Finalja e Konkursit të Gjuhës Shqipe, Kumbaro dhe Çeku: Gjuha na bashkon pa kufij dhe forcon bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë

Shkolla 9-vjeçare “Edith Durham” në Tiranë dhe “Besëlidhja” në Lezhë po zhvillojnë sot finalen e edicionit të katërt të Konkursit të Gjuhës Shqipe, një iniciativë që synon të forcojë rolin e gjuhës shqipe si prioritet në sistemin arsimor.

Në këtë aktivitet mori pjesë Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Hajrulla Çeku, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën e arsimit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro theksoi se konkurse të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në vendosjen e gjuhës shqipe në qendër të politikave arsimore dhe në nxitjen e aftësive gjuhësore të nxënësve. Ajo bëri të ditur gjithashtu nisjen e Olimpiadës së Përbashkët Shqipëri-Kosovë, si pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë që përfshin kurrikula të përbashkëta, botime dhe programe për mësimin e shqipes, përfshirë edhe diasporën.

Ministrja nënvizoi se institucionet po punojnë për ndërtimin e një sistemi që mundëson mësimin dhe certifikimin e gjuhës shqipe sipas standardeve evropiane, duke u ofruar mundësi edhe bashkëmoshatarëve në diasporë ta përdorin shqipen jo vetëm në familje, por edhe në arsim dhe në jetën profesionale.

Nga ana e tij, ministri Çeku vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në arsim, duke theksuar se ai është shtrirë në disa nivele, nga hartimi i kurrikulave të përbashkëta deri te digjitalizimi i teksteve për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Ai nënvizoi se gjuha mbetet elementi kryesor që bashkon shqiptarët dhe një komponent thelbësor i identitetit kombëtar.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi organizohen gjithashtu aktivitete të përbashkëta si Seminari i Gjuhës dhe Kulturës Shqipe, Olimpiada e Përbashkët dhe Festa e Abetares, duke synuar forcimin e mëtejshëm të lidhjeve arsimore dhe kulturore mes dy vendeve.

Finalja e konkursit është kthyer tashmë në një traditë që promovon vlerat e gjuhës shqipe dhe angazhimin e të rinjve për ruajtjen dhe zhvillimin e saj në një kontekst gjithnjë e më global.