Fjala e Ministrit Igli Hasani në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministrit Igli Hasani në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit

Ju falënderoj të gjithëve që na jeni bashkuar sot në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Organizimi i këtij aktiviteti është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme për Ministrinë e Punëve të Jashtme, por edhe për shumë institucione të tjera shqiptare. Është një traditë që ka një funksion të dyfishtë, pasi në njërën anë shërben si një moment përkujtimi e homazhi për ata miliona njerëz që humbën jetën gjatë Holokaustit, jo për ndonjë faj a ndonjë krim, por thjesht për shkak të asaj që ishin, hebrenj. Ndërsa në anën tjetër, shërben për të na kujtuar që duhet të punojmë shumë, duhet të bëjmë shumë për të edukuar shoqëritë tona kundër çdo lloj urrejtje e diskriminimi racor, fetar, etnik apo çfarëdo qoftë.

Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e krizës në Lindjen e Mesme e luftës në Gaza, si pasojë e së cilës kemi parë anembanë botës, një rritje të papranueshme të antisemitizmit, por edhe të dhunës me bazë etnike dhe fetare në përgjithësi.

E menduam dhe e diskutuam edhe këtë kontekst teksa përgatisnim aktivitetin. E diskutuam sesi mund të perceptohej ai në kontekstin e tragjedisë në Izrael e Gaza.

Dhe vendosëm që ai duhej mbajtur me patjetër. Pikërisht konteksti i luftës e bënte atë të domosdoshëm për të dhënë një mesazh të thjeshtë e të qartë: asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin, atë që është përkufizuar si një lloj urrejtje e thellë dhe speciale e rezervuar për hebrenjtë, që shkon përtej konfliktit politik, përtej edhe armiqësisë apo paragjykimeve që mund të ekzistojnë normalisht mes popujve të ndryshëm, dhe i akuzon ata si bartës të një ligësie thuajse kozmike e djallëzore. Asgjë nuk mund të justifikojë asnjë lloj racizmi dhe dhune me bazë etnike dhe fetare.

I ndoqa me shumë emocion dëshmitë në video. Qoftë atë të zonjës që mes shqiptarëve gjeti shpëtimin, qoftë atë të zotërisë familja e të cilit rrezikoi gjithçka për të shpëtuar disa njerëz të përndjekur, të cilëve ju rrezikohej jeta.

Janë histori mbresëlënëse. E vras shpesh mendjen sesi ka mundësi, që njerëz të thjeshtë të gjenin atë lloj guximi, të rrezikonin jo vetëm veten, por edhe familjen, fëmijët, për të shpëtuar individë me të cilët nuk i lidhte asgjë nga ato që mendojmë zakonisht si arsye për t’ju gjendur dikujt në ditë të vështira, pra as gjaku, as farefisi, as miqësia.

Por akoma më mbresëlënës është fakti që këtu nuk bëhet fjalë për histori të shkëputura individësh idealistë. Gjatë këtyre ditëve kam pasur mundësinë të shfletoj shumë dokumente nga arkivat. Dhe ajo që del në pah është që këtu bëhet fjalë për veprimet e një shoqërie të tërë. Gjen aty dëshmi diplomatësh të angazhuar për të gjetur mënyra kreative për t’ju dhënë viza udhëtimi për në Shqipëri qytetarëve hebrenj nga e gjithë Evropa.

Ndërkohë që pas mbërritjes në Shqipëri hyn në veprim një tjetër përpjekje e përgjithshme që fillon me qytetarët që japin strehim, me autoritetet që japin dokumente rezidence e deri me komunitetet fetare që lëshojnë dëshmi fiktive konvertimi të qytetarëve hebrenj.

Është një angazhim i përbashkët vërtet i jashtëzakonshëm kur sheh bashkëpunimin e forcave politike e individë që në gjithçka tjetër ishin në konflikt e përplasje, deri në gjakderdhje, me njëri tjetrin.

Por kur sheh historinë e Shqipërisë kupton që ky nuk është një rast i shkëputur. Në të njëjtën periudhë, mijëra ushtarë italianë patën të njëjtin trajtim. Ndonëse brenda natës u shndërruan nga pushtues në njerëz të marrë në mbrojtje nga familjet shqiptare. Madje vetëm pak vite më parë ne patëm rast të dëshmojmë sesa e unifikuar është shoqëria shqiptare kur bëhet fjalë për të strehuar njerëz në hall, që përpiqen t’i shpëtojnë persekutimit, kur ju ofruam strehim mijëra qytetarëve afganë. Në mes të një Evrope ku emigrimi është kthyer në një nga temat e nxehta të debatit politik, në Shqipëri, ku debati politik është i nxehtë për çdo gjë, për strehimin e qytetarëve afganë kishte unanimitet të plotë.

Por teksa me të drejtë ndihemi krenarë për këtë traditë mikpritje e për atë çka bënë paraardhësit tanë për të shpëtuar hebrenjtë, koha ku jetojmë e bën të domosdoshme që ne të punojmë për të ardhmen e veçanërisht për edukimin e brezave te rinj. Sot, në epokën e rrjeteve sociale e qarkullimit të pakufizuar të informacionit e dezinformacionit, është vërtet e rëndësishme që të mos e marrim si të mirëqenë këtë traditë të bukur, por të punojmë për ta konsoliduar e forcuar atë.

Në vitin 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi përkufizimin e antisemitizmit të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) si një instrument orientues për fushën e arsimit. Hapi tjetër në këtë drejtim është përfshirja e trajtimit të antisemitizmit në sistemin arsimor e Shkollën e Magjistraturës.

Ndërkohë që kemi marrë dhe angazhimin për t’u bërë anëtarë të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.

Këto hapa e të tjera masa si këto janë jo thjesht mënyra më e mirë për të edukuar shoqërinë tonë mbi nevojën për të luftuar antisemitizmin e çdo lloj tjetër urrejtje e diskriminimi. Ato janë po ashtu mënyra më e bukur për të respektuar të gjithë ato familje, të gjithë ata individë që rrezikuan aq shumë për të shpëtuar hebrenjtë në territorin e Shqipërisë nga tragjedia e Holokaustit, me veprën e të cilëve ne krenohemi sot.

Previous Drejt përfundimit ujësjellësi i ri i Laçit