Meqë zonja Tabaku foli për ujin e Tiranës që askush nuk e pi nga çezma sepse mund të helmohet, e meqë si dëshmitar i zonjës Tabaku e ndjej për detyrë sot me tu kthyer në shtëpi do pi ujë nga çezma dhe jam i gatshëm nëse zonja Tabaku do më presë në shtëpinë e saj të shkoj të pi dhe aty një gotë ujë nga çezma dhe do ta bëj video. Natyrisht do ta bëj video dhe do ta hedh, jo në Twitter, por do ta hedh në TikTok.
Por ndërkohë këtu nuk desha të flas për këtë që u diskutuan sepse nuk ia vlen fare të hyjmë në këto lloj debatesh se kush ishit ju e kush jemi ne, por dua të flas për diçka që besoj se është e rëndësishme për Parlamentin dhe është shumë afër, që është zgjedhja e Presidentit të Republikës.
Dua ta filloj me, “kur ishte gjallë Saliu”. Kur Saliu ishte gjallë, më kujtohet që u zhvillua këtu në Kuvend një proces, në fakt dy, por unë këtu kam parasysh të parin, procesi që në fund çoi në zgjedhjen e njëanshme të Bamir Topit dhe duke dëgjuar se çfarë thoni ju që kur ishit atëherë i keni bërë gjërat shumë mirë, por ky popull nuk ju kuptoi dhe prandaj ju nxori me shkelma nga zyrat dhe as nuk e konsideron më prej kohësh që t’ju rifusë prapë në zyrat e shtetit, – unë desha ta risjell këtu atë histori sepse ka qenë një ngjarje ku vlen plotësisht ajo shprehja “Jeta imiton artin”. Kemi qenë aty si drejtues të partive politike parlamentare dhe realisht, të paktën me sa mua më lejon kultura ime e kufizuar, asnjë shfaqje teatri absurd nuk do të mund të linte mbrapa atë shfaqje që ne i dhamë njëri-tjetrit duke marrë nëpër gojë njerëz, duke kërkuar Presidentin përmes një shkëmbimi emrash që hidheshin e priteshin në tryezë dhe për të mos bërë emra dhe të për të mos u zgjatur, – ja erdhi dhe një tjetër se ka qenë atje, Fatmir Mediu prezent dhe besoj është një dëshmitar që në këtë rast mund ta konfirmojë këtë që them, – arriti puna që një kandidat për president e kërkuam në Golem.
I doli emri atje dhe dikush tha: “ai ka ikur në Greqi”. Pastaj u mor në telefon Fatos Behja, i cili e njihte këtë kandidatin dhe Fatos Behja tha: “Po në Greqi është, por ka dhe një shtëpi në Golem”. U nis një makinë për Golem për të gjetur presidentin dhe për t’i thënë nëse ishte i gatshëm ta merrte detyrën. Nuk po ia sjell emrin këtu. Kur ai nuk u gjet në Golem, ndjesë pastë Saliu tha, “Epo Fatosi na çorienton sepse është vetë një kandidat latent”.
Ky ka qenë një nga shumë episodet e asaj shfaqjeje që kulmoi me propozimin e Nard Ndokës për të bërë Ismail Kadarenë president dhe iu ngarkua Nard Ndokës të komunikojë me Ismail Kadarenë, por Ismail nuk i hapi telefonin.
Në fund fare, gjithë shfaqja u prish pasi doli një president konsensual që nuk e njihte asnjëri, e njihte Fatmiri, si ish Ministër në atë kohë, një ushtarak, u ra dakord për ushtarakun dhe u ra dakord të riktheheshim në sallën e shfaqjes mbasi të shkonim të komunikonim me partitë përkatëse dhe pas komunikimit me partitë përkatëse, kishte rënë dhe ushtaraku rrugës sepse i gjori Sali, se për i gjorë është bërë se nuk gjallë, e kuptoni vetë, kërkoi kokën e Dhori Sollakut dhe e kërkoi kështu siç po ju them “Dua kokën e Dhori Sollakut, pastaj mund të vazhdojmë diskutimet”. Sigurisht që ne nuk kishim një kokë për t’ia dhënë dhe këtu mbaroi. Pastaj u zhvillua një tjetër raund, ku doli toger Bujar Nishani si president. Aty ishte më e thjesht sepse Partia Demokratike i kishte votat.
(Tani ju keni hyrë në një luftë që ulni gradat. Ti thua kapter, unë them toger. Nuk e di ndryshimin mes të dyjave, kemi një gjeneral këtu që mund të na e shpjegojë, por jo deri në kapter gjithsesi. Kështu që, vetëpërmbahuni me këtë çgradim që po i bëni njëri-tjetrit sepse në fakt, po shkoni drejt të vërtetës, por ne jua kishim thënë me kohë).
Gjithsesi, toger Bujar Nishani doli thjesht nga ai proces dhe ju e dini, si pasojë e një aksidenti rrugor, se ishte vërtetë aksident rrugor, se erdhi një president tjetër deri këtu dhe pastaj doli nga këtu e nuk ishte më president sepse i kishte dalë një hije në radiografi. Procese qesharake!
Procesi më normal, por që prodhoi presidentin më anormal ishte procesi që u zhvillua kur ju mungonit këtu, sepse ishit në atë periudhën e revolucionit permanent dhe ne menduam edhe për ju me thënë të drejtën e juve nuk iu doli keq, madje ju doli shumë mirë. Asnjë opozite në botë nuk i ka dalë aq mirë sa iu doli ju dhe asnjë shumicë qeverisëse në botë nuk i ka bërë opozitës një dhuratë aq bujare sa ne iu bëmë juve, duke ju zgjedhur Ilir Metën president dhe besoj se këtu jemi dakord. Një president që edhe në ëndrrën tuaj më të harbuar nuk do e kishit parë dot aq të harbuar. Megjithatë, e gjitha kjo është histori.
Sot, ne jemi përpara një procesi tjetër dhe me gjithë vështirësinë shumë të madhe që na është krijuar për shkak të situatës suaj, gjithsesi ne kemi ngritur një përfaqësi të përbërë nga Kryetari i grupit tonë parlamentar, nga Sekretari ynë i Përgjithshëm, nga Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin për të komunikuar me të gjithë pjesët e këtij Kuvendi dhe kur themi me të gjitha pjesët, në radhë të parë kemi parasysh grupet parlamentare natyrisht, se ka dhe pjesë që nuk kanë as grup parlamentar, por kanë kandidat dhe ata, por ata e kanë humbur të drejtën për të zgjedhur Presidentin se e provuam njëherë me ta dhe e pamë ca presidenti del kur është i zgjedhur prej tyre.
Kështu që, do ta bëjmë këtë përpjekje, jo se jemi të detyruar nga ndonjë pamundësi, por sepse këta jemi ne dhe për hir të vërtetës, kjo është ADN-ja e Partisë Socialiste, që në krye të herës.
Po të shikosh të gjithë historinë e marrëdhënieve politikë ndërpartiake të këtyre 30 viteve, do të shohësh pa shumë mundim se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë partia që ka lëshuar më shumë, që është përpjekur më shumë të gjejë dakordësi, që asnjëherë nuk e ka konsideruar të pasurin e forcës së pushtetit për të nëpërkëmbur deri në fund kundërshtarin dhe këtu kam parasysh faktet, kam parasysh aktet, kam parasysh ndërveprimet reale, konkrete, nuk kam parasysh retorikën e foltores këtu.
E përsëri ne do ta bëjmë këtë përpjekje sepse e kemi detyrim ndaj vetes në radhë të parë. E kemi detyrim ndaj njerëzve që na kanë zgjedhur, por dhe të atyre që nuk na kanë zgjedhur. E kemi detyrim ndaj vendit, që t’i japim mundësisht një president i cili nuk duhet të jetë njëri nga ne që jemi këtu, nga ju jo e jo kuptohet, por as nga ne që jemi këtu dhe patjetër kemi dhe një detyrim që sidoqoftë pavarësisht se në këtë derexhe ku jeni katandisur, jeni katandisur dhe do shkoni më keq, se ju e keni parë që mua me dalin fjalët, do shkoni më keq, por prisni, më keq do shkoni. Kjo është çështja juaj, nuk është e jona. Ju gjithsesi këtu jeni deputetë të gjithë, jeni të gjithë të zgjedhur, jeni të gjithë shprehje e një vullneti. Natyrisht, ata që ju zgjodhën nuk e dinin që do ua punonit kështu, kuptohet, se po ta dinin mund të kishin bërë një zgjedhje tjetër. Gjithsesi ju jeni këtu dhe jeni një fakt, jeni një realitet, kështu që ne do ta bëjmë këtë përpjekje, por ndërkohë do ishte mirë që dy gjëra të jenë shumë të qarta.
