Fjala e Kryeministrit Rama në konferencën e sotme me gazetarët

Kryeministri Edi Rama: Jam këtu së bashku me Ministren për Marrëdhënien me Parlamentin, e cila do të mbulojë dhe zëdhënien e qeverisë dhe në mënyrë të përjavshme do të bëjë me ju, një takim informues pa kamera, thjesht për t’ju dhënë të gjitha informacionet e nevojshme për pyetjet që mund të keni dhe natyrisht ju jeni të lirë dhe të lira që t’i publikoni ato informacione.

Ndërkohë, donim ta bënim këtë konferencë për shtyp sepse janë disa çështje që meritojnë të adresohen dhe që janë të lidhura drejtpërdrejt me interesin e publikut besoj, duke filluar nga projekti strategjik i Portit të ri Tregtar dhe Ushtarak të Shqipërisë dhe duke vazhduar me impaktin e luftës kundër e regjimit kriminal të Teheranit në çmimin e naftës, por gjëja që vjen menjëherë si rrjedhojë është edhe çmimi i ushqimeve, kështu që këto dy tema ishin të parashikuara për t’u diskutuar për sot, por në ndërkohë, do ta nis nga vendimi i djeshëm i parlamentit, jo për vendimin në vetvete, por për jehonën tërësisht të deformuar që iu dha atij vendimi.

Ju me siguri e keni ndjekur vetë të gjithë rrjedhën e ditës, keni ndjekur besoj, edhe prononcimin tim që dua ta përsëris, lidhet drejtpërdrejtë më të vërtetën e madhe që kërkesa e Prokurorisë nuk i përmbushte as kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë, nw ndërkohë që përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo për t’i dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do të pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, apo do të pengojë aktivitetin e pavarur të drejtësisë, është një përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet, ka të gjitha ato ingredientë që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet dhe që hapat e shpejtë me të cilat ne po ecim në procesin e negociatave, të frenohen.

Nuk ka asgjë të re në këtë, por natyrisht që materiali në këtë rast është i favorshëm për të torolisur njerëzit dhe për të fryrë daullen e luftës kundër qeverisë edhe kundër kësaj shumice qeverisëse.

Dua t’i siguroj të gjithë që nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme  drejt anëtarësimit të plotë në BE, nuk ka asnjë diskutim lidhur me vullnetin tonë për të vazhduar në rrugën që ne kemi hapur në pavarësimin e drejtësisë dhe në luftën reale kundër korrupsionit, ashtu sikundër nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni sepse vetë Prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion, por jemi përballë një çështjeje për hetim, e cila mund të hetohet lirisht pa as më të voglën pengesë dhe e përsëris atë që thashë edhe përpara grupit parlamentar, unë e inkurajoj Prokurorinë që të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës “ferra e korrupsionit”.

Deri tani nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Kjo është pak, por është e sigurtë.

Nga ana tjetër është e vërtetë që ne kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje, nuk është sekret dhe sikundër besoj e dinë shumica, por bëjnë sikur s’e dinë pakica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi, është që t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy, në të njëjtën lartësi.

As unë nuk më shikon mendja të shikoj njeri nga lart-poshtë, por as nuk më shkon mendja të pranoj që të më shikojë njeri nga lart-poshtë. Është shumë e thjeshtë. Dhe dua të them që përtej mënyrës se si janë pikturuar nga karikaturat e pazarit politik dhe mediatik, diskutimet tona kanë qenë absolutisht konstruktive. Nuk ka pasur absolutisht asgjë, jo si ato qw janë thënë, por të ngjashme me ato që janë thënë, përsa i përket tensionit apo presionit, apo kërcënimit. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime dhe nga ana tjetër unë besoj që edhe vetë deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi si dhe nga përfaqësia e Komisionit Europian janë shumë të qarta, por varet se si i lexon. Duke pasur parasysh edhe sipërfaqen ku janë shkruar dhe leximin prej saj, edhe thellësinë e marrëdhënieve dhe realitetin e përditshëm të komunikimit në atë marrëdhënie, unë mund t’iu them me plot gojën që – “leximi i bërë nga ata që kanë vënë kujën se u bllokua Shqipëria dhe mbaroi ëndrra europiane, është një lexim në rastin më të mirë pervers dhe në rastin më të keq, i qëllimshëm edhe për të lënduar, këdo që në fakt dëshiron suksesin në këtë rrugë”. Është shumë e qartë që kush merret me këto deformime dhe kush i bie kësaj daulleje nuk e dëshiron suksesin e kësaj rruge, sepse fatkeqësisht e lidh suksesin e kësaj rruge me qeverinë, me mua, me ne. Kjo është përsa i përket pikës së parë.

