E ndoqa me vëmendje interpelancën dhe do doja ta nis aty ku përfundoi debati mes zotit Hila dhe ministres, tek nafta për fermerët, e cila që prej vitit të shkuar është një produkt i subvencionuar nga qeveria, në funksion të mbështetjes së fermerëve, përmes një skeme që e bën të pamundur devijimin, që për fat të keq ka ndodhur në të shkuarën kur janë provuar skema të subvencionimit të naftës për fermerët dhe kanalizimin e subvencionit jashtë objektivit, që është të mbështesë drejtpërdrejtë fermerët, prodhimin, transportin.
Në këtë drejtim, kjo paketë e rezistencës sociale që sot vjen në formën e aktit normativ për të marrë miratimin e Kuvendit, shton mbështetjen për fermerët me naftë falas, duke bërë kompensimin e plotë të gjithë pjesës së taksave që ata paguajnë për atë sasi nafte që konsumojnë jashtë mbështetjes dhe bën të mundur që për këtë skemë, të financohen 14 milionë dollarë. Është një shumë domethënëse, e cila adreson nevojat e parashtruara përmes aplikimeve të fermerëve.
Nga ana tjetër, skema ka dhe një tjetër efekt pozitiv që siç ndodhi vitin e shkuar, po konfirmohet edhe sivjet, po rrit në mënyrë të ndjeshme formalizmin dhe po ndihmon kësisoj që të zgjerohet i gjithë kapaciteti i inventarit të shtetit për tokat, fermerët, fermat.
Një gjë dua të theksoj këtu që e konsideroj të rëndësishme. Dëgjova nga komentet e deputetit, diçka që dëgjohet në mënyrë të vazhdueshme dhe i referohem sepse foli me shifra, shifrat ishin të sakta, duke e konsideruar një defekt, ose duke e konsideruar të padrejtë po themi, faktin që subvencionet nga skema e mbështetjes kombëtare për krerët, janë sot të kushtëzuara dhe nga një numër më i lartë krerësh se sa ishin në të shkuarën.
Në fakt, kjo është e vërtetë, por është e kundërta në këndvështrimin tonë, sepse ne besojmë që subvencionet e dhëna më parë, por dhe sot që flasim, megjithëse ne kemi rritur numrin e krerëve, përsëri mbetemi në vazhdën e një politike që ka një fytyrë sociale, por më shumë se sa një fytyrë sociale është një maskë sociale. Ndërkohë që, efekti i drejtpërdrejte në transformimin e krejt strukturës së bujqësisë sonë, nuk është ai i dëshiruari. Çfarë dua të them me këtë?
Ne po i largohemi në mënyrë graduale, nuk mund ta bëjmë me një të rënë të lapsit, po i largohemi në mënyrë graduale financimit të vetmisë, të qëndruarit veç, të mbeturit brenda një ngastre të vogël, të përsëriturit të ciklit vicioz të një mbijetese, e cila nuk të çon asgjëkund tjetër, përveçse në ripërtëritjen e përpjekjes për mbijetesë dhe po financojmë e do vazhdojmë të financojmë gjithmonë e më shumë, të gjitha ato pika zhvillimi të bujqësisë së re përmes bashkimit, përmes krijimit të sinergjive, përmes krijimit të rrjeteve, ku kontirbutorët në nivele të ndryshme janë të përfshirë, jo siç ndodhte në të kaluarën për interesin e përbashkët të socializmit por për interesin e tyre vetjak e ku ata që punojnë në ngastrën e tyre, në tokën e tyre, ata që grumbullojnë prej tyre, ata që pastaj shesin, janë të gjithë të bashkuar dhe ndërkohë që secili bën punën e vetë, ata në fund tregtojnë të gjithë bashkë dhe kjo bën dallimin dhe kjo bën atë që sot është një fakt, siç ishin fakt ato shifra që solli deputeti dhe që nuk kontestohen si shifra, por mbi të cilat, ne mund të diskutojmë dhe të kemi interpretimet tona. Një fakt është që, në fund të vitit të shkuar, kur këtu u miratua buxheti, u ngrit një piskamë e madhe e thënë figurativisht, për fundin e bujqësisë, për vendosjen e kapakut të varrit mbi bujqësinë, mirëpo fakti është që në janar dhe në shkurt të këtij viti, bujqësia jonë ka eksportuar 14% më shumë se sa në janar dhe në shkurt të vitit të kaluar. Nga del kjo shifër? Si u rrit më tutje eksporti nëse në dhjetor ne ishim këtu për të firmosur fundin e bujqësisë? Sepse në realitetin e bujqësisë sonë, ne kemi praktikisht pjesën, e cila vazhdon zgjerohet për vit, që bazohet tek ajo sinergji që thashë dhe që nuk varet nga lëmoshat, por që kërkon mbështetje të targetuar, ashtu siç bën edhe Bashkimi Europian me programin IPARD dhe ashtu siç duhet të bëjmë ne, çdo vit e më shumë me skemën kombëtare dhe pjesa tjetër, e cila dëshpërimisht mbetet në fund fare, në rrugë, duke ekspozuar prodhimet që nuk i shet dot, e nuk ka si të jetë ndryshe.
