Expo Albania është qendra multifunksionale e Tiranës moderne të së ardhmes, projekti për të cilën mbërriti sot në fazën finale të konkurrimit, ku 5 skuadra prestigjoze në botën e arkitekturës bashkëkohore, të përzgjedhura mes afro 60 konkurentësh nga e gjithë bota, do të prezantojnë koncept idetë e tyre.
Qendra pritet t’i ofrojë Tiranës një infrastrukturë moderne ekspozimi, deri më sot e munguar, duke i dhënë mundësinë kryeqytetit tonë të jetë një lider në rajon edhe në aspektin e evenimenteve ndërkombëtare të industrisë, organizimit të panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme, duke krijuar kështu një ofertë të re për Shqipërinë e vitit 2030.
Në një garë dinjitoze projektesh, do të konkurrojnë në fazën finale dy studio të famshme të arkitektëve amerikanë Steven Hall dhe Jeanne Gang, studio gjermane Kuehn Malvezzi, skuadra belge e Office KGDV dhe studio e mirënjohur italiane edhe në Shqipëri e Stefano Boerit.
Në nisje të konkurrimit, Kryeministri Rama përshëndeti të pranishmit, teksa theksoi se në rrugën e transformimit të vendit, kontributi i arkitektëve është i jashtëzakonshëm.
* * *
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama: Mirëmëngjesi të gjithë të ftuarve dhe pikë së pari, konkurrentëve!
Më pëlqen të flas vetë sepse kam gjithmonë rrezikun të hyj ndoshta në kundërshtime me përkthyesit.
Ky është një moment shumë i rëndësishëm në rrugën e transformimit të vendit dhe në një fazë të re zhvillimi ku ka hyrë vendi ynë, që lidhet ndër të tjera edhe me kontributin e arkitekturës në këtë transformim dhe me praninë e një, do thoja tanimë pa frikë, rrethi të gjerë arkitektësh me prestigj ndërkombëtar, të cilët shtohen dita-ditës, në funksion të jetësimit të një të ardhmeje që arkitektura ndihmon ta shohim më pranë dhe ta parashohim përmes shprehjeve dhe shfaqjeve të saj. Dhe është një kënaqësi e madhe dhe një privilegj i madh që të kemi një tjetër takim që mbledh së bashku arkitektë ndërkombëtare nga të dyja hemisferat e globit për të garuar për një tjetër projekt ambicioz, e që sjellin një tjetër kontribut për Shqipërinë në një nivel tjetër zhvillimi ku arkitektura ka një rol për të luajtur dhe ku ne, kemi bindjen e palëkundur se kontributi i arkitektëve është i jashtëzakonshëm.
Gjithkush natyrisht mund ta parashikojë të ardhmen në mënyrën e tij e sidomos këtu përmes formave dhe shfaqjeve të ndryshme të arkitekturës. Ky konkurs ndërkombëtar në këtë finale ka si qëllim përzgjedhjen e projektit, nuk do thoja më të mirë sepse jam i bindur që të gjitha projektet e këtyre studiove janë pa diskutim shumë të mira, por të projektit që juria do të shohë si më të përshtatshëm për t’u ndërtuar dhe për t’i dhënë Shqipërisë më në fund një qendër të re që e kemi quajtur “EXPO Albania” ku do të kemi një infrastrukturë për organizime të posaçme që nga panairet tregtare tek ekspozitat e artit, tek eventet, konferencat, takimet e përmasave të ndryshme dhe patjetër edhe një destinacion për banorët e Tiranës, por edhe për vizitorët dhe turistët gjithnjë e më të shumtë, të cilët do të gjejnë arsye për të vizituar këtë hapësirë të re që po ndërtojmë.
Për ne ky është vërtetë një moment mjaft i mirëseardhur për të ngritur këtë qendër ekspozimi ku mund të ndodhin të gjitha ato organizime që mund të zhvillohen vetëm në këtë lloj hapësire, në këtë lloj vendi.
Natyrisht, vjen në momentin e duhur sepse disa vjet më parë do të kishte qenë shumë e parakohshme të investoje masivisht në këtë lloj infrastrukture, por tashmë kjo është saktësisht një nga ato shumë gjëra për të cilat Shqipëria ka nevojë në mënyrë që të ecë përpara dhe të rrisë stekën e ambicies së saj.
Dua të falënderoj me gjithë zemër anëtarët e jurisë ndërkombëtare të cilët e pranuan ftesën për tu bërë gjykatësit e këtij konkursi me finalistë vërtetë shumë të respektuar në botën e arkitekturës bashkëkohore dhe në mënyrë të posaçme dua të falënderoj kryetaren e jurisë, Benedetta Tagliabue një emër i njohur në botën e arkitekturës dhe një tjetër anëtare e grupit në rritje të arkitektëve që kanë dëshirën dhe që janë të përfshirë në këtë aventurë të madhe të shfrytëzimit të potencialit të arkitekturës për të transformuar një vend të tërë.
Faleminderit Benedetta, shumë faleminderit dhe pa dashur të shkoj tek të gjithë anëtarët një e nga një të cilët i falënderoj, dua të përshëndes në mënyrë të posaçme edhe një nga të parët konkurrentë në këto konkurse ndërkombëtare, një arkitekt të jashtëzakonshëm i cili kthehet në Shqipëri këtë herë si gjykatës, pasi u paraqit për herë të parë si një gjykues edhe nuk e fitoi atë konkurs, por gjithsesi i ka lënë Shqipërisë një shenjë të talentit të tij të jashtëzakonshëm dhe unë jam besimplotë që është rikthyer pas kaq vitesh për të mos u larguar për shumë vite të tjera, por për të lënë së paku një tjetër shenjë, në mos më shumë duke kontribuuar në këtë koleksion që uroj, besoj, kam bindjen në Shqipërinë 2030 do të jetë një koleksion i jashtëzakonshëm xhevahiresh të arkitekturës bashkëkohore, profesor Valerio Olgiati.
Faleminderit, Valerio, jeta është e bukur dhe ju jeni një dëshmitar i kësaj sepse një herë e një kohë ishte i gjykuar, jam i sigurtë që mendon që u keq gjykove duke qenë se nuk fitove, por tashmë je kthyer si një gjyqtar, gjykatës në juri dhe ke të gjitha mundësitë për të marrë hak kundër keq gjykimit dhe për të dhënë fitoren më të mirë. Ndërkohë që shpresoj fort që duke qenë se u largove vite më parë duke lënë pas një objekt shumë të bukur, do të kthehesh këtë herë duke mos harruar të lësh pas një tjetër objekt shumë të bukur. Jam shpresëplotë për këtë.
Dhe në fund dua sinqerisht të falënderoj të gjithë finalistët. Kemi pasur një listë të interesuarish që deri tani ka qenë lista më e gjatë e studiove ndërkombëtare të interesuar për një konkurs ndërkombëtar tonin, afro më shumë se 60 aplikantë, por ajo që na ka entuziazmuar dhe në një farë mënyrë edhe na ka prekur ka qenë cilësia dhe reputacioni i tyre dhe besoj që kemi zgjedhur 5 finalistë, të cilët meritojnë të gjithë admirimin, të gjithë respektin dhe gjithë mirë mirënjohjen tonë për faktin që e pranuan këtë sfidë dhe erdhën në Shqipëri.
Katër prej pesë finalistëve janë të rinj në Shqipëri dhe kjo natyrisht na bën shumë të lumtur. Jemi të preku nga kjo gjë, sepse ata nuk janë vetëm katër të rinj të sapo ardhur nga bota e arkitekturës, janë katër realitete të shkëlqyera në botën e arkitekturës bashkëkohore. Për herë të parë kemi dy amerikan që po përpiqen të “pushtojnë” këtë vend dhe tre europianë që po përpiqen ta ruajnë këtë vend.
Kështu që e mirëpresim këtë “pushtim” nëqoftëse do të ndodh, sepse nuk do të jetë përmes bombave, por përmes një arkitekture lulëzueze, e po kështu ne mirëpresim edhe ruajtjen nëse do të ndodh kështu, sepse do t’i shtojë edhe më shumë asaj çka po përpiqemi të bëjmë dhe do ta shtoj këtë në mënyrën më të mirë.
Zakonisht fjalimet e mia janë shumë më të gjata kështu që mund ta merrni me mend, por do të ndalem këtu e do t’i uroj gjithkujt, suksese. E di që jo të gjithë mund të fitojnë, por ajo çfarë është më e rëndësishmja, uroj që ndërkohë që fituesi do të ndërtojë qendrën e ekspozitave, ata që nuk do të fitojnë do të merren me gjëra të tjera dhe ne jemi mjaft të prirur të mbështesim të gjithë që të kenë shansin të ndërtojnë me në së bashku këtë Shqipëri të re dhe që përmes arkitekturës të bëjnë diçka që vetëm arkitektura mund ta bëj. Vetëm arkitektura e mirë mund ta bëjë, të frymëzojë, të energjizojë dhe t’i bëjë njerëzit të besojnë se qielli eshët kufiri i epërm!
Faleminderit!