Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Samitin Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE për ecurinë pozitive të Planit të Ri të Rritjes ekonomike dhe hapat në vijim për zbatimin e tij - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Samitin Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE për ecurinë pozitive të Planit të Ri të Rritjes ekonomike dhe hapat në vijim për zbatimin e tij

Faleminderit dhe më lini së pari mbi të gjitha të shpreh zhgënjimin tim të madh me Malin e Zi që na ofroi shi gjerman në vend të dellit të vet legjendar.

Unë nuk e di çfarë ka ndodhur, por shpresoj që do të merret edhe kjo parasysh si një lojë jo e ndershme e Malit të Zi, kundrejt të gjithëve ne dhe jam i sigurt që kjo mund t’u bëjë qejfin gjermanëve, por nuk duhet dhe nuk mund të jetë kështu.

Megjithatë të vish në gjirin legjendar të Kotorrit është një kënaqësi e madhe. Do doja ta nisja duke shprehur përtej zhgënjimit, entuziazmin mjaft të ndjerë për atë që po ndodh dhe dua të falënderoj Komisionerin Várhelyi dhe Komisionin që ka punuar kaq ngushtë me ne e që na ka ofruar një platformë dialogu të mirëfilltë, miqësor, një proces ku si zakonisht kemi dëgjuar, por si pak herë, edhe në mënyrë të pazakontë, edhe Komisioni ka dëgjuar. Është tashmë një shembulli i jashtëzakonshëm që tregon se cili mund të jetë rezultati kur të dyja palwt flasin me njëri-tjetrin dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin.

Përparimi që kemi shënuar të gjithë ne më vete dhe së bashku gjatë dy muajve e gjysmë të fundit, qysh prej takimit tonë për  nisjen e këtij procesi në Shkup, flet vetë. Kështu kemi përgatitur planet individuale të reformave, kemi identifikuar nismat kyçe, të cilat do të na sjellin gradualisht më pranë tregut të përbashkët  dhe më së fundi kemi nisur përgatitjet për tregun  e përbashkët rajonal. Shkurtimisht jemi gati për t’ia nisur.

Dua të cek një sërë pikash. Së pari, na duhet të punojmë mbi mundësinë e Planit të rritjes për të përgatitur vetveten për t’u integruar në tregun e përbashkët që është shtylla e parë e planit. Ka ardhur koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital evropian. Individualisht, ne i kemi përfshirë si objektiva në planin tonë të reformave e synojmë të jemi gati në 2027. Presim që Komisioni të finalizojë Udhërrëfyesin që të kemi një shteg të qartë përcaktuar përpara, bazuar sigurisht mbi praktikat e rregulloreve evropiane.

Në fushën e shëndetësisë sa i takon integrimit të rajonit në aleancën kritike mjekësore, do të sugjeroja që të lëviznim me siguri drejt unionit të shëndetësisë në Evropë sepse pandemia tregoi sesa jetike është një gjë e tillë, e po kështu sesa i kufizuar është bashkëpunimi në sektorin e shëndetësisë.

Do të përgëzoja po kështu punën e  Komitetit të transportit dhe CEFTA-s në përgatitjen e udhërrëfyesit dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit midis Ballkanit Perëndimor dhe shteteve kufitare të BE-së. Ka vetëm 10 pika kufitare ku mbi 80% e tregtisë dhe qarkullimit të ngarkesave me BE-në kalon. Modernizimi i këtyre pikave do të jetë në përfitim, jo vetëm të rajonit, por edhe ë BE-së duke qenë se është partneri kryesor tregtar i rajonit. Ky udhërrëfyes do të ofrojë bazën për zbatimin e projektit 2.0 të lehtësimit të transportit të rajonit, duke i bërë korsitë e gjelbra me shtetet anëtare te BE një realitet.

Në të njëjtën frymë, bashkëpunimi më i fortë është i nevojshëm në fushën e migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, jo vetëm midis nesh në rajon, por edhe midis rajonit dhe BE dhe është në fakt  koha e duhur dhe në përputhje me konceptin gjithëpërfshirës të sigurisë të BE.

Së dyti, na duhet që të përshijmë logjikën e integrimit me faza në tregun e përbashkët dhe në fusha të tjera të integrimit në BE.