Në këtë pikë, besoj që të gjithë sëbashku duhet t’i nxisim sa më shumë fermerët, në të gjitha zonat që përfaqësojnë, pavarësisht se çfarë diskutojmë këtu, e pavarësisht se në mënyrën se si bëhet kjo që unë po them ne mund të kemi qasje të ndryshme, por ama ne nuk duhet të diskutojmë atë që është baza, që nuk ka më në bujqësi, jo sot, por prej shumë vitesh që kur zgjodhëm të ndryshojmë sistemin, mundësi që ti të mund të kalosh në një nivel tjetër të ekonomisë tënde familjare duke qëndruar vetëm. Nuk është më e mundur! Nuk ka shtet, nuk ka subvencion, nuk ka asnjë lloj skeme që ty të nxjerr nga situata e mbijetesës, nëse ti nuk futesh në sinergjitë e bashkimit me të tjerët dhe sot për fat të mirë nuk jemi në kushtet që ne predikojmë në ajër, por jemi në kushtet që kjo që po them është realitet në shumë zona të Shqipërisë, që nga zona e Shkodrës, ku po të shohim shifrat e rritjes së volumeve të eksportit të bimëve aromatike e po të shkojmë pas atyre shifrave, do të shikojmë që ka një numër gjithmonë e më të madh individësh, familjesh që janë bashkuar në rrjete të cilat janë të lidhura me grumbulluesit dhe nuk e kanë fare shqetësim ku do i shkojë në fund mundi i tyre, do shkojë në arkën e familjes apo në rrugë sepse e kanë të shitur prodhimin qysh në momentin kur kanë bërë marrëveshjen me grumbulluesin dhe mbështetja që ne i japim grumbulluesve ose më saktë, mbështetja që i kemi dhënë ngritjes së një rrjeti të tërë pikash grumbullimi që sot janë shumëfish më shumë seç ishin kur ne morëm detyrën, që numëroheshin me gishtat e dorës, nuk është mbështetje thjesht për disa individë apo disa dhjetëra apo qindra individë, por për dhjetëra e qindra të tjerë që lidhen me ta. Ne jo vetëm që nuk do të ndryshojmë kurs por përkundrazi, do vazhdojmë të rrisim nivelin e kërkesës.
Nuk mund të marrësh mbështetje, nëse ti ke dy krerë, nuk mund ta marrësh për një arsye shumë të thjeshtë, se ajo mbështetje, ty të lë po aty me dy krerë, nuk të ndihmon ty të rritesh dhe nuk të ndihmon ty të marrësh më shumë. Duke i bashkuar ato dy krerë me dy të tjerë e më dy të tjerë, dhe kur flasim për 10 krerë nuk kemi parasysh që duhet t’i ketë vetëm një person. Këtu kemi parasysh që disa persona mund të bëhen bashkë dhe duke pasur 100 krerë, krijojnë një masë kritike ku mund të ngrihet një tjetër nivel të të marrit me bujqësi, kalimin e bujqësisë në biznes të vogël dhe në biznes të madh.
Nëse sot ne kemi biznes të madh në bujqësi, nuk e kemi akoma kulturën dhe shtrirjen që ka biznesi i vogël në zonat urbane. Ndaj, do ishte mirë që të mos e bëja unë, kryetari i Partisë Socialiste këtë predikim për ju, përfaqësuesit e të djathtës shqiptare mendoj, por kjo është temë tjetër.
Duke vazhduar me pikat e tera, do thoja që është shumë e rëndësishme sot që ne të biem dakord me faktin se jemi midis një kolektivi vendesh, jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë, që prekemi nga një luftë që ka nisur në Europë nga një agresion ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe çdo dalje këtu dhe çdo dalje në ekrane për të mohuar këtë, nuk i bën nder askujt, për të thënë më të paktën dhe çdo përpjekje për të luftuar apo për të vazhduar luftën e vogël të katundit këtu dhe për të shpjeguar pasojat e luftës në çmime si pasoja që nuk kanë lidhje fare me luftën, është realisht e pandershme dhe pa nder fare sepse fakti është që e gjitha bota është në të njëjtën situatë. Jo Europa, por edhe Australia që është në fund fare të botës, është në të njëjtën situatë.
Këtu dua t’i kthehem atij momentit kur dola dhe lajmërova që po hynim në një fazë kritike sa i përket nevojës për furnizim energjie elektrike, jo si rezultat i një çështjeje të brendshme, por si rezultat i një krize shumë më të madhe se ne. Dolët edhe të gjitha i thatë, por të vetmen gjë që duhej thënë, nuk e thatë, që kjo ishte e vërtetë dhe nuk ishte një fantazi apo një sajesë, por ishte një fakt. Kriza energjetike filloi përpara se të fillonte lufta, ku askujt nuk i shkonte ndërmend që më pas vinte lufta, por kur ishte shumë e qartë që kriza energjetike sponsorizohej nga faktori që sot solli luftën. Tani është e pamundur t’u fshihesh fakteve sepse tani jemi në kushtet kur nuk flitet më për çmime. Jo më larg se mbrëmë, ministri i Ekonomisë gjermane lajmëroi që qeveria do paraqesë së shpejti planin e kufizimit të furnizimit me gaz të Gjermanisë, të familjeve gjermane, të industrisë gjermane. Gjermania po përgatit planin për të filluar ndërprerjet e furnizimit me gaz nëpër familje, që do të thotë që jemi në kushtet ku kriza ka arritur të prekë dhe të krijojë një rupturë të paimagjinueshme brenda shtetit më të fuqishëm të Europës. Kjo ka lidhje me këtë paketë për faktin se ne, në momentin kur e lajmëruam atë që po vinte dhe thamë se do marrim masat përkatëse, por njëkohësisht u zotuam që nuk do rrisim çmimin e energjisë, as që e imagjinonim që çështja do komplikohej shumë më tepër për shkak të luftës.
Ja ku jemi sot ku kriza energjetike dhe kriza për furnizimin me energjinë elektrike është në një kulm të cilin bota e konsideron të ngjashëm me krizën e vitit 1974. Në 1974 ne nuk e dimë se çfarë ndodhte nëpër botë sepse edhe ata që ishin në një moshë të pjekur, që janë këtu sot, ishin në krye të celulave të Partisë së Punës. Ne nuk e dimë çfarë ndodhi atëherë, por duke lexuar sot se çfarë ndodhi, është realisht e frikshme të mendosh nëse jemi në kushtet e përsëritjes së asaj që ka ndodhur; faktikisht mungesë furnizimi me naftë, mungesë furnizimi me gaz, mungesë furnizimi me energji elektrike, mungesë furnizimi me ushqime. Kjo ka ndodhur!
Në këtë paketë, ne i qëndrojmë, edhe sot që flasim, asaj që kemi vendosur të bëjmë, që nuk do ta rrisim çmimin e energjisë elektrike për asnjë familje shqiptare. Në ndërkohë, Ministria e Energjisë po bën një studim për familjet e pasura, jo për të rikthyer ato fashat e tmerrshme që na çuan në katastrofë totale dhe na lanë në buzë të humnerës në vitin 2013, por për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë në faturën e energjisë.
Në ndërkohë, asnjë familje nuk do ketë rritje në faturën e energjisë, ku ne do vazhdojmë të paguajmë diferencën, e cila sipas javëve dhe muajve, janë nga dyfish e mund të shkojë deri në tre apo katërfish.
