Përshëndetje të gjithëve!
U detyruan t’i bëjmë të treja bashkë bashkitë sepse për arsye kohe dhe për arsye të aktiviteteve të mëtejshme edhe në Mat më vonë dhe në Klos, pastaj nesër në Dibër, i bashkuam të treja kështu që nuk patëm mundësi të kishim më shumë të ftuar nga të treja bashkitë, por ju falenderoj shumë juve që jeni këtu.
Shpresoj që prezantimi, që është një prezantim i përmbledhur sepse unë kam parë prezantimin në variantin e gjatë nga kryetarët e bashkive, t’ju ketë dhënë një informacion juve dhe gjithë atyre që e kanë ndjekur, të vlefshëm sepse shumë gjëra nga ato që janë bërë nëpër bashki, edhe vetë ata që jetojnë aty, por që janë në një anë tjetër të bashkisë, zonës qytetit, nuk i dinë. Nuk i dinë dhe nuk ka në fakt nga t’i dinë sepse bota e informacionit në Shqipëri është bërë gjithmonë e më shumë një botë disinformimi. Është një sëmundje që e ka gjithë bota sot, por këtu edhe me ushqimin e përditshëm plot helm që hienat e vjetra të politikës, të bashkuara tani edhe njëherë tjetër për të bërë edhe një përpjekje tjetër të dëshpëruar për ta rishqyer Shqipërinë, i japin, plus dhe disa pronarë mediash të cilët i kanë ekranet frëngji për të sulmuar, siç sulmoheshin dikur ata që dilnin me maskë në rrugë, e bëjnë të pamundur marrjen e një informacioni të barabartë, në kuptimin e ekuilibrit. Nëse sot pyet dikë, “Çfarë të thotë fjala Bulqizë” e vetmja gjë që ai person do të thotë është fëmijët që kacavirren nëpër kodrat me mineral për të mbledhur krom, sepse ky ka qenë i vetmi lajm. Nuk ka pasur dhe nuk bën lajm as gjithë ai numër i madh fermerësh këtu që prodhojnë, që tregtojnë, që eksportojnë. Ashtu sikundër nuk bëjnë lajm shumë e shumë aktivitete të tjera që ndodhin, nuk bën lajm as investimi për të përmirësuar jetën në qytet, nuk bën lajm as fakti që sot në këtë zonë ne jemi në kushtet kur furnizojmë gjithmonë e më shumë, 24 orë ujë. 24 orë ujë kjo zonë nuk ka pasur as në kohën e komunizmit, kjo është e vërteta. Nuk bëjnë lajm këto.
Për këtë arsye, jo vetëm për Bulqizën, për Matin, për Klosin, për Dibrën, por për të gjithë Shqipërinë, ideja e njerëzve që nuk kanë qenë ndonjëherë në fshat, sepse nuk u ka rënë rruga, është që në fshat ka vetëm mjerim, në fshat nuk ka bukë për të ngrënë, nga fshati ikin të gjithë. Është e vërtetë që ne kemi largime sepse kjo është një fazë e historisë sonë kur është e pashmangshme, fazë të cilat të gjitha shtetet i kanë kaluar, kush më shumë e kush më pak. Ne na ka qëlluar, siç na kanë qëlluar të gjitha gjërat më vonë sepse ne kemi dalë të fundit nga ferri i komunizmit, por ama, ka dhe njerëz që kthehen, ka dhe njerëz që bëjnë sukses, ka dhe njerëz që krijojnë punë edhe për të tjerët.
Sot ishim në një pikë të re të grumbullimit të bimëve medicinale, këtu në Bulqizë, i bërë nga një djalë i zonës, i cili ka marrë mbështetje nga qeveria përmes fondeve të AZHBR-së dhe ka bërë të mundur që të gjithë ata që kanë vullnetin të grumbullojnë bimë medicinale, që kjo zonë i ka nga më të larmishmet, t’i çojnë dhe të paguhen. Sapo e ka hapur dhe aty na tregoi një pirg sa gjysma e skenës këtu “Ajo, tha është mbledhja e një dite. Ma ka sjellë baba me të birin”, 35mijë lekë të reja, mbledhja e një dite, bimë medicinale të zonës, që nuk ka nevojë as t’i mbjellësh, as t’i ujisësh, as t’i prashisësh, as të shpenzosh naftë për të punuar tokën, por që janë aty, për ata që kanë këmbët e forta, kanë zemrën e fortë, kanë mendjen për punë për t’i mbledhur dhe për të bërë 35mijë lekë të reja në ditë.
