Diaspora akademike si urë lidhëse për ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor në universitetet shqiptare.
Pas dy ditëve të frytdhënëse, si Dita e Arbëreshëve dhe Samiti i Diasporës që u mbajt sot në paradite, është kënaqësi të ndajmë këtë moment plot angazhim dhe shkëmbim eksperiencash dhe aspiratash të komunitetit tonë shqiptar. Jam e nderuar të jem pjesë e këtij paneli të parë, i organizuar për të diskutuar rolin që akademikët, mësuesit dhe shqiptarët në Diasporë mund të luajnë në zhvillimin e arsimit të lartë dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë kudo në botë. Ky panel do të përqëndrohet në ndërkombëtarizim dhe në politikat për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe gjuhësore. Dëshiroj të falenderoj me respekt të gjithë shqiptarët e Diasporës që kanë ardhur në këtë ngjarje dhe të shpreh mirënjohjen time për kontributin e tyre të çmuar. Po ashtu, uroj të gjithë pjesëmarrësit e sotshëm, kërkuesit, pedagogët, përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë, si dhe rektorët për kohën e vyer të shkëmbimit të ideve dhe përvojave të tyre të suksesshme në fuqizimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Faleminderit edhe panelit të nderuar: Profesore e Universitetit Teknik i Darmstadt-it, Gjermani, Znj. Mira Mezini, Profesori i Institutit Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë, Spanjë, Z. Arben Merkoçi, Profesori i London College, Britani e Madhe, Z. Andi Hoxhaj dhe Profesoren e Universitetit të Gonzagës, ShBA Znj. Mirjeta Beqiri për përkushtimin e tyre gjatë kësaj ngjarje të rëndësishme. Samiti që po mbahet sot është i treti në një seri tradicionale disa vjeçare, ku përfaqësuesit e Diasporës mblidhen në Tiranë për të diskutuar dhe kontribuar në zhvillimin e vendit tonë. Është moment i rëndësishëm për të reflektuar potencialin tonë të papërdorur dhe rolin që diaspora mund të luajë për avancimin e reformave tona për përparimin e Shqipërisë. Historia jonë e diasporës ka treguar se kemi një origjinë të fortë dhe një dëshirë të natyrshme për të gjetur më shumë mundësi për rritje dhe zhvillim profesional kudo që jetojmë si shqiptarë. Ne vërtetë shquhemi për faktin se jemi një komb që jep një kontribut të konsiderueshëm në shkollimin jashtë vendit, duke krijuar një diasporë të arsimuar me sukses në nivelet më të larta të botës arsimore. Gjithsesi, për të bërë lidhjet tona edhe më të fuqishme, duhet të kultivojmë dhe të përmirësojmë programet dhe projektet tona të përbashkëta që të rezistojnë kohës. Theksoj sot se mundësitë janë të pafundme dhe vullneti për ndryshim është i madh. Nevoja është që sistemi ynë të formësohet dhe të fuqizohet për të ndërtuar ura bashkëpunimi me çdo vend ku diaspora jonë ka kontribut. Akademikët shqiptarë në diasporë mund të kontribuojnë në vendin tonë për procese dhe programe të rëndësishme, të cilat synojnë ndërkombëtarizimin, ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor. Kërkimi shkencor është thelbi i arsimit të lartë. Qeveria dhe MAS janë të përqendruara në kombinimin dhe investimin e madh për kërkimin shkencor. Edhe pse kemi bërë progres duke rritur fondet për kërkim shkencor, duhet të reflektojmë mbi atë se ku mund të përmirësohemi më tej. Besoj se ne kemi potencialin njerëzor, por duhet të fokusohemi më shumë në përmirësimin e profilizimit akademik dhe në adaptimin e modeleve të suksesshme botërore në kontekstin tonë. Kjo mund të bëhet me kontributin e akademikëve në diasporë, që me përvojën dhe profilin e tyre në strukturat universitare, mund të na ndihmojnë të përshtasim modele efikase në kontekstin tonë. Kemi nisur këtë rrugë dhe besoj se çdo shqiptar ndjehet i kënaqur kur një shqiptar jep kontribut për të arritur objektivat tona përbashkët për cilësi më të lartë në arsim. Një prej objektivave tona është ndërkombëtarizimi dhe profilizimi i universiteteve tona. Nevoja për të nisur një proces transformues për të rritur cilësinë e universiteteve është emergjente. Duhet të krijojmë një ofertë tërheqëse dhe të krijojmë programe dhe diploma të përbashkëta për të tërhequr të rinjtë për të studiuar këtu. Nuk besoj se ka prindër që dëshirojnë që fëmijët e tyre të largohen, dhe as nuk besoj se ka fëmijë që do të largoheshin nëse shohin një shumëllojshmëri mundësish dhe alternativash, por, mbi të gjitha, shpresoj që dëshira për të mos ikur të vijë nga bindja se Europa është e arritshme këtu. Unë besoj se është e mundur, dhe është e mundur t’u japim fryt potencialit tonë të dijes dhe bashkimit të dijeve me përvojën, lidhjet, dhe transferimin e njohurive që akademikët në diasporë posedojnë për të investuar në vendlindjen tonë, në Shqipëri. Por për këtë nevojitet një vullnet i madh. Vullneti nga qeveria dhe nga MAS-i ekziston, vullneti, jam e bindur, ekziston edhe te akademikët në diasporë, edhe te mësuesit në diasporë. Ne duhet të krijojmë një sistem të qëndrueshëm, një arkitekturë të sistemit, ku nëse hyjmë në këtë sistem, nuk do të ketë pengesa që të na ndalojnë për të arritur objektivat tona. Duhet të kemi instrumente që filluan zbatimin prej marrëveshjeve reale dhe jo marrëveshjeve të firmosura për të qëndruar në sirtar. Këto instrumente reale do të na ndihmojnë që, pavarësisht kush të jetë në drejtimin e institucioneve, ministër apo drejtor, puna të vazhdojë, të ecë përpara, dhe në fund të ditës të arrijmë atë që ne vërtetë dëshirojmë: universitete me programe studimore cilësore që janë të përshtatur me nevojat e tregut të punës. Të rinjtë duhet të ndjejnë se kontributi që ata japin dhe familjet që ata ndërtojnë për të ardhmen e tyre përkthehet në dije dhe punësim. Puna e tyre dhe investimi do të sjellë dije dhe kontribut të vërtetë për veten, familjen dhe vendin tonë në përgjithësi. Ne kemi shembuj të jashtëzakonshëm të suksesit. Filluam me profesoreshën e Universitetit të Gonzagës në SHBA, Mirjeta Beqiri dhe një grup shoqesh nga diaspora të Fondacionit Amerikano-Shqiptar për Zhvillim. Puna që kemi bërë është një burim krenarie për ne dhe jam e bindur se do të jetë një model shumë cilësor për reformimin dhe transformimin e Universitetit të Korçës. Projekti UINKO do të jetë një model që fillon me një analizë të dokumentuar, por mbi të gjitha ka një vizion se ku ne dëshirojmë të shkojmë dhe do ta transformojmë atë në një model që mund të aplikohet në universitete të tjera në rajon. Synimi është të përshtaten ofertat me kërkesat, duke përputhur zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve me ofertat universitare dhe për të profilizuar sa më mirë në përputhje me këtë ofertë. Për të qenë të sinqertë, të thënë e lehtë, është vështirë për tu realizuar. Gjërat nuk ndodhin në një moment, por kërkojnë kohë dhe përkushtim. Ky proces do të jetë një transformim, në të njëjtën mënyrë siç ka ndodhur me reformën e arsimit të lartë që nisi në vitin 2014 dhe vijoi me organizimin e strukturës së arsimit të lartë. Kemi shembuj të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit. Bordi ynë i akreditimit përbëhet nga akademikë shqiptarë dhe të huaj që punojnë fort, dhe i falenderoj për punën e tyre të palodhur në akreditimin e institucioneve universitare dhe programet e tyre. Është një rrugë e vështirë, kërkon angazhim më të madh, por është një hap shumë i rëndësishëm për ata që dëshirojnë të studiojnë këtu. I falenderoj të gjitha universitetet, publike dhe private, për ambicien e tyre për të arritur akreditimin e tyre.