin e vitit.

Ajo çfarë na ka shqetësuar më shumë gjatë dy muajve të fundit ka qenë ecuria e inflacionit. Inflacioni për muajin shkurt ka rezultuar në 3.9 %, në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që është më i ulët se në të gjithë vendet e rajonit. Arsyeja pse inflacioni është më i ulët është e thjeshtë, pasi vendet e rajonit janë ndikuar më shumë dhe më herët nga kriza e ofertës që kishte nisur që vitin e kaluar. Pra duke qenë se ka pasur një rritje ekonomike të përshpejtuar në të gjithë Europën dhe në të gjithë vendet e rajonit, kërkesa ka bërë që çmimet të rriten ndërkohë që oferta ka qenë më e munguar dhe kjo ka rezultuar në inflacion të rritur në të gjithë vendet e rajonit. Në Shqipëri çmimet ka qenë më të kontrolluara, duke qenë se çmimet e energjisë elektrike janë mbajtur të kontrolluara nga shteti dhe janë mbajtur të pandryshuara.

Nga ana tjetër, shifra më shqetësuese ka qenë rritja e inflacionit të ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike, që për shkurtin e këtij viti ka rezultuar 6.9 % më e lartë se sa shkurti i vitit të kaluar.

Ne sigurisht presim që inflacioni të pësojë rritje në muajt në vijim dhe për këtë arsye kemi rishikuar dhe të gjithë treguesit kryesorë makroekonomikë të buxhetit.

Nëse në fillim të vitit ne prisnim një rritje prej 4.1 % të ekonomisë së vendit, tashmë presim që rritja ekonomike të luhatet 3.2- 3.5 %. Nga ana tjetër, presim që inflacioni vjetor të shkojë mesatarisht 4.5 %.

Në vijim të këtyre parashikimeve ne kemi rishikuar buxhetin, ku na është dashur të shkurtojmë një pjesë të investimeve publike, rreth 9.8 miliardë lekë dhe gjithashtu një pjesë të shpenzimeve operacionale, për të krijuar hapësirë për të financuar Paketën e Rezistencës Sociale, e cila ka si qëllim kryesor mbështetjen e shtresave në nevojë dhe mbështetjen e atyre kategorive të cilat nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve.

Ju tashmë jeni njohur me elementët e Paketës së Rezistencës Sociale, ku:

Përfitojnë 3 mijë lekë për 3 muaj rreth 576 individë që janë në nevojë, kryesisht pensionistë, persona me aftësi të kufizuar, të verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë;

Kemi rritur përqindjen e indeksimit të pensioneve në 3.3 %;

Kemi mbështetur sektorët më të prekur nga rritja e çmimit të karburanteve, sektorin e transportit dhe sektorin e bujqësisë.

Nga ana tjetër, ka pasur një alokim të buxhetit të shtetit prej 20 miliardë lekësh për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët dhe për të gjithë bizneset e vogla.

Ne do të jemi në komunikime të vazhdueshme me qëllim analizimin e situatës dhe analizimin e treguesve paraprakë që mund të japin shenja për ndikime të mëtejshme të ekonomisë shqiptare, me qëllim që të marrim masat e duhura.

Faleminderit.

Previous Berat, projektet e fazës së dytë të Rilindjes Urbane, për rehabilitimin e zonave me vlerë të veçantë historike.

Leave Your Comment