Kështu që është synimi ynë për të thelluar bashkëpunimin për të gjitha fushat që kanë të bëjnë me tregtinë dhe doganat në BE, duke u përgatitur për anëtarësim të plotë në bashkimin doganor të BE. Dhe ato shtete që mund të hezitojnë dhe u referohen mospajtueshmërisë të rregulloreve e të gjitha gjërave kam vetëm një gjë për t’iu thënë: qysh prej 1995-ës Turqia ka një bashkim doganor me BE kështu që në momentin që ka vullnet ne mund të gjejmë zgjidhje për të gjitha ndryshimet ligjore apo administrative.

Sidoqoftë nuk na duhet të presim derisa të gjitha reformat në BE të përfundojnë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet ndërkohë të çelim rrugën tani për hyrjen graduale në zonën ekonomike europiane, në zonën kërkimore, në instrumentet e kohezionit për vendet e rajonit. Kështu që, duhet ta bëjmë pjesëmarrjen tonë në politikën e jashtme të sigurisë, më të dukshme, duhet të jemi pjesë e të gjitha instrumenteve që lidhen me paralajmërimin e hershëm, parandalimin dhe menaxhimin e kërcënimeve të sigurisë kibernetike sa i takon keqinformimit dhe kështu me radhë

Nga ana tjetër, na duhet të transformojmë dijet e tregut të përbashkët sepse ka shumë pak dije që lidhen me këtë fushë gjithmonë e në zhvillim në Ballkanin Perëndimor, kështu që është në përputhje me fokusin tonë kombëtar dhe rajonal për zhvillim të kapitalit njerëzor në bazë të së cilës ne kemi dhënë propozimin për të ngritur akademinë përkatëse, duke iu referuar përvojës së Kolegjit të Europës për studimet europiane.

E shoh mjaft të përshtatshme dhe aspak të vështirë që të kemi një akademi të tillë, qoftë kjo digjitale apo fizike, që të jetë e atashuar me kolegjin e Europws në kampusin e Tiranës.

Kjo do t’i shërbejë qëllimit për ta bërë më të lehtë dhe më gjithëpërfshirëse transferimin e njohurive.

Së treti, do të vazhdojmë që të thellojmë bashkëpunimin rajonal dhe jemi mjaft të përkushtuar ndaj kësaj. Ashtu siç të gjithë e dinë për Shqipërinë nuk është e shkuara që duhet të kontrollojë të ardhmen, por e ardhmja që të kontrollojë të shkuarën.

Qysh prej dhjetorit 2021 zbatimi i masave tregtare në kontekstin e tregut të përbashkët rajonal është bllokuar për shkak të vendimmarrjes, për shkak të pengesave në vendimmarrjen e CEFTA-s. Me shprese puna e bërë nga komisioni, mesa kuptoj dhe nga partnerët tanë të gjelbër gjerman për të zhbllokuar CEFTA-n dhe për të mbështetur zgjidhje që janë krijuese, praktike e të shpejta në të njëjtën frymë dhe duke ndjekur shembullin e përfaqësimit tw 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë organizatë mund dhe duhet të ndodhë sepse është kundër frymës së gjithë kësaj. Çfarë po bëjmë këtu?

Nga njëra anë, flasim për gjëra kaq të mëdha dhe duam të shihemi dhe të miratohemi si shtete anëtare, shtete anëtare europiane sa u takon mënyrës sesi sillemi dhe ndërkohë vazhdojmë të bllokojmë veten. Kjo nuk ka kuptim.

Kjo është e pakuptimtë dhe siç e kam thënë qysh prej ditës së parë, duhet ta lëmë politikën dhe çështjet dypalëshe dhe çfarëdolloj që ekziston mes nesh jashtë kësaj hapësire sepse sido që të jetë, në qoftë se bëjmë gjithçka në mënyrën dhe stilin europian brenda kësaj hapësire, kjo do të lehtësojë dhe paqësojë edhe atmosferën për të gjithë në mënyrë që të merren me çështjet dypalëshe.

Edhe pak fjalë të tjera përpara takimit të Sarajevës. Unë besoj se deri në atë takim, ministrat tanë të integrimit europian dhe ministrat e financave duhet të vazhdojnë të punojnë për nismat që janë në vazhdim që synojnë të na integrojnë në tregun e përbashkët.