Përsa i përket projektit të Porto Romanos, për fat të keq ka ndodhur një koincidencë e pashmangshme që në momentin e fundit kompania që ka kaluar të gjitha fazat dhe duhet të bënte ofertimin e fundit është tërhequr, duke iu referuar situatës së krizës dhe natyrisht duke qenë se oferta financiare do të ishte e lidhur me tavanin që ka vendosur studimi i bërë nga Royal Haskoning, kompania më e madhe e botës për ndërtimet e porteve, aeroporteve, infrastrukturës, etj, etj  dhe me tavanin e vendosur nga kërkesa në procedurën e hapur të organizuar nga qeveria shqiptare, nuk kemi arsye që të shikojmë mbrapa ndonjë gjë tjetër, ne vetë personalisht.

Nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion, por i gjithë procesi është zhvilluar nën presion, po jo nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç thuhet, pa asnjë argument. Se nuk ka pasur absolutisht jo presion, po s’ka pasur asnjë shqetësim të shprehur, as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as nga Bashkimi Evropian, as nga askush. Por ka pasur një presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë, natyrisht të painteresuar që ai port të jetë një histori suksesi.

Kini parasysh që nga A-ja kur disa thonë për çfarë duhet një port i ri, se ne kemi portin tonë atë kënetën në zemër të Durrësit dhe e lidhin, – e lidhnin, se tani s’e kam dëgjuar më idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve, në fakt, e vërteta është që përtej injorancës që gjithmonë faktorë në mënyrën si trajtohen çështjet këtu, pavarësisht nga rëndësia madhore që mund të kenë, qysh në krye të herës ka pasur forca të interesuara që të mos ecte përpara projekti i portit të ri.

Pse? Për një arsye që cilido që do ta kuptojë, e kupton pa ndonjë mundim. Porti ekzistues nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja strategjike dhe logjistike e Korridorit 8, nuk ka asnjë kapacitet, është në të gjitha aspektet, edhe sikur ta marrësh edhe ta zbukurosh, i papërshtatshëm për të qenë nyje logjistike e Korridorit 8. Nuk e them unë këtë, e thonë të gjitha analizat e bëra dhe këtë e thonë të gjitha proceset e ndjekura dhe këtë e thotë realiteti i thjeshtë që ai port është mes qytetit.

Një nyje logjistike, portuale në mes qytetit nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë, që këtu, pa llogaritur kapacitetet e portit ekzistues që janë krejt të papërshtatshme për të mbajtur gjithë peshën e Korridorit 8.

E dyta, porti i ri si nyje lidhëse e Korridorit 8 është një port që e çon Shqipërinë në një nivel krejt tjetër, po jo vetëm Shqipërinë, po çon shqiptarët në një nivel krejt tjetër, sepse është një nyje e lidhur edhe me një tjetër nyje strategjike, Portin e Thatë të Prishtinës dhe është i lidhur edhe me një tjetër nyje, që është Porti i Thatë i Shkupit.

Porti i Thatë i Shkupit planifikohej në projektin e parë në Strugë. Qeveria e re e ka parë të arsyeshme ta spostoje në Shkup. Dhe ky spostim mund t’i mjaftojë kujtdo që logjikon për të kuptuar që këtu kemi të bëjmë edhe me një përmbajtje të rëndësishme interesash kombëtare strategjike.

Tani, nëse ju mendoni që të gjithë mezi po presin që shqiptarët të bëhen më të fortë, mund ta mendoni. Por ju siguroj që jo në një, por në një sërë vendesh ka forca, të cilat nuk e mirëpresin këtë, dhe kjo nuk ka lidhje me armiqësira të natyrës gjeopolitike vetëm, ka lidhje edhe me këto. Kjo ka lidhje edhe me interesat tregtare të vendeve.

