Fjala e Ministres Balluku në Kuvend - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend:

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Padyshim ky është një projektligj shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Është një projektligj që duhet të gjejë një konsensus të gjerë, pasi Shqipëria tashmë ka infrastrukturën e duhur për të pasur një Kod Rrugor modern, i cili duhet ti përgjigjet të gjitha zhvillimeve që tashmë ne kemi në vendin tonë.

Sot, ashtu siç të gjithë e dini, kemi ndërtuar një infrastrukturë të denjë për çdo vend europian. Bypass-i Fierit, Vlorës, Shkodrës, Tepelenës, rruga Kardhiq-Delvinë, Unaza e Madhe, e cila një pjesë e mirë tashmë ka përfunduar dhe vazhdojmë me lotet e tjera për ta përmbyllur të gjithë këtë proces në 2024, por edhe korridoret e rëndësishme, sapo vij nga një takim me Komisionerin Varhelyi, i cili sapo më ka konfirmuar edhe një herë se Korridori VIII tashmë është i miratuar nga Bashkimi Europian, nga Komisioni dhe nga të gjitha forumet e tjera dhe është thjesht çështje ditësh për t’u bërë publik dhe me miratimin e këtij Korridori, pra më në fund si pjesë e Ten10, ne do të kemi mundësi që të gjitha projektet tona, qoftë ato infrastrukturore, siç janë bypass-i i Elbasanit, apo bypass-i i Librazhdit apo hekurudha që do të lidhë Durrësin me Rrogozhinën dhe Rrogozhinën më pas me Pogradecin për t’u lidhur me Maqedoninë e Veriut, janë të gjitha projekte europiane të cilat do të mbështeten edhe me fondet e Bashkimit Europian.

Sigurisht të gjitha këto zhvillime infrastrukturore, që janë mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe puna që është bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe nga ARRSH-ja, nuk mbeten vetëm tek ndërtimet e rrugëve, por edhe tek zhvillimet e tyre teknologjike, ashtu siç është dhe rasti i ngritjes së Qendrës së Monitorimit, e cila do të nisë me 200 kilometrat e parë për të monitoruar të gjithë lëvizjet e trafikut ku komponentët do ti ofrohen edhe Policisë së Shtetit për sigurinë, por edhe urgjencës, edhe zjarrfikësve dhe sigurisht do të jetë një qendër ku do të kontrollohet trafiku, fluksi i tij dhe ndarja nëpër autostradat moderne që ne tashmë kemi. Kjo Qendër do të jetë një strukturë e re koordinuese, ndërinstitucionale, ku të gjithë aktorët do të kenë mundësi që të marrin informacion në kohë reale për ti ofruar qytetarëve ndihmën apo për ti dhënë atyre drejtime të ndryshme për shkak të trafikut, të rëndesës apo gjithçka tjetër.

Gjithashtu vitet e fundit Qeveria Shqiptare përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe DPSHTRR-së, një nga ndërmarrjet më të suksesshme që ne kemi nën Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, i ka kushtuar rëndësi të veçantë dhe reformës të modernizmit të sektorit të transportit duke nisur nga emetimi i lejeve të drejtimit, të cilat merren brenda ditës dhe duke harruar atë kalvar të gjatë ku duhet të rrije në radhë për orë të tëra dhe të prisje për muaj të tërë që të merrje lejen e drejtimit, në ndërkohë këtu vlen të përmendet një rritje e kontrollit të cilësisë, i cili i është kthyer shtetit pas një kontrate të gjatë koncensionare, e cila as nuk ka bërë investimet e duhura dhe ka përdorur qytetarët në mënyrën e gabuar, sot ky proces i është kthyer shtetit dhe DPSHTRR-ja e kryen këtë proces në kushtet më të mira.

Po ashtu i është kushtuar një vëmendjen e veçantë reduktimit të procedurave burokratike, ashtu siç thashë, pra uljes së kohës së aplikimeve dhe të dorëzimeve të të gjithë dokumentacionit dhe duke e pasur parasysh që nga ana tjetër ky modernizim i auto motorizimit ka sjellës edhe një interes më të madh tek qytetarët duke ngritur tashmë edhe një krenari tjetër për vendin që janë automobilët e vjetër dhe përmes një programi të quajtur, prej kohësh tashmë, Retro, i cili e kemi pasur fatin që ta shikonim dhe në Tiranë gjatë Ditës së Verës, është kthyer edhe në një atraksion për të gjithë qytetarët.

Kështu që me të gjithë infrastrukturën moderne që kemi, me të gjithë automatizimin që kemi sjellë përsa i përket proceseve të transportit, me të gjitha planet që kemi për të ardhmen përsa i përket edhe transportit urban dhe atij ndërqytetas, për flotat të cilat duhet të jenë, flota hibride për të ndotur sa më pak ambientin, dhe gjithçka tjetër që është në planet dhe reformat e qeverisë që të kemi një Kod të ri Rrugor, i cili do të ndikoj në sjelljen e drejtuesve të automjeteve për t’u bërë sa më afër të gjitha parimeve të Bashkimit Europian, unë do të thoja që është një nevojë imediate për ta votuar këtë projektligj dhe për ti dhënë mundësi Shqipërisë që të gjitha këto investime, si në infrastrukturë kritike, ashtu dhe në burime njerëzore të kthehen dhe të përdoren nga qytetarët të bazuar mbi një Kod Rrugor të mirës tudiuar dhe të koordinuar me të gjitha palët.

Unë jam e bindur se ky kontroll do të jetë në lartësinë e duhur duke krijuar klimën e përshtatshme për një lëvizje sa më të mirë dhe të sigurt përgjatë gjithë infrastrukturës rrugore të vendit tonë.

Shumë faleminderit.

***

Fjala e dytë e Ministres Balluku në Kuvend:

 

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për delegimin e trafikut ajror në një pjesë të hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit është një procedurë ndërkombëtare e bazuar mbi kodin e aviacionit civil, e cila lehtëson operimet midis vendeve kufitare.

Kështu edhe në këtë rast pasi janë kryer të gjitha veprimtaritë përsa i përket sigurisë ajrore, pasi ka patur një negocim të gjatë midis dy aviacioneve civile të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Maqedonisë së Veriut, palët kanë dakordësuar për të lejuar pikërisht përdorimin e hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit për të facilituar kështu uljet dhe ngritjet nga aeroporti Apostulli i Shën Palit. Kjo është një procedurë e vendosur mbi të gjitha konventat ndërkombëtare të aviacionit civil dhe Shqipëria si një lider rajonal në fushën e zhvillimit të aviacionit civil sigurisht ka kënaqësinë të mbështesë dhe të ndihmojë Republikën e Maqedonisë së Veriut në kryerjen e operacioneve të aviacionit.

Gjithashtu duke qenë se kjo çështje u fol gjatë nga deputetët, gjej rastin të them edhe njëherë me kënaqësi se dje bordi drejtues i aeroporti të Mynihut ka vendosur që të marrë përsipër operacionet e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, duke e futur kështu Shqipërinë në një hartë ekselence të operimeve të aviacionit civil. Ky është një lajm i shkëlqyer pasi tashmë punimet e infrastrukturës në aeroportin e Vlorës janë duke ecur me ritme të shpejta. Është përfunduar pothuajse totalisht trupi i një piste prej 3.2 kilometrash, e cila do të jetë pista më e gjatë në Ballkan, duke akomoduar kështu të gjitha fluturimet transoqeanike dhe duke i dhënë mundësinë Shqipërisë dhe Vlorës të kthehet në një hab.  Në një hab që do ti shërbejë jo vetëm diasporës shqiptare, por të gjitha shqiptarëve të Ballkanit Perëndimor që do të kenë dëshirë të udhëtojnë në kontinentet e tjera nga Vlora në drejtim të Amerikës, Kanadasë, Australisë.

Në ndërkohë duhet thënë që aviacioni civil tashmë në Republikën e Shqipërisë prej vitesh ka një zhvillim të jashtëzakonshëm, duke nisur nga aeroporti i Tiranës, i cili pas kontratës së re të firmosur me koncesionarin shqiptar tashmë ka arritur që të ketë padyshim një terminal të ri dhe të ketë një menaxhim totalisht të ri, cilësor, i cili ndihet duke nisur nga viti i kaluar. Por, gjithashtu edhe Tirana ka marrë përsipër shtimin e pistës me disa qindra metra dhe një rregullim të tërë të territorit që do të konsistojë edhe në parkimin e automjeteve që shpeshherë kthehen në problematikë.

Pa harruar këtu aeroportin e Kukësit, i cili do të jetë operacional akoma dhe më shumë gjatë verës së vitit 2023. Ashtu siç shpeshherë ne në mediat tona sociale kemi publikuar, kompani të reja shtohen çdo ditë në skedulën e aeroportit të Tiranës, duke u përgatitur që në vitin e ardhshëm të kemi 6.4 milionë pasagjerë krahasuar me vitin 2019 kur kemi pasur vetëm 2.3 milionë pasagjerë. Shqipëria tashmë me të gjitha investimet në infrastrukturë, në turizëm, në aviacion, në porte, në marina dhe në jahte po kthehet në një pikë referimi për zhvillimin turistik dhe atë infrastrukturor të Ballkanit. Dhe është kënaqësi që në krahun tonë për të zhvilluar aviacionin të kemi emra të mëdhenj ekselence si aeroporti i Mynihut.

Shumë faleminderit për vëmendjen dhe besoj dhe ky projektligj duhet votuar.

Faleminderit!

Previous Takimi i KKIE, Ministrja Xhaçka: Falë bashkëpunimit efikas me BE, jemi një hap më afër Shqipërisë Evropiane