Ky është një fakt që ju e keni personin dëshmitar, shkoni dhe pyeteni. 35mijë lekë të reja në ditë nuk i bën dot duke ikur me anije në Angli, nëse nuk merresh me ndonjë punë nga ato punët që të çojnë në ferr.
Ashtu sikundër, nuk bën më lajm miniera sot. Pse? Sepse sot kushtet në miniera janë shumë më të mira, sepse sot pagat, qoftë për minatorët e qoftë për ata të cilët punojnë në përpunim, janë të larta. Por kjo nuk bën lajm. Lajmi ka mbetur atje.
Meqë flasim për lajme, me siguri e keni dëgjuar që unë kam një taksi që fluturon. Mbrëmë, besoj. Një taksi që fluturon dhe që ju kushton shqiptarëve miliona euro dhe do ta dëgjoni këtë gjë përditë nga hienat që nga mëngjesi deri në të gdhirë kanë vetëm këtë punë, si të shfrytëzojnë këtë periudhë shumë të vështirë të Shqipërisë, të njerëzve që jetojnë këtu, sepse ne jemi pjesë e Europës, duam apo nuk duam dhe Europa është e prekur nga lufta, duam apo nuk duam, dhe lufta këtu nuk ka sjellë bomba, lavdi Zotit, këtu lufta nuk vret njerëz, nuk shkatërron shtëpi, por ka sjellë rritjen stratosferike të çmimit të energjisë dhe ka sjellë rritjen e inflacionit. Është inflacioni i luftës, nuk është inflacioni i qeverisë shqiptare, siç nuk është inflacioni i asnjë qeverie tjetër që përballet me këtë luftë, do apo nuk do.
Sigurisht që tek çmimi i energjisë, ne jemi të vetmit, të vetmit akoma që flasim, që as nuk kemi rritur çmimin për familjet dhe për biznesin e vogël, as kemi vendosur ende asnjë fashë. Pse? Sepse mendojmë që kjo është rruga që na takon ne, si një qeveri e cila ndryshe nga çfarë është propaganduar dhe është ngulitur në kokën e shumë njerëzve, falë edhe këtyre kanaleve të komunikimit që janë të gjitha të infektuara për shkak se kanë interesat e tyre dhe e përdorin ekranin si maskë për t’i dalë qeverisë në rrugë për t’i kërkuar gjëra që nuk i takojnë, e vërteta është që ne çmimin e kemi mbrojtur. Ashtu sikundër, e vërteta është që 9.5 lek edhe familjet paguanin para krizës, paguajnë sot. Dhe 14 lek në mos gabohem biznesi paguante para krizës, paguan sot, kjo është e vërtetë. Ne kemi vendosur ta bëjmë këtë sepse e dimë shumë mirë, nëqoftëse ne do të rrisim çmimin e energjisë për familjet, do vështirësojmë shumë më tepër fuqinë e tyre blerëse në kushtet kur gjwrat janë shtrenjtuar, por nëse do rrisim çmimin e energjisë për dyqanet që keni ju këtu, direkt inflacioni do të rritet. Pra në inflacionin e Shqipërisë nuk ka asnjë impakt energjia që ne konsumojmë. Në inflacionin e dynjasë, energjia ka impakt të madh dhe për këtë arsye produktet bazë janë shtrenjtuar, por krahasuar me shtrenjtimin tonë, shtrenjtimi në të gjitha vendet e rajonit është dyfishi. Kjo është e vërteta.
Tani sigurisht që përballë fakteve dhe realitetit që absolutisht nuk është rozë sepse gjithë këto punë të mëdha që janë bërë nuk mjaftojnë, nuk diskutohet, s’kanë sesi të mjaftojnë, gënjeshtrat, sajesat, fabrikimet dhe përsëritja e tyre falë edhe këtyre ekraneve dhe këtyre kanaleve kanë një avantazh, avantazhin që ka rrena në krahasim me të vërtetën për të cilën populli thotë një fjalë: “e vërteta s’ka veshur akoma pantallonat kur rrena ka bërë xhiron e botës”. Kjo është e vërteta.