E para, me Saliun ne nuk kemi punë. Saliu për ne është i vdekur! Kuptohet politikisht dhe institucionalisht, jo biologjikisht. Biologjikisht, sinqerisht ne i urojmë jetë të gjatë. Kështu që, me të vdekurin që e keni në mes të shtëpisë, që s’dini çfarë t’i bëni, ne mos na ngatërroni. Kjo është e para.
Ne nuk e zgjedhim se kush e drejton grupin tuaj parlamentar, kush e drejton Partinë Demokratike, nëse ju do të bëni zgjedhjen që të drejtoheni nga një i vdekur ne më PD do të ndërpresim çdo marrëdhënie. Çdo marrëdhënie! E rëndë, e lehtë, këtë e gjykoni ju. Për ju nuk ka gjë të rënde më, sepse ju e keni kaluar ylberin. Ju sot jeni përtej ylberit, kështu që gjëra të rënda për ju s’ka. Kur një grup njerëzish bindin veten se një i vdekur është i gjallë dhe dalin për të bindur popullin që i vdekuri që i udhëheq është gjallë, ata janë vetëm për t’i mëshiruar dhe çdo gjë që mund të bëjnë që ka një kuptim duhet përgëzuar, duhet përshëndetur, duhet mbështetur, sepse janë momente lidhjeje me realitetin që ana njerëzore të detyron t’i konsiderosh me respekt. Kështu që e rënde, e lehtë kjo s’ka rëndësi fare. Nëse ju do të keni Saliun në krye, është zgjedhja juaj. Unë nuk po merrem me të, unë po merrem me ju sepse ju jeni këtu dhe duke qenë se ju jeni këtu, ne me ju komunikojmë, ne me ju nder veprojmë, dhe këtë proces për të cilin po flasim, ne për këtë po flasim, se si këtë proces ta bëjmë duke u konsultuar dhe me ju, por duke qenë se një pjese e juaja këtu dhe me çfarë po shoh po shtoheni përditë dhe mbase një ditë të gjithë do jenë dakord që ai është gjallë, mendojnë se është gjalle, thjeshtë për ta ditur, kjo nuk ka asnjë rëndësi për ju, s’ka problem. S’ka problem, është çështje e juaja ekskluzive, por për sa na takon, përderisa po flasim për një proces konsultimesh, është shumë mirë që gjërat të thuhen hapur dhe drejtpërdrejtë.
E dyta, mos i qani hallin as zarfeve, as sekreteve, as mënyrës sesi funksionon Partia Socialiste sepse procesi që ne kemi ndërtuar është një proces, e para për të marrë maksimumin e propozimeve, gjë që besoj nga eksperienca edhe ju mund ta konfirmoni kur bëhet në një sallë edhe flasin të gjithë nuk e merr dot maksimumin.
E dyta, që është më e rëndësishme se e para, për të mos marrë nëpër gojë njerëz, për të mos e bërë një seri tjetër të telenovelës për të cilën ju tregova një prej serive, ku merreshin njerëz nëpër gojë dhe ndërkohë aty të paktën ishin një rreth i mbyllur, nuk ishin shumë veta dhe këtu bëhet fjale për shumë njerëz, për të mos futur në siklet lloj-lloj njerëzish të cilët në radhë të parë secili ka të drejtë t’i propozojë. Në radhë të dytë, sigurisht që ne do ta vazhdojmë procesin, do të bëjmë konsultim tjetër të brendshëm në kryesinë e partisë dhe pastaj midis këtyre të dyjave do të duhet që të flasim me këdo qoftë që është propozuar as pa e pyetur fare, se jo të gjithë duan të bëhen president. Ka plot që mund të thonë “faleminderit shumë, por s’është kjo puna ime”.
