Fjala e Ministres Balluku, interpelanca për akset rrugore
E nderuar kryetare,
Të nderuar kolegë,
Po lexoj një herë objektin pse është kërkuar interpelanca, duke qenë se parafolësja nuk e lexoi, dhe unë kam ardhur e përgatitur që të sqaroj banorët e Thumanës dhe mendova se ishte vënë dora në zemër nga kolegët deputetë të krahut të djathtë dhe po interesoheshin për hallet e publikut. Ndërkohë po më kërkohen sqarime për të qartësuar se çfarë janë instrumentet financiarë PPP dhe koncension. Shikoj një konfuzion ekstrem të koleges dhe më vjen keq sepse kur keni marrë materialin e shkruar duhet të kishit pyetur se për çfarë bëhej fjalë sepse ngatërruat atë që ishte Partneritet Privat-Publik me paratë e shtetit për 13 vite, me koncensionin ku shteti nuk vendos para për 35 vite dhe e vetmja garanci që jepet është numri i automjeteve, por që dukshëm që sot në tre muajt e parë nuk do të aktivizohet kurrë ajo garanci.
E dashur kolege, para së gjithash duhet të ulesh me një kolege që e ke shumë të informuar për çështje të tilla, do ti kërkoja Jorida Tabakut të të informonte pak, s’kam asnjë punë, por ngaqë je person që i njeh mirë këto çështje, të të informojë e dashur Elda se çfarë është koncensioni dhe çfarë është Partneriteti Publik-Privat.
Atëherë, objekti për të cilën është kërkuar kjo interpelancë sot thotë, “koncensionari privat që menaxhon Rrugën e Kombit ka vendosur në hyrjen dhe daljen e qytetit të Milotit disa barriera betoni, të cilat pengojnë aksesin e lirë të qytetarëve në këtë rrugë. Kjo ka sjellë pengimin e qytetarëve për të lëvizur lirisht në këmbë, në Rrugën e Kombit duhet të lëvizin në këmbë, apo me automjete, si dhe ka dëmtuar gjendjen e bizneseve të zonës, të cilët janë detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre. Siç është raportuar dhe nga mediat, banorët e zonës kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin lidhur me bllokimin e aksit rrugor, i quajtur Rruga e Kombit, dhe qytetarët e Milotit duan një sqarim për këtë. Megjithatë këto shqetësime kanë rënë në vesh të shurdhët etj etj” dhe pastaj e kalojmë, “nga ana tjetër me përfundimin e punimeve për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar, është vërejtur se në zonën e Thumanës është mbyllur dalja e rrugës së vjetër që mundëson lidhjen me qytetin e Milotit etj etj” dhe nuk pyetet gjëkundi as për hapësirën fiskale të disponuar në vitin 2019 për paktin e studentëve dhe asgjë tjetër.
Kështu që unë, e dashur kolege, do ti përgjigjem këtij objekti të interpelancës për të cilin më ke thërritur, por nuk e kam dhe të të jap disa mësime se çfarë është koncensioni dhe çfarë është PPP-ja.
Interpelancat janë një nga detyrat organike të deputetit dhe si deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe jo thjesht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e ndjej përgjegjësi që të sqaroj kolegët deputetë të opozitës, gjithashtu dhe të gjithë grupet e tjera të interesit që mund të jenë të interesuar për këtë çështje.
Në rastin kur flitet për autostrada Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Qeveria Shqiptare sot mund të shprehen krenarë se Shqipëria ka filluar të ndërtojë infrastrukturën e saj rrugore me parametrat dhe kërkesat e Bashkimit Europian, ashtu siç i përket një vendi i cili tashmë ka nisur rrugëtimin e tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Duhet të kemi parasysh që sot Shqipëria kryeson listat e destinacioneve turistike, si një nga vendet me interesin më të madh të vizitorëve të huaj dhe padyshim askush nuk mund të mohojë që infrastruktura është një nga kolonat mbajtëse të zhvillimit ekonomik të vendit, e sidomos sektorit të turizmit, i cili sot padyshim është kontributori kryesor i ekonomisë së vendit.
