Ky është një projekt, i cili ka një vonesë më shumë sesa 75 vjeçare dhe dikur unë mendoja që shumë gjëra janë të vetëkuptueshme, por për hir të vërtetës, gjërat e vetëkuptueshme, me kalimin e kohës janë bërë gjithmonë e më të pakuptueshme dhe mirëkuptimi tek gjërat e vetëkuptueshme është bërë gjithmonë e më i pamundur për shkak se kemi hyrë në një epokë absurdi si tregon edhe ky parlament çdo të enjte ku ballafaqimi bëhet gjithmonë e më absurd e gjithmonë e më pak me sensin e minimumin etik njerëzor.
Del përpara çdo të enjte dikush, thotë çfarë t’i teket për ty dhe pastaj thotë “Këto janë bindjet e mia, nuk je gjykatës që unë të të jap prova”.
Ee natyrisht, edhe për projektligjin e dekoratave nuk kishte sesi të ishte i vetëkuptueshëm një mirëkuptim, ndërkohë që po e nis nga fakti që ky projekt është një projekt, të cilin dekomunistizuesit e zellshëm të këtij parlamenti duhet ta kishin përqafuar me zellin më të madh sepse është një ndarje, më në fund, me komunizmin.
Por, jo vetëm që nuk e përqafojnë me zell, por e kundërshtojnë me zell.
Ky projekt, shkul praktikisht, komunizmin pas kaq shumë vitesh nga fusha e Urdhrave dhe Medaljeve të shtetit dhe kjo është e bazuar në fakte, në prova, jo në opinione.
40 vjet e kusur ne patëm Flamurin e Kuq të Punës, Heroin e Punës Socialiste, Mjeshtrin e Shquar në Profesion, Naftëtarin e Zgjedhur, Minatorin e Zgjedhur, Lavdia e Nënës, Shërbimi i mirë i Popullit e të tjera dhe të tjera.
Këto vazhduan, por thjesht me disa agjustime dhe një ligj, më në fund, u bë në 2013 përpara sesa të ndryshonim qeveritë dhe kaloi nga Mjeshtër i Shquar tek Mjeshtër i Madh, një sistem ku sot ne jemi i vetmi – dhe unë këtë e them me kompetencë sepse për këtë projekt është punuar shumë gjatë- jemi i vetmi vend në Europë, se bota është e madhe nuk marr përsipër të flas për botën, jemi i vetmi vend në Europë që kemi edhe një dekoratë të flamurit kombëtar, që është pasardhëse e Urdhrit komunist të flamurit, frymëzim jugosllav dhe një titull “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” por se cili është ky Urdhër, bazuar në mënyrën sesi urdhrat ndërtohen dhe funksionojnë dhe si mund ta marrë tjetri titullin “Kalorës”, kjo është e pa adresuar asgjëkund.
Faktikisht, merr një titull “Kalorës” dhe nuk ke asnjë kalë dhe asnjë grup kalorësish që të shoqërojnë. Kemi dekoratën “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” por kemi dhe një titull “Kalorësi i Urdhrit të Skëndërbeut” dhe prapë është një urdhër që nuk ekziston, dy flamuj, dy Skëndërbej, por asnjë urdhër.
Pastaj më e bukura është që i kemi grabitur Nënë Terezës urdhrin se ka një urdhër të Nënë Terezës, “Urdhri i Motrave të Nënë Terezës”. Ne e kemi marrë dhe e kemi futur për vite të tëra në ligj “Urdhrin e Nënë Terezës” dhe po të shikoni se kush e ka marrë “Urdhrin e Nënë Terezës” janë njerëz të cilët motra nuk janë, vëllezër mund të jenë.
Pastaj, u bë dhe një karikaturë tjetër që u hoq Urdhri në 2013 dhe u bë Medalja.