Ju mund të vazhdoni të na i qani hallin, nuk ka asnjë problem. Ne jemi në kalë, ju vazhdoni nga poshtë kalit na qani hallin ne dhe çfarë nuk sheh njeriu nga poshtë kalit dhe çfarë nuk i bëjnë sytë, por ky proces nuk pret se është kohë e shkurtër, kështu që një konsultim i parë është bërë, duhen bërë dhe konsultimet e tjera.
Unë ju them sot ju, por publikut në radhë të parë që na ndjek, që qëllimi nuk është absolutisht që ne të bëjmë një zgjedhje unilaterale dhe të nxjerrim një President nga grupi ynë parlamentar, sepse nëse do të kishim këtë qëllim, do ta bënim. As nuk do kishim fare asnjë lloj problemi që t’ju mbushnim mendjen ju që, “shiko këtu se nuk është ky qëllimi”.
Kështu që, nuk është ky qëllimi dhe duam realisht që nëse është e mundur, t’i japim Shqipërisë një President i cili të jetë përfaqësues përtej Partisë Socialiste, i cili të garantojë disa cilësi të thjeshta, që sot për fat të keq janë bërë të domosdoshme dhe janë bërë të jashtëzakonshme po të kemi parasysh se kë kemi akoma në zyrën e Presidentit të Republikës dhe i cili në fund fare të jetë një shqiptar apo shqiptare normal.
Kjo është e gjithë ajo që ne duam! Nëse ju do të kontribuoni dhe do na ndihmoni të shkojmë drejt kësaj zgjedhje, të jeni të sigurt që po të biem dakord bashkërisht për një person që i përfaqëson këto cilësi, ne do votojmë. S’do kemi asnjë lloj kompleksi që këtë na i propozoi cilido qoftë nga ato pjesë që janë këtu dhe me të cilat ne do të komunikojmë. Nëse del nga goja e të vdekurit, nuk merret parasysh!
Nëse ju do të kontribuoni dhe do na ndihmoni të shkojmë drejt kësaj zgjedhje, të jeni të sigurt që po të biem dakord bashkërisht për një person që i përfaqëson këto cilësi, ne do votojmë. S’do kemi asnjë lloj kompleksi që këtë na e propozoi cilido qoftë nga ato pjesë që janë këtu dhe me të cilat ne do të komunikojmë. Nëse del nga goja e të vdekurit, nuk merret parasysh!
***
Replikë e Kryeministrit Edi Rama në parlament:
U dëgjua një zë nga kjo botë dhe një zë që bëri sens në diskutim, kështu që po i referohem zotit Mediu sepse është me rëndësi të vihen disa pika mbi “i” për ato që u thanë, për të patur parasysh se çfarë procesi duam.
Ndërsa me shpirtrat e vdekur, të lirë, quajeni si të doni, se shpirti i vdekur është shpirt i lirë, më i lirë se shpirti i vdekur nuk ka, nuk është fare fusha ime.
Zoti Mediu, e para faleminderit që ju e kujtuat këtu që në 2002 Presidenti u zgjodh me konsensus ndërsa unë dua ta përdor këtë për të ilustruar atë që thashë. Zgjedhja me konsensus e Presidentit ishte në radhë të parë meritë e Partisë Socialiste dhe e kryetarit të Partisë Socialiste sepse i kishin votat për të bërë ndryshe dhe nuk zgjodhën rrugën të bënin ndryshe, pavarësisht atyre që u thanë se koha dhe eksperienca na ka mësuar që çfarë nuk thuhet, por në fakt në fund vendosin numrat.
Unë nuk thashë që e propozuat ju atë ushtarakun, unë thashë askush nuk e njihte si person dhe kjo është e vërteta dhe ju duke e njohur si person ndërhytë dhe thatë “po” dhe i bëtë një karakteristikë shumë bindëse, nuk e propozuat ju, kjo është e vërtetë, por dhe ne që e propozuam nuk e njihnim, ky është absurdi që u zhvillua në atë shfaqje që siç thashë ishte tipike për atë shprehjen “jeta imiton artin”.