Nuk do të kishim këtë fluks turistësh nëse aeroporti ndërkombëtari Tiranës nuk do ishte kthyer nga një koncension i cili thjesht prodhonte para që dilnin jashtë vendit në drejtim të Kinës, në një nga aeroportet që elaboron mbi 1 milionë pasagjerë në muaj dhe ul e ngre 5 mijë avionë mesatarisht në muaj. Nuk do të kishte qenë e mundur që të shtoheshin investimet në turizëm, në hoteleri apo njësi të tjera akomoduese, në rast se nuk do të ishin ndërtuar akse të tëra rrugore të cilat lidhin qytetet, lidhin bregdetin e Shqipërisë apo malet e larta, në rast se nuk do të ishte ndërtuar bypass-i i Vlorës, bypass-i i Fierit, Rruga e Arbrit apo shumë rrugë të tjera. Nuk do të ishte e mundur që sot të aksesoheshin zonat e thella malore dhe jo vetëm nga automjetet, por nga kamperat e shumë mjete të tjera të cilët vijnë nga të katërt anët e Europës për të shijuar bukuritë e Shqipërisë.
Të gjitha këto na vënë ne, Qeverinë Shqiptare, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë veçanërisht, para përgjegjësisë për të dizenjuar me kapacitete të plota dhe me kritere e parametra të sigurisë rrugore akse të cilat janë jo thjesht më akse kombëtare, ashtu siç ishim mësuar ti thërrisnim, por janë autostrada të kategorisë A, pjesë e Korridoreve europiane. Shqipëria ka qenë e izoluar për shumë vite në kohën e regjimit komunist, dhe pas rënies të tij, sërish ne mbetëm jashtë të gjitha Korridoreve europiane, ndryshe nga fqinjët tanë, që pavarësisht se i përkisnin bllokut komunist sërish ishin pjesë e Korridoreve europiane, ndryshe nga Shqipëria.
Na është dashur një punë shumë e madhe me Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian për të inkluduar Korridorin Blu, aty ku bën pjesë Thumanë-Kashar dhe Korridorin VIII si pjesë integrale të Korridoreve Paneuropiane. Është dashur një punë nga të gjithë deputetët socialistë dhe nga të gjithë ministrat të cilët nuk kanë lënë rast pa e kërkuar që Shqipëria të ishte pjesë e këtyre Korridoreve, sepse nuk ka të bëjë thjesht me infrastrukturën, por ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave, me zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin turistik të vendeve.
Kështu, sot Korridori Blu, i cili lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, kalon tej për tej në Shqipëri dhe ne tashmë kemi segmentin e parë prej 21 kilometrash që është ai Thumanë-Kashar dhe që është një segment i ndërtuar sipas parametrave të kategorisë A dhe që do të jetë një shembull për t’u marrë për të gjitha autostradat në vazhdim. Ju e dini që ne tashmë kemi mbyllur garat për segmentet e tjera, ashtu siç është segmenti që vijon, nga Thumana në Milot, ashtu siç do të jetë ai i Milot-Balldrenit që mezi e presin lezhjanët dhe shkodranët dhe padyshim të gjithë segmentet e jugut. Segmenti totalisht i ri cili fillon nga Kashari dhe përfundon në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, në Lekaj dhe nga Lekaj deri në bypass-in e Fierit, duke e përshkruar Shqipërinë nga veriu deri në jug në Ultësirën Perëndimore me një Korridor të kategorisë A.
Sigurisht kur ndërtojmë autostrada të këtij niveli ka dhe një problematikë që i lind komuniteteve, pasi këto autostrada kërkojnë që të kenë kushte sigurie të larta që të certifikohen në kategorinë A. Kërkon që të kenë nyje të dizenjuara dhe jo hyrje-dalje, siç me shumë të drejtë komunitetet do të donin që të dilnin sa më parë aty ku ishin mësuar që të dilnin, por që sot ato nuk janë më rrugë rurale dhe as akse të thjeshta kombëtare.
