Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, projektligji Vorë-Hani i Hotit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, projektligji Vorë-Hani i Hotit

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend:

E nderuar drejtuese e seancës!

Të nderuar kolegë!

Qeveria Shqiptare është fokusuar me prioritet maksimal në ndërtimin e një infrastrukture moderne dhe sigurisht efikase, e cila do të lehtësojë ndërlidhjen dhe aksesin e qytetarëve dhe turistëve të huaj në çdo cep të vendit dhe nga ana tjetër do të rrisë parametrat e sigurisë përsa i përket transportit të udhëtarëve dhe të mallrave.

Infrastruktura hekurudhore është vlerësuar si një element thelbësor përbërës i kësaj infrastrukture moderne që tashmë ka nisur dhe po shtrihet në të gjithë vendin për transportin përmes rrugëve dhe autostradave, hekurudhave, aeroporteve dhe porteve, pa të cilën ndërlidhja e brendshme, por edhe me vendet fqinje nuk do të ishte e kompletuar. Transporti Hekurudhor është një nga mënyrat e transportit alternativ, miqësor me ambientin, por dhe me financat e qytetarëve dhe është një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimit Europian promovon vitet e fundit.

Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji të zhvillimit të rrjetit hekurudhor dhe mbështetja e fondeve të Bashkimit Europian është vlerësuar shumë e rëndësishme për këto zhvillime, duke pasur parasysh që linjat hekurudhore janë intensivisht të rëndësishme në kapital, ashtu siç janë edhe në kohë. Megjithatë tashmë ne kemi një strategji të mirëstudiuar, një strategji e cila ka nisur të vendoset në jetë, siç është në rastin e rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës, ndërtimi i një linje të re që lidh Tiranën me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ashtu siç lidh edhe portin e ri të Durrësit dhe ballinën ujore të Durrësit me aeroportin e Rinasit, duke krijuar një trase totalisht të re, e cila do të ndërlidhë pikat kryesore, kryeqytetin aeroportin dhe portin. Në ndërkohë rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit mbetet një nga projektet tona më të rëndësishme, por që do ta elaborojë në pjesën tjetër të fjalës time, për ti lënë vend listimit të disa nga projekteve më të rëndësishme që ne kemi nisur, siç është rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit të VIII, pjesa e parë e Korridorit të VIII, e cila më pas do të bazohet edhe në disa linja të tjera të cilat kanë kryesisht synim lidhjen e Shqipërisë me dy pikat kufitare të daljes. Pra, Korridori VIII është ai që do të na krijojë aksesin për tu lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe më pas me Bullgarinë, sigurisht edhe me Greqinë fqinje. Duhet pasur parasysh që linjat e Korridorit të VIII do të jenë jo vetëm linja tregtare, por do të jenë dhe linja të cilat do të ofrojnë sigurinë ushtarake për Shqipërinë, por edhe për të gjithë aleatët tanë të NATO-s.

Ndërkohë që pikërisht BE ka akorduar një grant prej 62 milionë euro për këtë projekt dhe presim që brenda këtij viti të fillojë negocimi për marrëveshjen e financimit, vijimi i projektit të Korridorit të VIII, përmes Pogradec-Rrogozhinës synon që të na ndërlidh edhe me vendet e tjera të rajonit. Nga ana tjetër ne kemi një projekt shumë të rëndësishëm, një projekt kombëtar, ai i hekurudhës Durrës-Prishtinë, ku parashikohet që kjo linjë të kalojë nga Gjakova, duke krijuar kështu një tjetër korridor transporti, për më tepër transporti hekurudhor dhe duke i dhënë mundësi shqiptarëve të Kosovës që të aksesojnë portin e Durrësit apo të gjithë ultësirën perëndimore, si për tregtinë e mallrave, ashtu edhe për ta vizituar si turist.

Po ashtu paralelisht me investimet në infrastrukturë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke punuar intesivisht për modernizimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me standardet e Bashkimit Europian përsa i përket transportit hekurudhor. Rritjen e sigurisë në infrastrukturën hekurudhore, respektimin e standardeve për investime të qëndrueshme afatgjatë, efiçente dhe në përputhje të plotë me agjendën ekonomike të gjelbër, integrimin e zgjidhjeve inovatore digjitale në sistemin hekurudhor me qëllim rritjen e sigurisë së konektivitetit, çfarë është më e rëndësishmja, rritjen e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për sektorin hekurudhor si një faktor thelbësor për mbarëvajtjen në vijimësi të këtij sektori. Duhet patur parasysh që dy komponentët kryesorë, përveç komponentëve të investimit, sigurisht është rritja e kapitalit njerëzor, i cili me kalimin e kohës dhe mosfunksionim e hekurudhave gjatë 30 viteve të fundit ka pësuar një rudimentim, por ne kemi nisur nga puna paralelisht. Ashtu siç investohet në infrastrukturë, po investohet sot për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, sigurisht dhe dixhitalizimi është një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit hekurudhor. Duke qenë se sistemi ynë hekurudhor duhet të jetë në përputhshmëri të plotë edhe me sistemet hekurudhore të rrjeteve europiane dhe ky është synimi ynë kryesor. Pra, lidhja me Korridorin VIII dhe nga ana tjetër lidhja përmes Kosovës me Korridorin X, duke e bërë kështu Shqipërinë pjesë të rrjeteve europiane të transportit jo vetëm rrugor, por edhe të atij hekurudhor. Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së huasë me vlerë 98 750 000 euro me BERZH-in, i cili është një prej partnerëve financiarë më të rëndësishëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, veçanërisht në sektorin infrastrukturor, duke mos lënë mënjanë atë të energjisë. Kësaj shume, i shtohet një hua prej 100 milionë euro e akorduar nga Banka Europiane e Investimeve, e cila do ti përcillet Kuvendit për shqyrtim shumë shpejt, si dhe një grant investimesh të Bashkimit Europian i cili arrin në vlerën 133 milionë. Thënë të gjitha këto shifra është thjeshtësisht e kuptueshme se të gjitha këto incentiva të Bashkimit Europian janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të hekurudhave shqiptare dhe padyshim duke qenë se konsiderohet si një nga transportet më miqësore me ambientin, do të ketë një përparësi edhe në vendin tonë, ashtu siç ka në Bashkimin Europian.

Në fakt nëpërmjet këtij projektligji sanksionohet një nga modelet e financimit më të suksesshme të arritura në sajë të punës së jashtëzakonshme të Qeverisë Shqiptare, për të arritur standardet e kërkuara nga institucionet partnere e shënuar progres të padiskutueshëm në të gjitha fushat përfshirë këtu, projektet për rehabilitimin, ndërtimin e një rrjeti transporti hekurudhor modern, të sigurt e të qëndrueshëm në Shqipëri. Falë kësaj pune dhe angazhimit konkret për arritjen e objektivave madhorë për zhvillimin infrastrukturor, ekonomik e social të vendit ne kemi arritur të fitojmë besimin e pakthyeshëm të partnerëve tanë strategjikë si Bashkimi Europian i cili ka vendosur të investojë në Shqipëri vlerën e konsiderueshme prej 133 milionë euro në formën e një granti pa asnjë kosto për buxhetin e shtetit shqiptar.

Kjo iniciativë ligjore përfaqëson nisjen e një prej projekteve më të rëndësishme që lidhen me ndërtimin e një rrjeti transporti kombëtar multimodal në shërbim të zhvillimit ekonomik e mirëqenies sociale të shtetasve shqiptar, rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. Ashtu siç e kemi thënë shpeshherë, duke qenë që shumica e projekteve strategjike vijnë të mbështetura nga grante të Bashkimit Europian apo nga kredi dhe marrëveshje të tjera të dhënë nga partnerët tanë. Kemi folur këtu për portet dhe aeroportet të cilat nuk mund të konsiderohen të palidhura dhe të pastudiuara në një paketë të tërë të zhvillimit infrastrukturor të transportit shqiptar. Kështu që duke pasur parasysh që vetëm pas pak javësh ne do të kemi hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit më të madh në Ballkanin Perëndimor, që është porti i ri i Porto Romanos, sigurisht kjo paketë të cilën ne do të votojmë sot e kompleton projektin e portit të Durrësit, duke pasur parasysh që porti i Durrësit nuk do të jetë një port thjesht tregtar për trojet e Republikës së Shqipërisë, por do të jetë një port tregtar i cili do të jetë i lidhur me dy porte të thata, me portin e  Prishtinës dhe me portin e Strugës, ndaj dhe të dy linjat hekurudhore të cilat përmendim, pra linja hekurudhore që ne sot po kalojmë dhe po mbështesim me votën tonë, marrëveshjen me BERZH përsa i përket grantit dhe kredisë që do të jepet për ndërtimin e Vorë-Hani i Hotit, si dhe linja hekurudhore që do të lidhë Durrësin me Prishtinën, do të japin një kompletim infrastrukturor nga njëra anë dhe do ti japë një rëndësi kombëtare të veçantë edhe portit të Durrësit. Pra jo thjesht një hekurudhë për transportin e udhëtarëve, por një hekurudhë komplimentare edhe për të mbështetur një nga projektet tona më të mëdha atë të portit ndërkombëtar të Durrësit.

Gjithashtu kini parasysh që kjo linjë sjell dhe ripërtëritjen e një prej arterieve historike që ne kemi pasur, një linjë e ndërtuar herët në Republikën e Shqipërisë, ndoshta nga të parat dhe një linjë e cila ka kryer funksion deri në këto kohë, pavarësisht amortizimit të saj. Projekti konsiston në përmirësimin e linjës hekurudhore, duke e kaluar atë në një modernizim total. Parashikohet që shpejtësia e trenave që do të lëvizin në segmentin Vorë-Hani i Hotit do të jetë 120 km/orë dhe nga ana tjetër bëhet fjalë që të gjitha linjat tona do të jenë linja të elektrifikuara. Ashtu siç kemi nisur procesin për elektrifikimin e Tiranë-Aeroport-Durrës, ashtu do të vazhdojmë edhe me të gjithë linjat e tjera të cilat do të jenë kantiere të hapura brenda vitit 2025.

Gjithashtu parashikohet gjatë këtij projekti ndërtimi i 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimi i një tuneli me gjatësi 320 metër, si dhe ndërtimi i 112 urave. Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks prej 2.3 milionë udhëtarësh në vit dhe një volum mallrash prej 900 mijë tonësh/vit. Koha mesatare e udhëtimit nga Vora deri në Hanin e Hotit do të jetë vetëm 2 orë. Për të thënë të drejtën të gjitha projeksionet tona përsa i përket numrit të pasagjerëve, siç ka ndodhur në aeroportin e Tiranës, siç do të ndodhë në aeroportin e Vlorës, zakonisht tejkalojnë parashikimet tona, tejkalojnë edhe skenarët bazikë edhe ato optimist, pasi Shqipëria tashmë është kthyer në një destinacion turistik ndërkombëtar, jo thjesht për Ballkanin apo Europian, por nga ana tjetër edhe një hab i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor përsa i përket zhvillimit ekonomik, tregtimit të mallrave dhe sidomos fqinjësisë së mirë.

Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë rritjen e kushteve të sigurisë dhe shpejtësisë së trenave përgjatë kësaj linje hekurudhore, ndërtimin e një infrastrukture hekurudhore ndërvepruese, të lidhur me vendet fqinje të rajonit e më gjerë, që plotëson kërkesat e Sistemit Evropian të Menaxhimit të Trafikut Hekurudhor. Krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e shërbimeve të udhëtarëve dhe mallrave, rritjen ekonomike dhe zhvillimin social brenda vendit, lehtësimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike me vendet fqinje dhe ato anëtare të Bashkimit Europian. Sigurisht që ky projekt synon promovimin e transportit të gjelbër, të qëndrueshëm dhe nxitjen për kalimin nga transporti rrugor në transportin hekurudhor që është dhe synimi kryesor i BE-së, por dhe i vendit tonë, duke promovuar një alternativë më efiçente për komunitetin, bizneset dhe padyshim për mjedisin.

Zbatimi i këtij projekti do të kryhet në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian në fushën e transportit hekurudhor si dhe do të sigurojë përmbushjen e kërkesave të financuesve si BERZH, BEI dhe sigurisht ato të Bashkimit Europian të cilët, gjithnjë e më tepër, rikonfirmohen si 3 partnerë të shkëlqyer e të konsoliduar të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit tonë.

Me kënaqësi do të ndaj me ju në vazhdimësi progresin gjithnjë e në rritje të zhvillimeve infrastrukturore dhe padyshim dimensionin e një zhvillimi tjetër në rrugë, në ajër, në det dhe hekurudhë, po aq sa dhe forcimin e kapaciteteve në zbatimin e këtyre projekteve shumë herë tejet komplekse, si një realitet që po shënjon zhvillimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në një vend me infrastrukturë multimodale, në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë po aq sa dhe të sigurisë dhe të mbrojtjes së këtij vendi dhe të rajonit më gjerë.

Në fund, dëshiroj të vlerësoj të gjithë ata kolegë të opozitës që kanë mbështetur këtë akt gjatë diskutimit në komisione si një qasje fisnike, moderne e shprehje të mundësive të mëdha që kemi për të qenë bashkë e për të përshëndetur çdo akt besimi të investimit madhor të partnerëve tanë në potencialet e jashtëzakonshme të vendit tonë.

Ju ftoj të nderuar kolegë që ta votojmë së bashku këtë marrëveshje, këtë projektligj pasi padyshim do të jetë një përfitim shumë i madh për qytetarët e vendit tonë.

Faleminderit!

Previous Koçiu nga Durrësi: Kemi marrë masat për një sezon turistik të shëndetshëm