Ministrja Ibrahimaj në Parlament: Reforma e pagave historike, mbështetet nga zhvillimi i ekonomisë, përfitojnë mbi 130 mijë punonjës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj në Parlament: Reforma e pagave historike, mbështetet nga zhvillimi i ekonomisë, përfitojnë mbi 130 mijë punonjës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në seancë plenare paketën ligjore që i hap rrugë zbatimit të reformës së pagave në administratën publike.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj tha se reforma e pagave në administratën publike është një domosdoshmëri, do të përfshijë gjithë hierarkinë dhe administratën shtetërore, synon të vlerësojë dhe të tërheqë kapitalin njerëzor të kualifikuar, të rrisë mirëqenien e punëmarrësve, ndërkohë që pritet të sjellë stimuj të rinj për ekonominë e vendit.

Zbatimi i kësaj reforme madhore, theksoi Ibrahimaj, mbështetet në përmbushjen e kushteve të duhura ekonomike, të cilat janë arritur edhe falë implementimit nga ana e qeverisë të disa reforma strukturore, të cilat po japin frytet e tyre.

“Ekonomia ka ecur me hapa të shëndoshë dhe ne kemi hapësirën e përshtatshme buxhetore për ta përballuar këtë reformë madhore. Ne sot, të gjithë bashkë, vendosim një gur kilometrik në reformën e re të pagave. Rritja e pagave është një ndër hapat më të mëdhenj që ka ndërmarrë qeveria dhe ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra, për të ardhur në ditën që të krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët. Ky është ndryshimi më i madh që ne kemi bërë ndonjëherë në politikën buxhetore dhe fiskale. Është një ndryshim historik, i cili nëse e shpjegojmë me fjalë më të thjeshta, e sjell politikën buxhetore më shumë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Ibrahimaj.

Me zbatimin e reformës, paga mesatare bruto pritet të arrijë në nivelin 900 euro gjatë vitit të ardhshëm. Ministrja nënvizoi faktin se kjo është një rritje e konsiderueshme, nëse merret parasysh fakti që në vitin 2013 paga mesatare në administratën publike ishte 370 euro.  Efekti financiar i reformës pas implementimit të saj është 39 miliardë lekë nominale dhe janë mbi 130 mijë punonjës që do të përfitojnë në gjithë administratën publike, në nivel qendror dhe lokal.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja risolli në vëmendje faktin se kur u bë ndërhyrja e parë në sistemin e pagave qeveria ndërhyri në ata sektorë që kishin më shumë nevojë, si shëndetësia apo arsimi. Si rezultat, ndër vite pagat e infermierëve janë rritur me 26 %, pagat e mjekëve me 22 %, ndërsa pagat e mësuesve në sistemin parauniversitar me 7 %.

Reforma që qeveria do të zbatojë, tha Ministrja, do të përmbyllë diskutimin për rritjen e pagave, pasi përveç reformimit dhe rritjes do të përcaktohet edhe indeksimi me normën e inflacionit.

Ministrja bëri të ditur se përmes aplikimit të kësaj reforme do të mundësohet edhe një shpërndarje më e mirë e të ardhurave që mblidhen në buxhetin e shtetit, pasi për çdo dy lekë që mblidhen në buxhet, nga tatimet dhe taksat, një lek shkon për transferta direkte te qytetarët, për paga, pensione apo transferta sociale.

“Pra gjysma e parave e buxhetit të shtetit do të shkojë drejtpërdrejtë te qytetarët shqiptarë, ndërkohë që gjysma tjetër do të shkojë për përmirësimin e shërbimeve, për investime dhe për të tjera aktivitete buxhetore”, tha Ibrahimaj.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi projektligjet e paketës së reformës së pagave në administratën publike:

  1. Për disa ndryshime në ligjin nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar;
  2. “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës hazë minimale në shkalle vendi””.
  3. “Për një ndryshim në ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

Fjala  e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë,

Sot ndihem e privilegjuar të vij para jush për të prezantuar finalizimin e një pune të gjatë, hapin më të rëndësishëm ligjor në aplikimin e një reforme të plotë e të domosdoshme të pagave në administratën publike. Kjo reformë do të përfshijë të gjithë hierarkinë dhe administratën shtetërore, të gjithë sektorët, dhe ne besojmë që do të pasohet me rritje të pagave edhe nga sektori privat.