Që të vijmë tek kërkesa e grupit të deputetëve për këtë interpelancë, po ndalem tek pika e parë, konkretisht tek Thumanë-Kashar duke bërë një përshkrim të të gjithë problematikës së shtruar. Thashë që për shkak të kërkesave për sigurinë rrugore dhe për të ruajtur nivelin e certifikimit të rrugës ka pasur ndërhyrje të shumta të cilat kanë qenë publike, kanë qenë transparente. Ky është një projekt i dizenjuar nga WBIF shumë vite më parë. Kemi pasur një garë e cila u zhvillua në periudhën e pandemisë pa sukses dhe u detyruam që ta rihapim pas pandemisë dhe sigurisht ka qenë një projekt i cili është ndarë në forume, në tryeza të ndryshme dhe nuk ka qenë kurrë i fshehtë për askënd.
Megjithatë duhet thënë që 4 nyje Thumanë-Kashari nuk i ka pasur, e nderuar. Thumanë-Kashari ka 2 nyje të cilat janë pjesë e projektit, ndërkohë pjesë e studimit kanë qenë 3 nyje edhe ajo e Gramzës, të cilën do t’jua shpjegoj. Dy nyjet e Kasharit janë të ndërtuara dhe nuk ka asnjë ndryshim nga projekti fillestar i miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH-së dhe bëhet fjalë për hyrjen e Rinasit dhe hyrjen e Kasharit. Në ndërkohë që ajo nyje e cila do ti përkasë dhe do të zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës dhe si rrjedhojë të Fushë-Krujës dhe Krujës, të cilat ndodhen në lartësi mbi Thumanë, është nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do të vazhdojë, pra nga Thumana në Milot dhe është vetëm 4 kilometra larg mbikalimit ekzistues sot, sepse ka një mbikalim aty në Gramëz. Ky i fundit për ti dhënë një zgjidhje provizore, sepse dëgjova nuk u mposhtën dhe mu kujtua një këngë nga ato që nuk na mposhte imperalizmi amerikan, nuk na mposhtte stuhia dhe tufani, nuk e di se kush doli për ti mposhtur qytetarët e Thumanës dhe nuk e di se kush ishte prekur nga ju për takimet në orët e vona. Më vjen keq, por unë punoj gjatë gjithë ditës. Jam një njeri që e nis ditën shumë herët dhe e mbyll shumë vonë, kështu që ora 6 pasdite apo 8 e darkës për mua nuk është orë e vonë, por e kuptoj që për ju 8 e darkës duhet të jetë e tmerrshme.
Kështu që në orët e vona apo në orët e hershme unë banorët e Thumanës i kam takuar, i kam dëgjuar dhe sigurisht i kam dhënë dhe zgjidhje, sepse ndryshe nga çfarë mendoni ju dhe çfarë thoni ju “Qeveria Rama” ka veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë, ka dëshirën më të madhe për të adresuar kërkesat e komuniteteve, por sigurisht duke kuptuar mirë se interesi i një individi nuk mund të prevalojë interesat e komuniteteve apo interesat e rajoneve apo dhe të të gjithë vendit.
Ne i kemi dhënë një zgjidhje provizore kërkesës së banorëve të Thumanës, të cilët këtë duhet ta dish sepse the gjëra të pavërteta, ndaj mirë është që të sqarohesh pavarësisht se nuk është objekt i kërkesës tënde të gjitha ato që the, janë një shtesë që të kanë thënë që të thoje, por që ti nuk je as në dijeni. Ka rrugë alternative dhe ajo video që vure këtu për të dëgjuar, duke kopjuar liderin tënd suprem që vinte video nëpër mikrofona, të të sqaroj pak që nuk i lëviz asnjë fjalë. Është parim që të gjitha rrugët të cilat do të ndërtohen me pagesë duhet të kenë rrugë alternative dhe sot që flasim Thumana ka rrugë alternative. Po e di kush është kërkesa?! Që rruga alternative është e gjatë dhe rruga alternative nuk është në gjendje të mirë. Dhe kjo është e vërtetë. Po të gjitha rrugët alternative janë të gjata dhe në rast se do të deshe që të ndanim edhe ndonjë shembull kam marrë dy autostrada të ngjashme, njëra që është Napoli-Kazerta, ku përmes autostradës A1 gjatësia është 29.3 kilometra nga një qytet në tjetrin, ndërkohë që përmes rrugës alternative është 37.5. Ju kam marrë edhe një shembull nga autostradat e Greqisë dhe është Trikala-Janinë që përmes autostradës E92 rruga nga një qytet në tjetrin është 126 kilometra, ndërkohë që përmes rrugës alternative është 138 kilometra.