Të kthehem pak tek ajo taksia ime. Është e vërtetë që qysh prej vitit 2020 kur ne morëm presidencën e OSBE-së kemi bërë një marrëveshje me Air Albania për edhe interesin e Air Albania për promocion për të pasur një avion për udhëtimet e punës, e theksoj, e punës, jo udhëtime private që unë bëj shumë pak, por të gjitha i bëj me shpenzimet e mia, të familjes domethënë kur dalim ndonjëherë me ato të shtëpisë. Dhe marrëveshja është ripërtërirë e ndryshuar dhe që ta dini ju dhe që ta dëgjojnë të gjithë se s’keni si ta dëgjoni se nga kush do ta dëgjoni. Nuk mund ta dëgjoni dot nga hiena non grata, edhe hienë edhe non grata është tmerr se hiena vetë është non grata si lloj kafshe por kur bëhet dhe non grata pastaj është llahtar fare. Imagjino hienë që nuk shihet dot me sy vetw po kur thotë: Ajo hienë është dhe non-grata, katastrofë. Kështu që nuk ke nga ta dëgjosh hiena non-gratën. Hienë spiun më keq akoma. Edhe hienë edhe spiun. Llogarite! Nga do ta dëgjosh? Pastaj janë dhe disa hiena të tjera që bëjnë atë kuisjen gjithë ditën e gjithë natën nëpër ekrane, nëpër portale. Çfarë do dëgjosh nga ata? Ata i bëjnë llogaritë me çarterat që marrin vetw, por janë gjëra që sidoqoftë do të sqarohen të gjitha se në fund është e vërteta që triumfon, nuk është rrena që triumfon, por do hash dynjanë se e ke rrugën të mbushur me hiena. S’kanë faj sepse janë në prokurori për evazion me miliona dhe prokuroria nuk i prek me dorë dhe i tregojnë njerëzve lajmet në televizor. Ndërkohë që duhet të shkojnë në prokurori dhe të përgjigjen për miliona që ua kanë marrë shqiptarëve sepse nuk i kanë paguar taksat që duhet të paguanin dhe ne kemi bërë punën tonë. Pra, shteti ka bërë punën e vet, i ka çuar në prokurori. Prokuroria nuk i prek. Siç prokuroria nuk prek të gjithë këta të mëdhenjtë, qofshin këta të ekraneve, qofshin të tjerë që nuk kanë ekran, por që e kanë babëzinë të madhe, i çon atje shteti, Tatimet, Dogana dhe atje thjesht rritet pazari i prokurorëve. I prokurorëve të rrethit Tiranë që të jemi të saktë, se SPAK-u është tjetër gjë. Prokuroria e rrethit Tiranë është një zullum i madh i një sistemi që akoma nuk është reformuar si duhet, por që të vijmë tek taksia ime. Po ju them vetëm kaq, se këto janë në fund të ditës mund të thonë këta: “miliona, miliarda, taksia që fluturon me 4 rrota që mblidhen e pastaj dalin poshtë”, mund t’i thonë të gjitha por në fund fare janë shifrat, sepse në fund fare ka fatura të paguara. Interesante është që pavarësisht se ne kemi këtë shërbim, unë si kryeministër i kushtoj taksapaguesve shqiptarë të cilëve hiena non grata iu qan hallin po të krahasojmë vit me vit, 2021 e marrim me 2010-ën i kushtoj taksapaguesve 4 herë më pak kosto udhëtimi. Domethënë për një udhëtim të hienës kostoja ishte 2.5 milionë të vjetra. Për mua është 650 mijë të vjetra. Kjo është e vërteta dhe janë shifra, janë fatura, janë të gjitha, nuk është kështu me muhabete, që mos t’ju rrokanis shumë. Ndërkohë në atë taksinë time që s’është e imja, është në shërbim, vijnë gazetarë plot dhe s’paguajnë asnjë gjë faktikisht. Ashtu sikundër nuk jam vetëm unë, janë dhe delegacionet dhe duke patur delegacione më të vogla, duke mos marrë badigardë me vete jashtë shtetit, siç merrte hiena se kishte hall se do ta sulmonin, se ishte i bukur shumë dhe do ta sulmonin gjithë sorkadhet atje, duke mos ndenjur aty ku mund të kthehesh brenda ditës nëpër hotel që dhe ato kushtojnë, kjo është kostoja. Shumë e thjeshtë!
Tani, duke shkuar përtej kësaj, do dëgjoni rrena të paimagjinueshme sepse ka një teori që çorodit njeriun: rreje, por rreje shumë fort. Rreje aq fort sa të jetë aq e madhe rrena sa që të thotë ajo: Mirë po si ka mundësi të mos jetë e vërtetë.
