Pas nderimeve ushtarake në Ceremonialin shtetëror, Kryeministri Rama, u mikprit në Pallatin Elysee, nga Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili shoqëroi Kryeministrin Rama në ambientet e brendshme të Pallatit, ku u prezantuan delegacionet respektive e më pas dhanë një deklaratë për shtyp për mediat e pranishme.
Presidenti i Republikës së Francës Emmanuel Macron:
Zoti Kryeministër, i dashur Edi.
Zonja dhe zotërinj ministra,
Zonja ambasadore, zoti ambasador dhe zotërinj
Jam shumë i lumtur zoti Kryeministër që po ju pres këtu në kuadër të vizitës suaj zyrtare në Francë. Jeni në shtëpinë tuaj në të gjitha kuptimet e fjalës. Ju që e përdorni shumë mirë gjuhën tonë, që keni jetuar në vendin tonë në këtë qytet, jeni gjithashtu këtu sepse Franca ju do, ju do ju dhe vendin tuaj dhe kisha shumë dëshirë t’ju prisja në Paris pas pritjes që më dhatë tetorin e shkuar gjatë vizitës së parë të një presidenti të Republikës franceze në Shqipëri, që prej pavarësisë së Shqipërisë në 1912.
Këto dy vizita të kryqëzuara dhe dialogu që ne kemi me njeri-tjetrin dëshmojnë për dinamikën e jashtëzakonshme të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Francës. Ju e dini se mund të keni besim tek vendosmëria ime për të intensifikuar edhe më shumë. Dua të përsëris angazhimin e Francës në favor të angazhimit evropian të Shqipërisë dhe më gjerë, të lëvizjes që kemi për Ballkanin Perëndimor.
Siç e nënvizova para gjashtë muajve në Tiranë, këtu bëhet fjalë vetëm për të vepruar për bashkimin e Europës, për ta bërë më të fortë, më sovrane në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, por gjithashtu përballë kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta. Është gjithashtu një premtim paqeje për të gjithë rajonin. Që prej mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare ndërmjet BE dhe Shqipërisë në korrik 2022, Shqipëria ka vazhduar rrugën e saj europiane me vendosmëri.
Ju mund të keni besim tek mbështetja jonë për t’ju shoqëruar në këtë rrugë, me qëllim që negociatat të ecin sa më shpejt dhe tua them se jemi të impresionuar nga tërësia e reformave dhe kapacitetet për të avancuar në gjithë këto vitet e fundit, muajt e fundit nën drejtimin tuaj.
Dua të përshëndes gjithashtu zërin e veçantë dhe të fortë të Shqipërisë në rajon dhe në skenën ndërkombëtare. Kështu ndodhi gjatë dy viteve të fundit kur vendi juaj ka qenë në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Së fundmi, ju pritët në Tiranë një samit rajonal në të cilin ftuat edhe presidentin Zelenskyy për të forcuar edhe më shumë mbështetjen ndaj Ukrainës. Ky ishte një moment i rëndësishëm për unitetin e rajonit dhe mbështetjes ndaj presidentit Zelenskyy dhe popullit të tij.
Në të gjitha çështjet rajonale, është i nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ku zëri juaj është i çmuar. Shkëmbimet tona të sotme do të lejojnë të vazhdojmë në kwtë rrugë dhe të bëjmë bilancin e kantiereve që kemi hapur së bashku për të forcuar partneritetin tonë të çmuar në të gjitha fushat.
Të gjitha këto kantiere kanë avancuar dhe gëzohem për nënshkrimin pas pak të një marrëveshjeje ndërqeveritare, që do t’i japë një impuls të ri bashkëpunimit tonë veçanërisht në fushat kyç të menaxhimit të ujit, turizmit të qëndrueshëm dhe inovacionit. Kjo temë e fundit është në qendër të vizitës suaj sepse sot pasdite ju do të shkoni në Stacionin F për nisjen e një këshilli Francë-Shqipëri për inovacionin.