Pra, rrugë alternative ka dhe nuk është e vërtetë që nuk ka, nuk është e vërtetë që kam shkelur atë që kam thënë, pasi është e verifikueshme dhe këtë jua thonë edhe banorët e Thumanës nëse doni, por nuk duan që të përdorin atë rrugë të gjatë dhe kanë të drejtë. Pse të mos të ketë një rrugë më të shkurtër? Dhe do të ketë një rrugë më të shkurtër, do të ketë një nyje të dedikuar në hyrje të Thumanës, e cila është pjesë e projektit Thumanë-Milot që nis menjëherë. Jemi në fazën e firmosjes të kësaj kontrate.
Por, në ndërkohë në ato orët e vona kur unë takoj njerëzit dhe ti shqetësohesh për orët e vona që janë 6, 7 apo 8 pasdite dhe se kuptova këtë fare pse qenka kaq orë e vonë për të takuar banorët e Thumanës, kemi sqaruar që në mënyrë provizore ata do ta aksesojnë mbikalimin ekzistues të Gramzës me një ramp të dedikuar që do të ndërtohet për ta në javët në vazhdim, duke zgjidhur kështu deri ditën kur do kemi rrethrrotullimin dhe mbikalimin e plotë në zonën e hyrjes së Thumanës dhe atëherë do të pushojë të kemi zgjidhjen provizore. Megjithatë me banorët e Thumanës kemi rënë dakord edhe për diçka tjetër, që në rast se ata do ta shikojnë të arsyeshme, por që këtu duhet të ketë edhe një marrëveshje midis komunitetit pasi ka disa shtëpi që ndodhen pranë mbikalimit të Gramzës dhe do të gjendet një gjuhë me bashkëqytetarët e tyre, ne mund të konsiderojmë që dhe mbikalimin e Gramzës në të ardhmen ta kthejmë në një nyje permanente, duke i dhënë Thumanës, jo një akses që është i parashikuar qartazi në projekt që është ai nga Thumana në Milot, por edhe një akses tjetër 4 kilometra më tutje që është ai i Gramzës që do të përdoret për momentin në mënyrë provizore.
Do të desha të kthehesha vetëm për një moment, duke qenë se çështja e Thumanës është e ezauruar për të thënë të drejtën, desha të kthehesha vetëm një moment tek pjesa e pyetjes së parë. Përsa i përkiste Rrugës së Kombit dhe pjesës së Milotit e cila është mbyllur me jersey. Është bërë për shkak të parametrave të sigurisë. Kini parasysh që zona për të cilën po flasim është një zona që ka qenë burim aksidentesh.
Kam kërkuar nga Policia e Shtetit dhe nga Policia Rrugore në veçanti dhe kam marrë të dhënat pikërisht për atë segment. Nga viti 2018 deri në vitin 2021 kemi pasur 15 aksidente me humbje jete dhe kemi pasur 22 aksidente me dëme materiale. Ndërkohë nga momenti që është bërë ndërhyrja për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke e mbyllur çdo dalje pra imagjinoni që çdo biznes dilte direkt në autostradë me mbylljen nga viti 2022 dhe deri në vitin 2024 nuk kemi asnjë aksident me vdekje dhe ka vetëm 4 aksidente me dëmtime të lehta. Pra, në rast se ka dikush akoma pyetje që pse duhet dhe flitet vetëm për këtë devijim. Kjo është Rruga e Kombit, është bërë mbyllja dhe ka rrugën paralele që siç e shikoni rrugën e verdhë e cila është vetëm 720 metra. Ndërkohë që shifrat flasin, para se të bëhej kjo ndërhyrje në Rrugën e Kombit kishim 15 të vdekur dhe 22 aksidente me dëmtime materiale, sot kemi 0 të vdekur dhe vetëm 4 aksidente me dëmtime materiale.
Kjo është arsyeja pse është bërë ndërhyrja në Rrugën e Kombit. Kjo është arseja pse do të ruhen parametrat e sigurisë në të gjithë akset e reja të Republikës së Shqipërisë dhe në akset e trashëguara do të ketë ndërhyrje të herë pas hershme për mitigimin dhe zhdukjen e pikave të zeza dhe sigurisht për rritjen e kushteve të sigurisë dhe duhet të biem të gjithë dakord që infrastruktura tashmë duhet të plotësojë të gjitha kushtet dhe parametrat europiane.
Vizitorët që vijnë në Republikën e Shqipërisë dhe ato që kanë kaluar prej ditësh edhe 10 milionshin tashmë janë vizitorë që vijnë nga vende europiane apo nga vende të tjera, të cilët kërkojnë që ti plotësohen kushtet e duhura për të vizituar vendin tonë. Dhe duke qenë që ne duam ta konsolidojmë turizmin, duke qenë se ne duam të zhvillojmë vendin tonë, do të na duhet që ti përgjigjemi edhe infrastrukturës rrugore me të njëjtat kushte.
Shumë faleminderit!
***
Unë fola me fakte dhe argumente, ti bëre nga fillimi deri në fund propagandë. Dhe më vjen keq po e harrove Milotin dhe mu desh mua që të lexoja objektin duke harxhuar nga koha ime. Mu desh që ta lexoja unë objektin për të cilin më kishit kërkuar në interpelancë. Po e sqaroj edhe njëherë se shikoj që ke paqartësi përsa i përket urdhrit numër 42.
E nderuar deputete, Thumanë-Kashari ka qenë një projekt i cili në bazë të një kontrate të vitit 2018 ishte dizenjuar si një projekt partneriteti publik dhe privat dhe sigurisht në fillim të 2019 kam dalë unë në konferencë për shtyp dhe kam deklaruar se hapësira fiskale në dispozicion, besoj që e kuptojmë se çfarë është hapësira fiskale, se flet për para sikur bëhet fjalë për para me çanta, hapësira fiskale e dedikuar për këtë projekt u pa e arsyeshme nga Qeveria Shqiptare që të destinohej për paktin e universitetit. Dhe çfarë kemi bërë ne për studentët shqiptarë mund ti referohesh të gjithë atij projekti, i cili është përqafuar nga të gjithë studentët në atë kohë dhe kanë qenë tryeza të tëra të hapura ku janë diskutuar me transparencë të plotë projektet që u implementuan.
Nuk ka ndonjë rregull të shkruar që duhet t’ju pyesim juve nëse Qeveria Shqiptare në një moment të caktuar ka një prioritet tjetër dhe vendos që hapësirën fiskale të një rruge apo të një programi transportit rrugor e destinon për një scoop më të lartë, siç ishte rasti i studentëve. Kështu që tek kjo pjesa këtu besoj që jeni të qartë, sepse ka qenë publike.
Më pas, patjetër në bazë të një vendimi të Gjykatës Administrative, është bërë një negociatë e gjatë për muaj të tërë, gjithçka e dokumentuar ndodhet në arkivat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mes fituesit të kontratës PPP dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të kthyer atë kontratë nga një kontratë PPP-je, ku shteti është i detyruar që të paguajë lekët për ndërtimin e rrugës, në një kontratë koncesionare e cila tashmë është bërë me paratë e vendosura nga vetë koncesionari, ku shteti garanton minimumin e trafikut të automjeteve dhe po ju them nga sa kemi parë vetëm në tre muajt e parë nuk do të jetë nevoja kurrë që të angazhohen garancitë e vendosura në kontratën koncesionare. Kjo përsa i përket të gjithë pyetjes tuaj.
Ndërkohë përsa i përket propagandës, ne nuk bëjmë propagandë zonjë, se nuk kemi kohë që të bëjmë propagandë, se jemi në krye të punës. Ne bëjmë rrugë, ne bëjmë aeroporte, ne bëjmë porte, ne bëjmë shkolla, ne bëjmë kopshte dhe të gjitha këto janë të prekshme nga qytetarët. Për fjalë ju kemi juve, sepse e qani këtë pjesën e fjalëve, të baltës, të sharjeve dhe të gjithë mynxyrave të tjera. I ka ndarë Zoti këto gjëra. Ne bëjmë punët, ju bëni llafet.
Shumë faleminderit!