Por e vërteta është që sot ne jemi qeveria e parë që qysh nga viti 2013, se do thoni ju si ka mundësi që janë këto kosto kështu, qysh nga viti 2013 as unë dhe asnjë ministër nuk udhëton në “business class”. Të gjithë në “ekonomik” kur udhëtojmë me linjën. Ndërkohë që për taksinë ua u tregova koston. Në bazë të marrëveshjes që kemi bërë sepse ai avioni është promocion për Shqipërinë, është promocion për kompaninë, patjetër. Dhe ndërkohë ata me hienën e madhe në krye edhe bashkë me gra në “businnes class”, me lekët e shqiptarëve gjithmonë dhe plus kësaj edhe në udhëtime private, prap me lekët e shqiptarëve dhe plus kësaj, se ai është një çfarë ti thuash më shumë. Hienë nongrata, i ke thënë të gjitha. Që të merr nëpër gojë, s’lë njeri pa marrë nëpër gojë. Asnjëherë, në asnjë rast unë nuk shkoj i shoqëruar nga gruaja apo bashkë me djalin, me shpenzime të shtetit përveç se kur edhe ajo është e ftuar. Që do të thotë, shumë rrallë. Në pjesën tjetër, kur më shoqërojnë mua gjithmonë paguajnë nga buxheti i shtëpisë për biletën. Ky është ndryshim shumë i madh. Po këtu na kanë futur të gjithëve në një thes edhe flasin për sarajet e Surrelit sepse duhet të kenë të gjithë shqiptarët shtëpi me 2 kate e tre kate. Po unë para se të kisha sarajet, kisha pallate në Barcelonë, në Madrid, në Romë, në Amerikë, në Miami, tani kam saraje. Kush do ta hajë rrenën, do ta hajë. Nuk ke çfarë i bën.
Kthehemi tek energjia që është shumë e rëndësishme. Dalin prap dhe thonë “u rrit çmimi”. Cili çmim u rrit? Si u rrit? Çmimi i energjisë është në faturë! Është e vërtetë që ne kemi vendosur një fashë. ERE nuk vendos fashë. Fashën e vendos kush e ka në administrim dhe në administrim e ka shteti dhe e kanë kompanitë, e ka qeveria fjalën e vetë sepse është në bord përmes ministres e të tjerë. ERE vendos vetëm sa është çmimi. Do të vësh çmimin e liberalizuar, është kaq. Paguajnë njerëzit 9.5 lekë, çmimi është 44 lekë. Sot ka dalë çmimi i ri. Ishte 42, u bë 44 sepse aq kushton. Ne detyrohemi të dalim në import. E kemi shpjeguar 1 milion herë që Shqipëria nuk i ka të gjitha burimet që i duhen për të gjitha nevojat e veta. Kur ka maksimalisht mbushur hidrocentralet, Shqipëria mund të plotësojë 75% të nevojave. Edhe kur i ka hidrocentralet plot, 25% do shkojë t’i blejë në treg dhe atje në treg, çmimi është çmendur fare.
Po ne nuk ja kemi sjellë askujt nga ju çmimin e çmendur. Me të çmendurin merremi ne! Me çmimin që ishte përpara krizës, e keni ju. Të gjithë diferencën e paguan shteti dhe do vazhdojë ta paguajë. Te fasha 800kWh, do vendosej në tetor. Nuk u vendos. Pse nuk u vendos? Sepse ne pavarësisht se fasha prek maksimumi 60 mijë familje, ne jemi të vetëdijshëm për psikologjinë e kësaj situate që është e rënduar te të gjithë sepse ka sjellë një turbullirë të përgjithshme të natyrës ekonomike dhe po s’të preku direkt, prap i prekur je se ke ankth, ke frikë, “do më vijë, do më rritet” dhe për këtë arsye sa na krijohet mundësia më e vogël, ne e kthejmë atë në një mundësi për njerëzit. Për këtë punë jemi aty. Nuk jemi thjesht që tu themi këtë e ka lufta dhe ne s’kemi çfarë të bëjmë. Këtë e ka lufta dhe ne po bëjmë gjithçka dhe kjo gjithçkaja do të thotë që 460 milion euro për këtë vit, kombinim përmes buxhetit të shtetit edhe KESH-it janë vendosur në dispozicion të familjeve. Këta më tregojnë jo paketa e Kosovës, jo paketa e atij. Cila paketë? Kur ne e kemi çmimin të paprekur dhe nuk kemi asnjë minutë kufizim energjie. Duke ju referuar Kosovës, arritën deri në 8 orë kufizim energjie. Me kufizim energjie është kollaj, po ne nuk e duam. Në këtë pikë, qeveria është në krahun e të gjithë njerëzve dhe duke bërë këtë, ne mbajmë inflacionin në një kontroll relativ. Të gjithë e keni faturën në shtëpi. Merreni, shikojeni. Keni një fashë të kuqe që ja u shpjegon se çfarë duhet të bëni. Çmimin tuaj, shumëzojeni për atë numër që është aty dhe ju del çmimi real.