Tani, ne mendojmë që vetëm një moment ka pasur shteti shqiptar kur ka qenë serioz dhe ka qenë i integruar në gjithë bashkësinë e shteteve. Ky ka qenë momenti kur mbreti Zog mori ekspertizën e nevojshme dhe modelin e nevojshëm nga jashtë, nuk shpiku asgjë dhe ndërtoi një system, i cili është as më shumë e as më pak por një sistem i integruar në gjithë konstelacionin e sistemeve të urdhrave dhe medaljeve që nuk janë 35, por janë 2. Është sistemi kontinental që bazohet tek Franca dhe modeli anglo-sankson që bazohet nga Britania e Madhe. Madje, dhe Japonia funksionon me njërin prej këtyre dy sistemeve.
Më e bukura është që mbreti Zog, statuti themeltar i 1928 heq titujt e fisnikërisë dhe i fut Shqipëria me Presidentin e Republikës. Në Monarki nuk kishim tituj fisnikërie, në Republikë kemi tituj fisnikërie, por nuk kemi fisnikë, kuptohet. Monarki mbase kishim fisnikë, por nuk kishim tituj fisnikërie.
Spektakli është i tillë, që kur ishte 13 vjeç, në 1925, shteti shqiptar ishte serioz në këtë fushë. 110 vjet sot është njësoj si ai non-grata që vjen vërdallë dhe është të qeshësh e të qash në fushën e urdhrave dhe medaljeve.
Dëgjova që ishte bërë dhe një debat i madh për fjalën “komandarë” edhe më pëlqeu ta sjell këtu sepse është një fjalë e cila lakohet në të gjitha gjuhët dhe është ekzaktësisht fjala që përdori edhe grupi që ngriti mbreti Zog për sistemin e urdhrave dhe medaljeve në Shqipëri, Komandarë dhe është një model dominant. Dikush propozon të bëhet “Komandant”. Komandati nuk mund të rrijë nën oficerin.
Ky quhet humor kaps nga lagja jonë dhe për këto raste përdoret vaj ulliri.
Ndërkohë që, kur vihet tek qasjet, duhet të kemi parasysh që qasja kontinentale franceze ka dy-tre urdhra të ndarë në 5 shkallë, ndërkohë që ajo anglo-sanksone ka një trashëgimi më të largët mesjetare dhe ne nuk kemi shumë lidhje me të dhe siç monarkia në atë kohë e mori atë sistem, edhe ne mendojmë që tek ai sistem duhet referuar sepse atë sistem kanë sot, që të kuptohemi që të mos krijohet ideja që ne po marrim dhe po sjellim kohën e Zogut këtu; atë sistem kanë sot e gjithë ditën Italia, që është republikë presidenciale, Greqia që është një republikë presidenciale, Franca e thashë, nuk diskutohet dhe këtje po të vazhdoni po të vazhdoni me Hungarinë, me Poloninë e me gjithë këto vendet e tjera, ngjituni lart tek Suedia, tek Norvegjia, tek Finlanda të njëjtën gjë do të gjeni dhe përsa i përket asaj lojës së fjalëve “flamuri, shqiponja”, se ne qenkemi betuar para flamurit dhe duhet të kemi urdhrin e flamurit dhe nuk jemi betuar para shqiponjës.
Më lejoni t’ju sjell këtu parasysh që urdhri më i rëndësishëm “The most noble order” i Britanisë së Madhe është “Urdhri i Zhartjeres” ( “Order of the Garter”).
Është fjala pikërisht për atë materialin që përdoret për gjymtyrën e pasme të zonjave dhe është sot e gjithë ditën dhe ka një histori. Ka një histori, vjen nga një episod kur e preferuara e mbretit Eduard i tretë, kontesha Salisbury duke kërcyer humbi zhartjeren dhe aty i gjithë oborri u skandalizua dhe filloi të tallej dhe mbreti e merr zhartjeren e vë në këmbë dhe thotë: Turp për atë që mendon keq. Dhe ju siguron se gjithkush në historinë e kësaj mbretërie do të lutet që ta ketë një ditë një të tillë në gjunjë. Dhe që atëherë u vu urdhri kryesor britanik, i cili shoqërohet me kordonin blu, me yllin etj.
