Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Sapo përfunduam mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku në kuadër të reformës së madhe të pagave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, miratuam një projektligj të rëndësishëm dhe disa vendime të Këshillit të Ministrave.
Projektligji në fjalë është anonçuar kohë më parë, konkretisht projektligji “Për kompetencat për përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës minimale bazë në shkallë vendi”.
Ky projektligj i hap rrugën disa kompetencave të qeverisë për të përcaktuar disa kategori pagash që janë diskutuar edhe më parë, të cilat do të marrin disa bonuse special.
Në kuadër të reformës së rritjes së pagave dhe rritjes së eficencës së administratës publike, ne kemi menduar që pozicione të caktuara duhet të jenë konkurruese me tregun dhe këtu e kam fjalën për pozicione të cilat mirë paguhen jo vetëm në vend, por edhe jashtë tij, si psh sektori i IT apo sektorë të tjerë të lidhur me sigurinë kibernetike, por edhe sektorë të cilët kemi hasur mungesa në pozicione të ndryshme, psh në sektorin e bujqësisë, ku duhen ekspertë të cilët paguhen në vend dhe jashtë tij.
Megjithatë, në vijim të ligjeve dhe reformave që po bëjmë për rritjen e pagave, ne sot kemi filluar dhe kemi miratuar disa projektvendime që lidhen me rritjen e pagave dhe me hapin e parë të rritjes për sektorin shëndetësor, për sektorin e arsimit dhe sektorin e sigurisë, konkretisht për policinë e burgjeve, për policinë e shtetit, gardën e Republikës dhe për zjarrfikësit. Ndërkohë, në zbatim të vendimit të marrë disa muaj më parë për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë nga data 1 prill, do të rriten gjithashtu pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike.
Pyetje: Keni deklaruar një kosto të reformës për rritjen e pagave. Ju nuk e keni parashikuar këtë rritje nw buxhetin e miratuar nw nwntor. Dy janë mundësisë, ose ju keni parashikuar burimeve të reja në buxhet, ose disa para po i hiqni nga diku për ti çuar diku tjetër. Cili është burimi i këtyre parave?
Ministrja: Siç kemi anonçuar edhe më parë, kjo rritje do të jetë e ndarë në dy faza. Pra projektvendimet që sapo miratuam sot janë projektvendime që lidhen me pagat e vitit 2023, ndërkohë që do të ketë një rritje të mëtejshme të pagave në vitin 2024, kur reforma supozohet që të përfundojë. Kostoja vjetore e rritjes së pagave e cila do të jetë e plotw nw vitin 2025 është në nivelin 38 miliardë lekë. Këto fonde janë parashikuar që të mblidhen qoftë nga rritja e të ardhurave, qoftë nga rialokime të brendshme. Pra, janë kosto të cilat përballohen brenda kuadrit makrofiskal duke ruajtur të gjithë parametrat e ligjit organik të buxhetit, që do të thotë që ne do të vijojmë tw ulim borxhin dhe deficitin, duke garantuar qëndrueshmëri fiskale.
Për vitin aktual, në buxhetin e vitit 2023, në projektbuxhetin që ku u hartua në vitin 2022, ne kishim parashikuar një politikë të rritjes së pagave me një vlerë prej 2.4 miliardë lekësh të parashikuara në buxhet për politikën e rritjes së pagave. Konkretisht kjo rritje targetonte sektorët e arsimit, të shëndetësisë, por dhe disa kategori të tjera si psh sektori i IT. Sigurisht që në projektbuxhetin e këtij viti ne kishim anonçuar që kishim një fond rezervë të parashikuar për disa politika sociale që planifikonim t’i implementonim gjatë vitit dhe në fakt rritja e pagave dhe momenti i rritjes së pagave vjen edhe si pasojë e krizës inflacioniste që është duke ndodhur, të çmimeve të larta dhe të rritjes së kostos së jetesës. Pra, janë disa zëra të parashikuara në buxhetin e vitit 2023 që akomodojnë rritjen e pagave dhe koston shtesë të parashikuar për këtë vit.