Aspekti tjetër i Paketës është mbështetja e atyre që kanë më shumë nevojë. Mbështetja e drejtpërdrejtë, në këndvështrimin tonë, njësoj si familjet është dhe gjithë komuniteti i biznesit të vogël. Një komunitet që duhet mbrojtur me çdo kusht nga rritja e çmimit të energjisë sepse mesatarja e ulët e rritjes së mundshme të faturës së energjisë në një biznes të vogël është 350-400 mijë lekë të vjetra. Që do të thotë një vend pune në atë biznes ikën. Që do të thotë 95 mijë të papunë të nesërmen. Ne këtë nuk do ta lejojmë. Ashtu sikundër është e pandershme në të bërit avokati të heqjes së cilësdo qoftë takse të naftës. E kam thënë dhe e përsëris, deri kur të jetë këtu kjo qeveri, ato taksa nuk lëvizin. Nuk lëvizin as me fakte alternative të fabrikuara për luftë politike, nuk lëvizin as me shpifje e akuza e çfarëdo qoftë, as me protesta e as me asgjë tjetër. Sepse ajo që ka rëndësi për ne është që të mos lëvizi çmimi i energjisë, deri kur do mundemi ta mbajmë. Kur nuk do të mundemi, do të vijmë prapë të themi deri këtu mundemi, por deri kur do mundemi ta mbajmë mos lëvizim dhe ajo që është më e rëndësishme për ne, nuk është që të lehtësojmë ata që kanë më shumë në këtë moment. Ata që kanë më shumë në këtë moment, duhet të mbajnë më shumë barë, por të lehtësohen ata që kanë më pak. Në radhë të parë pensionistët e të gjithë shtresat në nevojë, familjet me ndihmë ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, që nuk kanë tipikisht fuoristrada dhe as vetura e te të cilët nuk mund të çojmë një faturë energjie të rritur, të cilët nuk mund t’i lëmë sot vetëm me pensionin që marrin dhe për këtë arsye kemi vendosur që 3 muaj me radhë t’i japim një bonus të veçantë, i cili është kalkuluar bazuar në mesataren e rritjes së çmimeve të shportës, të çmimeve bazë nga INSTAT.
Më lejoni t’ju jap një tjetër fakt. Një llogari të thjeshtë me këtë bonus, me indeksimin e menjëhershëm që ne i bëjmë pensioneve përmes këtij akti dhe me bonusin e fundvitit që është i miratuar dhe nuk lëviz, pensionet rriten plus 11.2% de fakto. Par 11.2% më shumë shkon te pensionistët në këtë fazë. Ashtu sikundër shumë njerëz shkojnë sot në punë, shumë gra që shkojnë sot në punë, në fabrika, në aktivitete prodhuese nuk shkojnë me vetura, shkojnë me autobus. Dhe shumë shqiptarë që lëvizin nga njëri qytet në tjetrin, nuk lëvizin me vetura, lëvizin me autobus. Ne nuk mundet që tu faturojmë këtyre asgjë nga barra e krizës, por duhet të bëjmë këtë që po bëjmë sot. Të paguajmë për ta në mënyrë që sistemi i transportit të vazhdojë të funksionojë e mos falimentojë sepse kriza është reale nuk është fantazi, po ama në biletën e tyre të mos ketë asnjë rritje çmimi.
Tjetra që është pjesë përsëri këtu, është afrimi në kohë i një vendimi që ne kemi marrë në fund të vitit këtu e kemi miratuar me paketën fiskale, i zgjerimit të taksës së fitimin mbi pagën deri në 400 mijë lekë dhe i përgjysmimit të saj për pagesën deri në 500 mijë lekë të vjetra gjithmonë, ku shtoj këtu diçka, fakt jo për diskutim si fakt; Me korigjimin e pagave, vetëm si rezultat i punës së bërë nga administrata tatimore dhe nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë në udhëheqje të këtij procesi duke kërkuar nxjerrjen mbi ujë të asaj pjese të pagës që rëndom jepet nën dorë, kemi një rritje të pagës së deklaruar sot në 91 mijë lekë të vjetra, mesatare.
Një rritje të pagës mesatare në Shqipëri, sot të deklaruar që përsëri nuk është pasqyrë e pagës reale. Paga reale është me e lartë sesa ajo e deklaruar ende sot që flasim dhe jemi shumë të vetëdijshëm për këtë, nuk ka asnjë diskutim sepse nuk bashkohen dot pagat e deklaruara me sasinë e konsumit nëse pagat e deklaruara janë ato që deklarohen. Nuk bashkohen, nuk bëjnë sens.
Dhe kjo është një tjetër shtysë për formalizim, por edhe për të lënë më shumë lekë në xhepin e atyre që fitojnë më pak, ashtu sikundër nuk do të lëvizim asnjë presje nga vendimi për të rritur pagat e mësuesve, për të rritur pagat e mjekëve, për të rritur në mënyrë shumë të konsiderueshme pagat e ushtarakëve, vendime të marra që do të zbatohen siç janë marrë.