Ne nuk i zgjedhim kundërshtaret zoti Mediu dhe kjo nuk diskutohet, por me të vdekurit nuk bashkëpunojmë, edhe kjo nuk diskutohet! Dua ta them shumë qartë, ka të vdekur që janë gjallë të cilët i kemi yje që na udhëheqin në rrugën tonë të jetës se janë të pavdekshëm. Ka të gjallë që janë te vdekur zoti Mediu. Një pjesë e tyre janë të vetëdijshëm dhe tërhiqen në perëndimin e tyre biologjik, fiziologjik dhe kryejnë ritualin e të jetuarit me njerëzit e tyre. Ka disa të tjerë që nuk janë të vetëdijshëm që kanë vdekur, por nuk u vihet faj atyre. Përgjegjësia është e atyre që i ndjekin pas duke kujtuar se janë gjallë dhe jo vetëm kaq, por kërkojnë të bindin të tjerët që “hajdeni me ne t’i shkojmë prapa këtij të vdekurit se ky është gjalle, aq gjallë sa do të na ngjalli dhe ne të tjerëve jo si njerëz por si komunitet”.
Kështu që patjetër është e drejta juaj, është liria juaj, është shpirti juaj i lirë që mund të zgjedhë të vdekurin për ta prirë, por ne kemi të drejtë të refuzojmë çdo komunikim me të vdekurit, me të gjallët që kanë vdekur dhe që kutërbojnë në mes të skenës politike. Ju e keni këtë hall më prezent se e keni në mes të shtëpisë, s’dini çfarë të bëni, por ne e shikojmë këtë si një problem thjeshtë parimor, nuk diskutohet kjo. Ndërsa pjesa tjetër është këtu dhe patjetër që ne do bëjmë përpjekjen tone.
Tani, është e vërtetë që ndryshimet kushtetuese u bënë në vitin 2008 dhe po të kthehesha mbrapsht 10 herë, 10 herë do të bëja të njëjtën gjë pikërisht për të shmangur atë që mund të ndodhte sot, që një i vdekur të merrte peng gjithë dynjanë këtu, bashkë me disa të tjerë që e ndjekin pas se kujtojnë se është gjallë. Për të shmangur këtë dhe për të shmangur atë që ndodhi në 2007, që ishte një tjetër skandal në pikëpamje të frymës jo në pikëpamje të gërmës se gërma u respektua ne bëmë atë që bëjnë të gjitha republikat parlamentare në Itali, në Greqi, në Gjermani, modele të cilat janë baza edhe e Kushtetutës sonë dhe për këtë arsye sigurisht është ashtu siç thatë ju zoti Mediu, që në tre raundet e para kërkohet konsensus dhe unë po ju them që ne në tre raundet e para do të synojmë një President që të marrë edhe vota të opozitës, në mos të gjitha, një pjesë të tyre, në rast se kjo do ndodhë. Nga ana tjetër do t’ju lutesha shumë që të paktën për këtë proces të silleni, jo ju personalisht se ju nuk kam arsye t’ju them këtë por këtu po ju drejtohem shpirtrave të lirë, të paktën në këtë proces të sillen me respekt dhe t’i lënë fyerjet, t’i lënë sharjet, – jo unë nuk fyej absolutisht, në rast se unë flas për të gjallë që kanë vdekur, unë thjesht konstatoj një fakt që ju nuk e shikoni. Nuk është shikon, s’është problemi im, unë po të them ka vdekur! -“Jo, është gjallë”, – vazhdo, shkoi mbrapa, puna jote.