Nëse ju mendoni që porti i ri është një portë, që ata të cilët, i kanë lidhur interesat me rrugët e trafiqeve, mezi po e presin, – ju mendoni gabim, përkundrazi, nuk kanë asnjë arsye ta mirëpresin. Dhe ka dhe një fakt tjetër që e kam shpjeguar edhe më parë, vetë Korridori 8 sot, është pjesë e rrjetit europian të transportit. Jo se e themi ne, se ne mund të themi, dhe unë e them që edhe korridori Durrës-Prishtinë është pjesë e rrjetit europian të transportit, por nuk është në hartën e rrjetit europian të transportit që gjendet në zyrat e Komisionit Europian në Bruksel, që do të thotë që statusi i një korridori të rrjetit evropian të transportit është tjetër nga statusi i një korridori që mund të jetë mes të Europës, por nuk është në atë rrjet, duke filluar që nga financimi, korridoret që nuk janë në atë hartë, nuk financohen.

Mund t’i ndërtosh vetë, siç ne do të ndërtojmë vetë, së bashku me qeverinë e Kosovës, hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe kemi folur me kryeministrin në Prishtinë herën e fundit për dy mundësi financimi, të cilat do t’i eksplorojmë së bashku, por ama s’ka asnjë shans që ne të kemi akses në fondet europiane për aksin Durrës-Prishtinë, sepse nuk është.

Tani ky Korridori 8, me të cilin disa bëjnë lodra fjalësh dhe nuk kuptojnë fare se për ça flasin, ndërkohë që disa të tjerë, as nuk duan t’ia dinë fare, sepse e dinë se për ça bëhet fjalë, është futur në Rrjetin Europian Transportit, këtu në Tiranë, në Samitin e BE me Ballkanin Perëndimor, mbasi unë dhe qeveria ime kemi luftuar jo pak vite për të hequr bllokimin që i ishte bërë. Ishte i bllokuar. Pse vendet e BE e kishin bllokuar Korridorin e VIII?

Sipas logjikes së injorantëve që bërtasin në rrugët e pazarit mediatik këto janë muhabete rrugësh. Jo këto nuk janë muhabete rrugësh. Këto janë çështje zhvillimi ekonomik, këto janë çështje sigurie, janë çështje kapacitetesh konkurruese në një hapësire ekonomik dhe tregtare që është shumë e vështirë.

Ne vijmë nga një varfëri ekstreme dhe duam të bëhemi pjesë e një shtëpie që praktikisht zotëron një pasuri shumë të madhe.

Mbas futjes së korridorit VIII në rrjetin europian të transporteve, korridori i VIII  u fut edhe në rrjetin e lëvizjes së sigurt të NATO-s dhe projekti ynë i portit të kombinuar tregtar dhe ushtarak është në tryezën e NATO-s dhe ka kaluar të gjitha nivelet teknike të NATO-s si një domosdoshmëri.

Tani si mendoni ju, a mund të bënim ne një bazë ushtarake ku që të shfrytëzohej nga NATO aty në pellgun e portit të Durrësit, në aktualin? Nuk mund ta bëjmë. Mund të ishte porti aktual nyja për të cilën po flasim? Nuk mund të ishte.

Pikërisht për seriozitetin e madh që ka ky projekt ne u angazhuam në një qasje tërësisht tjetër duke marr kompaninë më të madhe në botë, reputacionin e së cilës patjetër mund ta bëjnë copë tenxheret tona, por nuk e vë në diskutim askush. Kompania Royal Haskoning ka përgatitur të gjithë termat e referencës dhe ka supervizuar të gjithë  garën. Gara është organizuar dy herë dhe në të dyja herët ka patur interes shumë të madh. Çështja ka qenë, herën e parë që kriteret kanë qenë shumë të forta dhe kriteret e forta nuk duan të thonë që s’ka kompani që nuk i plotësojnë, por duan të thonë që nëse nuk i përgatite të gjitha gjërat në kohë dhe si duhen për atë garë nuk kualifikohesh dot. Herën e parë gara është anuluar, këtë herë ndodh kjo koincidencë fatkeqe. E përsëris kompania ka shkruar tërheqjen e saj me argumentin e krizës dhe çmimeve gjë që praktikisht nëse gjerat nuk kthehen në normalitet e bën shumë të vështirë marrjen përsipër të atij porti me ato çmime që janë vendosur aty, me atë financim që është vendosur.

Nuk e kemi fare informacionin që ka patur ndonjë komponent tjetër që ka ndikuar në tërheqjen e kompanisë. Unë dua ta shfrytëzoj këtë moment, të jap një mesazh të gjithë tyre që e kanë penguar portin dhe që fërkojnë duart se mendojnë që ia dolën. E kanë shumë gabim sepse thjesht kanë hapur një rrugë tjetër. Një rrugë tjetër që nuk mund ta bllokojnë më dhe nuk do ta ndalin dot më. Në të njëjtën periudhë kohe të parashikuar ne do të bëjmë hapin që kemi qenë në pamundësi për ta bërë deri tani. Kaq për këtë. Nuk them më shumë se ne ndërkohë jemi dukem përgatitur hapin tjetër. Në momentin që do jemi gati për ta hedhur natyrisht do ta bëjmë publike.

Është e sigurt që të gjithë ata që kanë menduar se do ta nënshtrojnë qeverinë e Republikës së Shqipërisë, qofshin forca të brendshme e qofshin forca të jashtme do mbeten me gishtin që do të dëshirojnë ta zgjedhin vetë, në gojë.

Pika tjetër ka të bëjë me krizën. Javës që vjen Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet në votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën e Khomeiniste të Iranit, – unë me gojë nuk e them dot islamike, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me islamin sipas asaj që unë di dhe çmoj te islami, – shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë do të shpallet organizatë terroriste garda republikane e Iranit dhe Hezbollahu. Që të dyja. Kjo është e vërteta. Në këto hapa nuk jemi pionierët sepse ka patur më parë edhe partnerë, aletë, miq që i kanë hedhur, por është koha që ta bëjmë dhe ne këtë gjë.

Nga ana tjetër është që kriza po shfaqet në të gjithë botën. Po shfaqet dhe këtu si rezultat i rritjes së çmimit të naftës. Unë e kam shprehur qysh kur kemi bërë mbledhjen e parë të asamblesë të shumicës qeverisëse pas zgjedhjeve që një nga objektivat tona është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës, një faktori shtetëror, një force publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore.

Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë në Europë, sot ka aeroportin më të suksesshëm të Ballkanit. Me një diferencë mbresëlënëse nga aeroporti historik i kryeqytetit të rajonit ku ne ishim jashtë harte fare, Beogradi. Sot nuk është me Beogradi kryeqyteti i aviacionit, është Tirana. Kjo është arritje e kësaj qeverie, me gjithë keqardhjen për të gjithë ata që na duan të vdekur. Po sa më shumë të vdekur na duan, aq më shumë ne gjallërohemi.

Ne do ta krijojmë faktorin publik, forcën e shtetit do ta fusim dhe në tregun e naftës. Shumë shpejt do të japim shembullin sesi dhe në tregun e naftës gjërat do të ndryshojnë.

Ndërkohë që duke vënë në dispozicion kapacitetin e shtetit dhe garancinë e shtetit do të bëhet shumë më e lehtë se sa e kanë sot lojtarët që janë në treg për të patur marrëveshje me kompanitë që e shpërndajnë naftën të cilat do të kenë qëndrueshmëri afatgjatë.

Sot ne kemi dhe në proces ligjin e rezervave. Më kujtohet që kur unë kam folur për rezervat e naftës në vigjilje të kësaj iniciative, përpara vitit 2020, u ‘’hodhën shumë tenxhere përpjetë’’ sepse u quajt një përpjekje për nuk e di, se çfarë poshtërsie por sot kjo është imperative. Ne në ligjin që është për konsultim publik, mos gabohem, e kemi përcaktuar që rezerva duhet të shkojë në 3 muaj, por ndërkohë kjo nuk mjafton më tani. Nuk mjafton më si masë sigurie, se mund të jetë thjesht një masë e mjaftueshme për momente të tilla, por ne na duhet të shkojmë përtej sigurisë. Ne duhet të shkojmë tek ajo që qytetarët ndjejnë dhe tek ajo që qytetarët meritojnë të kenë; një treg nafte i cili të jetë më i përballueshëm se tregu i sotëm. Shumë thjeshtë. Këto ishin pikat që unë doja të ndaja me ju.