Transformimi i sistemit të pagave do të sjellë stimuj të rinj për ekonominë tonë, në një kohë kur rrethanat ekonomike botërore paraqesin sfida të mëdha.

Bazat e kësaj reforme u hodhën me rritjen e fortë të pagës minimale, e cila nisi gjatë vitit të kaluar duke arritur në nivelin 34,000 lekë dhe që nga muaji prill 2023 shkoi në nivelin 40,000 lekë. Ne do të vazhdojmë rritjen e pagës minimale deri në nivelin prej 45,000 lekësh dhe në vijim deri në fund të këtij mandati qeverisës.

Ky nuk është vetëm një premtim, por është një mjet konkret për të mbështetur punonjësit me paga më të ulëta në Shqipëri. Kjo është një arritje që tregon përkushtimin tonë për të rritur mirëqenien e punëmarrësve.

Ne besojmë te vlera e punës, tek ata njerëz që i shërbejnë shtetit dhe ata njerëz që i shërbejnë sipërmarrjes private dhe, duke besuar se kapitali njerëzor është aseti më i rëndësishëm që ne kemi, iniciojmë këtë reformë dhe si e tillë duhet vlerësuar.

Ne vijmë sot me këtë reformë që mundëson jo vetëm rritjen e pagave më të ulëta, por shtrije të gjerë të rritjes së pagave në të gjitha nivelet e pagave e administratës publike.

Ne besojmë te puna e përkushtuar e mijëra funksionarëve publikë, e mjekëve, e infermierëve, e zjarrfikësve, e mësuesve, e edukatorëve, e inxhinierëve, e punonjësve të rendit, e punonjësve të shërbimeve mbështetëse, të mijëra e mijëra qytetarëve që çdo ditë japin kontributin e tyre për ta bërë vendin tonë më të mirë.

Gjatë vitit të ardhshëm, paga mesatare bruto në administratën publike pritet të arrijë nivelin 900 Euro.

Kjo është një arritje e konsiderueshme nëse ne marrim në konsideratë se në vitin 2013 paga mesatare në administratën publike ishte 370 euro. Pra, në 10 vite ne do të arrijmë që pagën ta rrisim me 140 %. Shumë kush mund të thotë se ka pasur edhe rritje të çmimeve. Nëse ne do të eliminojmë efektin e inflacionit në këtë rritje të pagave, rritja e pagës reale në 10 vitet e fundit do të shkojë në nivelin 115 %.

Kemi dëgjuar rëndom në këtë periudhë që kjo ishte një reformë elektorale, e lançuam për hir të zgjedhjeve dhe pati gjatë fushatës edhe diskutime mbi një bllokim të mundshëm mbi pamundësinë e kryerjes së kësaj reforme.

E vërteta është se e kjo reformë nuk nisi nga hiçi. E vërteta është se ne kemi vite që duam ta realizojmë këtë reformë dhe që punojmë për të. Por, të tilla reforma nuk janë çështje dëshirash dhe vullneti, pasi për të tilla reforma duhet të përmbushen kushtet e përcaktuara ekonomike në mënyrë që të implementohen dhe sot ekonomia na i jep këtë mundësi. Sot ekonomia na e jep mundësinë pasi ne ndër vite kemi implementuar reforma strukturore të cilat po japim frytet e tyre.

Kur kemi bërë ndërhyrjen e parë në sistemin e pagave ne kemi menduar të ndërhyjmë në ata sektorë të cilët kishin më shumë nevojë dhe ndër vite kemi ndërhyrë në pagat e sistemit shëndetësor, në pagat e sistemit arsimor.