Të gjitha këto korsi të gjelbra, aleanca apo më mirë, materialet, lëndët e para, CEFTA e kështu me radhë kërkojnë punë dhe punë të përditshme nga të gjithë njerëzit tanë. I kam kërkuar Komisionit të na ndihmojë për të përgatitur udhërrëfyes të qartë dhe mjaft konkretë që do të na përgatisin të integrohemi plotësisht në këto hapësira deri në 2027.

Së dyti, në të njëjtën mënyrë propozova që ministrat e Integrimit në BE dhe ministrat financiarë të takohen në mënyrë periodike për të diskutuar shtyllën 3 dhe 4 të Planit të Rritjes dhe kemi nisur tashmë takime periodike midis ministrave të Brendshëm dhe po kështu të ministrave të Arsimit, të Integrimit Europian, të Bujqësisë e kështu me radhë.

Këto takime duhet të strukturohen midis BE-së dhe rajonit, jo vetëm midis nesh. Të gjitha këto takime duhet të kenë synimin për t’i dhënë shtysë nga të gjitha anët punës për këtë objektiv strategjik që na ka sjellë këtu së bashku.

Do të ishte mjaft mirë që në takimin e ardhshëm të kishim një draft strategjik të tregut të përbashkët 2.0 që do të bashkërendohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, nga CEFTA dhe nga organizata të tjera rajonale e po kështu dhe nga përfaqësuesit tanë.

Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, na duhet të nisim një dialog politik me Komisionin dhe shtetet anëtare për të përfituar një status të ri për partnerët.

Ne po negociojmë, vendet që po negociojnë duhet të kenë hapësirë në Europën politike për tu përfshirë si vëzhgues në të gjitha mekanizmat e nivelit politik e teknik të Bashkimit Europian. Kjo do të jetë, po kështu, një mënyrë për të bashkëshoqëruar atë çka po përpiqemi të përshpejtojmë në terma ekonomike e po kështu njësoj edhe në terma politike.

Duke qenë se po shoh me kënaqësi këtu përfaqësuesit e Bankës Europiane të Investimeve dua të këmbëngul me obsesionin tim. Është kyç për ne, për të gjithë ne që të marrim ndihmë përmes një instrumenti të ri që do të lehtësojë nevojën tonë për të marrë më shumë hua duke u mbështetur me garanci të BE-së. Kjo është e bëshme dhe kjo do të ndryshojë tërësisht tablonë pasi, po, është shumë e rëndësishme që ne të marrim financime dhe nuk është gjë e vogël, për ne të paktën sepse janë para të rëndësishme, por në të njëjtën kohë nuk duhet të tallemi me veten apo me të tjerët.

Në kuadrin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve kemi 90% hua dhe vetëm 10% grante. Kështu që është bota e anasjelltë, e përmbysur në raport me Bashkimin Europian që kanë vetëm 10% hua dhe 90% grante. E kuptojmë, po dhe nuk e diskutojmë, por do të ishte fantastike sikur me ndihmën e Bankës Europiane të Investimeve ne të mund të nxisim e të bindim BE-në që të garantojë për huatë tona. Kjo do të ndryshonte çdo gjë dhe më lejoni të jem shumë i drejtpërdrejtë me ju.

Në fund të fundit, siç na thoshin kur ishim fëmijë, të varesh ekonomikisht nga ju ka qenë praktikisht humbja e lirisë sonë për t’ju hequr qafe, kështu që garantoni huatë tona dhe do të na keni tërë jetën pas vetes sepse do të na kërkoni, do vini pas nesh tërë jetën për të na kërkuar paratë mbrapsht. Kështu që, do të na duhet të qëndrojmë me ju.

Do të ishte shumë mirë kjo për brezin e ardhshëm në Europë ku shpresoj jo, por shumë prej jush mund të doni të largoheni por ne, ballkanasit do të mbetemi besnik të Bashkimit Europian a ndoshta do të bëhemi qendra për brezin e ardhshëm të Bashkimit Europian. Do të kemi disa telashe për të vendosur se ku do të jetë Brukseli ynë, por pjesa tjetër do të jetë në rregull.

Kështu që, faleminderit i dashur “Mickey”, dhe herën tjetër sigurohu që Mali i Zi të jetë me diell dhe jo kështu, se nuk jemi në Berlin këtu, larg qoftë.

Previous Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama në mbërritjen në Samitin Rajonal të Liderëve, Ballkani Perëndimor dhe BE