Të nderuar kolegë,
E nderuar drejtuese e seancës, kryetare,
Aviacioni Civil padyshim është një nga fushat më dinamike përsa i përket zhvillimit, siç është dhe një nga fushat më të ndjeshme gjatë periudhave të krizës. Industria e aviacionit mori një goditje të jashtëzakonshme gjatë kohës së pandemisë për shkak të bllokimit të fluturimeve, duke humbur kështu një pjesë shumë të mirë të profesionistëve të kësaj fushe në mbarë botën. Të gjitha këto efekte negative po reflektohen sot pasi shikojmë që në të gjitha aeroportet apo edhe të gjitha stafet e kompanive ajrore sot janë të reduktuar, duke krijuar kështu një problem qoftë për shkak të radhëve në këto njësi, pra në aeroporte, apo edhe në kompanitë e fluturimit.
Gjithashtu aviacioni nuk mund të jetë imun as nga kriza e re, ajo e shkaktuar nga konflikti i luftës përmes Rusisë dhe Ukrainës, pasi të gjitha çmimet e rritura, qofshin ato të karburantit, të transportit etj., po reflektojnë në këtë industri e cila gjithmonë ka qenë avangard. Megjithatë duhet thënë që dëshira e qytetarëve në mbarë botën për të udhëtuar dhe për të zbuluar destinacione të reja, mbas një periudhe dhe një 2 vjeçari të gjatë është e madhe dhe reflektohet në numra, sidomos përsa i përket Republikës së Shqipërisë.
Në muajin janar të vitit 2022 krahasuar me vitin 2019, që është viti i fundit i cili ka pasur një trafik të konsiderueshëm dhe një gjendje normale, diferenca e rritjes është me 8%. Për muajin shkurt me 4%, për muajin mars, pra krahasimi 2019-2022 është 26% dhe ndërkohë për muajin prill 36% rritje dhe për muajin maj 46% rritje. Një total i mesatares së këtyre 5 muajve prej 25% rritje i numrit të fluturimeve. Ndërkohë që përsa i përket numrit, trafikut të pasagjerëve, krahasuar sërish me vitin 2019, në muajin janar kemi pasur 2% rritje të numrit të pasagjerëve, ndërkohë që në muajin shkurt 11%, në muajin mars 38%, në muajin prill 61% dhe në muajin maj një rritje rekord me 79% të rritjes së numrit të pasagjerëve, duke çuar kështu totalen mesatare, krahasimisht nga viti 2019 në vitin 2022 me 40%.
Gjithashtu duhet thënë që Shqipëria ka shënuar një hap të ri përsa i përket destinacioneve të cilat janë shtuar. Nga periudha janar-maj 2022 kemi shtim të 44 destinacioneve të reja, ndërkohë krahasuar me muajin janar-maj 2019 me plus 35%.
Aviacioni Civil kaloi një test të fuqishëm edhe gjatë finales së ËEFA-ës, e organizuar në Shqipëri për Conference League. Numri i fluturimeve që përpunuam arriti deri në 180 fluturime dhe numri i pasagjerëve që u futën nga porta e Rinasit, pra e aeroportit tonë ndërkombëtare, arriti në 18 mijë e 750. Megjithatë pas këtyre të dhënave përsa i përket ecurisë së aviacionit në Republikën e Shqipërisë që është shumë premtuese bazuar kjo dhe në të gjitha shifrat që ka turizmi sot, numrin e shtuar të pasagjerëve të cilët vijnë si vizitor në Shqipëri, sigurisht rezultat i të gjitha zhvillimeve, investimeve që ne kemi pasur në infrastrukturë, në njësitë turistike, por edhe të mentalitetit të ndryshuar që tashmë në kemi përsa i përket shërbimeve, unë do ti kthehem projektligjit të sotëm.
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil”. Nga hyrja në fuqi e Ligjit 96/2020 “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë, krahas detyrave të mëparshme të Autoritetit të Aviacionit Civil, ka përcaktuar dhe detyra të tjera, të cilat nuk ishin të evidentuara, në ligjin aktual. Si e tillë, në mënyrë që të jetë në përputhje me Kodin e ri Ajror, ishin të domosdoshme këto ndryshime të cilat parashikohen në ligj dhe që do të jetë ligji i ri funksional i
Autoritetit të Aviacionit Civil dhe jo një ligj që do të shtonte apo të ndryshonte ligjin aktual.
Nevoja për një ligj të ri ka ardhur si pasojë dhe e rekomandimeve të vijueshme të organizmave ndërkombëtar, duke pasur parasysh që Aviacioni Civil është një industri ndërkombëtare, e cila nuk njeh as kufi dhe as rregullore lokale. Pra të gjitha njësitë e Aviacionit Civil në Republikën e Shqipërisë, duke nisur nga rregullatori dhe duke përfunduar edhe tek kompanitë që operojnë në territorin tonë apo të gjithë elementët e tjerë bashkërendues të kësaj industrie të gjitha i referohen rregullave dhe konventave ndërkombëtare.
