Fjala e Ministres Balluku në Kuvend - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend

E nderuar kryetare,

Të nderuar kolegë deputetë,

Sektori energjisë ndoshta është një nga sektorët që ka pësuar një ndryshim rrënjësor më të madhin në këtë 10 vjeçar dhe padyshim është nga sektorët me të cilët ne krenohemi sot. Në vitin 2013 trashëguam një sektor energjetik të rrënuar me performancë jashtëzakonisht të dobët teknikë dhe financiare. Furnizimi me energji elektrike ishte i paparashikueshëm dhe ndërprerjet e gjata ishin një fenomen dhe dukuri normale në ato kohë.

Furnizimi me energji elektrike është një kërkesë bazike për çdo qytetar, për çdo biznes, për zhvillimin e një vendi, kështu që për Qeverinë Rama sektori i energjisë elektrike ka qenë një sektor prioritar me të cilin jemi marrë nga dita e parë dhe vazhdojmë sot e kësaj dite që ta kemi në fokus të plotë.

Në vitin 2013, dhe unë nuk do rresht së përsërituri dhe as nuk do mërzitem ndonjëherë kur dëgjoj nga pala opozitare të thotë vazhdojeni krahasoheni me ne, sepse me thënë të drejtën ne nuk kemi më kë krahasohemi tjetër, pavarësisht se nxitemi për të qenë më të mirë çdo ditë në punët që bëjmë, sërish do krahasohemi me ata që ishin para nesh, nuk ka sesi të jetë ndryshe, pavarësisht se unë e di që është vështirë të dëgjosh se ku e kish lënë vendin dhe si ka evoluar sot.

Në 2013-ën sektori energjetik kishte 45%  humbje teknike, pra rreth gjysma e energjisë që prodhohej apo që blihej me import humbte në mënyrë të paditur dhe e njëjta situatë ndodhte edhe me parametrat financiarë. Padyshim në atë kohë mbledhja e të ardhurave nga faturimi ishte një abstraksion. Mbledhja e të ardhurave nga faturimi përdorej sipas dëshirës së liderave suprem të kohës, duke vendosur do përdorej për fushatë, vendosej një zonë e tërë që s’duhej të paguaj për disa muaj sepse jemi në fushatë apo për politika sociale të çuditshme që vetëm rëndonin sektorin energjetik.

Varësia nga importet gjithashtu ishte e lartë sepse sërish u vendos që një pjesë e mirë e hidrocentraleve  të jepej në shkëmbim të TVSH-së në atë kohë. Kështu që sot ndërkohë që blejmë në import energjinë e prodhuar nga një pjesë e hidrocentraleve të ndërtuara për ti shërbyer këtij vendi e përdorin kompani që e kanë privatizuar totalisht pa të drejt. Plani i madh konsistonte vetëm në privatizimin e hidrocentraleve shtetërore dhe padyshim konsistonte dhe në ngritjen e hidrocentraleve të vogla pa studim, duke i hequr ujin e pijshëm, apo ujin që përdorej për bujqësinë të gjithë fshatrave, dhe duke i hyrë në hak, nga mëngjesi deri në darkë shqiptarëve si zakonisht.

Por qeveria Rama i ka bërë të gjitha ndryshe. Pikë së pari, ne kemi një strategji të mirëfilltë të zhvillimit të sektorit energjetik dhe mbi të gjitha një strategji që 4 vitet e fundit tashmë ka marrë jetë dhe është diversifikimi i burimeve të energjisë elektrike. Dhe të gjitha këto ne nuk bazohemi as tek vërejtjet e portaleve të paguara, as tek insinuatat e opozitarëve të përfshirë në sektorin energjetik me ‘kokë dhe me këmbë’, por ne bazohemi në studime të mirëfillta, ne bazohemi në direktivat e Bashkimit Europian, në direktivat e Sekretariatit të Energjisë dhe ne mbi të gjitha bazohemi në të mirën e vendit.

Viti 2022 na ka treguar edhe një herë që sot siguria energjetike është prioritare, që energjia po përdoret si një armë kundër Europës, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë e kemi parë qartazi, por siç kemi parë dhe diçka tjetër qartazi në vitin2022. Qeveria shqiptare përmes një mirë menaxhimi të kaskadës së Drinit,  pavarësisht një viti shumë të thatë, përmes një mirë menaxhimi edhe të importeve, ia dolëm që të ofronim shërbim të pandërprerë për të gjithë qytetarët tanë dhe mbi të gjitha të ofronim një shërbim i cili nuk njohu as edhe një qindarkë rritje. Pavarësisht se çfarë u tha gjatë gjithë vitit 2022 që do të rritej çmimi, do ndodhte kjo e ajo, si gjithmonë dezinformime për të krijuar panik tek njerëzit, por asgjë nga të gjitha këto nuk ndodhi. Dhe ne treguam edhe njëherë që jemi një qeveri që dimë të menaxhojmë krizat, ashtu siç bëmë me tërmetin, me covidin, apo edhe me krizën energjetike.

