Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare

Zonja Tabaku nuk e kuptova pse e ulët befas nivelin e komunikimit, sepse minimumi besoj shifrat dhe faktet meritojnë konsensus, pastaj interpretimet janë çështje tjetër.

Këtu e mora fjalën se dëgjova një shifër nga ato që ju prodhoni, “385 milionë euro fatura arbitrazhi, 385”. Ku është kjo faturë? Nëse ju do të na e tregonit faturën faktike, jo hamendje dhe konkluzione të bazuara në hamendje, por faturën faktike, atëherë eja ta diskutojmë, por ju nuk mund t’i thoni dot parlamentit dhe publikut që “ka një faturë 385 milionë euro për abritrazhe që qeveria po e paguan”.

Qeveria pavarësisht se në mënyrë të përsëritur, ju bashkërisht, mbase dhe ju personalisht, se kam parasysh, por ju bashkërisht keni lajmëruar se po paguhet një marifetçi i madh si ai që e përdorët edhe për të çoroditur njerëzit para zgjedhjeve, unë po ju them që 0 , asnjë qindarkë nuk I është paguar as Bechetti dhe as askujt tjetër deri tani që flasim, zero. Dhe jo vetëm zero, por ndërkohë ballafaqimi vazhdon, që të jemi të qartë. Vazhdon në çdo hapësirë ku ka mundësi të zhvillohet një ballafaqim legal kështu që keqardhje për këtë, zonja Tabaku, se ju edhe lexoni shumë siç thoni vetë, edhe mbani shënime siç thoni vetë, dhe për një njeri që lexon shumë dhe mban shumë shënime, të flasë për 385 milionë euro, që faktikisht nuk ekzistojnë është pak si e sikletshme.

E kam dëgjuar që ju përsërisni me këmbëngulje që ne e taksokemi punën më shumë se kapitalin dhe se ne paskemi taksimin e punës më të lartin në rajon. E kundërta është e vërtetë dhe kjo është çështje shifrash, nuk është çështje opinionesh.

Puna në Shqipëri taksohet më pak se në të gjithë rajonin dhe shkon në maksimumin 5.5%, në maksimun ashtu sikundër Shqipëria ka padiskutim taksat më të ulëta në rajon. Ky është fakt. Nuk ka në rajon biznes të vogël me zero taksë, nuk ka në rajon biznes të vogël me zero TVSH nuk ka në rajon, taksë zero për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra në këtë rast, që të jem i saktë dhe së shpejti pas pak ditësh ne do të sjellim propozimin për ta zeruar deri në 500 mijë lekë, do të shkojmë përtej angazhimit që kemi marrë për ta përgjysmuar, s’ka në rajon nga këto. Tani nga del këtu që paskemi taksën më të lartë të punë dhe paskemi edhe taksa më të larta?

Kjo prapë mbetet për t’u vlerësuar mbi bazën e shifrave. Unë kam këtu një grafik, jo te qeverisë shqiptare i cili flet për punësimin dhe përtej të gjitha spekulimeve që mund të bëhet për papunësinë, profesionistët jo profesionistët unë di këtë, që kur ne e kemi marrë detyrën të regjistruar, në total në punë në Republikën e Shqipërisë ishin  349 mijë persona. Dhe di këtë që sot të regjistruar janë 707 mijë persona edhe 892 të tjerë mrapa, por po e lë me 707 mijë, pra nga 349 mijë në 707 mijë të punësuar, të regjistruar, nga të cilët 523 mijë janë sektor privat. Atëherë si dalin këto llogaritë që këtu paska rënë puna, këtu paska marrë të përpjetën papunësia? Nuk po flasim për shifra statistika të ngritura nga anketime, po flasim për shifra të nxjerra nga regjistra.

Po ashtu paga mesatare mujore në sektorin privat është rritur me 10.5% në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, 10.5%. ndërkohë që inflacioni mesatar i 3 muajve të parë ishte rreth 4.43.

Këto janë shifra meqë ju lexoni ose bëjeni një sakrificë dhe nxirrjani parlamentit burimet e rezervuara të shifrave që ju keni dhe ne nuk i dimë ku janë, po këto  janë fakte të institucioneve jo të miat, ashtu sikundër edhe raporti që po diskutojmë , nuk është një raport i qeverisë shqiptare dhe nuk besoj se mund të vihet në dyshim sot për herë të parë pas shumë vitesh që nuk është vënë ndonjëherë në dyshim fakti që banka e Shqipërisë prodhon raporte të pavarura nga qeveria shqiptare dhe nuk jemi ne që e themi, është banka e Shqipërisë që thotë se borxhi publik, 76.1 %. Ju thoni  është treshifror. Nuk e di pse jeni kaq e dhënë pas 3 shifrave, 430 milionë shifra e famshme, 385 shifra tjetër e arbitrazhit, dhe borxhi na doli me tre shifra. Nga dalin këto zonja Tabaku?

Ku dalin? Ose na tregoni ku dalin që edhe ne pastaj të biem dakord që kemi burim të përbashkët të dhënash ose do t’ju lutesha që gjatë leximeve tuaja të shumta t’i lexoni edhe këto të dalurat e bankës së Shqipërisë për shembull. Për të vazhduar me një tjetër shifër se ju shikoj shpesh që shkoni pranë domateve dhe zarzavateve për të bërë propagandë. Ne sigurohemi që të ketë më shumë domate në treg, ne sigurohemi qe më shumë domate në eksport dhe në këtë sasi domatesh të shtuara, ne sigurohemi që ta keni sfondin me sa më shume domate kur dilni atje sepse imagjinoni sikur ju të shkoni atje dhe të mos kishte domate fare. Do ishte një problem shumë i madh për ne. Ndërkohë që kështu juve dilni atje dhe me gjithë ato domate të bukura plot shkëlqim në sfond dukeni edhe më mirë në këtë Shqipëri që po shkon në mjerim të vazhdueshëm sipas jush.

Dhe ne na vjen mirë që ju dukeni më mirë se ç’ jeni në fakt, sepse po të mendosh se si jeni këtu nuk është as për të marrë replika, as për të bërë fjalime por për të marrë mikrofonin vetëm për ngushëllime! Po të nisemi nga si jeni, por të paktën del ndonjë si zonja Tabaku atje me domate, me mollë edhe i jep një ngjyrë kësaj punës tuaj që është një film bardhë e zi përpara të cilit “Mëngjese lufte” duket sikur është film me ngjyra i Hollivudit.

Edhe një gjë të fundit kam lidhur me përsëri raportin.

[Cilat, domatet? Domatet janë fakte patjetër. Domatet janë fakte dhe domatet janë aq shumë fakte saqë mjafton të shikosh shifrat e eksportit për të kuptuar pse nuk ngjisni fare ju me domaten. Për cilat? Tani mos të flasim, mos të hyjmë tek tema e plehrave se aty ju e keni kompetencën më të lartë edhe aty ne nuk hahemi dot me ju. Dakord? Dhe jeni dhe në një fazë që jeni zhytur në një kazan të madh plehrash, kështu që mos t’ju hyjmë në atë pjesë. Do më lini ta them dhe një gjë të fundit ju lutem, faleminderit shumë për të drejtën e fjalës.]

E fundit është zonja Tabaku, po mirë si ka mundësi që të paktën një shifër e cila është në raport këtu dhe që ka një domethënie sa shumë të tjera të kredive të këqija, ju dhe atë ta merrni dhe ta ktheni sikur është një problem. Kreditë e këqija sot 5 pikë diçka përqind në krahasim me 24% që ishin kur ne morëm detyrën. 24%, ku gjendet kjo kurajë? Ku gjendet? Unë e kuptoj forcën adrenalinike të domateve, por jo deri këtu, jo deri këtu të lutem. Ku gjendet kjo kurajë? Po patët mundësi meqë e di që do vish tani për një replikë, korrekto pak edhe atë punën e inflacionit dhe eurobondit, se edhe për mua që nuk jam shumë i lexuar edhe që vij nga një rrugë tjetër në këtë parlament, që nuk është rruga e llogarive kaq domate herë kaq çmimi, plus kaq shitësa, shto kaq fugona në fund del Shqipëria në mjerim, nuk shkon kjo që thoni ju që sapo filloi të rritej inflacioni ne dolëm morëm eurobond. Se ku lidhen këto të dyja, na i shpjegoni, por ama kini parasysh një gjë të gjithë ju që falë atij eurobondi që nuk është e vërtetë që e kemi marrë më shtrenjtë se të tjerët në rajon, falë atij eurobondi që e kemi marrë fiks në kohën e duhur, ne kemi sot mundësinë të punojmë me një skenar ku kemi kohë, i kemi dhënë vetes kohë që të mos dalim në tregun e kapitaleve në këto kushte kur tregu i kapitaleve është në një çmenduri totale për shkak të krizës që dhe ju siç thatë, nuk e mohoni. Se dhe në fakt duhet dhe një guxim shumë i madh, se kur e thoni, “unë s’kam komplekse ta them që ka një krizë ndërkombëtare”. Se çfarë kompleksesh duhet për ta bërë këtë por që këtu jemi në këto kushte. Dhe fjalia ime e fundit, po me Kievin çfarë pate zonja Tabaku. Ku hynte Kievi këtu në këtë bisedë? Ç’lidhje kishte vizita jonë në Kiev me domatet? I kemi ndarë punët. Ju tek domatet, ne të shkretët aty ku na kërkon detyra. Faleminderit zonja Tabaku! 

Previous Konferenca Kombëtare Antikorrupsion- Qeveria, sektori privat dhe individët duhet të bashkëpunojnë për të luftuar korrupsionin

Leave Your Comment