Forcave të Armatosura të Shqipërisë iu bashkua sot elita kombëtare e sportit shqiptar. Në një ceremoni të posaçme, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, 7 sportistë shqiptarë; Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, të shpallur kampionë olimpikë, botërorë dhe europianë u nderuan sot me gradën e lartë ushtarake “Kolonel”, duke u bërë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Kryeministri Rama e vlerësoi këtë ditë historike, për sportin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura shqiptare njëkohësisht.
* * *
Sot është një ditë realisht historike për sportin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura shqiptare njëkohësisht sepse sot pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë bëhen një grup sportistësh dhe sportistesh që flamurin kombëtar e kanë ngritur në majën më të lartë në skenën e sportit botëror apo europian.
Është po ashtu një ditë krejt e veçantë sepse në këtë grup bëjnë pjesë edhe 3 kampione shqiptare nga Kosova, të cilat nga sot e tutje do të jenë bashkë me kampionet dhe kampionët shqiptarë nga Shqipëria, nën të njëjtin flamur, për të njëjtin mision, e të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuara në funksion jo më vetëm të sportit por edhe të Forcave të Armatosura.
Përfshirja e këtyre kampionëve dhe gradimi i tyre sot me gradën më të lartë si Kolonel dhe Kolonele të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe i pjesës tjetër, me grada të tjera, sipas arritjeve të tyre në sport, përbën pa asnjë diskutim një vlerë të shtuar, një vlerë të shtuar morale, një vlerë të shtuar profesionale, përtej simbolikës sepse kampionët dhe kampionet shqiptare, tanimë të dala përfundimisht nga zona e errët e braktisjes dhe harresës nga shteti do të jenë mes ushtarëve tanë, do të jenë mes drejtuesve të tyre, do të jenë mes të gjitha atyre përpjekjeve për ta ngritur më lart ushtrinë tonë duke e vënë forcën e shembullit të tyre dhe njëkohësisht shembullin e forcës së tyre në dispozicion trajnimit dhe të stërvitjes psiko-fizike të forcave tona.
Unë jam shumë i lehtësuar sot nga një barrë tjetër që më në fund qeveria jonë e heq nga kurrizi i barrave të mëdha të trashëguara të të shkuarës sepse nga sot, ne mund t’i shikojnë në sy kampionët, kampionet, por edhe të gjithë ata që i kushtohen sporteve, qofshin ato individuale e qofshin ato kolektive, pa e ulur kokën nga sëkëlldia, për të mos thënë turpi, për keqtrajtimin dhe për harresën e tyre.
Na ka ndodhur në të shkuarën jo fort të largët të shikojmë sesi djem të talentuar, të përkushtuar, të fuqishëm, të zotë kanë ngritur flamuj shtetesh të tjera nëpër aktivitete të tjera ndërkombëtare sepse shteti I tyre nuk I jepte asnjë mundësi që ata të luftonin për flamurin tonë kombëtar.
Për shumë e shumë vite ata ikën nga Shqipëria, u futën në skuadra të tjera kombëtare vendesh që mbase I njohën për herë të parë kur morën rrugën; e bën këtë për një palestër, e bënë këtë për një trajtim ushqimor dinjitoz, e bënë këtë për të pasur në krah trajnerë të motivuar, e bënë këtë për të pasur mundësinë të përfaqësohen dhe në pamundësi për të përfaqësuar atdheun e tyre, së paku të përfaqësonin forcën e talentit dhe të pasionit të tyre.
Kjo është një histori turpi e qeverive shqiptare, e shteti shqiptar që tanimë I përket të shkuarës ndërkohë që ne vijmë sot këtu për kurorëzuar një përpjekje që ka filluar prej kohësh duke u dhënë dorën sportistëve tanë më të mirë dhe duke u bërë të mundur atyre që të stërviten, duke u bërë të mundur atyre që të ndjehen ngrohtë në vendin e tyre, duke u bërë të mundur atyre që ta përfaqësojnë me dinjitet Shqipërinë.
Nga ana tjetër, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për këta fëmijë që janë këtu rreth podiumit dhe për të gjithë fëmijët dhe për të gjithë të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë që dëshirën për tu marrë me sport, dëshirën për t’i ngjarë një ditë kampioneve dhe kampionëve tanë, do ta kenë edhe më të motivuar nga bindja se do të ngjiten një ditë në këtë podium, pasi të jenë ngjitur në podium në arenat ndërkombëtare të sportit, se nuk do të jenë kampionë të harruar, se nuk do të jenë njerëz të braktisur, se do të kenë jo vetëm të një page dinjitoze deri në fund të jetës aktive por edhe të një pensione, përkundër gradës, dhe se do të kenë mundësinë të garantojnë kontributin e merituar për familjet e tyre.