Për t’u kthyer sot tek projektligji. Ne me anë të një strategjie të mirë studiuar synojmë që në vitin 2029 të krijojmë kapacitete të reja shtesë, të prodhimit me 4 terravat nga prodhimi i sotëm. Duke e bërë Shqipërinë një vend eksportues neto dhe jo një vend importues siç është sot.

Pavarësia energjetike e Shqipërisë është një prioritet i Qeverisë Rama, dhe mbi të gjitha pavarësia energjetike e Shqipërisë do të jetë edhe një pavarësi energjetike për rajonin. Ndaj dhe prej kohësh ne kemi nisur që të punojmë, jo vetëm për projektet e rëndësishme të energjisë së rinovueshme, por edhe për një projekt të rëndësishëm rajonal, i cili zhvillohet në Triport-in e Vlorës, me një hub të shpërndarjes së LNG, një tub i cili do ndërlidhë portin e Vlorës me pikën dalëse të Fierit, dhe mbi të gjitha rivënien në punë të termocentralit të Vlorës.  Një termocentral i dështuar, që opozita në atë kohë e trumbetoi si një arritje shumë të madhe dhe pasi u morën me qindra miliona euro kredi që vazhdojmë t’i paguajmë sot, nuk u vu asnjë ditë në punë dhe për këtë askush nuk ka një përgjigje, për të thënë të drejtën. As ekspertët e jashtëzakonshëm të radhëve të opozitës në termat e energjisë.

Sot niveli i humbjeve në Republikën e Shqipërisë nga 45% që ishte në 2013-tën është vetëm 19.%. A kemi punë për të bërë përpara. Patjetër! Kemi edhe shumë punë për të bërë përpara, për ta ulur këtë nivel akoma dhe më shumë dhe për ta çuar në nivelin e humbjeve teknike europiane. Kemi shumë zona në Shqipëri që tashmë për shkak të ndërtimit të nënstacioneve të reja dhe të linjave të shpërndarjes që janë totalisht të automatizuara dhe moderne kanë arritur atë nivel të përcaktuar sipas të gjitha parametrave të Bashkimit Europian. Por, ne do të punojmë që në shkallë vendi ta arrijmë atë parametër.

Nga ana tjetër sot që flasim ne kemi nisur realizmin e disa projekteve shumë të rëndësishme për të vendosur në të gjitha nënstacionet dhe në kabinat e shpërndarjes matësat inteligjent.  Matësat inteligjent, të cilët pasi të vendosen në mbi 26 mijë e 500 kabina dhe nënstacione, më pas do të vazhdojmë ti vendosim në çdo abonent familjar dhe biznes për të përmbyllur kështu një etapë shumë të rëndësishme, e cila do të ndikojë direkt në uljen e humbjeve teknike.

Po ashtu, përsa i përket rrjetit të transmetimit ne tashmë kemi një projekt në proces që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përmes pikës së daljes në Bitola ku të dyja shtetet po ecin paralelisht me ritme të kënaqshme dhe nga ana tjetër tashmë kemi një marrëveshje të miratuar me shtetin fqinj grek për rritjen e kapaciteteve të transmetimit pasi linja me të cilën sot operojmë shpeshherë është e mbingarkuar.

Ndërkohë, një lajm i shkëlqyer për sektorin energjetik është që në fund të këtij muaji Bursa energjetike shqiptare do të jetë aktive dhe kjo do të shënojë një etapë të re për sektorin energjetik që garanton kështu transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve të transmetimit.

Energjia ka qenë dhe vijon të jetë një nga prioritetet tona kryesore dhe ne punojmë intensivisht për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, si me investime ashtu dhe me politikat e nevojshme ligjore dhe rregullatore për të nxitur rritjen dhe për të akomoduar të gjitha zhvillimet e reja politike dhe teknologjike.

Në këtë frymë sot sjellim për miratim projektligjin e ri për burimet e rinovueshme të energjisë. Ky projektligj vjen si një përmirësim dhe plotësim i ligjit të vitit 2017 dhe kuadrit të përgjithshëm rregullator duke transpozuar direktivën europiane përkatëse. Duke marrë në konsideratë dhe gjetjet dhe rekomandimet e ndryshme të organizmave siç janë Komisioni Evropian apo Sekretariati i Komunitetit të Energjisë edhe IRENA madje, si dhe duke adresuar çështje të cilat janë evidentuar gjatë dialogut të vazhdueshëm që ne mbajmë me investitorët dhe shoqatat e biznesit dhe kjo është diçka për të cilën Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka investuar ndër vite. Ne kemi një tryezë të hapur dialogu me të gjitha bizneset, me të gjitha shoqatat për të dëgjuar propozimet e tyre, sugjerimet, problemet me të cilat ata hasen dhe padyshim për ti zgjidhur dhe adresuar ato në mënyrën më të mirë.

Konkretisht projektligji synon nxitjen e diversifikimit dhe përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme kundrejt konsumit energjetik final bruto, në përputhje me detyrimet në kuadër të Traktatit te Komunitetit të Energjisë në masën 59.4% deri në vitin 2030, duke zvogëluar kështu importin e lëndëve djegëse fosile, emetimin e gazeve dhe efekt serre dhe sigurisht duke rritur sigurinë e furnizimit me energji në vendin tonë.

Projektligji përcakton gjithashtu masat mbështetëse në bazë të ankandeve konkurruese, si dhe tipologjinë e tyre bazuar në format e marrëveshjes për blerjen e energjisë, kontratës për diferencë dhe kontratës për prim. Diçka tjetër e rëndësishme, që adresohet përmes këtij projektligji është kërkesa e grupeve të interesit lidhur me skemën e matjes së energjisë të gjeneruar nga vetë prodhuesit duke kaluar nga bilanci mujor i energjisë në një bilanc vjetor.

Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme, siç ka qenë dhe kërkesa e rritjes së kapaciteteve të auto prodhuesve. Por nuk është hera e parë që unë e sqaroj. Do ta përdor edhe një herë foltoren e sotme për të thënë që Shqipëria ka nivelin më të lartë në Europë, së bashku me Greqinë përsa i përket kapaciteteve të auto prodhimit, ne lejojmë një auto prodhim prej 500 kilovatorësh, ndryshe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor që e kanë disa fish më të ulët për të mos thënë që edhe disa deri më sot nuk e kanë aplikuar fare si procedurë.

Por kërkesa për një faturim vjetor, ishte një kërkesë që bënte sens pasi do arrijë që të rrisë efiçencën e të gjitha aktorëve të cilët kanë marrë një iniciativë të shkëlqyer për të prodhuar energjinë të cilën ata konsumojnë, të paktën një pjesë të saj.

Parashikime të tjera përfshijnë masa nxitëse dhe promovuese për përdorimin e burimeve te rinovueshme të energjisë në sektorin e transportit, si dhe atë të ngrohjes dhe të ftohjes.  Sektori i transportit në Shqipëri është aktualisht ndotësi më i madh.  Ne ofrojmë tashmë stimuj si përjashtimi i TVSH-së për pronaret e automjeteve që zgjedhin të kalojnë në automjete elektrike dhe kemi një strategji të tërë, së bashku me Agjencinë e Efiçencës së Energjisë, për të filluar dhe për të ndërtuar në të gjithë vendin facilitete për kërkimin e automjeteve elektrike, duke qenë se një nga problematikat që sot na vjen nga tregu është që patjetër ne duam që të kthehemi në përdorimin e automjeteve elektrike, por patjetër duhet të kemi dhe facilitete se ku do karikohen ato gjatë një trajektore të gjatë për të kaluar nga një qytet në tjetrin apo nga një krahinë në tjetrën.

Gjithashtu ne po struk urojmë një strategji të re për sektorin e efiçencës së energjisë, e cila përmban disa hapa të rëndësishme, siç thash krijimin e infrastrukturës përsa i përket karikimit të automjeteve elektrike, por edhe një sërë masash të tjera që do të ndihmojnë efiçencën, siç e kam thënë gjithmonë, po e përsëris dhe një herë që efiçenca e energjisë nuk ka të bëjë vetëm me uljen e konsumit, por edhe me edukimin e qytetarëve për të kuptuar që ata janë një pjesë integrale e të gjithë këtij procesi të rëndësishëm të sektorit energjetik. Ne jo vetëm prodhojmë energji të rinovueshme, ne jo vetëm diversifikojmë burimet tona, siç është rasti ankandeve që kemi pasur dhe i kemi dorëzuar me sukses në rastin e parqeve fotovoltaike, apo siç kemi ankandin hibrik të parqeve të erës që mbyllet në Qershor, por nga ana tjetër është e nevojshme që bashkëpunimi i qytetarëve për kursimin e energjisë, bashkëpunimi i qytetarëve për të kuptuar se çfarë është efiçenca energjetike është një nga çelësat e suksesit, siç tregoi në bashkëpunimin që patëm së bashku në 2022.

Kështu që me të gjitha masat që ky projektligj na mundëson, nga mbështetja që mund ti jepen tashmë dhe iniciativave për depozitimin e energjisë elektrike, që deri më sot nuk e kemi pasur të parashikuar në ligj, tek ankandet, pra sot e tutje, gjithçka, me miratimin e këtij ligji do të bazohet mbi ankandet transparente që tashmë Republika e Shqipërisë e ka padyshim një eksperiencë shumë të mirë dhe të krijuar dhe kotohet nga Bashkimi Europian si një nga vendet me suksesin më të lartë përsa i përket ndërtimit të parqeve fotovoltaike dhe eolike, përmes procedurave që janë kthyer në model, procedura që duhet të themi  i kemi bërë së bashku me BERZH-in dhe për këtë gjej rastin ti falënderoj edhe një herë.

Sektori i energjisë elektrike do të jetë dhe mbetet prioritet i Qeverisë Shqiptare. Sektori i energjisë është ai që e ka bërë Shqipërinë të jetë krenare me të gjitha avancimet që kemi bërë nga 2013-ta deri më sot. Sektori i energjisë elektrike kërkon një vëmendje, jo vetëm nga Qeveria, jo vetëm nga institucionet, jo vetëm nga bizneset, por edhe nga vetë qytetarët. Gjithë së bashku mund t’ja ndalim që Shqipërinë ta bëjmë një nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit përsa i përket prodhimit, shpërndarjes, transmetimit dhe pse jo, politikave të reja, në fushën e sektorit energjetik.

Ndaj do kërkoja nga ju që sot ta mbështesim dhe ta votojmë të gjithë së bashku këtë ligj shumë të rëndësishëm, për qytetarët tanë, për biznesin, për zhvillimin ekonomik dhe padyshim për të gjithë rajonin.

Shumë faleminderit për vëmendjen.

***

Replika e ministres Balluku në parlament:

Për të thënë të drejtën si prezantimi im i mëparshëm, si prezantimi i kryetarit të Komisionit të Ekonomisë ishin shteruese. Megjithatë, po kërkoj vëmendjen tuaj dhe ndoshta e kthejmë dhe në lodhje këtë bashkëbisedim, pasi nuk mund të thuhen vazhdimisht të pavërteta dhe nuk mund të thuhen se nuk janë vetëm të pavërteta, po nganjëherë kthehen dhe në fakte qesharake. U kërkua kuota për bashkitë. As nuk e kuptoj fare si nocion çdo të thotë që ti jepen kuotat e vogla, ti shpërndajnë bashkitë, sepse këtu nuk është një pazar i Korçës që i japim meqë janë të vogla, ti marrin bashkitë dhe të bëjnë çfarë të duan. Këtu flitet për sektorin energjetik, po kuptova që ju as nuk e njihni sektorin energjetik, as nuk e dini se çfarë është, sepse u referuat që OSHEE-ja është në ditë të zezë, pra sektori energjetik është në ditë të zezë.

I nderuar deputet. OSHEE-ja është thjesht dhe vetëm Operatori i Shpërndarjes, një nga komponentët e kompanive që operojnë në sektorin energjetik. Kështu që për dijeninë tuaj, nëse OSHEE-ka ka sot e kësaj dite probleme janë probleme të mbartura, sepse e thatë dhe vetë që po, faturimi ishte në ditë të zezë, por ju kur erdhët vendosët ligjin dhe aplikuat ligjin. Ne vetëm këtë dimë të bëjmë, i nderuar deputet. Ne dimë të zbatojmë ligjin, kështu që kur ofrohet një shërbim dhe ai shërbim nuk paguhet atëherë duhet vendosur ligjit. Ju nuk mund ta ktheni këtë në një dramë, në një melodramë, jo po u futën në burg, jo po varën veten etj., se nuk është lojë kjo që të lozni ju çdo herë këtu në foltore me jetët e njerëzve.