Unë e kam nga gjyshja, lëri te vdekurit të varrosin të vdekurit. Po shkove prapa të vdekurve të shkon jeta kot dhe prandaj po them respektojeni këtë proces. Nuk ka nevojë te shkoni në ekstreme dhe mos vazhdoni të bëni atë që bëni gjithmonë duke kërkuar një rezultat tjetër. Mesa konstatoj këtu dikush mungon apo jo, ai që mungon këtu për 8 vite përsëriti të njëjtën gjë me të njëjtin fjalor, ndryshon vetëm melodia zanore por fjalori është i njëjtë, sharjet janë të njëjta, përqeshjet, cinizmi, i njëjtë. Gjuha e të vdekurit që vazhdon dhe ti si shpirt i lirë, të paktën rishiko gjuhën që të mos flasësh si i vdekuri se atëherë nuk kuptohet çfarë ju ndan juve, ju ndan Amerika? Tani jeni bërë si ambasadë amerikane këtu në Tiranë ju, caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë dhe kush ka vjedhur dhe kush s’ka vjedhur, merrni dhe raportin e Departamentit të Shtetit sikur e keni nxjerrë ju. Është thjeshtë qesharake që ju flisni sikur jeni me imunitet diplomatik nga ambasada amerikane dhe vini këtu na bëni leksione. Këto leksione mund t’i bëni ju, gënjeni veten. Dakord? Që të jemi shumë të qartë. Unë e kuptoj që diku do kapeni, kapuni pas flamurit të Partisë Demokratike se flamurin amerikan ka kush e kap, e kapin amerikanët. Kapni flamurin e PD-së dhe mundohuni ta ngrini se e keni bërë si ato çarçafët e shtëpive të qejfit që nuk dihet kush i tund dhe nuk dihet kush i shkund. Prandaj kapuni pas flamurit të PD-së, mos hajde këtu të tundesh flamurin e Amerikës se flamurin e Amerikës ka kush e tund dhe mos na trego ne se nga çfarë duhet të distancohemi ne dhe si u distancuat ju, dakord? Këto mos na i trego ne, se ne e dimë shumë mirë se çfarë bëjmë dhe mos na i qani hallin ne as për marrëdhëniet me Amerikën, as për marrëdhëniet me Europën, as për marrëdhëniet me shqiptarët. Janë tre marrëdhënie në të cilat për fat të keq të këtij vendi dhe për shkakun tuaj janë ekskluzive tonat që të jemi shumë të qartë…
Na keni lënë ju ekskluzivitetin e këtyre tre marrëdhënieve, edhe me shqiptarët, edhe me Amerikën, edhe me Bashkimin Europian. Këto lojërat e brendshme këtu më flamurin amerikan, ju bëjnë vetëm qesharakë, që të jeni shumë të qartë. Sa për standardin, kur t’i vini gishtin këtu një deputeti, një deputeti që është si ai që e keni në mes të shtëpisë tani të shtrirë e nuk dini se ç’t’i bëni, atëherë flasim për standarde. Ma gjeni kush është? Cili? Ma gjeni ku është?
Bëni kujdes se jemi në demokraci. Jemi shpirtra të lirë, kur thotë njëri këtu, jemi njerëz të lirë, jemi parti të lira dhe gjykojmë njeriun drejtpërdrejtë, gjykojmë rolin e secilit dhe nuk merremi me familjen, me fisin, me farën. S’është kjo puna jonë, kështu që nuk na konkurroni dot as në këtë pikë.
Kështu që të kthehemi tek tema që ka rëndësi besoj unë, edhe një herë, nuk kemi asnjë arsye ne zoti Mediu, t’ju bëjmë juve reveranca, fare. Ju kam thënë gjithmonë, sa herë ka rënë fjala për të bërë gjëra të përbashkëta që ne jemi këtu, jemi gati, por kurrën e kurrës ju nuk na mbani dot në vend ne, nuk na mbani dot.
Ne do të vazhdojmë drejt sepse ne jemi zgjedhur të udhëheqim, nuk jemi zgjedhur as t’ju ndjekim ju, largqoftë, e as të rrimë e të presim këtu.
Doni të kontribuoni për zgjedhjen e Presidentit të Republikës? Bujrum! Nuk kemi ne arsye fare që ta bëjmë këtë që të dukemi ndryshe, ne duam të dukemi ashtu siç jemi. Pikë! Nëse do ta kishim sot bindjen për një kandidaturë që do të na bindte plotësisht, ne do ta kishim bërë publike dhe as nuk do t’ju pyesnim ju fare. Por nuk e kemi, kjo është e vërteta. Kështu që doni të jepni një kontribut? Po ju themi, e mirëpresim. S’kemi asnjë arsye, çfarë do zgjidhim me ju ne, çfarë do zgjidhim me ju?
Juve keni arritur në pikën që vini këtu e merreni me zarfet e një procesi konfidencial, siç është një proces votimi që me zarf bëhet apo jo, me ça bëhet? Procesi i votimit bëhet me zarf. Është dhe një proces propozimesh konfidenciale dhe ju merremi me këtë. Na tregoni ne hipokrizinë kur ju nxorët 5000 veta në 2000 karrige. Unë nuk e kuptoj ku e gjeni ju këtë kurajo, 5000 veta në 2000 karrige! Numëruat 5000 veta në 2000 karrige, more zotëri, si diskutoni më tani për hipokrizira e për vërtetësira?
