Fjala e Ministres Balluku në ceremoninë e hyrjes në fuqi të programit të ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll” në pikën kufitare të Qafë Thanës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministres Balluku në ceremoninë e hyrjes në fuqi të programit të ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll” në pikën kufitare të Qafë Thanës

Fjala e Zv.kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në ceremoninë e hyrjes në fuqi të programit të ri kufitar  “Një ndalesë – Një kontroll” në pikën kufitare të Qafë Thanës:

I nderuar, Kryeministër Kovacevski,

I nderuar, Kryeministër Rama,

I dashur koleg, Artan Grubi,

Të dashur ministra dhe të gjithë pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë të jemi bashkë sot këtu në këtë përurim të Pikës së Përbashkët të kalimit të kufirit midis Doganës së Qafë Thanës në pjesën shqiptare dhe Doganës Kafasan në krahun e Maqedonisë së Veriut.

Ajo çka gjithmonë ia ka munduar shqiptarët ndër vite ka qenë izolimi. Një izolim, i cili sot e kësaj dite i ka akoma efektet e tij negative, qofshin këto sociale apo pasoja ekonomike. Ndaj një nga prioritetet kryesore të Qeverisë “Rama”, duke nisur nga vitit 2013, padyshim ka qenë lehtësimi i të gjitha procedurave kufitare për të lehtësuar kështu kalimin e qytetarëve dhe sidomos të tregtisë dhe të mallrave.

Ky projekt është dëshmia e radhës e vullnetit dhe dëshirës së mirë që ekziston midis dy qeverive. E vullnetit dhe e dëshirës së mirë që ne kemi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin në çdo nivel, duke nisur nga nivelet administrative dhe deri në nivelet më të larta politike dhe padyshim marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tashmë është kthyer në një model për t’u ndjekur për të gjitha ato vende që kanë dëshirë të çojnë përpara zhvillimin rajonal.

Tashmë ne kemi një përvojë mjaft të mirë të funksionimit të pikave kufitare të përbashkëta, ashtu siç është në rastin e Murriqanit, apo siç është në rastin e Morinës me Kosovën. Kështu që këto dy modele na kanë udhëhequr për të ardhur sot në këtë pikë të re të përbashkët ku qytetarët shqiptarë, ata të Maqedonisë së Veriut, por edhe vizitorët e shumtë, të cilët shtohen çdo ditë midis dy vendeve tona, do të kenë mundësi të një lëvizjeje komode.

Projekti që përuruam sot synon po ashtu përmirësimin e infrastrukturës dhe thjeshtimin e procedurave të kontrollit nëpërmjet një sistemi “one stop shop” ose “një ndalesë – një kontroll”.

Në kuadër të Projektit “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor” të Bankës Botërore është realizuar projektimi dhe mbikëqyrja e infrastrukturës dhe përmirësim i pajisjeve në koordinim me homologët e Maqedonisë së Veriut.

Janë marrë në konsideratë të gjitha kërkesat dhe nevojat e institucioneve përfituese që operojnë në Pikën Doganore të Qafë Thanës dhe janë kryer në mënyrë permanente konsultime midis Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Degës së Doganës Qafë Thanë dhe projektuesve shqiptarë dhe të Maqedonisë së Veriut për projektin e detajuar dhe Mbikëqyrjen e Infrastrukturës në këtë pikë.

Unë jam e bindur se edhe ky projekt do të ketë një ndikim të rëndësishëm në lehtësimin e lëvizjes në të dyja krahët e kufirit, si dhe do të stimulojë padyshim zhvillim ekonomik rajonal.

Duhet të kemi parasysh që prej kohësh ne kemi nisur një projekt të madh të përbashkët, projektin e zhvillimit të Korridorit të VIII, një ëndërr të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i cili tashmë nuk është thjesht një projekt në letër. Nga ana shqiptare ka nisur prej kohësh dhe ndodhemi në lotin e dytë dhe shpresojmë që brenda vitit 2024 dy lotet e para nga Elbasani në Qafë-Thanë të dorëzohen për të hapur gjatë shtatorit të këtij viti dy lote të reja, atë 3 dhe 4 që do të vijnë deri në pikën e lidhjes. Gjithashtu, nga ana e Maqedonisë së Veriut ka pasur një progres të jashtëzakonshëm përsa i përket këtij korridori.

Por, Korridori i VIII nuk konsiston vetëm tek autostradat, të cilat janë shumë të pëlqyeshme nga ne shqiptarët për të thënë të drejtën, por synimi është që në të ardhmen ne të arrijmë të ngremë një rrjet hekurudhor model, i cili është miqësor me ambientin mbi të gjitha dhe padyshim me xhepin e çdo qytetari, pasi kostot e transportit hekurudhor janë shumë më të ulëta se kostot e transportit rrugor me automjete.

Kemi punuar prej kohësh me Artanin dhe me gjithë grupin e tij përsa i përket bashkërendimit të projektit të Korridorit të VIII, pasi ne mendojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të gjithë detyrat e shtëpisë që i kanë kryer me sukses dhe me shumë përpikmëri meritojnë vëmendjen e Bashkimit Europian dhe meritojnë që të kenë mbështetjen financiare për të ngritur këtë Korridor të VIII i cili do të bashkojë Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Një Korridor, jo thjesht transporti dhe infrastrukture, por një korridor i sigurisë, e cila u testua fort gjatë vitit 2022, duke treguar se askush nuk është i paprekshëm nga luftërat apo nga ngjarjet e jashtëzakonshme, pavarësisht distancës ku ato zhvillohen.

Kështu që ne të gjithë së bashku sot gjejmë rastin që të angazhohemi edhe njëherë duke treguar se ky projekt në dukje i vogël, por shumë i rëndësishëm është një nga produktet që ka dhënë bashkëpunimi ynë i frytshëm midis dy qeverive dhe administratave tona, kështu që jemi të sigurt që dhe të gjitha projektet e tjera, siç janë ato strategjike Korridori VIII do të jenë të suksesshme.

Shumë faleminderit për vëmendjen!

Previous Qafë Thanë, hyn në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”