Pse nuk e vumë fashën? E para sepse kishim reshje. Jo shumë, por mjaftueshëm për të thënë po e shtyjmë edhe një muaj. E dyta, sepse pamë tendencë kursimi. Se fasha vihet edhe për të futur njerëzit në vetëdijen e kursimit. Se këtu dalin hienat edhe thonë çfarë do kursej, këtu kemi lumenj, përrenj, pellgje, liqene. A thua se lumi vjen te priza. Nuk vjen lumi te priza. Vjen energjia që prodhohet nga hidrocentrali, por shumë shpesh është natyra e njeriut, do të hajë rrenën. E ha rrenën, thotë “ik ore hajdutë, merrni energjinë për vete”. Ku e çojmë? Si e marrim? Ju doni ta shisni? Po ku ta mbajmë? Në shtëpi, në xhep, në çantë, në bagazh? Ku ta mbajmë? Sepse po nuk ndërtuam Skavicën, s’kemi për të pasur kurrë mundësi të mbajmë asnjë gram ujë më shumë se çfarë mban diga e do detyrohemi siç kemi bërë gjithë jetën ta derdhim ose ta shesim lirë. Se kur ti ke për ta derdhur, gjithë zona ka energji se është plot. Kur vjen vera, ti s’ke. Ka rënë hidrocentrali si puna e pantallonave. Atëherë do dalësh në treg e do ta blesh shtrenjtë. Po të kemi Skavicën dhe do ta kemi Skavicën, atëherë e mbajmë rezervën edhe nuk e shesim lirë. Kur vjen koha që s’ka shi, e marrim aty dhe nuk e blejmë shtrenjtë. Kjo është shumë e thjeshtë.
Po shihja sot shpenzimet për PPP-të e famshme. Janë rreth 40 milion në vit, të gjitha. Për çfarë janë? Se këta 450 milion i vodhën, si i vodhën? Ato janë për 30 vjet. Kur kalamajtë, shokët e Zahos të bëhen sa ata që janë këtu, 37-38 vjeç. Nuk janë para që kanë dalë e i kanë marrë. Janë para të cilat paguhen vit pas viti. Për çfarë paguhen? Që të pastrohen, të mblidhen plehrat, mos t’i marrë lumi e qielli e të përpunohen. Po këto të tjerat për çfarë janë? Këto janë që kur shkojnë gratë të lindin fëmijë, ose kur shkojnë ata që kanë nevojë të bëjnë operacion, të mos infektohen mbrapa siç infektoheshin pjesa më e madhe kur operoheshin me ato gërshërët me një dhëmb që ishin aty që në kohën e dashurisë me Kinën, i kishin lënë kinezët aty, por të operohen me instrumente mjekësorë që janë standardi i fundit dhe të gjitha ato që përdoren për një operacion, përdoren për një operacion. Ndërkohë që instrumentet mjekësorë shkojnë dhe sterilizohen në mënyrë fantastike, me standardet e Bashkimit Europian dhe po të shikosh infeksionet, kanë rënë fare, post-operatore se nuk ka më gërshërë nga ato.
Janë për ato që bëjnë dializën, janë për analizat mjekësore. Të gjitha këto, në sistemin tonë merren falas nga njerëzit mirëpo këto natyrisht kushtojnë dhe për këtë paguan shteti. Pra, e gjitha është në funksion të njerëzve. Ndërkohë që këta e bënë legjendë. 450milionë? Nuk ekziston, është rrenë shkurt muhabeti, është rrenë e madhe shumë.
Patjetër që në këtë proces ka pasur arsye Prokuroria që të dyshojë që është bërë korrupsion. Kush ka përfituar për të bërë një rrugë e dy punë, për të bërë dhe punën, se puna është bërë atje, është atje e janë atje, faktet janë atje, nuk janë në film, ka punën e vet me drejtësinë. Janë të ndara gjërat. Secili mban përgjegjësi për veten e vet në raport me ligjin.
Për të ardhur në fund dhe jo për nga rëndësia, tek zona. Ne këtu kemi bërë ndryshime të rëndësishme por siç thashë, këto ndryshime janë të pamjaftueshme, duhet bërë më shumë dhe rruga është futja më thellë e bashkive në bashkëpunim me njerëzit për të ndërtuar më shumë infrastrukturë për bujqësinë, për blegtorinë, për turizmin. Këto janë gjërat dhe natyrisht pjesa e industrisë këtu është në rrugën e vetë me minierat, por flas për çfarë do sjellë këtu më shumë njerëz, çfarë do sjellë këtu më shumë konsumatorë, çfarë do sjellë këtu më shumë lekë për njerëzit? Krijimi i mundësive që mjalti, për shembull, këtu ka në këtë zonë, një numër të madh bletë-rritësish, prodhojnë mjaltë, por nëse ai mjaltë prodhohet dhe paketohet nga secili me forcat e veta dhe pastaj secili me forcat e veta shkon e gjen në çfarë dyqani ta shesë, kjo e bën të vështirë që të rrisë të ardhurat në mënyrë të ndjeshme, por nëse këta bashkohen dhe bashkë me bashkinë, me mbështetjen e qeverisë, siç kemi mbështetur do vazhdojmë të mbështesim me fondet e qeverisë dhe të Bashkimit Europian, krijohet një pikë grumbullimi, bëhet përpunimi i mjaltit, bëhet paketimi, krijohet një markë e zonës dhe krijohet një sasi me të cilën ti negocion dhe del në treg dhe brenda dhe jashtë, atëherë ndryshon komplet loja. Ndryshon loja, ndryshojnë të ardhurat.
Po kështu, për gjithë serinë e produkteve. Ai djali me bimët medicinale, çfarë bën ai? Ai do i mbledhë siç vijnë nga mali, pastaj do i bëjë gjithë ato proceset e nevojshme, do t’i paketojë dhe i ka gati për eksport. Dhe këto nuk janë gjëra që unë i kam parë në ndonjë film dhe po i tregoj apo që ndodhin jashtë, këto janë gjëra që ndodhin aktualisht në Shqipëri. E solla shembullin, por është një nga shumë shembujt.
Në Elbasan 130 e ca burra dhe gra, fshatarë të gjithë, fermerë që merreshin me ullinj, mblidhnin ullinj dhe pastaj, “Ku ta çojmë”? Mbledhur bashkë, krijuan një federatë, kështu e kanë quajtur sepse fjala “kooperativë” akoma i bën xing njerëzve në kokë, por gjithë Europa me kooperativa punon, megjithatë federatë, ndërmarrje thotë Lefteri, ndërmarrje e gjelbër, nuk ka rëndësi emri, kanë krijuar një federatë dhe çfarë bëjnë? Me atë federatë kanë bërë një projekt, kanë shkuar e kanë marrë fondet, kanë pikën ku e mbledhin ullirin dhe ku e prodhojnë vajin dhe prodhojnë një vaj, kanë një markë vaji dhe kanë sasi dhe atë sasi e shesin dhe pastaj i ndajnë të ardhurat sipas kontributit të secilit. Këtu do ndryshojnë komplet zinxhirin e vlerës.
Tjetër është ta çosh mjaltin, siç thashë me trajsë, tjetër është të kesh një fabrikë të vogël dhe për këtë mbështet qeveria, bashkia me këta bletë-rritës bëjnë një kooperativë, një federatë, një ndërmarrje, një shoqatë, ca të doni, një “Champions League” quajeni po të doni dhe aplikojnë për fondet. Kjo është shumë e rëndësishme.
Tjetra është agroturizmi. Ato pamje që shumë pak dolën këtu, por që janë kudo në këtë zonë janë pasuri shumë e madhe, që duhet të kthehet në të ardhura të larta për njerëzit. Të njëjtën gjë bëjnë edhe nëpër malet e Zvicrës dhe Austrisë, se çfarë bëjnë? Hotele, mbledhje të bimëve medicinale, kultivim të arroreve, kultivim të produkteve të caktuara, ca i çojnë për shitje, ca i përdorin aty dhe kushte fantastike natyrore. Pra, lidhja e prodhimit bujqësor dhe blegtoral me mikpritjen.