Në këtë aspekt ka shumë gjëra të cilët janë specifike. Ndërkohë që emërtesa e komandarit që disave i ka bërë përshtypje është një emërtesë që siç thashë hyn në legjislacionin tonë në vitin 1925 në këtë fushë sepse Ahmet Zogu, pavarësisht se vetë kishte mustaqe, nuk e kishte zakonin të merrej me mustaqet e Çelos siç merret parlamenti i Shqipërisë çdo të enjte dhe sidomos pastaj çdo ditë jave nëpër komisione, por gjithçka e mori siç e kishin të tjerët sepse gjithë të tjerët e kanë marrë, sicc e ka pasur tjetri më parë e tjetri më parë për të shkuar te burimi që është ose Franca ose Mbretëria e Bashkuar.
Dhe kjo të kujton atë marrëzinë tjetër që u tentua të ndryshojë himni për të zëvendësuar “tradhëtorin” me “tradhëtarin” dhe “frigohet” me “frikësohet”, mirëpo fitoi Asdreni, nuk fituan ata të cilët sot, as nuk i kujton njeri se kush ishin. Ashtu sikundër për shembull, po të shikoni tek përkthimi i Nolit, të Otellos, Noli u ndesh me atë fjalën që ne e njohim si “leitnant” dhe që në origjinal ishte “Lieutenant” dhe Noli nuk e përktheu “toger”, por krijoi një fjalë të re shqipe: leftenar. Sepse imagjinoni t’i thoshte Jagos: togeri Jago, që do ishte shqip. E kishte për atë që foli për “supreme” dhe “jo supreme”. Në disa gjëra më mirë të ndjekim Nolin sesa të ndjekim ato që janë mendime që na lindin aty për aty pa u bazuar tek historia.
Dhe është shumë e rëndësishme kjo gjë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Jo vetëm sepse po ju citoj Napoleon Bonaparti 222 vjet më parë për këtë që ne po diskutojmë sot kur ai doli dhe mbrojti personalisht projektligjin për të krijuar urdhrin e famshëm të Legjionit të Nderit që u bë pastaj edhe shembulli për gjithë të tjerët.
“Sfidoj këdo, thotë, që të më sjellë shembullin e një republike të vjetër apo të re që nuk ka dekorata. Me përbuzje këto shpesh trajtohen si xhingla, mirëpo është përmes xhinglave dhe pikërisht përmes tyre që njerëzit nxiten të shkojnë përpara.”
Dhe faktikisht “vetëm ai që është i përkushtuar në gjërat më të vogla mund të jetë i besueshëm në gjërat e mëdha, – thotë Ungjilli.
Kështu që, sot ne bëjmë një ligj i cili e rifut vendin tonë në sistemin e vendeve europiane. E ndan nga komunizmi jugosllav, komunizmi sovjetik, komunizmi kinez i gjithë atyre viteve që erdhën së bashku me furinë e dekoratave, e medaljeve, e teneqeve dhe e fut në sistem si të gjitha vendet e tjera. Të gjitha vendet në rajon, të gjitha vendet në Europë, në Perëndim dhe në lindje kanë të njëjtin sistem dhe kanë të njëjtat rregulla dhe nuk ka bërë vaki, nuk i ka ndodhur askujt gjëma që na ndodhi ne, që arritëm të dekorojmë themeluesin e shtetit shqiptar. Ne kemi arritur, ose më saktë presidenti i mëparshëm i Republikës arriti të dekorojë Ismail Qemalin. Është dekoruar Ismail Qemali. Ju e dëgjuat këtu parafolësin që tha: Kemi ngritur grup pune, – tha -dhe i kemi analizuar të gjitha heronjtë e luftës së Vlorës.
