Fjala e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani mbajtur sot në Kuvend - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani mbajtur sot në Kuvend

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë fjalës së tij në Kuvend, për miratimin e projektrezolutës në mbështetje të Kosovës, theksoi se Kosova ka qenë dhe mbetet në qendër të aktivitetit diplomatik shqiptar.

Kryediplomati shqiptar dënoi sulmin e 24 shtatorit në Kosovë, teksa nënvizoi se dialogu Kosovë-Serbi mbetet zgjidhja e vetme për tejkalimin e situatës së krijuar në rajon.

Fjala e plotë:

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Që në krye të herës: Shqipëria e ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë Kosovën në qendër të aktivitetit te saj diplomatik.

Nuk ka si të jetë tjetërsoj, duke pasur parasysh se jemi dy vende por një popull, dy shtete por një hapësirë e sigurisë në rritje dhe e zhvillimit demokratik të pandërprerë.

Mbështetja jonë për të zgjeruar gjeografinë e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, forcimin e profilit të saj si subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe mbështetja në anëtarësimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, garantimi dhe stabilitetit, sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm e gjithnjë e më i ngushtë, të gjitha këto janë një prioritet absolut i politikës sonë të jashtme.

Diplomacia jonë ka punuar e vazhdon të punojë me ngulm e me qartësi në këtë drejtim dhe e ka këtë dimension në krye të përparësive dhe pjesë të përditësisë të aktivitetit të saj.

Kosova është pjesë e agjendës  në çdo takim e në çdo format, dypalësh apo shumëpalësh, në NATO, në OSBE, në Këshillin e Evropës – ku anëtarësim i Kosovës është vënë në proces -, në OKB dhe, në veçanti, gjate këtyre dy viteve, edhe në instancën e saj më të lartë, në Këshillin e Sigurimit.

Dy ditë më parë, Shqipëria u zgjodh në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, me një rezultat mbresëlënës duke i prerë rrugën kandidaturës së Rusisë, duke materializuar kështu, me një punë të shkëlqyer, jo vetëm një synim tjetër madhor në ndërveprimin tonë ndërkombëtar por edhe duke mbrojtur njëkohësisht në sytë e opinionit publik mbarë-botëror edhe besueshmërinë e OKB-së dhe atë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut njëkohësisht.

E kurdo që të ketë nevojë, në do të përcjellim atje edhe zërin e Kosovës.

Javën e ardhshme, ne do të organizojmë në Nju Jork, një takim të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit.

Dhe aty përfaqësues të lartë nga Kosova do të ketë mundësinë të ndajnë me mbarë botën, në forumin më të lartë ndërkombëtar, jo vetëm eksperiencën e dhimbshme të grave e vajzave kosovare, viktima të sulmeve barbare të ushtrisë së Miloshevicit por edhe domosdoshmërinë për të bërë çmos për të vënë autorët para drejtësisë.

Ëdhe ky është  një nga shumë  shembuj për të theksuar që ne kemi punuar e vazhdojmë të punojmë për të mbështetur Kosovën dhe për t’i dhënë zë në çdo forum ku ne mundemi.

Kjo është e vërtetë për mua, është e vërtetë për paraardhësit e mi e për të gjithë ata që ndër vite kanë pasur nderin të shërbejnë dhe  drejtojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

E bëjmë këtë në bashkëpunim e koordinim të ngushtë me Kosovën dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, miqtë e partnerët tanë, e që janë njëkohësisht miq edhe të Kosovës, me të cilët ndajmë njëmendësi për parime dhe vlera por edhe në interesa e synime, në planin dy e shumëpalësh.

 

Të nderuar deputetë,

Edhe pse të gjithë ne në këtë sallë, apo të gjithë ne në të dy anët e kufirit ndajmë të njëjtin objektiv, të njëjtat interesa kombëtare, askush nuk duhet të çuditet e për më pak të alarmohet, që përtej afërsisë në gjithçka themelore, na ndodh të kemi mendime të ndryshme për mënyrën apo shpejtësinë me të cilën duhet apo mund të ecet drejt realizimit të këtyre objektivave.

Kjo është krejt e natyrshme madje, mund të them, edhe e shëndetshme, pasi, në çdo rrethanë, nuancat lidhur me rrugën apo taktikën më të përshtatshme në një moment të caktuar në kohë, nuk kanë prekur asnjëherë thelbin e projektit tonë të përbashkët,  nuk kanë cënuar asnjëherë rrugëtimin drejt forcimit të shtetit dhe demokracisë në Kosovë, shoqërisë së hapur, dhe ecurinë drejt integrimit euro-atlantik.

Pasi ato kanë në themel marrëdhënien e ngushtë, vëllazërore dhe të paprekshme mes dy vendeve e shoqërive tona.