Agjencia Franceze e Zhvillimit do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në reformat e saj ekonomike dhe tranzicionin energjetik dhe nënshkrimi i një huaje prej 120 milionë eurosh për reformën mjedisore dhe një memorandumi bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit, do të lejojnë të kapërcejmë këto etapa dhe edhe më shumë se ato që kemi nisur para 6 muajve me sipërmarrësit që kishin ardhur atëherë me mua.
Në Tiranë, kultura dhe arsimi janë në zemër të shkëmbimeve tona, qoftë në Pallatin e Brigadave dhe figurës së Kadaresë apo edhe në kubin Francë, kjo hapësirë që dëshiruat t’i rezervoni Francës në Piramidë. Gjithashtu gëzohem për shkëmbimet kulturore, intelektuale, humane ndërmjet dy vendeve. Të gjitha këto përbëjnë një premtim të bukur për marrëdhëniet tona dypalëshe.
Për ta mbyllur fjalën time, dua të them se sa e admiroj rrugën që ka bërë vendi juaj për miqësinë, për ndjenjat shumë të thella europiane. Do të thoja ndoshta në fakt kështu janë francezët edhe më shumë se francezët, evropianët, pra ne i kushtojmë rëndësi kësaj dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne sepse jeni ju, jemi ne, marrëdhëniet janë të veçanta dhe kjo falë kësaj pune të përbashkët. Faleminderit, zoti Kryeministër!
Kryeministri Edi Rama:
I dashur President, i dashur Emmanuel,
Po vij nga një përvojë e dendur para disa minutash, një ceremoni që s’e kisha imagjinuar kurrë në jetën time, që u nënshkrua me mbërritjen time në Francë në fillim të viteve ’90. Kur vija nga aeroporti, mbajta radhën gjatë për të gjetur një taksi, pastaj jetova ato vështirësi të mëdha të asaj kohe për të gjithë ata dhe ato që vinin nga Shqipëria, që kishin një pasaportë shqiptare sepse Europa nuk ishte e lehtë për ne në ato kohë. Pastaj mendoja se kisha parë gjithçka kur mbërrita një ditë i shoqëruar për të ardhur në këtë pallat për të marrë Legjionin e Nderit, por sot jam vërtetë shumë krenar, jo për veten, por krenar për Shqipërinë, për këtë miqësi mes Shqipërisë dhe Francës sepse ishte hera e parë në historinë tonë të marrëdhënieve diplomatike që një përfaqësues i shtetit shqiptar të pritej në këtë mënyrë dhe të falënderoj me gjithë zemër sepse kjo do të thotë vërtetë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe për më tepër, – këtu bëmë pak shaka me ambasadorin sepse ishte një grup njerëzish, një ekip miqsh të Shqipërisë që asokohe në vitet ’90 ishin një numër shumë i vogël sa gishtat e një dore, – sot janë shumë më tepër, sot ka njerëz të shumtë që janë në Shqipëri për të investuar, për të zgjeruar ndërmarrjet e tyre dhe vërtet ky është një revolucion.
Dua të të falënderoj veçanërisht për dy gjëra; së pari për vizionin, vendosmërinë më të cilin e ke nxitur, e ke shtyrë këtyre valë të re të afrimit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Europian, duke vënë në tryezë nevojën për ta shoqëruar këtë proces integrimi me një proces përafrimi përtej rrugëve burokratike të çdo vendi.
Ne jemi sot dëshmitarë të rezultateve për Shqipërinë, për të gjitha vendet e Ballkanit dhe Plani ynë i rritjes, që u miratua nga Parlamenti Europian është diçka që shkon në këtë drejtim, një Europë e fortë, një Europë e bashkuar, një Europë që nuk mbetet peng i mënyrave të vjetra, i metodave të vjetra tradicionale të integrimit, kur ka diçka apo asgjë.
Sot jemi në një situatë krejt të ndryshme, shumë më pozitive dhe nga ana tjetër dua të falënderoj edhe për vizitën në Shqipëri, sepse përtej vizitës, përtej kuptimit të sensit historik të vizitës, përtej momenteve shumë të bukura që kaluam së bashku ka patur një vijim, një vijim që na ka prekur dhe na ka habitur shumë, sepse janë gjëra që po ndodhin, ka projekte, ka gjëra që po marrin formë, është ekselenca franceze që po mbërrin në Shqipëri dhe tani kemi një horizont të ri, një horizont të ri të punës së përbashkët, ku kanë nisur investime të mëdha për njohjen dhe financimin francez për dy paraqet fotovoltaike të rajonit.
Është gjithashtu “Fouquet’s” që nënshkroi kontratën e parë dhe që do të hapë dyert e një sistemi të mikpritjes franceze në breg të detit të Shqipërisë, është “École 42” që po hap dyert falë mbështetjes tënde dhe falë personalitetit vërtetë të jashtëzakonshëm të zotërisë.
Sigurisht duam të bëjmë më shumë, jam i sigurt që do të bëjmë më shumë. Sot ishim me “MEDEF” ku ka më shumë interes në shumë drejtime dhe do të mirëpresim me krah hapur gjithçka që vjen nga Franca sepse përpiqem t’u them shpesh kolegëve të mi kur Franca mbërrin nuk është vetëm një çështje parash, është çështje njohjeje, diturie, kulture. Të kesh më shumë Francë në Shqipëri do të thotë të kesh më shumë burime rritjeje, burimesh njerëzore, por edhe mënyre për të kuptuar botën dhe Europën.
Për ta mbyllur, po jemi pro francez, mendoj se të jesh pro francez do të thotë të jesh etaloni i qenies pro europiane. S’mund të jesh pro europian dhe të mos jesh pro francez dhe nëse je pro francez, ti je për një Europë me kulturë, histori dhe një Europë të së ardhmes, të një jete të përbashkët me disa vlera që janë në zemër të Francës dhe që Franca i rrezaton në mbarë botën dhe përfundimisht nënshkrimi i kësaj marrëveshje të nivelit shumë të lartë mes dy qeverive do të na hapë dyer të reja. Do të na japë mundësi të reja për të pasur edhe më shumë Francën në Shqipëri. Për të qenë në majë, për të treguar që Franca nuk është vetëm një vend të cilin ne e shohim me admirim, por nuk e shohim në vendin tonë, Franca të bëjë pjesë në të tashmen tonë dhe sigurisht do bëjë pjesë në historinë tonë, jo vetëm si burim frymëzimi, por edhe si një mbështetje konkrete e prekshme dhe vetëm mund t’iu them faleminderit.
Faleminderit me gjithë zemër në emër të të gjithëve, të të gjithë shqiptarëve që për të thënë të vërtetën kanë qenë disi skeptik në lidhje me Francën para disa viteve, por sot ata e kuptojnë se Shqipëria ka një mik tjetër të afërt dhe ne shqiptarët nuk jemi të pasur, nuk jemi të mëdhenj, por ne kemi aftësi, ne kemi një aftësi besnikërie unike. Pra nëse një ditë do të jeni nevojë për dikë për të qenë me ju në një moment vështirësie të jashtëzakonshme, thirrni një shqiptar ai do të vijë.
Faleminderit!
* * *
Më pas, në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit Macron u nënshkruan marrëveshje ndërqeveritare bashkëpunimi mes vendeve, përkatësisht:
-Marrëveshje Ndërqeveritare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Francës mbi Kontributin në Zbatimin e Projekteve Prioritare në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua nga nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe dhe Ministri i Deleguar per Europën, Jean-Noël.
-Marrëveshje e Huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Një Hua për Politikat Publike për të mbështetur Aftësinë Përtëritëse dhe Zhvillimin e Gjelbër të Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe dhe zv/Drejtorja e Pergjithshme e Agjencise Franceze te Zhvillimit (AFD), znj. Marie-Hélene Loison.