Këto rekomandime konsistojnë në nevojën e përcaktimit nga ana e shtetit të mekanizmave ligjore të përshtatshëm, për funksionimin e Autoriteti të Aviacionit Civil si autoriteti kombëtar rregullator dhe mbikëqyrës në aviacionin civil shqiptar. Këto mekanizma do të mundësojnë hapësirën e nevojshme ligjore për rekrutimin e stafit teknik të kualifikuar, por njëkohësisht dhe unifikimin e këtij autoriteti me autoritetet homologe ndërkombëtare, për sa i përket mënyrës së organizimit dhe funksionimit të tij.
Kemi pasur një debat të gjatë për arsyen se pse punonjësit e Aviacionit Civil duhet të përjashtohen nga të qenit punonjës civil. Për të vetmen arsye sepse tregu i aviacionit është një treg i kufizuar. Tregu i punësimit të cilit ne i drejtohemi shpesh herë, dhe jo shpesh, por pothuajse në të gjitha rastet kërkon që të jenë punonjës të certifikuar, punonjës të cilët kanë eksperiencën fushën e Aviacionit Civil dhe padyshim edhe ata që janë punonjës të rinj ne i kërkojmë me edukimin e duhur duke qenë që mjaft të rinj dhe të reja shqiptarë sot kanë investuar duke u shkolluar në shkollat më të mira europiane siç është ajo e Tuluzit, e Torinos apo edhe në ato janë kontinentin europian.
Fakti që Autoriteti i Aviacionit Civil ishte një njësi administrative që duhej ti përgjigjej ligjit për nëpunësin civil e bënte të pamundur punësimin apo lëvizjen nëpër detyra të prurjeve të reja, të cilat mund të vijnë nga navigimi ajror, nga kompani ajrore, nga institucione të tjera të huaja duke krijuar kështu një ngërç dhe duke mos pasur mundësi që kjo njësi e rëndësishme në ditët e sotme, kur në Republikën e Shqipërisë ne jemi duke ndërtuar një aeroport të ri ndërkombëtar, aeroportin e Vlorës, nga ana tjetër kemi nisur operimet në një aeroport të ri ndërkombëtar, atë të Kukësit dhe jemi duke dizenjuar dhe përfunduar fazën finale përsa i përket aeroportit të Sarandës. Dhe sigurisht, e gjithë kërkesa që ka ardhur me rritjen e numrave që unë u përmenda më parë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, aeroportin “Nënë Tereza” apo si dhe kërkesën që vjen nga kompani të cilat kanë vendosur ta kthejnë Shqipërinë në një bazë të tyre siç është WizzAir që sot në Tiranë ka më shumë se 8 avionë të dedikuar.
Gjithashtu duhet pasur parasysh se konkretisht ndryshimet e parashikuara në ligjin e ri nuk janë të parashikuara në ligjin aktual dhe konsistojnë në:
– Përcaktimin e qartë të objektit dhe fushës së veprimtarisë së Autoriteti të Aviacionit Civil Shqiptar.
– Saktësimin dhe evidentimin e rasteve që kanë të bëjnë me procedurat që do të zbatohen për dhënien, refuzimin, pezullimin dhe revokimin të çdo leje, certifikate apo licence të parashikuar në Kodin Ajror.
– Rritjen e kompetencave të Drejtorit Ekzekutiv dhe dhënien e të drejtës në marrjen e masave administrative ndaj të tretëve në rastin e konstatimit për mospërputhshmërisë me kriteret e përcaktuara në standardet ndërkombëtare.
– Rritja e kompetencave të Këshillit Drejtues, në funksion të rritjes së autonomisë institucionale, organizative dhe menaxhuese.
Gjithashtu, ajo që është e rëndësishme për tu theksuar është se nëpërmjet miratimit të këtij projektligji duke lejuar mundësinë e aplikimit të legjislacionit të punës dhe duke mos kufizuar tashmë, ashtu siç thashë, prurjet e reja në fushën e rregullatorit të Aviacionit Civil, i cili padyshim do të na jepte një hov të ri për përmbushjen e të gjitha kërkesave që kjo fushë me zhvillim dhe ekspansion të madh ka.
Gjithashtu, në të gjitha amendamentet e ligjit të ri parashikohet dhe transparenca në veprimtarinë e Autoritetit të Aviacionit Civil në përputhje me legjislacionin në fuqi për informimin publik.
Çështjet e ngritura gjatë kohës që ne kemi qenë në Komision dhe që unë dua të falënderoj të gjithë deputetët, si ata të mazhorancës edhe ata të opozitës për bisedën konstruktive dhe me të vërtetë profesionale që është bërë gjatë të gjitha ditëve, unë dua të them që shumë prej tyre janë adresuar, por nga ana tjetër edhe ato të cilat nuk kanë ndryshuar, ne i kemi qartësuar dhe kemi dhënë informacion mbi të gjitha nevojat dhe pse këto rekomandime duheshin përfshirë në ligjin e ri për Aviacionin Civil.
Për të mos u zgjatur më tej, duke qenë se padyshim kemi pasur një kohë të gjatë të shpenzuar në Komisionet përkatëse, unë do ju kërkoja që ta votonim këtë ligj pasi Aviacioni Civil dhe të gjithë komponentët e kësaj fushe tashmë janë kthyer në një incentivues të fuqishëm të ekonomisë shqiptare, duke qenë ndërthurur me të gjitha planet tona afatgjatë për investimet në infrastrukturë të kësaj industrie.
Ju faleminderit!