Pika tjetër është garancia sovrane për importuesit, e cila është shumë e rëndësishme të thuhet si pjesë e paketës së rezistencës sociale për t’ju garantuar importuesve të grurit, të ushqimeve bazë, të vajit e me radhë, likuiditete në funksion të krijimit të rezervave ende më të mëdha sesa ato që ata kanë krijuar për çfarëdo qoftë që vjen përpara. Kjo është një masë e mirëpritur prej tyre dhe ka garanci sovrane ka dhe garancinë e qeverisë që çdo ton, që ata do të fusin në rezervë për këtë shkak dhe që në të ardhmen do të jetë stok, ne do ta marrim dhe ata nuk do të kenë barrë financiare në këtë.
Kështu, kemi dhënë mundësinë e një likuiditeti të madh që ata të porosisin intensivisht në kushtet kur janë ngushtuar rrugët. Paga minimale rritet dhe do vazhdojë të rritet çdo vit për të arritur atë që jemi zotuar që në fund të mandatit do të kemi një pagë minimale 380 mijë-400 mijë lekë. Objektivi është 400, por sidoqoftë për të qenë shumë serioz dhe për të mos bërë asnjë premtim që në fund rezulton i pambajtur, objektivi minimal është 380 mijë siç e kemi thënë dhe publikisht më parë.
Këto janë pikat e paketës!
Në mbyllje, dua të shtoj vetëm një fakt. Dy vendet që janë sot të përfshira në atë luftë, Rusia për shkak të vendimmarrjes për tu përshirë dhe Ukraina si viktimë e asaj vendimmarrjeje, janë burimet më të rëndësishme për Europën dhe për botën në furnizimin me shumë prej lëndëve bazë.
Flasim për vajin. Sot në Republikën Federale të Gjermanisë nuk shkon dot në supermarket dhe të blesh sa të duash vaj. Nuk shkon dot, nuk të japin. “Dua të blej 20 shishe”, shkoni blijeni dhe ma tregoni. Është fakt dhe kjo po shtrihet kudo. Pse? Për shkak se është problem furnizimi, është problem rezervash dhe kur Ukraina furnizon me vaj më shumë se 40% të konsumit të Europës, si mund të diskutohet kjo? Ajo që shtrohet sot nuk është çfarë furnizohet sot. Ajo që shtrohet sot është që mbjelljet për prodhimet e reja të vajit bëhen tani në mars, nuk bëhen si gruri më vonë.
Kështu që, këto janë fakte që duhet t’i dimë për të kuptuar që kështu siç ecim deri tani nuk ka asnjë arsye për tu ndjerë veç të tjerëve për asnjë gjë, as për mirë as për keq. Dhe atyre që ma thonë shumë, se ma thonë shumë, se dëgjova dhe një zë që erdhi, “dhe një zë më vjen nga lumi, më buçet, më zgjon nga gjumi”, për futjen e pasigurisë apo panikut. Shpresa nuk ngrihet mbi iluzione, betejat nuk bëhen mbi iluzione, përballja me krizat nuk mund të ketë kurrë sukses me iluzione. Me iluzione ngrihen piramida, me iluzione bëhet Vehbiu Guvernator i financave të Shqipërisë, por nuk bëhen beteja, aq më pak luftëra dhe që të fitohen beteja dhe të fitohen luftëra, duhet në radhë të parë të dihet e vërteta. Çfarë po ndodh dhe si mund t’ia dalim?
Patjetër që në këtë situatë ku kemi të bëjmë me një luftë që as nuk e ka imagjinuar, as nuk e ka nxitur, as nuk e ka vendosur qeveria e Republikës së Shqipërisë apo shumica qeverisëse këtu, e as nuk mund ta ndalojë dot qeveria e Republikës së Shqipërisë, është mirë që të biem dakord të gjithë sëbashku për faktet. Pastaj të diskutojmë ditë-natë për si t’ja dalim, por ama faktet të mos i vëmë në diskutim.
Nuk dua të hyj më thellë tani se po më vjen tundimi t’i hyj pak më thellë duke ju parë juve këtu përballë, por nuk do ta bëj këtë për të dhënë shembullin që sot kemi një gjë shumë më të madhe për tu marrë, sesa të tjerat që pastaj që secili i ka mbi vete sipas pozicionit që ka, këtej, andej, kështu, ashtu, nuk është kjo pjesë e problemit të shqiptarëve sot.