Kur paguan energjinë elektrike dikush paguan një shërbim, siç duhet paguar uji dhe siç duhet paguar gjithçka. Por, siç e thashë edhe në fjalën time, ju e kishit kthyer faturën e energjisë elektrike në një premtim elektoral dhe kishit gënjyer popullin shqiptar, duke e tërhequr në një lojë të rrezikshme, sepse i thonit zonave të tëra mos paguaj këto 6 muaj, sepse s’ka problem dhe ndërkohë nuk është se ja paguanit ju nga xhepi, por ja linit atje OSHEE-së që ti bëheshin palë-palë dhe të krijoheshin këto borxhet e këqija që thoni ju që vazhdojnë sot e kësaj dite dhe mbarten. Ka qenë një lojë e juaja kjo. Ka qenë një lojë që e përdornit për arsye elektorale dhe krijuat atë gropë që krijuat, por që sot nuk ka asnjë krahasim me çfarë latë.

Erdhe këtu dhe fole që ne ja fuskemi kot që humbjet teknike kanë qenë 45%. Ne për gjithçka flasim e kemi të vendosur mbi fakte dhe mbi shifra. Ti që thua që ja fusim kot sa kanë qenë këto humbje në 2013 dhe mbi cilat fakte dhe shifra flet ti sot që nuk ke asnjë ekspertizë, mbi sektorin energjetik dhe për më tepër vjen dhe tregon sesi duhet ta marrin bashkitë dhe ta përdorin. Për të cilat ministra që ndryshohen herë pas here flet ti, sepse kjo ka ndodhur në kohën tuaj.

Qeveria Rama njihet për stabilitet. Para meje për 5 vite ka qenë kolegu im Damian Gjiknuri, i cili nisi të gjithë reformën e sektorit energjetik dhe më pas unë kam katër vite në detyrë. Vjen këtu dhe flet për diversifikimin. Dy ministra ka pasur qeveria Rama, Damian Gjiknurin dhe mua. Ku jemi ndërruar ne dhe paskemi ndërruar politika që e dike ti dhe se dikemi ne. Del këtu në foltore dhe nuk thua asnjë të vërtetë, po unë nuk e di janë gënjeshtra ato që thua, apo thjesht je i painformuar. Për cilin diversifikim flet ti që duhet të ndodhi, kur sot në Republikën e Shqipërisë kemi diversifikuar burimet e rinovueshme. Shiko çfarë thua, ke qenë nëpër komisione dhe vjen këtu sot edhe thua, 54.4% e paskeni nxjerrë dhe me presje dhjetore, se ty të duket shumë e çuditshme si mund të dalin presjet dhjetore. Dalin! Dalin dhe presjet dhjetore dhe thua do të jetë në 2030 prodhimi. Jo prodhimi, jo. Prodhimi është sot 100% energji e rinovueshme, se paske marrë vesh vetëm ti, se këtë e di gjithë bota.

Flitet jo për prodhimin, për përdorimin, sepse sot është 40% dhe duam ta çojmë në 2030 54.4%, sepse siç ti e di ne shesim, blejmë, importojmë, eksportojmë energji dhe kur importojmë, nuk importojmë energji të rinovueshme, siç ti e kupton, sepse importojmë në kulmin e krizës energjetike, kur zakonisht nuk ka ujë asnjë nga vendet e rajonit. Pra, importojmë energji që prodhohet nga fosilet dhe për këtë arsye ne sot kemi 40% energji të rinovueshme në përdorim, jo në prodhim.

Unë nuk e kuptoj sesi mund të të marr dhe të sqaroj ty këtu në seancë, ndërkohë që ti ke qenë nëpër komisione për javë të tëra.

Flet për grupe interesi të mërzitura. E tha shumë bukur kryetari i Komisionit të Ekonomisë. Çuditërisht juve vetë jeni habitur si nuk kishte asnjë koment dhe e dini pse nuk kishte, se është ulur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me të gjitha grupet e interesit për muaj të tërë dhe kemi adresuar kërkesat e tyre.

Kini parasysh që kjo është diçka e rëndësishme me të cilën nuk mund të bëni propagandë të mbrapshtë. Sektori energjetik sot është kthyer në një shembull për të gjithë Ballkanin, sektori energjetik shqiptar. Diversifikimi i burimeve energjetike të rinovueshme ka ardhur përmes ankandeve transparente, të cilat BERZH-i dhe Sekretariati i Energjisë i marrin për shembuj suksesi dhe i përmendin në çdo tryezë. Është detyra juaj që të fajësoni qeverinë për gjithçka, është detyra juaj se kështu bëhet opozitë ditët e sotme, të thoni që ne nuk po bëjmë asgjë, por në sektorin energjetik ka një problem, nuk ka propagandë, ka shifra dhe fakte të cilat nuk i kontestoni dot ju dhe për më tepër me fakte të cilat ato që sillni ju janë dhe qesharake dhe për të thënë të drejtën na vë dhe ne në pozitë të sikletshme sesi mund të dalim këtu dhe të sqarojmë se çfarë është 54.4% që është përdorimi i energjive të rinovueshme.  Dhe sa e turpshme të vish sot këtu dhe të thuash që krijimi i operatorit të energjisë së rinovueshme qenka një vendim abuziv.

Jo, i nderuar deputetë është një kërkesë shumë e hershme e Komisionit Europian, kërkesë shumë e hershme e Sekretariatit të Energjisë, për të cilën ne kemi punuar nga 2013 dhe deri më sot dhe me këtë ligj që do aprovojmë të gjithë së bashku, shpresoj dhe besoj shumë, do arrijmë që të krijojmë operatorin e energjive të rinovueshme për të cilin Shqipëria është dhe krenar, sepse është vend që prodhon 100% energji të rinovueshme dhe është vend që targetet do ti kapë më përpara se të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Shumë faleminderit!

***

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Ministra, pjesëtarë të Këshillit të Ministrave,

Të nderuar qytetarë,

Sigurisht sot është një ditë për tu shënuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me dy projektligje të rëndësishme që mbështesin dy nga sektorët më të rëndësishëm që ndikojnë direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, atë të energjisë elektrike dhe sigurisht furnizimi me ujë.

Megjithatë nuk po lë pa u ndalur se nuk munden dot të mos ndalem tek fjalët e zjarrta që sapo dëgjuam për raportin e DASH. Çuditërisht DASH një herë bëhet shumë i dashur për liderët e opozitës, Doruntinën, Kostandinin etj, pastaj kur vjen puna tek “non grata” DASH  nuk është i dashur dhe është i gabuar, kështu që varet si na del dielli në mëngjes. Na del tek “non gratat” apo na del tek raportet dhe tek liria e medias për të cilën po na digjet shpirti, por që s’ka lidhje me lirinë e medias sepse për të thënë të drejtën nuk besoj që DASH ju ka lënë ndonjë autorizim që të merrni dhe të interpretoni raportin e prodhuar nga ta sesi ua ka qejfi juve.

Ka një problematikë që shfaqet në raport sa i takon medias, që ajo lidhet me pronësinë e medias dhe jo me qeverinë, duke filluar nga konstatimi se pronarë mediash po i përdorin mediat për interesat e tyre personale, në qoftë se ti je pronarë mediash nuk do të thotë që në qoftë se ke një linjë prodhimi ushqimore mos të paguash taksa. Nëse ti je pronarë mediash, por je dhe ndërtues nuk do të thotë që të ndërtosh me leje zhvillimi pa shkuar dhe të marrësh lejen e ndërtimit, siç e marrin të gjithë ndërtuesit e tjerë. Kur ti je pronarë mediash, siç e thotë edhe raporti i DASH nuk do të thotë mos ti paguash rrogat e gazetarëve ashtu siç janë në të vërtetë, po ti deklarosh të gjithë me 300 mijë lekë dhe të bësh sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë. Të jesh pronar mediash do të thotë që të jesh pronar mediash dhe jo të jesh edhe pronar i linjave ushqimore ku nuk paguhen taksa, edhe ndërtues që nuk marrin leje ndërtimi. Pra, kur ti je pronar mediash dhe nuk merr leje ndërtimi nuk ka problem, ti duhet të ndërtosh se e thotë Doruntina që duhet të mbrojë fjalën e lirë.

Kjo është një histori që nuk mund të vazhdojë pafund që kur na ka qejfi të mbrojmë raportin e DASH dhe kur s’na ka qejfi dhe dalim non grata në mëngjes ta shajmë Amerikën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këdo tjetër. Unë e kam shumë të qartë që s’të pëlqen të dëgjosh të vërtetën, por meqenëse u hap puna e raportit të DASH ka gjetje pozitive në raportin e DASH. Ka një përparim të dukshëm në luftën kundër pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Shembull i progresit janë hetimet dhe dënimet e zyrtarëve të të gjitha niveleve. Qeveria implementoi shërbime elektronike për të përmirësuar transparencën dhe për të reduktuar ndjeshëm shanset e korrupsionit.

Qeveria konsolidoi agjencitë parandaluese kundër korrupsionit në një drejtori antikorrupsion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë e cila raportoi se hetimet kanë rezultuar me 261 masa në administratë ndaj zyrtarëve dhe procedime të tjera penale. Gjithashtu raporti thotë se qeveria bëri përpjekje më të mëdha për të trajtuar pandëshkueshmërinë në polici. Agjencia e re e Mbikëqyrjes Policore e pavarur nga policia e shtetit kreu 385 hetime individuale, 106 arrestime dhe 61 pezullime nga detyra të zyrtarëve.

Qeveria vazhdoi të zbatojë një proces të monitoruar ndërkombëtarisht për të vetuar gjyqtarët dhe prokurorët. Nga 556 gjyqtarë, prokurorë dhe organe të tjera të vetingut të shqyrtuar që nga viti 2016, 37% kanë kaluar, 43% u pushuan nga puna, 18% kanë dhënë dorëheqjen ose dolën në pension.

Qytetarët ishin të lirë të kritikonin hapur qeverinë në mediat tradicionale dhe ato sociale për çështje që shqetësojnë qytetarët. Mbi lirinë e internetit nga ana e qeverisë nuk ka asnjë kufizim, asnjë ndërprerje të aksesit në internet, asnjë censurë të përmbajtjes dhe gjithçkaje që mund të pasqyrohet në faqet e internetit.

Të gjitha këto janë tek raporti i DASH që juve nuk i lexoni dot, sepse jeni shumë të zënë për të lexuar ato pasi keni hall sesi do të zhvillohet liria e medias duke mos paguar taksa, duke mos marrë leje ndërtimi si të gjithë qytetarët e tjerë dhe duke bërë shumë çudira, mjafton që ju të jeni komod.

Ndërkohë që ti kthehemi sektorit të ujit, të furnizimit me ujë, i cili siç thamë është në interes direkt të qytetarëve. Këtë vit ka pasur një vëmendje të veçantë të qeverisë shqiptare, pasi kemi nisur një reformë të thellë. Një reformë e cila do të përmirësojë të gjitha parametrat teknikë, financiar dhe mbi të gjithë cilësinë. Cilësinë që ujësjellës-kanalizimet duhet ti ofrojnë çdo qytetari.

Nga një sektor i fragmentuar, i cili operonte në të gjitha bashkitë, por në disa bashki me një eficiencë shumë të ulët për shkak edhe të numrit të ulët të banorëve që kishin zonat, sot përmes një agregimi që ne e kemi nisur prej një viti kemi arritur të kemi rezultate të prekshme dhe konkrete që do të shtohen në të ardhmen.

Situata e trashëguar në këtë sektor ka qenë diçka që ne e kemi komunikuar shpesh me publikun. Ujësjellësa të ndërtuar në vitet ’60, ujësjellësa të ndërtuar edhe më pas, por në mënyrën më të gabuar. Investime të fragmentuara, diku ku investohej për shpërndarjen, nuk investohej për matjen, apo për grumbullimin në depot e ujit. Patjetër është një sektor që ka pasur problematika, e dëgjova dhe nga deputetë që u përmend tek flitej për energjinë, sesi ujësjellësat kanë qenë dhe janë debitorët kryesorë të sektorit energjetik.

Kjo është e vërtetë. Kjo është një nga arsyet pse ne vendosëm të ndërmarrim reformën e agregimit të usjësjellësave, pasi ujësjellësat e vegjël sigurisht duke konsumuar energji, disa prej tyre nuk e kanë mundësinë e rrjedhjes gravidacionale dhe përdorin sisteme pompimi, krijonin pafund detyrime ndaj ndërmarrjeve energjetike. Duke krijuar kështu një cikël të brendshëm që afektonte edhe sistemin energjetik.

Përmes agregimit, po marr një shembull si gjithmonë që është një shembull relevant dhe që tregon sesi sot Korça e agreguar me të gjitha bashkitë që e rrethojnë atë ka arritur në këto 12 muaj që të ketë rezultate ky agregim edhe në bashki të cilat konsideroheshin problematike, siç ishte Bilishti apo Maliqi që sot të bashkuara janë duke performuar shumë më mirë dhe janë duke ulur të gjitha debitet dhe problematikat që kanë pasur deri më sot.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë ndërtuar rreth 600 km linja të reja furnizimi me ujë dhe rreth 100 km rrjet i ri kanalizimesh.

Investimet e kryera veçanërisht gjatë vitit të fundit në këtë sektor kanë synuar që përmes zgjidhjeve teknologjike, të ulen kostot e shërbimit, si dhe të rritet përgjegjshmëria në mbledhjen dhe menaxhimin e të detyrimeve të qytetarëve.

Padyshim uji është një e drejtë bazike, por padyshim është një sektor që ka kërkuar ndër vite që të ketë shumë investime. Ndaj për këtë arsye duhet kuptuar nga ana e secilit prej nesh që pagesa e këtij shërbimi është po aq e rëndësishme sa pagesa e energjisë elektrike që sot në Republikën e Shqipërisë ka një mbledhje të faturimit mbi 99%.

Kështu, për të përmirësuar cilësinë e shërbimit ne kemi instaluar pompa me teknologji të avancuar që konsumojnë më pak energji elektrike, tubacione specifike të pa cenueshme nga qytetarë e papërgjegjshëm që ndonjëherë kanë ndërhyrë në këto tubacione në mënyrë të paligjshme, por me tubacionet e reja kjo është pothuajse e pamundur. Kështu do të shmangim edhe faturimin afrofe, i cili sigurisht nuk është i drejt as për ndërmarrjet e reja të agreguara, por as për vetë qytetarin.

Ndërkohë jemi duke punuar për të detajuar projektin për të pajisur ujësjellësat me panele fotovoltaike. Kemi dy raste, dy shembuj shumë të mirë, ujësjellësin e Memaliajt dhe ujësjellësin e Belshit. Kanë qenë dy shembujt, dy projekte pilotimi për të parë sesi një ujësjellës mund të funksionojë në mënyrë të pavarur, duke ulur kostot e produktit, duke prodhuar vetë energjinë elektrike. Sigurisht ne kemi ujësjellësa të cilët kanë konsum shumë të lartë të energjisë elektrike për shkak të disa sistemeve të pompimit që kanë, siç është rasti ujësjellësit të Durrësit. por duke pasur këto pilotime, sado të vogla që janë ne tashmë kemi studime të mirëfillta sesi duhen mbështetur edhe ndërmarrjet e agreguara për të filluar dhe për ti nxitur që të futen në fushën e efiçencës së energjisë dhe ato vetë të ndërtojnë parqet fotovoltaike të cilat do të shërbejnë për furnizimin me energji elektrike duke ulur kështu kostot ndaj OSHEE-së.

Rezultatet sigurisht kanë qenë të ndjeshme. Rreth 500 mijë qytetarë kanë përfituar, vetëm vitin 2022 nga investimet në sektorin e ujësjellës kanalizimeve. Tashmë 33 zona urbane dhe 98 zona rurale furnizohen me ujë të pijshëm me cilësi të lartë, 24 orë në ditë dhe brenda vitit 2023 do të shtohen edhe 7 zona të tjera urbane dhe 164 zona rurale të cilat do të furnizohen 24 orë me ujë.

Marrëveshja që po shqyrtojmë sot për “Programin Kombëtar të modernizimit të sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Shqipëri” vjen si një vazhdim i mbështetjes financiare të Qeverisë në këtë sektori jetik përmes investimeve në nivel kombëtar që synojnë përmirësimin e cilësinë e shërbimit të ujësjellës-kanalizimeve, rritjen e orëve të furnizimit me ujë, rritjen e mbulimit me shërbim deri në 3% më shumë, e cila i përgjigjet 50 mijë banorëve, si dhe përmirësimin e performancës operative dhe financiare të shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Programi Kombëtar i Modernizimit të Sektorit të Furnizimit me ujë është një Program “Për Rezultate”, ndaj dhe huaja që e shoqëron nuk përben një hua klasike, por ndjek logjiken e kushtëzimit. Pra të gjitha ato ndërmarrje të cilat do të përformojnë do të mbështeten financiarisht përmes kësaj huaje, duke përmbushur një nga objektivat themelore që Qeveria ka vendosur për të siguruar “vlerën për paranë publike” të investuar në këtë sektor, duke garantuar mirë menaxhimin e sektorit, si dhe rritjen e aksesit në rrjetin e Ujësjellës-Kanalzimeve edhe nga shtresat akoma të pa shërbyera, dhe e gjitha kjo do të ndodhë në rang kombëtar.

Huaja e Bankës Botërore me vlerën 75 milion dollarë përben një bashkëfinancim me Qeverinë Shqiptare, e cila nga ana e saj angazhon 60 milion dollarë për këtë program, si dhe mbështetjen me një grant nga qeveria Zviceriane në vlerën 6.3 milion dollarë për forcimin e kapaciteteve, për zbatimin e programit  dhe verifikimin e përmbushjes së indikatorëve të performancës.

Ftoj të gjithë deputetët që ta miratojmë këtë marrëveshje, duke i dhënë një mbështetje dhe shtysë sektorit të ujësjellës kanalizime, si një nga sektorët me rëndësinë më të madhe jetike në vend.

Faleminderit për vëmendjen.

Previous Intervistë e Kryeministrit Edi Rama në studion e programit “Today” të BBC Radio 4