Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu mori pjesë në prezantimin e projektit të rëndësishëm “ALBAdapt – Programi për Zhvillimin Urban Rezistent ndaj Klimës në Shqipëri”, një iniciativë që synon të mbështesë Shqipërinë në përmirësimin e shërbimit të hidrometeorologjisë.
Ky projekt është një hap i madh në forcimin e kapaciteteve të vendit për t’u përballur me rreziqet dhe pasojat nga fenomenet ekstreme klimatike. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe zv.Kryeministrja znj.Belinda Balluku, njëherësh Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj.Mirela Kumbaro, Ambasadorët e Gjermanisë dhe Zvicrës, etj.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes z.Pirro Vengu vlerësoi krijimin e mekanizimit të paralajmërimit të hershëm në rastet e emergjencave civile, ndërsa u shpreh se çdo vit përmbytjet i kushtojnë buxhetit të shtetit dhjetëra milionë euro. Vengu theksoi se përmbytjet prekin mesatarisht çdo vit 50 mijë banorë kryesisht pranë zonave bregdetare, një pjesë e madhe e territorit të vendit që zë 40% të PBB-së.
“Çdo vit përmbytjet prekin disa dhjetëra milionë euro nga pikëpamja e dëmshpërblimeve dhe kostove të rikuperimit. Qëllimi kryesor i këtij projekti është të krijojë një qasje gjithëpërfshirëse. Këtë vit kemi bërë një buxhetim të ndryshëm, kemi bërë ture me të gjitha bashkitë para miratimit të buxhetit për të rritur financimet për infrastrukturën parandaluese dhe rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor”, tha Ministri Vengu.
Sot Shqipëria nuk ka një mekanizëm paralajmërimi të hershëm plotësisht funksional, ndaj sipas ministrit Vengu, “një prej arsyeve që ky fond është alokuar është mbështetja përmes mekanizmave të burimeve njerëzore. Kjo nënkupton sensorë në gjithë vendin, një sistem që i ndërlidh këto informacione, njerëz të dedikuar që këtë informacion do ta përcjellin te njerëzit e duhur”.
Ministri Vengu u bëri thirrje edhe qytetarëve dhe veccanërisht banorëve të zonave me riskt të lartë të angazhohen në rast emergjencash, ndërsa theksoi rëndësinë e krijimit të një rrjeti vullnetarësh.
“Shqipëria duhet të fillojë të krijojë rrjet vullnetarësh njëlloj si Zvicra, Sllovenia, Finlanda, Gjermania etj, që kanë një rrjet vullnetarësh shumë të konsoliduar. Është shumë e rëndësishme të kemi një rrjet vullnetarësh që i vijnë në mbështetje mekanizimit. Kemi disa bashki që po pilotojnë një sistem vullnetarizmi dhe duam ta shtrijmë atë në territor”, tha ministri Vengu.
Projekti do të zbatohet në periudhën 2024-2030, me një buxhet prej rreth 34.5 milionë eurosh, i bashkëfinancuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Republika Federale e Gjermanisë, Zvicra, dhe Fondi i Gjelbër për Klimën.
Sot, Shqipëria bëri një hap të madh drejt forcimit të qëndrueshmërisë klimatike me prezantimin e projektit “ALBAdapt – Programi për zhvillimin Urban Rezistent ndaj Klimës në Sqhipëri”.
Ky projekt, i bashkëfinancuar nga qeveritë e Gjermanisë, Zvicrës, Fondi i Gjelbër për Klimën dhe Shqipëria ka për qëllim rritjen e kapaciteteve për parashikimin dhe menaxhimin e rreziqeve klimatike. Me një buxhet prej 34.5 milionë eurosh, ALBAdapt do të krijojë një sistem të avancuar paralajmërimi për përmbytjet dhe fenomene të tjera ekstreme, duke shpëtuar jetë dhe mbrojtur pasuri natyrore.
Me rëndësi krijimi i një rrjeti të konsoliduar vullnetarësh, në mbështetje të këtij mekanizimi.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara për një Shqipëri të sigurt dhe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm!