Express: Shqipëria, destinacioni ideal për pushime vjeshte në Evropë
Gazeta britanike Express e ka renditur Shqipërinë ndër destinacionet më tërheqëse për udhëtime në Evropë gjatë muajit tetor, duke e përshkruar si “një vend mahnitës me plazhe të bukura, temperatura të ngrohta dhe shumë më pak turma sesa pikat e tjera të njohura turistike”. Sipas artikullit, Shqipëria ofron një arratisje të përsosur me diell për ata që kërkojnë pushime vjeshte pa udhëtime të gjata. Me fluturime direkte nga Mbretëria e Bashkuar përmes Wizz Air, Ryanair dhe British Airways, vendi ndodhet më pak se tre orë larg dhe siç shkruan gazeta, “të jep ndjesinë sikur je në një botë krejt tjetër”. Në tetor, temperaturat arrijnë deri në 21°C, me rreth gjashtë orë diell në ditë dhe njëmbëdhjetë orë dritë natyrale, sipas faqes së udhëtimeve Undiscovered Balkans. Ndërsa shumë vende europiane ftohen, bregdeti jugor shqiptar mbetet i ngrohtë dhe i qetë, duke ofruar një atmosferë relaksuese. Artikulli e vlerëson Rivierën Shqiptare si një zonë që “nuk duhet humbur”, duke përmendur plazhe mahnitëse si ai i Ksamilit, me ujëra kristal të kaltër dhe rërë të bardhë. Po ashtu, vendet bregdetare si Dhërmi, Jalë dhe Himarë përshkruhen si destinacione të përkryera për pushime të qeta. Ndërkohë, Berati dhe Gjirokastra, pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s, vlerësohen për arkitekturën e tyre të veçantë dhe kështjellat mbresëlënëse. Përmendet gjithashtu Parkun Kombëtar të Butrintit, ku historia antike greke dhe romake ndërthuret me natyrën. Për Tiranën, kryeqytetin plot ngjyra dhe gjallëri, Express veçon vendet historike si Sheshi “Skënderbej” dhe muzetë Bunk’Art. Për adhuruesit e aventurës, rekomandohen Alpet Shqiptare, të njohura si The Accursed Mountains në veri, të cilat ofrojnë shtigje për ecje dhe pamje mahnitëse. Ndërsa për ata që kërkojnë qetësi, Liqeni i Ohrit dhe Apolonia ofrojnë përvoja të pasura kulturore e natyrore. Artikulli i Express fton gjithashtu turistët të shijojnë kuzhinën shqiptare, që nga byreku tradicional, peshku i freskët dhe mishrat e pjekur, deri te rakia, pija karakteristike vendase. Udhëtarët sugjerohen gjithashtu të qëndrojnë në bujtina familjare për të përjetuar mikpritjen autentike shqiptare. Në fund, Express veçon Sarandën si një qytet bregdetar plot gjallëri, me plazhe të bukura, jetë nate dhe me lehtësinë e kalimit në ishullin grek të Korfuzit, duke e përshkruar Shqipërinë si “një zgjedhje të shkëlqyer për pushime vjeshte me diell, pa u larguar shumë nga shtëpia.”