Nga ana tjetër, kjo që ne kurorëzojmë sot është edhe një arsye shumë e fortë për vajza dhe djem, të reja dhe të rinj që t’i bashkohen Forcave të Armatosura. Sot shpërblimi për ushtarin më të thjeshtë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me arsimin më të ulët, është një shpërblim I cili jo vetëm është mbi pagën minimale në mënyrë të ndjeshme por është një shpërblim që do shkojë në rritje çdo vit sepse ne I kemi rritur pagat e Forcave të Armatosura në vijim dhe do të vazhdojmë t’i rrisim dhe ambicia jonë është që të gjithë ata që veshin uniformën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kur shkojnë në misione ndërkombëtare, të mos ta shikojë asnjë nga poshtë-lart prej kolegëve të tyre të vendeve të tjera të NATO-s. ushtarakët tanë do të paguhen me mesataren e lartë të NATO-s dhe kjo do të ndodhë jo pas 10 vjetësh por në pak vitet që vijnë.
Për të mos u zgjatur më shumë, dua të sjell këtu një nga kujtimet më të bukura të gjithë kësaj periudhe që unë kam pasur dhe kam privilegjin e jashtëzakonshëm dhe nderin e madh të jem në krye të qeverisë dhe ky kujtim lidhet me vizitën që më bënë dy kampionet olimpike të Kosovës, bashkë me trajnerin e tyre kryemjeshtrin Driton Kuka në verën e shkuar, kur patën mirësinë që unë nuk do e harroj kurrë të vinin së bashku me medaljet e tyre të arta dhe e vetmja gjë që kërkuan prej meje ishte që t’iu jepej mundësia të bëheshin qytetarë të Republikës së Shqipërisë, të merrnin pasaportën kuq e zi të Republikës së Shqipërisë.
Sot ato janë këtu mes nesh, jo vetëm si qytetarë të Republikës së Shqipërisë, por edhe si shembuj që shkëlqejnë në sytë e gjithë të rinjve dhe të rejave, shembuj jo vetëm talenti, jo vetëm vullneti, jo vetëm suksesi, por dhe shembuj patriotizmi. Shembuj të një patriotizmi të shëndetshëm, të dobishëm dhe që ushqen me oksigjen organizmin e këtij kombi jo përmes urrejtjes ndaj të tjerëve, as përmes dashurisë me fjalë për atdheun, por përmes forcës mbresëlënëse të shembullit të tyre.
Ministri tha, këta shtatë kolonelë dhe kolonele kanë ngritur lartë nëpër botë flamurin kuq e zi, në fakt kanë ngritur flamurin kuq e zi dhe flamurin verdhe e blu të Kosovës dhe sot ata janë të gjithë bashkë, të bashkuar nën flamurin kuq e zi. Shëmbëlltyrë frymëzuese e bashkimit të forcave, e bashkimit të zemrave, e bashkimit të syve dhe të mendjeve për ta bërë Atdheun tonë, burimin e një krenarie të panegociueshme nga çdo shqiptar dhe shqiptare, që lind bebe në trojet e shqiptareve. Për ta bërë Atdheun tonë burimin e një krenarie që nuk vihet në pikëpyetje as nga vështirësitë, as nga peripecitë, as nga pengesat dhe as nga asnjë tjetër sepse vetëm kjo krenari, vetëm forca e kësaj krenarie që i bëri vajzat e një qyteze në Kosovë, sepse është qytet për Kosovën, por për botën është një fshat, një fshat i dalë nga lufta, një fshat ku kishte vetëm një ëndërr të madhe dhe një dëshirë të madhe për ta ndjekur ëndrrën dhe ku asgjë nuk mund të jepte argumentin se nga aty do dilnin kampione olimpike, jo vetëm që dalin kampione olimpike, por që të dalin kampione olimpike njëra pas tjetrës.
Ja ku janë sot, që nga Majlinda, tek Distria tek Nora që me siguri shumë shpejt do pasohen nga të tjera vajza dhe nga shpresoj të tjerë djem, se i kemi marrë këto vajza që të na i zhdërvjelltësojnë dhe djemtë.
Faleminderit shumë të gjithëve dhe respekt për Luiza Gegën, e cila është shembulli i jashtëzakonshëm i shpejtësisë që nuk njeh pengesa dhe kur Luiza Gega u bë Luiza Gega, s’kishte shtet pas shpinës që ta shtynte të vraponte më shpejtë. Sot Luiza Gega është shëmbëlltyra e shtetit! E një shteti që do të ecë shumë më shpejtë përpara dhe që synon t’i bëjë krenar të gjitha Luizat e vogla që sot ne nuk i njohim ende, për ta ardhur dhe për të ndjekur Luizen, ashtu sikundër Brikenin, Erkandin apo Albanin.
Zoti i bekoftë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe i gjithë kombi shqiptar qoftë gjithmonë e më shumë krenar për to.
Faleminderit!