Kanë filluar, Kulla e Hupit, e disa të tjera që janë shembuj që kjo funksionon dhe ata të gjithë janë mbështetur. Nuk më kujtohet ajo gruaja në Dibër, si e ka emrin? Dashuria, se ka dhe emrin atraktiv, po, “Bujtina Dashuria” është një kryevepër. Atë gruan bashkë me disa gra i kam takuar unë para disa kohësh ishin keq, prodhonin jufka dhe përpiqeshin me ato forcat e tyre nëpër shtëpia e pastaj i çonin këtej-andej, dhe i thashë “Po mirë, pse nuk i bëni vetë ju? Mirë burrat e juaj që presin nga ju po ju pse punoni për lokalet e të tjerëve”? E kapi Dashuria dhe shkoni atje të bujtina, është një kryevepër, është njësoj si të shkosh në çdo vend malor të Europës, kushte fantastike, natyrë fantastike, ushqim fantastik e të gjitha.
Kjo është e ardhmja dhe për këtë ne mbështesim konkretisht. Këta flasin, “fshati, fshati”. Unë e kuptoj shumë mirë që të rinjtë edhe u takon që të kenë ambicie për aventura dhe nga aventurat dalin dhe njerëzit e suksesshëm, por po jua them që Europa po bëhet gjithmonë e më e vështirë. Shqipëria nuk është e lehtë por i bien shumë shkurt njerëzit, “Po jo, se pagat”. Pagat po, por atje është çdo hap, xhep, se është shtëpia, kjo e ajo dhe me shtrenjtimin e energjisë, me faturat e energjisë, unë jam i bindur që shumë njerëz do fillojnë ta mendojnë, “Ore po sikur të provojmë ndryshe” dhe provimi ndryshe këtu nuk është i komplikuar për ata që kanë. Kush ka një shtëpi gjyshi sado të shkatërruar apo një copë tokë tek gjyshi në fshat, e ka gati të hapë një biznes kudo që të jetë dhe të fitojë të paktën dyfishin e asaj që fiton jashtë si punëtor. Nuk po them pastaj për ata që mund të jenë inxhinierë e të tjerë se nuk e di, mund të kenë paga shumë të larta, por këtu, për të fituar dyfishin e asaj që fitojnë shumica dërrmuese që punojnë atje lloj-lloj punësh është gati, mjafton t’i investosh ato kursime edhe me mbështetjen e qeverisë dhe të AZHBR-së dhe të ecësh përpara.
Kur thosha unë që Belshi do bëhet zonë turistike, talleshin ata, thonin “ky iku, deri këtu e patëm kryetarin”. Sot Belshi jeton me turizëm. Ulza, Bulqiza dhe gjithë kjo zonë e ka bërë Zoti për turizëm, për bujqësi, për blegtori, për natyrë, për gjithë pjesën më të bukur që i mungon qytetit. Duhet me e vënë këtë në dispozicion. Kjo është gjëja që do bëjmë gjithmonë e më shumë ne me bashkitë.
Nuk po iu marr më shumë kohë se mund të flas edhe më gjatë. Më pëlqeu shumë edhe çfarë po ndodh këtu, kisha disa kohë pa ndaluar në Bulqizë. Tani që po mbaron dhe procedura për atë Buallin, se na çmendi, bashkë me Planin e Bardhë sepse janë ato copat e bëra dikur, e ke parasysh që bëheshin ato rrugët qorre që thonin, “u hap Rruga e Arbrit, vetëm futu dhe del matanë” dhe kush futej shëndet, mirupafshim se shihemi zgjedhjet e tjera. Janë ato tani, po merremi dhe me ato. Tunelin e Murrizit sepse ka dalë gjeologjia problem dhe ndërkohë që në Llogara ecet me shpejtësi 24-25 metra në ditë, këtu mezi bëhet 1 metër në ditë, ndaj është shtyrë dhe afati, por me këto dy segmentet e tjera që kanë mbaruar dhe procedura, është vendosur dhe investimi, gjëja do marrë rrugë dhe besoj në pranverën e ardhshme do kemi liri të plotë lëvizjeje, përjashto tunelin e thashë, jo sepse nuk po punohet, por sepse po ecet tamam si breshkat e mia, nuk kemi çfarë t’i bëjmë, është gjeologjia.
Shumë faleminderit!