I dashur rektor, e dashur dekane, të dashur kolegë!
Jemi sot për këtë ngjarje të rëndësishme. Ministria e Arsimit vitin e kaluar për herë të parë vuri një buxhet të dedikuar për ndërkombëtarizimin. Tashmë ndërkombëtarizimi është politika jonë bazë në arsimin e lartë, duke i nxitur, duke i mbështetur universitetet për bashkëpunime me universitete ndër më prestigjiozet.
Bashkëpunime që mund të përkthehen në programe studimi të dyfishta, të përbashkëta, por edhe shkëmbime pedagogësh, shkëmbime studentësh, programe kërkimore shkencore dhe në përgjithësi në të gjitha aspektet e jetës akademike, jetës universitare.
Vitin e kaluar ne vumë një buxhet 400 milionë lekë të rinj për universitetet shqiptare. Shpallëm një thirrje. Thirrja ishte e ndarë në dy zëra. Njëri zë për të mbështetur hartimin dhe implementimin e programeve, me hartimin e kurrikulave apo shkëmbimin e pedagogëve. Dhe zëri i dytë ishte për infrastrukturën sepse shumë programe të dyfishta apo të përbashkëta me universitetet evropiane kanë nevojë për laboratorë të rinj, për infrastrukturë, për pajisje, për t’i mundësuar, për t’i zbatuar siç duhet këto programe.
Dhe më vjen mirë që Universiteti i Tiranës iu përgjigj menjëherë thirrjes sonë për të përfituar nga ky buxhet dhe sot pres me padurim që t’i vizitojmë këto mjedise për të cilat unë jam krenare që nuk do të jenë vetëm në dispozicion të pedagogëve për punë kërkimore shkencore dhe akademike, por edhe në dispozicion të studentëve. Pra përfshirja e këshillave studentorë apo klubeve studentore në këto projekte janë vërtetë për tu përgëzuar.
Dua t’ju ftoj sërish që të përgatiteni me projekte kërkimore, sepse shumë shpejt ne do të hapim edhe thirrjen nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për projekte të kërkim-zhvillimit por edhe projekte të infrastrukturës.
Këtë vit kemi rritur buxhetin për kërkimin shkencor. Kemi rritur madje edhe kufirin maksimal për të aplikuar për një projekt të ri. Edhe numri i përfituesve do të jetë më i lartë, por edhe buxheti për çdo projekt fitues do të jetë më i lartë.
Ndërkohë që dua ta përgëzoj Universitetin e Tiranës edhe për arritjen që sapo e përmendi rektori juaj, përfshirja në Aleancën Evropiane të Universiteteve. Është një tjetër sfidë e jona që shkon paralelisht me ndërkombëtarizimin.
Dhe universiteti i Tiranës është i pari që arriti të bëhet pjesë e një aleance të tillë. Le të përfitojmë sa më shumë. Le të marrim maksimumin e këtyre aleancave në dobi të universitetit, në dobi të studentëve, në dobi të pedagogëve.
Duke ju falënderuar shumë që të gjithëve, falënderoj shumë znj. dekane që ju përgjigjët thirrjes sonë dhe përfituat maksimalisht nga buxheti që ne vumë në dispozicion dhe suksese studentëve dhe pedagogëve për sezonin e provimeve!
Faleminderit!