Ekonomia shqiptare rritet me 3.8% në 2025, mbi mesataren e BE-së dhe rajonit
Ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 3.8% në tremujorin e katërt të vitit 2025, duke e çuar në të njëjtin nivel edhe rritjen vjetore, sipas të dhënave zyrtare të prezantuara gjatë një konference për mediat nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Ky nivel rritjeje rezulton më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian (1.4%) dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor (3%), duke reflektuar një performancë të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare gjatë gjithë vitit.
Rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve, ndërsa kontributin kryesor në tremujorin e fundit e ka dhënë ndërtimi, i ndjekur nga administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia. Po ashtu, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe sektorët e tregtisë, transportit dhe akomodimit kanë dhënë ndikim pozitiv në zgjerimin ekonomik.
Struktura e kërkesës mbetet e dominuar nga konsumi i familjeve, që përbën 64% të totalit, ndërsa investimet dhe konsumi i qeverisë vijojnë të japin kontribut në rritje. Gjatë tremujorit të fundit, të gjithë komponentët e kërkesës kanë shënuar rritje, me investimet dhe eksportet neto që kanë pasur zgjerimin më të ndjeshëm.
Treguesit makroekonomikë konfirmojnë një ekonomi të qëndrueshme. Borxhi publik ka zbritur në 53% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa investimet e huaja direkte në stok kanë arritur rreth 17 miliardë euro. Eksportet totale kanë arritur vlerën e 10 miliardë eurove, të dominuara nga shërbimet, ku turizmi ka dhënë kontributin kryesor.
Edhe tregu i punës ka vijuar përmirësimin, me normën e punësimit që ka arritur 68,9% dhe papunësinë në 8,3%. Paga mesatare mujore është rritur në rreth 87 mijë lekë, ndërsa të ardhurat e familjeve dhe remitancat kanë shënuar gjithashtu rritje, duke mbështetur konsumin dhe aktivitetin ekonomik.
Në të njëjtën kohë, qeveria po monitoron në mënyrë të vazhdueshme çmimet në treg. Bordi i Transparencës do të vijojë të jetë në funksion deri në stabilizimin e çmimeve të karburanteve, ndërsa është intensifikuar mbikëqyrja edhe për çmimet e produkteve ushqimore, me qëllim parandalimin e abuzimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Të dhënat paraprake për muajt e parë të vitit 2026 tregojnë vijimësinë e këtij trendi pozitiv, me rritje të numrit të bizneseve të reja dhe të qarkullimit në ekonomi, duke sinjalizuar një dinamikë të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik.