Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës, “Hua shtesë”. Qëllimi i këtij projektligji është sigurimi i financimit shtesë në shumën 49 milionë dollarë për ndërtimin e projektit në fjalë, punimet e të cilit pritet të përfundojnë në dhjetor të vitit 2025.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se në buxhetin e vitit 2023 qeveria i ka kushtuar një vëmendje të veçantë projekteve dhe ndërtimit të veprave infrastrukturore, ku vetëm për mirëmbajtjen e rrugëve sipas standardeve do të ketë një fond prej 2.4 miliardë lekësh.
Pasja e një ndërlidhje të plotë rrugore me parametra bashkëkohorë, tha Ibrahimaj, është kusht i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomive në zonat ku zbatohen projekte të ndryshme, por edhe për një qarkullim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, për arritjen e tregjeve më të mëdha dhe për të qenë sa më konkurrues.
“Nga zbatimi i plotë i marrëveshjes përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, duke ndikuar në përmirësimin ekonomik të zonës dhe në reduktimin e vështirësive në transport. Marrëveshja përkon edhe me zhvillimin e sektorëve dhe objektivave strategjikë të qeverisë shqiptare, pasi integrimit evropian dhe integrimi rajonal nuk mund të kenë sukses pa zhvillimin e një infrastrukture të denjë dhe të lehtë të komunikimit midis vendeve, e cila do të lehtësojë tregtinë, marrëdhëniet e ndërsjellta, duke krijuar kushtet për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, u shpreh Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, Ministrja theksoi faktin se qeveria ka si objektiv uljen e nivelit të borxhit publik dhe çdo huamarrje e re harmonizohet me gjithë elementët e tjerë për të mundësuar një rënie të nivelit të borxhit kundrejt PBB-së vit pas viti.
Përmes kredive që mundësohen nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare synohet realizimin e projekteve të ndryshme të rëndësishme infrastrukturore dhe zhvillimore.
Në një periudhë afatmesme në vitet e ardhshme, vijoi Ministrja Ibrahimaj, planifikohet që investimet publike të jenë më tepër se dyfishi i huamarrjes së re që planifikohet të sigurohet çdo vit, duke mundësuar kështu një borxh që do të përkthehet në përfitim të ekonomisë dhe një rritje ekonomike afatgjatë.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar Kryetare,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Jam para jush për të sjellë për diskutim dhe miratim projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës, “hua shtesë”, me qëllim sigurimin e financimit shtesë në shumën 49 milionë dollarë.
Ky projekt ka një rëndësi të veçantë sepse është pjesë Korridorit 8, që lidh zonën e Transportit Pan-Europian Adriatiko-Jonian me atë të Detit të Zi, duke filluar nga Porti i Durrësit, vazhdon në Maqedoninë e Veriut dhe përfundon në Burgasit dhe Varnas.
Më lejoni që përpara se sa të parashtroj detajet e këtij projekti dhe marrëveshjes së huasë të nënvizojë disa prioritete kyçe që ne si qeveri kemi dhe synojmë të zbatojmë.
Në projekbuxhetin e vitit 2023, një vëmendje të veçantë i kemi kushtuar projekteve dhe ndërtimit të veprave infrastrukturore.
Ne besojmë se pasja e një ndërlidhjeje të plotë rrugore me parametra bashkëkohorë është kusht i rëndësishëm, jo vetëm për zhvillimin e ekonomive lokale në zonat ku realizohen projektet, por edhe për sigurimin e qarkullimit më të shpejtë të mallrave, njerëzve dhe arritjen e tregjeve më të mëdha për të qenë sa më konkurrues.
Ne kemi parashikuar një fond prej 2.4 miliardë lekësh në buxhetin e vitit të ardhshëm për mirëmbajtjen e rrugëve sipas standardeve.
Edhe pse në një vit plot sfida, nuk e kemi larguar aspak vëmendjen nga zhvillim i mëtejshëm i shumë projekteve infrastrukturore, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e vendeve të punës, përmirësojnë rrjetin rrugor dhe e bëjnë Shqipërinë një vend lehtësisht të aksesueshëm nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim edhe në aspektin e turzimit. Gjatë viteve të fundit, turizmi tregoi se ishte një nga injektuesit më të mirë të ekonomisë tonë, që na ndihmoi të rikuperoheshim nga sfidat dhe nga krizat e njëpasnjëshme. Turizmi sigurisht është ndikuar nga investimet që ne kemi bërë në rrugë, nga rrugët që kemi ndërtuar dhe që do të vijojmë të ndërtojmë, ashtu sikur kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve, sepse nuk është filozofia jonë të lëmë rrugët rrugëve, por të sjellim progres, të bashkojmë njerëzit dhe ekonomitë.
Me përfundimin e plotë të ndërtimit të segmentit tërësisht të ri rrugor me gjatësi 43.3 km do të shkurtohet me rreth një orë koha e udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë-Korçë, do të zbulohet një tjetër zonë e Shqipërisë, Mokra me tërë potencialin e vet bujqësor, agroturistik, të turizmit malor dhe kulturor, dhe do t’i jepet një frymëmarrje e shtuar cilësisë së turizmit dhe do të ketë ndikim në ekonominë lokale të zonës dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Nga ana tjetër kjo arterie e re rrugore krijon një mundësi të re komunikimi me shtetet fqinjë ballkanikë, si Greqia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe lidhja e këtij korridori me portet shqiptare.
Të nderuar deputetë,
Marrëveshja që synohet të ratifikohet synon shtimin e financimit të akorduar nga Fondit Saudit për Zhvillim me 49 mln USD. Shuma totale e akorduar nga Fondi Saudit për Zhvillim për këtë projekt shkon nga 25 mln USD në 74 mln USD.[1]
Punimet fizike të parashikuara nën financimin ekzistues janë realizuar në 51% të gjithë punimeve të nevojshme për realizimin e plotë të projektit të financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Nën financimin e ri, parashikohet që punimet e këtij loti të përfundojnë brenda dhjetorit 2025, ndërkohë që seksione të veçanta të cilat janë nën trafikun lokal do të jenë të shfrytëzueshme edhe më parë.
Vlerësohet që nga zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, duke ndikuar në përmirësimin ekonomik të zonës dhe në reduktimin e vështirësive në transport.
Nga ana tjetër kjo marrëveshje përkon edhe me zhvillimin e sektorëve dhe objektivave strategjikë të qeverisë shqiptare.
Tashmë ne jemi në procesin e integrimit evropian dhe të integrimit rajonal dhe të dy këto procese nuk mund të kenë sukses pa zhvillimin e një infrastrukture të denjë dhe të lehtë të komunikimit midis vendeve, e cila do të lehtësojë tregtinë dhe do të lehtësojë marrëdhëniet e ndërsjella, duke krijuar kushtet për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe duke krijuar baza për të përfituar sa më shumë.
Qeveria shqiptare, gjithashtu ka në vëmendjen e saj, të reflektuar në planet konkrete edhe uljen e nivelit të borxhit, ku çdo plan për huamarrje të re harmonizohet me gjithë elementët e tjerë për të mundësuar një rënie të nivelit të borxhit kundrejt PBB vit pas viti deri sa të arrijmë në ato nivele të parashikuara në rregullat tona fiskalë. Me kreditë që na mundësohen nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare ne synojmë realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe zhvillimore ku peshë të rëndësishme marrin projektet në transportin rrugor, në atë hekurudhor, në infrastrukturën ujore, në zhvillim urban dhe rural, energji, si dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm.
Ajo çfarë planifikohet në një periudhë afatmesme në vitet e ardhshme do të mundësojë investime publike që përllogariten të jenë më tepër se dyfish i huamarrjes së re që planifikohet të sigurohet çdo vit, duke mundësuar kështu një borxh që do të përkthehet në përfitim të ekonomisë, pra një rritje ekonomike afatgjatë.
Ndaj, në përfundim të fjalës sime, dëshiroj t’ju ftoj të miratojmë këtë projektligj.
Ju faleminderit!