Për rrjedhojë, askush nuk duhet të druhet nga debati, nga konkurrenca e ideve, nga shprehja e mendimeve – jo e postimeve Facebook-u, por me sinqeritetin vëllazëror – për sa kohë në thelb qëndron interesi kombëtar dhe vullneti i pacenuar për të mbështetur Kosovën, për të ecur përpara.

Nuk do të vihemi kurrë në garë se kush ka më të drejtë, por nuk do të hezitojmë asnjëherë të shohim në sy çdo mangësi apo pengesë, për më tepër në ato raste kur duhet të jemi të vëmendshëm ndaj sugjerimeve, këshillave dhe rekomandimeve të partnerëve tanë, atyre që na kanë qenë pranë e na kanë ndihmuar në ditët tona më kritike e jetike, atyre që po na shoqërojnë në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes së përbashkët; atyre, kontributi i të cilëve ka bërë që Shqipëria dhe Kosova të kapërcejnë shekuj në pak vite.

Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne. Për më tepër, zhvillimet që ndodhën më pas, janë një burim i madh shqetësimi.

Fakti që në vend që të ndërmerrte një hetim të shpejtë, serioz e të plotë për atë grup, për lidhjet e tij, planifikimin, financimin dhe mbështetjen,  Serbia vendosi të shpallë me nxitim një ditë zije për 3 kriminelë, synimi i të cilëve ishte cënimi më dhunë i rendit e sigurisë në Kosovë, ishte një sinjal jo vetëm i keq por dhe më i rrezikshmi, që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe mbarë komunitetit euro-atlantik.

Është një gjest që shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve, në Kosovë dhe rajon. Shkon ndesh edhe me deklarimet e vetë Serbisë për gatishmërinë për marrëveshje e zgjidhje përfundimtare e afatgjatë.

Kur fjalët nuk përkojnë me veprat ka një problem, e në këtë rast, ka një problem serioz. Shqipëria nuk do të mbështesë asnjëherë dhe do të kundërshtojë prerazi dhe me forcë cdo veprim që i fryn zjarrit të konfliktit.

Po ashtu, çdo përpjekje e Serbisë apo e kujtdo tjetër për ta relativizuar atë që ndodhi në 24 shtator, duke gërmuar çdo ngut për ngjarje pa lidhje nga historia e dhimbshme e rajonit, për të vënë shenjën e barazimit mes një sulmi kriminal kundër institucioneve të një shteti demokratik e ku sundon e drejta e ligjit me përpjekjet e popullit të Kosovës për t’u çliruar nga zgjedhja kriminale e Miloshevicit, përveçse e padrejtë, është e kotë dhe do të mbetet e dështuar.

Dhe ky nuk është vetëm mendimi ynë. Gjatë Ministerialit të Procesit të Berlinit që u zhvillua javën e kaluar në Tiranë, sulmi në Kosovë u dënua edhe nga pjesëmarrës të tjerë në proces, si i papranueshëm dhe jo produktiv. 

I takon kësisoj Serbisë të bëjë një proces hetimi të thellë, serioz, të gjithanshëm dhe të dalë më konkluzionet e nevojshme duke vënë fajtorët para ligjit nëse vërtetë është, siç thotë, e interesuar për dialog dhe zgjidhje.

Pasi ka një konsensus të padiskutueshëm, si nga vende të rajonit ashtu edhe nga partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian dhe të gjitha ata që janë seriozisht të interesuar për paqe e qëndrueshmëri, që zgjidhjen për tejkalimin e kësaj situate dhe garantimin njëherë e mirë të stabilitetit, paqes e sigurisë në rajonin, e shohin, ashtu si edhe ne, vetëm e vetëm tek dialogu!

Dhe ky dialogu nuk mund e nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme, as i lojërave politike apo interesave afatshkurtra, pasi ecuria dhe rezultati i tij nuk kanë të bëjnë vetëm me Kosovën dhe Serbinë por edhe me të ardhmen e rajonit tonë.

Është kësisoj bindja jonë që dialogu duhet të vazhdojë pa humbur asnjë moment, pasi çdo kohë e humbur ka çmim pakrahasueshëm më të lartë për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Prandaj mendojmë se ajo që është arritur deri tani dakordësia në Bruksel dhe në  Ohër, e që është jo pak, – të mos zhbëhet nga këmbët që tërhiqen zvarrë apo nga diskursi i dyfishtë. 

 

Të nderuar Deputetë,

Në përfundim të fjalës sime, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vazhdojë të punojë ngushtë e pandalshëm me Kosovën, me institucionet dhe përfaqësuesit e saj, në të gjitha nivelet dhe në morinë e çështje me interes të përbashkët, në të mirë të të dy vendeve, interesit kombëtar, por edhe ardhmërisë tonë të përbashkët evropiane, duke e parë këtë bashkëpunim edhe si investimin më madhor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe përparimit të natyrshëm të rajonit drejt familjes euro-atlantike.

Ju faleminderit.

Previous Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare