Të nderuar zoti Kryeministër, kolegë ministra, të nderuar rektorë, zoti ambassador, të nderuar profesorë, të dashur student,
Prej vitit të themelimit në vitin 1951 ky universitet ka prodhuar breza profesionistësh pa të cilët bujqësia shqiptare nuk mund të ishte kjo që është sot e zhvilluar dhe produktive. Agronomë, zooteknikë, inxhinierë pyjesh, ekonomistë-agrar kanë shërbyer në politikëbërje dhe pranë bujqëve dhe blegtorëve në çdo cep të Shqipërisë.
Sot ne krenohemi me një brez të tërë profesionistësh, të cilët kontribuojnë në mënyrë domethënëse në Shqipëri, por jo vetëm. Personalisht kam nderin që një pjesë të tyre t’i kem pjesë të Këshillit të të Urtëve dhe i falenderoj për të gjithë kontributin e tyre.
Sfidat e zhvillimit ekonomik bujqësor sot me shumë se kurrë kërkojnë një transformim të mënyrës se si qasim zgjidhjet.
Bujqësia në Shqipëri dhe në mbarë botën po përballet gjithmonë e më shumë me nevojën për një përgjigje akademike dhe profesionale ne shumë dimensione.
Kjo, si në aspektin e reagimit të shpejtë të adaptimit të inovacionit dhe shkencës, por dhe tek gërshetimi i këtyre të fundit me politikbërjen, për të mundësuar marrjen e masave konkrete në kohe e për ti ardhur në ndihmë zhvillimit ekonomik të vendit.
Në këtë proces, rritja e njohurisë për brezat e rinj përmes një arsimi cilësor, mbështetur në eksperiencat më të mira botërore është një hap shumë i rëndësishëm.
Prej vitit 2021, me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministria e Bujqësisë dhe Ministra e Arsimit kanë punuar shumë afër dhe me shumë përkushtim për t’ja arritur ditës së sotme. Marrëveshje prej të cilës përfitojnë rreth 6 mijë studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Këta studentë e të tjerë që do i bashkohen këtij universiteti, do të shohin dhe përjetojnë një transformim rrënjësor të gjithë strukturës së mësimdhënies dhe mësimnxënies nën modelin e suksesshëm të BOKU, një prej universiteteve lider në fushën e shkencave natyrore.
Kur një muaj më parë në Vjenë, bashkë me Ogertën dhe kolegët austriakë, ministrat Martin Polaschek dhe Norbert Totschnig, firmosëm marrëveshjen ndërqeveritare për Mbështetjen e Projektit të Bashkëpunimit BOKU-UBT, vendosëm një gur të rëndësishëm themeli jo vetëm në transformimin e UBT-së, por edhe të bujqësisë shqiptare në vijim. Kjo iniciativë është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të rinjtë shqiptarë, për ata që sot ende nuk i janë bashkuar rrugës së dijes në këtë sektor, për të gjithë ata që sot janë duke studiuar në shkollat tona të arsimit profesional. Pa lënë mënjanë edhe studentët aktual të Universitetin e nderuar Bujqësor.
Jam gjithashtu shumë e bindur që katër vjeçari i ardhshëm do të sjellë një mundësi fantastike për trupën tonë akademike, e cila sëbashku me profesorët e nderuar të universitetit BOKU do të transformojnë si strukturën e mësimdhënies, por edhe njësinë e kërkimit shkencor e mbi të gjitha ndërlidhjen e drejtpërdrejtë të kësaj të fundit me zhvillimin ekonomik.
Të dashur pjesëmarrës,
Qeveria Shqiptare ka një objektiv të qartë për 2030 dhe kjo e lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian dhe përafrimin e të gjithë legjislacionit dhe ekonomisë rurale drejt tregjeve ndërkombëtare.
E përkthyer në shifra, ne në Ministinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kemi vendosur objektiva ambicioz për vitin 2030:
- 1 miliardë dollarë eksporte drejt tregjeve elitare;
- Rritja e ofertës së brendshme ushqimore me 2 miliardë dollarë ;
- Zhvillimi ndërsektorial nëpërmjet ekselencës në 1000 agroturizma dhe ndikim të drejtpërdrejt në punësimin e të rinjve dhe angazhim të gruas në zonat rurale;
- Rritja e cilësisë dhe vlerës së produktit “Made in Albania”
Këto objektiva aspak të lehta, por plotësisht të mundura për t’u realizuar, përkojnë me nevojën për të tejkaluar problematikat aktuale dhe të trashëguara nga 32 vitet e shkuara pasi ende limitojnë zhvillimin ekonomik të ndërmarrjeve bujqësore dhe implementimin e gjerë të investimeve në teknologji bashkëkohore.
Fragmentarizmi i lartë i tokës, mungesa e dëshirës për t’u bashkuar dhe madhësia e vogël e fermës, nuk do na limitojnë për të arritur objektivat e synuar, pasi është vetë koha dhe tregu që thërret për këtë zhvillim dhe ne kemi ndërmarrë të gjitha hapat e duhur e në kohë për t’ju përgjigjur kësaj epoke.
Sot kemi arritur të jemi krenar me produktet shqiptare në 80 tregje elitare me një vlerë eksporti që rritet si në sasi edhe në vlerë. Edhe gjatë muajit prill 2024 eksportet tona në sasi njohën një rritje me 28% dhe 9.5 % rritje në vlerë. E megjithatë në jemi të bindur, që sfidat në sektorin e bujqësisë të kapercyera edhe në përballimin e kërcënimeve të ndryshimeve klimatike dhe përmirësimin e leximit të tokës me mjete digjitale e në kohë do të na çojnë drejt ndërhyrjes me programe efektive. Në veçanti drejt nxitjes së mëtejshme të investimeve në sektorët e ushqimit, prodhimit duke siguruar njëkohësisht cilësinë absolute dhe markimin e gjurmueshmërisë, por për këtë nuk mund t’a realizojmë pa përfshirjen e akademisë dhe të brezit të ri që do duhet të na bashkohet në të gjitha nivelet.
E këtu gjej përsëri rastin, sikurse edhe në çdo herë e kam bërë në këtë podium të nderuar, të adresoj për të gjithë studentët që t’i bashkohen politikëbërjes, sepse ne kemi më shumë nevojë për ta.
Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë rreth 170 vende pune vakante, për të cilat kërkohen profesionistë si: agronomë, veterinerë, zooteknikë, akuakulturë etj dhe vetëm ky universitet i nderuar mund t’i plotësojë këto kërkesa në kohë optimale dhe me cilësinë e duhur.
Ne besojmë se për të gjithë të rinjtë, që jetën e kanë të lidhur me zhvillimin ekonomik në zonat rurale, ngjarja e sotme është një mundësi fantastike, që ata të mendojnë zhvillimin e tyre akademik në Universitetin Bujqësor. Të kontribuojnë në dimensionin e një ekonomie të qëndrueshme, shkalle, automatizimi dhe inovacioni, zgjerim të kapaciteteve tregtare ndërkombëtare duke garantuar cilësinë sipas standardeve evropiane. Historia e Universitetit Bujqësor të Tiranës është padyshim një histori suksesi që ditën e parë të themelimit të saj dhe do të jetë edhe në 100 vjetorin e saj. Universiteti prestigjioz austriak BOKU ka për t’i dhënë padyshim këtij institucioni një pozicion nderi në arsimin e lartë shqiptar.
Edhe një herë shumë faleminderit për besimin tek ky bashkëpunim.
Të nderuar kolegë, të nderuar profesorë dhe akademikë le t’a bëjmë atë realitet!
Shumë faleminderit Kryeministër, që u bëtë promotori i këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe shpresoj që t’a kemi sa më të gjatë këtë bashkëpunim edhe në fushat e tjera të dijes!
Faleminderit dhe mbarësi!