Kush e ka këtë kurajë tjetër, përveç një shpirti të lirë që jeton në amullinë midis të gjallëve e të vdekurve?
Kush? Ja! Urdhëro! Peng! Domethënë unë jam peng. Unë jam peng e ju jeni shpirtra të lirë.
Nuk ka gjë më të rëndë se të jesh peng i gënjeshtrës tënde. Nuk ka. Gënjeshtra jote është pengmarrësi më i madh.
Nuk ka krim të organizuar, nuk ka strukturë kriminale që të merr dot peng, siç të merr gënjeshtra jote, kur ti në sytë e një populli të tërë thua: “jemi këtu 5047 veta” dhe vendos aty për të numëruar një person që edhe kallinjtë e misrit i numëronte pesëfish se ia kërkonin për rritjen e bujqësisë me dy shifra, atëherë je i mbaruar komplet, nuk ka ça diskuton fare, por ne nuk duam të hyjmë në këto. Këto janë strapallat e qerthujt tuaj të mendimit që është shumë i ndikuar tani nga një situatë që do shkojë më keq, jua kam thënë. Ku e keni atë që mungon këtu? A jua kisha thënë apo s’jua kisha thënë? Ku e keni? Sa herë ia kisha thënë dhe ia kisha thënë kur ishit të tërë bashkë. Tani po ju them prapë, mos shkoni pas të vdekurit. Doni të shkoni? Vazhdoni! Si me të vdekurin, si pa të vdekurin, ju nuk na mundni dot! Si me atë që ishte këtu, si me atë që mungon, si me atë që e zëvendëson këtu, ju nuk na mundni dot! Kjo është shumë e thjeshtë. Arsyet ua kam shpjeguar, do t’ua shpjegoj prapë sa herë të jetë nevoja sepse jeni në mohim, ju jetoni në mohim. Ju nuk shikoni realitetin e jo më të shikoni si ju shohin njerëzit ju. Kur arrini të thoni, “5000 jemi këtu prezentë, o burra përpara”, ka marrë fund! Ose më keq akoma kur i vdekuri ju udhëheq e del dhe ju thotë, “unë jam i gjallë dhe ka vdekur Amerika se ka rënë në dorën e ku di unë se kujt”, është edhe më keq se numërimi mbrapsht.
Kështu që ja u kam thënë dhe po ua them, ai që iku, po të kishte dëgjuar pak me vëmendje, jo mua, po zërin e arsyes, do ishte këtu akoma. Tani po ju them juve, mos shkoni pas të vdekurit, kaq po u them, mos e merrni lehtë. Mos u nisni nga fakti që do mundni shpirtrat e lirë se shpirtrat e lirë kanë mundur veten, kanë mbaruar.
Do shkoni pas të vdekurit? Shkoni! Kam dëgjuar se po i bashkoheni si zogjtë e korbit, një nga një, bashkohuni. Unë s’kam asnjë shqetësim për ju, po kam një shqetësim tjetër që ju asnjëherë nuk do e kuptoni dot. Shqetësimi tjetër i imi që është shumë i madh e i rëndësishëm është që ne këtu nuk jemi për partitë tona, partitë tona janë për vendin tonë dhe ju jeni pjesë e vendit tonë. Mos ia lini Shqipërisë gurin në qafë me të lyer bardhë e blu, për mua. Për të tjerat vazhdoni se ne këtu jemi. Për Presidentin bujrum, do të bëni të gjitha konsultimet e nevojshme me ne. Nëse do të jepni kandidaturë që do të jetë bindëse, ne do ta votojmë pa asnjë problem, kaq di t’u them unë. Nëse nuk do të jepni, ne do të bëjmë tonën dhe në fund patjetër do të gjedhim një president, kjo nuk diskutohet, por po jua them prapë sot, ne nuk do të zgjedhim një president nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Ne do të mundohemi të zgjedhim një president që është përfaqësues i më shumë sesa një pjese që është shumica, patjetër, por sidoqoftë do të ishte mirë të ishte përtej kësaj shumice. Nëse ju do të na ndihmoni për këtë, do të bëni një punë të mirë për vendin ndërkohë që çdo ditë bëni vetëm punë të këqija për këtë vend.