Ekonomia shqiptare tejkalon mesataren e BE-së me rritje 3,51%

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot pasqyrën më të fundit mbi performancën ekonomike të vendit, në konferencën me temë “Stabilitet dhe Zhvillim përmes Ekonomisë dhe Inovacionit”.

“Referuar të dhënave të INSTAT, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3,51%, një rritje që është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e BE-së, që mesatarisht ishte 1,5%, por më e lartë edhe se zhvillimet në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ishte 2,9%”, deklaroi Ministrja Ibrahimaj.

Ekonomia shqiptare po njeh një rritje të qëndrueshme, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, e cila shënoi një rritje prej gati 5% në tremujorin e dytë të vitit, ku konsumi kontribuoi pothuajse 70% të rritjes. Konsumi i familjeve u rrit me 3,83%, i nxitur nga punësimi më i lartë, rritja e pagave dhe importeve të ushqimeve. Po ashtu, konsumi i administratës publike u rrit me 12,44%, duke ndikuar pozitivisht në PBB. Investimet shënuan rritje me 4,33%, duke treguar një rigjallërim të investimeve në ekonomi. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,97%, ndërsa importet me 3,26%, çka pasqyron një aktivitet ekonomik më të zgjeruar.

Investimet e Huaja Direkte (IHD) arritën në 759 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, me një rritje prej 8 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Pothuajse gjysma e tyre përfaqësohen nga riinvestime të ndërmarrjeve ekzistuese të huaja, duke reflektuar besimin e investitorëve në tregun shqiptar dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Italia dhe Turqia mbeten investitorët kryesorë, të ndjekura nga Austria dhe Kosova. Sa i përket shpërndarjes sektoriale, 33,3% e IHD-ve janë përqendruar në pasuritë e paluajtshme, 19,3% në sektorin financiar, 13% në industrinë nxjerrëse, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes tregtisë, industrisë përpunuese dhe sektorit të energjisë e gazit.

Në sektorin e bujqësisë, pavarësisht rënieve të lehta në blegtori dhe peshkim, prodhimi u rrit me 2,62% në tremujorin e dytë. Ministrja bëri të ditur se janë vënë në dispozicion 250 milionë euro për kreditimin e bujqësisë me normë interesi 2%, përmes Fondit të Garancisë dhe Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ofrojë financime të qëndrueshme për SME-të dhe sektorin bujqësor, me fonde qeveritare dhe të huaja.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se stabiliteti makroekonomik, mbështetja për sektorët prodhues dhe nxitja e investimeve do të mbeten shtyllat kryesore të zhvillimit, duke nënvizuar rëndësinë e inovacionit dhe digjitalizimit për ndërtimin e një modeli të ri ekonomik të bazuar në teknologji, sipërmarrje dhe kapital njerëzor.