Pra një grup njerëzish, sado të nderuar, por totalisht për t’u harruar në histori kanë marrë dhe kanë qëmtuar të gjithë ata që kanë shkruar historinë dhe kanë vendosur t’u japin dekoratë post mortum. Tani, që të merremi vesh dhe që të mos tundim kokën pa lidhje teksa dëgjojmë njeri-tjetrin.
Çfarë është një dekorim?
Çfarë është një “Urdhër”?
Çfarë është një “Medalje”?
Është një moment kur njerëzit dallohen nga të tjerët. Të gjallët dallojnë mes të gjallëve. Nuk ekziston një moment kur të gjallët dallojnë dhe dekorojnë të vdekurit, të cilët janë të dalluar më shumë sesa të gjithë ata të gjallët bashkë. Dhe ndërkohë prodhohen medalje dhe iu jepen stërnipave dhe stërmbesave. “të paraqitet familja e Ismail Qemalit”. Është diçka që nuk ka ndodhur askund dhe nuk ndodh askund.
Dekorimi pas vdekjes është tipik “alla shqiptare”, i “alla demokracisë”. Një hamletologji e paimagjinueshme, një tangerllek provincial i paparë, i pandeshur në historinë e planetit.
Ah, një ushtar të rënë në luftë në atë moment, në kohë që jetojmë së bashku, patjetër.
Një njeri që vetmohohet për të mbrojtur të tjerët në një akt heroizmi, por sot, patjetër. Por një njeri që ka vdekur para 100 vitesh. Domethënë ccohet njëri që sheh në ëndërr të behet si Vojo Kushi dhe dekoron Vojo Kushin, duke shfrytëzuar postin e presidentit të Republikës. I jep Vojos një dekoratë dhe i duket vetja sikur barazohet me Vojon dhe i jep mesazh të tjerët që “shiko, unë si shok i Vojos një ditë do ta bëj si Vojua”.
Kështu që nuk kemi çfarë diskutojmë fare. Është tamam si ato vargjet e Konstandinit “Ç’po më shohin sytë vallë, shkoni i vdekuri me të gjallë”. Me këtë ligj në e mbyllim këtë kapitull dhe sistemohemi në një vend, në mozaikun e shteteve të Europës. Është i vetmi gur që mungon në atë mozaik dhe është guri i Shqipërisë.
Shqipëria është në një botë tjetër komplet me sistemin e medaljeve dhe dekoratave. Janë mbi 500 medalje që janë dhënë brenda një mandati të një presidenti, gjëra të padëgjuara dhe të gjitha pa asnjë lloj reference. Natyrisht që ligji nuk i anulon ato që janë dhënë, kush i ka marrë ato nderime, i ka marrë në një epokë të caktuar, t’i gëzojë, nuk është anulim, nuk është tërheqje, asnjë gjë, është e një kohe të caktuar. Por ligji garanton që Shqipëria të mos jetë më një vend kaq qesharak sa cc‘është në këtë fushë dhe fatmirësisht sot na jepet mundësia ne që ta bëjmë edhe këtë.
Thashë jemi me mbi 75 vjet vonesë, por për të gjitha arsyet e mos arsyes së politikës shqiptare dhe të këtij parlamenti e bëjmë këtë gjë vetëm sot. Shpresoj që kjo gjë të votohet nga të gjithë dhe ju them të gjithë atyre dekomunistizuesve që janë këtu në sallë që nëse nuk e votojnë këtë thjeshtë japin një provë tjetër që me komunizmin kanë vetëm një transferim të inatit tek kundërshtarët politik dhe nuk kanë asnjë lloj lufte strukturale, konceptuale dhe çrrënjosëse aty ku realisht duhet që një parlament dhe forcat politike të japin kontributin e tyre për të gjithë skeletin e organizimit dhe të organizimit të shtetit.