26 % janë rritur pagat e infermierëve

22 % janë rritur pagat mjekëve

7 % janë rritur pagat e mësuesve në sistemin parauniversitar

Megjithatë, reforma që ne sjellim sot do t’i vërë kapakun njëherë e përgjithmonë diskutimit të rritjes së pagave. Ndër vite kemi diskutuar për domosdoshmërinë e indeksimit të pagave dhe pjesë e paketës që propozojmë është edhe parashikimi për indeksimin me normën e inflacionit të të gjithë pagave të funksionarëve publikë në administratën publike. Siç e thashë edhe më sipër, kjo është një reformë e cila ekonomia na e mundëson sot.

Ne sot kemi një pagë minimale e cila ka shkuar në nivelin 40 mijë lekë. Unë dua t’ju kujtoj që në vitin 2013 paga minimale ishte 22 mijë lekë. Unë dua t’ju kujtoj që Prodhimi i Brendshëm Bruto, rritja e ekonomisë në vitin 2013 ishte 1 %, ndërsa në vitin 2022 ishte 4.8 %.

Ne gjetëm një normë papunësie prej 16.4%, ndërkohë që në vitin 2022 ajo arriti në 10.8%.

Ne gjetëm borxhin publik në 70.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sot atë e kemi çuar 63.27%.

Ne e gjetëm PBB për frymë në vitin 2013 në nivelin 3325 dollarë, ndërsa sot është 6418 dollarë.

Të gjitha këto parametra i rendis dhe i shtjelloj me qëllim për të shpjeguar se sot ekonomia ka ecur me hapa të shëndoshë dhe ne kemi hapësirën e përshtatshme buxhetore për ta përballuar këtë reformë madhore në rritjen e pagave.

Ne nëpërmjet kësaj reforme synojmë:

Të krijojmë një piramidë të niveleve të pagave për disa institucione kushtetuese dhe të pavarura, e cila do të jetë në përputhje me rëndësinë dhe përgjegjësitë e tyre. Me përcaktimin e pagës së Presidentit, si paga më e lartë në Republikën e Shqipërisë, paga bruto e Presidentit të rritet nga 257 mijë lekë në 425 mijë lekë në muaj ose rreth 65.3% më shumë. Unë dua t’ju kujtoj se paga e Presidentit nuk ka ndryshuar që nga viti 2013.

Ne synojmë të përmirësojmë hierarkinë e pagave të administratës publike, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për të tërhequr dhe mbajtur individët e kualifikuar.

Ne do të realizojmë një lidhje më të drejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësive përkatëse me pagën. Reforma synon të krijojë rritje të mëdha të pagës për rritje të kompleksitetit të punës dhe përgjegjësisë, duke përfshirë përgjegjësitë drejtuese.

Po japim një pagë më të mirë për pozicionet e punës dhe do të presim një punë më të mirë për çdo pagë.

Efekti financiar i kësaj reforme, pasi ajo të implementohet si e tërë, është 39 miliardë lekë nominale. Janë mbi 130 mijë punonjës që do të përfitojnë nga kjo reformë, në të gjitha qelizat e administratës publike, në nivel qendror dhe lokal. Pra janë 39 miliardë lekë dhe këtu përfshihet edhe 1 miliard lekë si efekt i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rritjes së pagës së magjistratëve për shkak të këtij vendimi, një tjetër ligj i cili do të prezantohet dhe pritet të miratohet sot.

Të nderuar deputetë,

Ky është ndryshimi më i madh që ne kemi bërë ndonjëherë  në politikën buxhetore dhe fiskale. Është një ndryshim historik, i cili nëse e shpjegojmë me fjalë më të thjeshta, e sjell politikën buxhetore më shumë në shërbim të qytetarëve.

Ne sot për çdo dy lekë të ardhura që mblidhen nga taksat dhe tatimet, 1 lek do të shkojë për transferta direkte, për paga, për pensione dhe për transferta sociale, për ndihmë ekonomike apo për aftësi të kufizuar.

Pra gjysma e parave e buxhetit të shtetit do të shkojë drejtpërdrejtë te qytetarët shqiptarë, ndërkohë që gjysma tjetër do të shkojë për përmirësimin e shërbimeve, për investime dhe për të tjera aktivitete buxhetore.

Ky projektligj na mundëson një reformë të plotë në administratën shtetërore, për ta bërë atë më kompetitive në raport me ekonominë shqiptare, duke ndjekur urojmë rritjen e pagave në pjesën më konkurruese të sektorit privat, por edhe duke dhënë nxitje në të gjithë ekonominë, duke nxitur konsumin dhe rritjen ekonomike.

Me lejoni të përkthej në terma më të thjeshtë se çfarë sjellin këto ndryshime:

SHËNDETËSIA

  • Mjeku Specialist do të përfitojë një pagë bruto rreth 174 mijë lekë në muaj ose rreth 115 mijë lekë më shumë se në vitin 2013;
  • Mjeku i Përgjithshëm do të përfitojë një pagë bruto rreth 137 mijë lekë në muaj ose rreth 77 mijë lekë më shumë se në vitin 2013;
  • Infermieri do të përfitojë mesatarisht një pagë bruto rreth 87 mijë lekë në muaj ose rreth 25 mijë lekë më shumë se në vitin 2013;

Në ARSIMIN PARAUNIVERSITAR

  • Mësuesi në shkollën 9 vjeçare do të përfitojë një pagë bruto rreth 99 mijë lekë në muaj ose rreth 40 mijë lekë më shumë se në vitin 2013;

Rritja mesatare në arsim është 72.4 %, ndërsa në shëndetësi është 99.2 %.

POLICIA E SHTETIT

  • Një komisar në Policinë e Shtetit do të përfitojë një pagë bruto rreth 105 mijë lekë në muaj ose rreth 36 mijë lekë më shumë se në vitin 2013;
  • Një Inspektor i Parë në Policinë e Shtetit do të përfitojë një pagë bruto rreth 90 mijë lekë në muaj ose rreth 37 mijë lekë më shumë se në vitin 2013;

Pra, pagat mesatare do të rriten në mënyrë të qëndrueshme.

Kemi pasur shumë diskutime për rritjen e pagës së Presidentit, deputetëve apo të kabinetit qeveritar.

Niveli i rritjes së tyre, siç parashtrova, është më i ulët se sa pjesa më e madhe e rritjes së pagave të funksionarëve publikë të domosdoshëm.

Të nderuar deputetë,

Për ta përmbledhur fjalën time dhe ftesën për miratimin e kësaj pakete ligjore, më lejoni të shprehem se sot është një nga ditët më të shënuara për mua si Ministre e Financave dhe Ekonomisë, por edhe për gjithë kabinetin qeveritar. Besoj se edhe për ju do të jetë një ditë e tillë si përfaqësues të popullit, teksa paraqesim për miratim këto projektligje, tanimë të konsultuar e të dakordësuar edhe nëpër komisionet parlamentare.

Është shumë e rëndësishme për ne që të konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia shqiptare dhe se sa realisht kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj, pavarësisht goditjeve të jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë në vazhdën e disa sfidave të cilat na është dashur të përballojmë, për të cilat jemi dëshmitarë jo vetëm ne dhe qytetarët, por edhe më gjerë, e gjithë bota.

Ne sot, të gjithë bashkë, vendosim një gur kilometrik në reformën e re të pagave. Rritja e pagave është një ndër hapat më të mëdhenj që ka ndërmarrë qeveria dhe ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra, për të ardhur në ditën që të krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët.

Ndaj unë ju falënderoj dhe ju ftoj edhe një herë ta miratoni këtë projektligj të rëndësishëm dhe gjithë paketën që e shoqëron atë.

Faleminderit.

Previous Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare